E premte, 19.04.2024, 01:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Botimi i ri/ Shaban Sinani: “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”

E merkure, 31.08.2011, 07:57 PM


Botimi i ri/ Shaban Sinani: “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, botoi “Naimi”, Tiranë 2011.

 

-Monografi dhe dokumente të reja për kontrollin e letërsisë nga regjimi-

 

Libri i ri, që pritet të hidhet në treg këto ditë, “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, është në vijim të botimit të mëparshëm i “Një dosje për Kadarenë”, i cili u publikua për herë të parë në vitin 2005 në Tiranë. Në maj të vitit 2006 “Një dosje për Kadarenë” u botua frëngjisht nga “Editions Odile Jacob”, me titullin “Le Dossier Kadaré”, në përkthimin elegant të Tedi Papavramit. Ky botim, i cili më vonë qarkulloi dhe në version të numerizuar (CD) dhe në formatin eBook, shoqërohet nga bashkëbisedimi i shkrimtarit Ismail Kadare me studiuesin francez Stéphane Courtois, një prej specialistëve më autoritarë të historisë së luftës së ftohtë në Europë, drejtor i Qendrës së Studimeve Kombëtare të Francës (CNRS - “Centre National des Recherches Scientifique”).

 

Botimi i ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “dossier K”, nën siglën e e shtëpisë botuese “Naimi”, Tiranë 2011, ka shumë ndryshime prej të parit dhe prej botimit në gjuhën frënge. Në gjendjen e re libri përmban dy pjesë. Në pjesën e parë botohet monografia “Letërsia në totalitarizëm: I. Kadare”, një studim i nisur dhe i kryer si projekt shkencor, që ka për qëllim të paraqesë kushtëzimin kontekstual të letërsisë në shoqëritë e mbyllura, përmes rastit më të diskutueshëm gjatë dy dekadave të fundme, letërsisë së Ismail Kadaresë. Studimet letrare, sido që për nga natyra dhe metodat bashkëkohore janë gjithnjë e më tekstocentriste, kur është fjala për letërsinë e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, qoftë në Shqipërinë shtetërore, qoftë në Kosovë, nuk i shmangen dot kontekstit historik.

 

Në pjesën e dytë botohen dokumentet, të pajisura me shenjime informuese të saktësuara e të plotësuara, si dhe me referencat e burimit arkivistik, që lejojnë e lehtësojnë shfrytëzimin e tyre prej cilitdo që është i interesuar për një njohje të drejtpërdrejtë të tyre. Në këtë botim janë shtuar afërsisht 15 dokumente të reja, të cilat në kohën e botimit të parë e të dytë ishin ende nën kufizimet e Ligjit 9154 “Për Arkivat” ose nuk ishin identifikuar në procesin kërkimor. Midis dokumenteve të shtuara, dy letra të M. Shehut për E. Hoxhën, që botohen në këtë libër për herë të parë, janë me rëndësi parësore për të kuptuar raportet e shkrimtarit me pushtetet dhe sidomos për të verifikuar konceptin për letërsinë si çështje shtetërore. Paraqitja e dokumenteve bëhet sipas kronologjisë.  Paraqitja e dokumenteve metodologjikisht është bërë njësoj: në fillim një argument i mjaftueshëm për të kuptuar përmbajtjen, duke përdorur leksikun e hartuesve të tyre (në ligjëratë të drejtë, në shkallën që ishte e mundshme); në vijim fjalët dhe shprehjet kyçe, për t’u dhënë lehtësi studiuesve të njehsojnë interesat e tyre; dokumentet vetë me titujt që mbajnë në burim dhe me tipologjinë që kanë shenjuar nënshkruesit (recension, relacion, letër, ekspertizë), si dhe me të dhëna për persona historikë. Në fund gjenden: signatura (treguesit arkivistikë që mundësojnë rikërkimin); shenjimet e plota të nëpunësve, funksionarëve dhe të lidershipit politik; të dhëna të tjera prej shërbimit arkivistik në zyrën fondkrijuese.

 

Duke qenë një botim i llojit dossier, nuk është përzgjedhur a përjashtuar asnjë dokument i zbuluar dhe ndonjëherë botimi i tyre përmban edhe fragmente që s’lidhen drejtpërdrejt me argumentin e këtij libri, por thjesht përjashtojnë paragjykimet. Duke qenë se gjatë dy dekadave të fundme janë bërë shumë debate për vërtetësinë a pavërtetësinë e paraqitjes publike të bashkëbisedimit/debatit të intelektualëve shqiptarë në takimin me R. Alinë në gusht të vitit 1990 (në atë kohë kryetar i shtetit shqiptar), në përbërje të këtij libri botohet për herë të parë në tërësi pjesa e debateve Kadare-Alia, shoqëruar me referenca të sakta kronografike në fonodokumentin origjinal që ruhet në dy pjesë në formatimin CD.

 

Në botimin e ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, botimet “Naimi”, Tiranë 2011, u gjykua me vend që të vihen emrat e plotë të hartuesve dhe nënshkruesve të dokumenteve, për atë pjesë që në botimet e mëpërparshme kishin mbetur të identifikuar vetëm me nistore (iniciale), kryesisht për arsye etike. Botimi i dokumenteve me nënshkrimet e plota të autorëve do të dëshmojë shkallën e paimagjinueshme të demonizimit të shkrimtarit prej shkrimtarit gjatë periudhës totalitare; si dhe mund të ndikojë për mirë në debatet që hapen e rihapen në formë fushatash gjatë gjithë këtyre viteve për qëndrimin ndaj fshehtësive të arkivave dhe sidomos ndaj dosjeve të policisë së fshehtë politike.

 

Pse një libër i ri për “fenomenin Kadare”?

 

Nga Shaban Sinani

 

Njohja e burimeve dokumentare për gjykimin dhe rendin zyrtar të botimit të letërsisë në totalitarizëm, një çështje kulturologjike në pamje të jashtme, në të vërtetë, përveç aspektit të funksionimit të veprës në variante tekstore, ka dhe një anë tjetër thelbësisht letrare, që lidhet me historinë e receptimit të veprës, me receptuesit e parë të saj, me funksionimin dhe mosfunksionimin e ligjshëm të skemave të komunikimit të veprës “pasi autori ka vdekur”, domethënë pasi vepra është shpallur dhe lexuesi (bashkë me të dhe studiuesi) nuk duan t’ia dinë për mendimin e autorit. Historia e receptimit të letërsisë së realizmit socialist nuk mund të bëhet pa historinë e receptimin të saj në fazën para botimit, në procesin e editimit, kohë e mbikëqyrjes paradigmatike prej zyrave dhe institucioneve të specializuara për kulturën, letërsinë, ideologjinë, partishmërinë dhe vigjilencën.

 

Studimin e letërsisë së realizmit socialist në kushtëzimin e vet me politikën, ideologjinë, kanonet zyrtare, nuk e pengojnë vetëm paragjykimet e pafundme dhe mitizimi deri në përjashtim i fuqisë dhe modernitetit të metodës, por dhe faktorë të tjerë, si mungesa e arkivave të krijimtarisë (arkivat e dy shtëpive botuese, arkivat e Lidhjes së Shkrimtarëve, arkivat e teatrove, arkivat e kinostudios, përgjithësisht arkivat e krijimtarisë, janë dëmtuar deri në moskthim). Kjo pamundëson certifikimin dëshmues të historisë së receptimit të veprës letrare në procesin e editimit të saj (që shumë shpesh mund të kthehej dhe në proces ndalimi), ku do të veçohej roli i redaktorëve, recensuesve, rirecensiuesve, diskutimeve në redaksi, ekspertimeve të jashtme, konsultimeve zyrtare me Lidhjen e Shkrimtarëve, i pjesëmarrjes në diskutimet ideologjike në organizatave të partisë, i vërejtjeve të sektorit të kulturës, sektorit të botimeve dhe sektorit të shtypit në aparatin e KQ të PPSH; i raporteve të posaçme të ministrisë së punëve të brendshme dhe policisë politike, porosive dhe urdhrave të udhëheqjes së lartë të PPSH dhe e të qeverisë; deri tek ekspertimet me qëllime kriminalistike. Këtyre u shtohet dhe fakti që, pasi realizmi socialist u shemb bashkë me sistemin politik, karakteri i sistemit letrar në hapësirën shqiptare ndryshoi, nënsistemet e saj filluan së funksionuari si një sistem policentrik, hierarkitë e vjetra autonome u shembën gjithashtu dhe sinkronikisht lindën dhe vullnete të kundërta: për të ruajtur a për ta ndryshuar status quo-në e mëparshme, pavarësisht deformimeve të saj.

 

Të gjitha këto e bëjnë të detyrueshëm vështrimin e raportit të letërsisë me politikën shtetërore në totalitarizëm, si mundësia e vetme për të deshifruar procesin e ndërlikuar të editimit të letërsisë në shoqëritë e kontrolluara; historinë e receptimit të saj në fazën para publikimit; shkaqet e përshtatjes së letërsisë dhe të shfaqjes së dukurisë së motërzimit; arsyet pse midis dorëshkrimit dhe botimit ka dallime shpesh të karakterit të vullnetit krijues.

 

Reagim i drejtuesit të shtëpisë botuese “Naimi”:

 

Duke marrë shkas nga ligjërata e prof. dr. Shaban Sinani, mbajtur para dy ditësh në Seminarin XXX Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në Prishtinë, ku, ndër të tjera, autori iu referua librit të vet më të ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, i cili këto ditë del në treg nën siglën e botimeve “Naimi”, në median kosovare dhe pastaj edhe në Tiranë janë publikuar disa shkrime me referenca dhe informacione të pasakta. Për respekt të lexuesit dhe të së vërtetës, sqarojmë se disa citime të vëna në gojën e profesorit apo të librit të tij janë të pasakta. Kështu, për shembull, nëse autori në ligjëratën e tij, apo edhe në libër, duke iu referuar burimeve arkivore vë në dukje se “në vitet 1970-1980 vetëm udhëheqja partiake merrte mesatarisht 7-14 letra vullnetare nga populli”, kjo nuk do të thotë që këto letra e ankesa me shkrim ishin të gjitha për shkrimtarin I. Kadare apo për veprën e tij. Po ashtu, disa media kanë vënë në gojë të autorit të librit citime nga dokumentet e asaj kohe të ofruar në libër si dëshmi apo ilustrim. Ndërkohë, disa gazeta librin e ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”,  e kanë ngatërruar me librin tjetër të botuar para disa vitesh me titullin “Një dosje për Kadarenë”, duke shkaktuar konfuzion tek lexuesi i interesuar.

 

Naim Zoto, drejtor i shtëpisë botuese “Naimi”

 

Skeda e librit:

Titulli: “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”

Autor: Prof. dr. Shaban Sinani

Shtëpia botuese: “Naimi” – Shtëpi botuese dhe studio letrare

(www.botimenaimi.com; e-mail: info.naimi@gmail.com)

Redaktor: Naim Zoto

Recensues: Blerina Suta, Eldon Gjikaj

Gjinia: Studim monografik dhe dokumente

Gjuha: shqip

Nr. i faqeve: 472 faqe

Çmimi: 1000 lekë/ 10 euro

ISBN: 978-9928-109-09-5

Viti i botimit: 2011.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora