E premte, 29.03.2024, 12:23 AM (GMT)

Mendime

Gjekë Gjonaj: Shembulli i dashurisë ndaj vendlindjes

E merkure, 31.08.2011, 06:59 PM


Shembulli i dashurisë ndaj vendlindjes*

 

Nga Gjekë Gjonaj

 

Të shpresojmë se shembulli i Kolë dhe Taze Cacaj, të cilët në vendlinjen e tyre investuan rreth 1 milion dollarë  do të nxisë edhe trieshjanë e malësorë të tjerë të investojnë në  vendin e të parëve të tyre. Sepse trojet tona shqiptare do t’i mbrojmë vetëm duke ndërprerë migrimin dhe emigrimin dhe duke investuar në vendlindje.

 

Jetojmë në kohën e globalizmit dhe pak kush  nga ne jeton në fshatin e tij të lindjes. Megjithatë kudo që jetojmë dhe punojmë vendlindjen e kemi në zemër dhe nuk e harrojmë. Sepse  me të na lidhin fije të shumta, të dukshme dhe të padukshme, sidomos kujtimet e fëmijërisë, stinës më të bukur të jetës, meqë  të gjithë ne, pa përjashtim, jemi të lidhur ngushtë me vendin ku kemi lind, ku kemi parë për herë të parë dritën e diellit dhe ku kemi bërë hapat e parë në jetë dhe që e duam secili në mënyrën e vet. Dyzet e katër vite më parë, nga fshati Rudinë i Trieshit, në kohën kur në shtëpitë trieshjane mungonin kushtet elementare ekonomike për jetesë  normale, ndjenja e lirisë së fjalës, si dhe preokupime të tjera të popullatës së varfër Kolë Prëka Cacaj, në moshën 25 vjeçare, ende i pamartuar, u largua nga kjo tokë  e Arbërit në Trieste të Italisë, kurse një vit më vonë  vendoset në Amerikë në Cleveland të Ohajos, ku filloi rrugën e biznesit dhe të suksesit. Në vitin 1970  Kola së bashku me bashkëshorten Tazen shpërngulen në Nju-Jork, ku prej atëherë e deri më sot, në saje të punës dhe angazhimit të tyre, duke punuar ditë e natë, arritën të krijojnë një kapital solid i cili  u ka mundësuar të kenë një mirëqenie ekonomike.

 

Të fitosh pasuri për çdo individ  është një sukses, por ta shndërrosh suksesin tënd në një të mirë për të gjithë komunitetin, kjo është detyra më e vështirë. Këtë  mision të vërtetë e arriti Kolë Prëka Cacaj,   Dashuria e tij e madhe që kishte për vendin ku lindi ai dhe paraardhësit e tij fisnik e besimtarë e shtynë atë që një pjesë të kapitalit të krijuar në tokën e premtuar, siç e quajmë shpesh Amerikën,  ta bartë në Trieshin e tij të bukur  për të cilin  thotë se e do më shumë se çdo metropol të botës. Kola, i shtyrë nga dashuria për Hyjin dhe kujdesi për rrtijen tonë shpirtërore, me vite e ka ëndërruar këtë kishë për ne, ka bashkëjetuar me të, është djersitur për të, e ka dëshiruar me gjithë fuqinë e zemrës së tij dhe ja sot kjo ëndërr u bë realitet. Prandaj, falë  zemrës bujare, të  pastër dhe të thjeshtë, falë  besimit të thellë dhe të kulluar, falë  bindjeve fetare dhe atdhetare të bashkëfshatarit tim   Kolë Prëkës Cacaj dhe bashkëshortës së tij Tazes jemi bashkuar të gjithë së bashku në këtë kodrinë të vogël, nën krahët e malit të Sukës, për të përurar Kishën e Shën Nikollës, e cila prej sot e përgjithmonë do të ngrohë Rudinën, respektivisht Trieshin dhe të gjithë ata që  kanë origjinëm nga kjo trevë e lashtë shqiptare dhe të tjerët kudo që  jetojnë në botën e jashtme.  Për këtë tempull të lavdisë së krishtit, përfshirë edhe shtëpinë e tij dhe infrsatrukturën rrugore të asfaltuar bashkë me oborrin e tij Kola ka shpenzuar rreth 700 mijë dollarë. Ky bamirës me paratë e tij më parë  ka ndërtuar lterin në varrezat e Nikmarashit. I shqetësuar për infrastrukturën e dobët rrugore në vendlindje para do kohe investoi 220 mijë dollarë për zgjerimin e rrugës prej këtij fshati e deri në qendër të Trieshit, e cila siç keni mundur ta vëreni edhe ju te nderuar miq, duhet riparuar për qarkullim pa pengesë të automjeteve. Ky veprim është një akt bujar, një shembull i mirë i dashurisë ndaj vendlindjes, i cili do të hyjë në analet e historikut të famullisë së Trieshit, dhe jo vetëm, si individi i parë i besimit katolik në  Malësi dhe në trevat tjera shqiptare në Malin e Zi që me paratë e veta ndërtoi kishën e re në fshatin e lindjes.

 

Kola dhe zonja e tij,  gjithëherë me besimin tek Zoti, nuk u kënaqën me këto investime që i përmenda në vendlindje të cilat I afrohen shumës së 1 milion dollarëve. Falë zemrës bujare të kolë dhe Taze Cacaj u realizua edhe ndërtimi  i kampanjelit dhe kambanave në Kishën e Madhe Katolike në Shkodër. Kola  me këtë investim mbi 160 mijë dollarësh u bë i njohur dhe i dashur në komunitetin katolik në Shkodër. Sipas fjalëve të tij ka ndihmuar të gjtha kishat në Malësi, kishën Zoja e Shkodrës në Harsdell në Nju-Jork, dioçezën e Nju-Jorkut, katedralen e Prishtinës dhe shumnë kisha të tjera në Kosovë e Shqipëri.

 

Bekimi i i kësaj kishë, brenda së cilës ndjehemi dhe jemi familja e dashur e Zotit, është një moment gëzimi për të gjithë ne që kemi një lidhje me të, sepse e kemi parë duke u rritur që nga gurthemeli dhe deri tani që ka marrë këtë formë të mrrekullueshme.

 

Ne trieshjanët kudo që ndodhemi i jemi mirënjohës dhe shprehim respekt e dashamirësi ndaj këtij gjesti human dhe veprimtarisë së përgjithshme të Kolë dhe Taze Cacaj, të cilët tashmë me kontributin e deritashëm  jo vetëm se pasqyruan më së miri natyrën e shpirtit të tyre, por dëshmuan se dinë dhe duan të përkujdesen veçmas  për ruajtjen e vlerave tona fetare. Ndërtimit të kësaj kishë  duhet t’i gëzohen të gjithë besimtarët, banorët dhe kalimtarët e rastit. Vetë lartësia e saj  do të jetë edhe  shenjë identifikimi i fshatit, besimit dhe komunitetit që në të jeton, kurse thirrjet  e këmbanave do të jenë  thirrje për paqe, për mirësi, për qetësi, për fisnikëri dhe humanitet

 

Ky objekt kulti dhe këmbanat e saj poashtu na ftojnë  t’i kthehemi këtij fshati, vendlindjes tonë të dashur të cilën, të gjithë ne që i jemi larguar besoj jo përgjithmonë,  e mbajmë në zemër kudo që jemi, ditë e natë, orë e çast. Por nuk mjafton   tia bëjmë qejfin vetes e të themi se e duam Trieshin. Ai, sikur çdo  pjesë tjetër malore  e Malësisë,  ka nevojë për investime, për të ngritur ekonomi të vogla e të mesme  ku do të punësoheshin malësorët. Të shpresojmë se shembulli i Kolë dhe Taze Cacaj do të nxisë edhe trieshjanë e malësorë të tjerë të investojnë në  vendin e të parëve të tyre.   Trojet tona shqiptare, vëllezër e motra,do t’i mbrojmë vetëm duke ndërprerë migrimin dhe emigrimin dhe duke investuar në vendlindje.

 

Të nderuar miq.

 

   emrin tim dhe tuajin, falënderoj nga zemra dhe shpirti Kolën dhe Tazen për këtë dhuratë të madhe që i dhuruan Trieshit dhe krejt Malësisë në respekt të fesë me dëshirën që  kjo kishë e re në një të ardhme jo të largët të përtërihet me besimtarë të ri.

 

*Fjala e mbajtur me rastin e përurimit të Kishës së Shën Nikollës të mbajtur më 27 gusht 2011 në  Triesh ( Malesi e Madhe)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora