E marte, 16.04.2024, 03:27 PM (GMT+1)

Mendime

Selim Nëngurra: Shqiptari i vërtetë asht njeri i mirë, asht vëlla për shqiptarin dhe bujar për gjithkënd

E merkure, 31.08.2011, 07:59 PM


SHQIPTARI I VERTETË ASHT NJERI I MIRË, ASHT VËLLA PER SHQIPTARIN DHE BUJAR PER GJITHKEND

 

(Falemnderim publik z. Luigj Bardhec Prenaj dhe familjes bujare Prenaj nga Klina)

 

Nga Selim M. Nengurra (ish Hasanaj)

 

Se ka shqiptarë të mirë, të urtë e bujarë, nuk ka asnji dyshim, dhe se kjo asht e saktë, unë personalisht e provova në pushimet e mia verore, që i bana në Atdhe nga 06 korriku e deri me 17 gusht 2011.

Do të shkruej pak per nji rast që e perjetova e që më ka ba të ndjehem i privilegjuem nga vetë Zoti, që ma dha fatin ta njoh z. Luigj B. Prenaj nga Klina.

Kush asht z. Luigj B. Prenaj?

Luigji asht bir i z. Bardhec Prenaj dhe nip i familjes me taban kombtar, Palokaj nga Gurrakoci. Pra asht nip i Binak Palokes, këtij burri kreshnik të familjes Paloka, familje që pos Binakut, dha edhe trima të tjerë si dhe intelektualë të niveleve të nalta. I kësaj familje asht edhe gazetari e publicisti i mirënjohun z. Augustin Paloka. Unë në gjurmimet e mia në arkiva dhe në biseda me pleq kam mësue se Binak Paloka, në nji rast, mbasi e kishin zanë rob forcat partizano-çetnike së bashku me gjyshin tim (baba i nanës), Mushak Bajram Kuklecin nga Prekalla, Binaku, porsa gjen rastin, kap per fyti nji nga rojet dhe i nxjerr pushken, shpejt e zgjidh mikun e tij Mushak B. Kuklecin dhe ikun pa therrë në kambë dhe shpetojnë. A thue asht tash kjo rastesi që edhe mue nip (djalë i vajzes) i Mushak B. Kuklecit,  të më bahet mik e vëlla nipi i Binak Palokes, z. Luigj  Bardhec Prenaj?

Para tre vjetesh, ndersa vija nga Gjakova, ku isha per të vizitue vajzen time, porsa kalova rrugen magjistrale Pejë-Prishtinë dhe këtheva per në Klinë, papritmas m’u ndezen të gjitha dritat alarmuese në front tabelen e makines time. Per fat aty afer ishte nji pompë e benzines dhe u ndala me shpresen se dikush do më ndihmonte, sepse unë nuk dija as nuk kuptoja se çka ndodhi. Aty nji djalosh i ri më tha se ai di per nji automekanik profesional dhe se po te doja, ai do ta thërriste. Po thirre, de, i thashë, unë kam problem me veturen dhe nuk guxoj ta ngas tutje. E thirri mekanikun ai njeri i mirë, të cilin poashtu e falmnderoj ( sado që nuk di kush ishte ) dhe ma dha mue telefonin të flisja me te. I tregova se si qendronte puna, dhe mekaniku më tha ta vozis lirisht deri te puntoria e tij dhe ma spjegoi se ku ishte ajo. Nuk do të ndodhë asgja, pos se do të zbrazet bateria, të cilen e mbushim mandej pa problem, më tha ai.

E degjova dhe shkova. Porsa hyna në oborrin e asaj puntorie, pash se kisha ardhë jo tek gjithfarë puntorie, dhe u binda se këtu padyshim do më ndihmojnë. Kisha nji veturë  VOLVO  V40 paksa speciale dhe shumë e rrallë per shqiptaret, andaj frigohesha nëse do të dinte dikush ta riparonte. Porsa parkova, para me doli nji burrë i buzqeshun, me flokë kaqurrella paksa të gjatë nga prapa, më shtriu doren dhe më kerkoi falje se duhej të presja pak. Më ftoi të futesha mbrendë dhe më ofroi nji fotele të paster pa asnji njollë që unë kurr nuk kisha pa të ket aq pasterti e pedantri në puntoritë mekanike, jo vetem në Atdhe, por as në Norvegji. Sytë mbeten hapun dhe shikoja se si punohej aty, se si mbas seciles punë mekaniku pastronte vendpunimin dhe veglat e punes, kuptova se ai flokëkaçurreli do të ishte shefi apo pronari i puntorisë. Nuk kisha pasë gabue, ai ishte z. Luigj B. Prenaj, pronar dhe mjeshter  i persosun i veturave. Per fat prishja në veturen time nuk kishte pasë qenë e madhe. Ishte këputë rripi i dinamos, të cilin z. Luigj nuk e kishte , por e porositi me telefon në Prishtinë dhe pas nja 1 orë e 45 minuta rripi arriti.

Vet z. Luigj ma ndrroi dhe rregulloi veturen dhe mbasi pagova, i kerkova karteviziten. Nuk i dihet, mendova , qenka mjeshter i mirë dhe njeri i sjellshem,po pata nevojë herët tjera do të vij te ky. 

I shterngova doren dhe i urova sukses  e ai mue më deshroi pushim të kandshem në Atdhe e rrugë të mbarë kur të ikja.

Unë shkruej , shkruej per ato gjana që më duket se duhet me shkrue, nuk do thotë se gjithmonë kam të drejtë, dhe shkrimet e mia herë lavdohen e perkrahen e ka edhe të tillë që nuk i duen, më shajnë e sulmojnë.

Kështu unë shihja se nganjiherë në shkrimet e mia bante komente njifarë Bardhi. Më terhiqnin vemendjen dhe kurreshtjen komentet e tij. I gjeta adresen elektronike dhe i shkrova, ai më tha se asht nga Klina, më tregoi se asht baba i Luigj Prenaj-t, i cili më kishte rregullue diçka në nji veturë, sepse tashma kur po sheh Luigji foton time, po i kujtohet rasti im me VOLVO V40.

Vitin e kaluem unë ndrrova veturen dhe sado që Mercedes, megjithate mbas nji viti, e sulmoi ndryshku per së tepermi. Pata mendue se kam ble veturë të mirë, por nuk më doli ashtu. Shkova me te në pushime , por vetem mbas dy javesh më vdes nana dhe u desht të ikja për Gjermani, të angazhohesha per transportimin e kufomes së saj per ta varrosë në Atdhe. Nuk ia kisha besen vetures , sado që kisha shkue pa probleme me te nga Norvegjia. Ta kontrollojë Luigji, thashë me veten time, dhe shkova pak per veturen e ma shumë per ta njohë baben e Luigjit, z. Bardhec, dhe per të pershendetë Luigjin. E thirra në telefon dhe porsa mbrrina në oborr para puntorisë, më priti z. Luigj e aty ishte edhe z. Bardhec Prenaj.

Shko, babë, me bacen Selim në shtepi e pini ndonji kafe, se unë do të kontrolloj veturen e tij.

Unë nuk jam njeri i turpshëm, por e them sinqerisht se ma me deshirë do Të shkoja me z. Bardhec në nji kafe diku jashtë. Mirëpo  jo, z. Bardhec as që më lejoi të flas, eja mbas meje, më tha, dhe më priu drejt e në oborr. Çka të shoh, nji shtepi të mirë familjare, nji oborr të rregulluem me pemë të gjithllojshme e gjelbrim me bar e lule dhe në mes të oborrit nji hardhi rrushi, që ishte lidhë në shtratin e ndërtuem nga pronari dhe kishte marrë formën e nji shatorri, ndërsa nën te ishte nji tavolinë e gjatë e rrethueme me shumë karriga. Ishte nji hije e kandëshme, dhe sado që bante vapë, aty ishte freski për të pushue shpirtin. Porsa u ulem, nga shtepia doli zonja e Bardhecit, erdhi e u përshendet, menjiherë mbas së vjehrres erdhi e u përshendet edhe nusja e Luigjit. Pashë se kjo familje asht bujare, pashë se kjo familje i ka rranjët e thella dhe të pastra shqiptare nëpër shekuj, pa e përlye genin e vet dhe thjeshtë për herë të parë në jeten time më kaploj nji frustrim, a thue vallë a i meritoja unë gjithë ato respekte nga këta njerëz ?! Nese po, pse ? Per faktin se njerëzve u flejnë në shpirtë shkrimet e mia të thjeshta e të sinqerta, per arsye tjetër nuk besoj se do më njihte kush.

Nuk asht me randësi të pershkruej me çka më gostiten familja bujare (per mue e Shejt ë) Prenaj, e them se pos pijeve e kafeve të mira e të shijshme, e zoja e shtepisë kishte pasë ba edhe buken e mengjesit dhe hangra bukë aty nen hijen e  pjergulles se rrushit, sa bukë ma të shijshme nuk mbaj mend të kem shijue. Zoti e begatofë dhe i shtoftë të mirat kësaj familje.

Nuk ndejta shumë , erdhi Luigji dhe më tha, baca Selim, vetura jote asht e mirë, por atë ndryshk që ishte dalë vende vende, ma lejo mue ta gjej nji mjeshter të mirë dhe të lirë per TY. Mandej duhet me i ndrrue edhe disa pjesë në të dyja anët, pjesë të cilat vetem sa nuk janë këputë. Më tregoi cilat ishin ato, por unë nuk i mbajta mend. Nuk mundem këte herë, o Luigj, i thashë unë, duhet të iku sot per në Gjermani, se më ka vdekë nana. U erdhi keq atyne dhe më shprehen ngushllime. Luigji më garantoi se nuk kishte rrezik të psoja ndonji prishje të vetures rruges, dhe u pajtue se do presim vitin e ardhshem.

U perqafuem si vëllazen dhe unë ika me pershtypjet ma të mira per këtë familje.

Këtë vit ndryshku kaploi edhe ma shumë, sepse edhe kemi pasë dimnin e fortë e me shumë borë në Norvegji.

Shkova dhe mbas  dy ditve që mbrrina në Istog, drejt e te Luigji.

Ai, mbasi u la disa porosi mekanikëve, mori veturen e tij dhe më tha: Eja mbas meje, baca Selim. Unë isha me gruen time dhe edhe asaj i bani pershtypje puntoria mekanike e Luigjit. Shkuem në fshatin Jashanicë, aty kishte nji njyroses të veturave. Them sinqerisht se nga e para nuk ma mbushi synin, por kur u futa mbrendë pashë se ai burrë kishte mjetet e duhuna per ta ba nji punë cilësore. Shiko (i tha mjeshtrit z.Luigji), ky asht baca Selim, nji mik yni i mirë. Ti do i heqish ndryshkun nga vetura dhe do e ngjyrosesh ate, ama mos harro se vetem materialin duhet me e llogaritë, e jo mundin e punën.

U skuq mjeshtri dhe me rrudhje krahesh dha shej se pajtohej me Luigjin. Mbas  nji jave ma sollen veturen në Istog. Ishte rregullue aq bukur, sa mezi e njoha se asht e imja.

Luigji më tha se duhet me i ndrrue ato pjesët rreth rrotve. Shkova nji ditë dhe menjihere ia filloi punes, m’i ndrroi krejt çka ishte e amortizueme në veturen time dhe kur e pyeta per çmimin ai vetem buzqeshi dhe tha: Per ty asnji cent, o baca Selim. Ta them të drejten unë tashma duhej të ikja nga vendlindja dhe edhe xhepi e kuleta ishin ligë, ama unë mendova ta dija dhe t’ia dergoja ma vonë nga Norvegjia. Nuk mund të largohesha aq lehtë dhe shkova të pyesja mjeshtrat sa, perafersisht, kushtonte ajo punë që ata kishin ba në veturen time. Nuk dimë asgja, më thanë të gjithë. Pashë se z. Luigj ju kishte ndalue edhe atyne të më flisnin per ndonji çmim. Unë vleften e kësaj pune me gjithë ato pjesë  të reja që m’i fali Luigj Prenaj e mesova kur erdha këtu në Norvegji. Po e baj publike. Këtu në Norvegji nji punë e tillë do më kushtonet diku 2000 euro.

Prandaj, në pamundësinë time t’ia shperblej të gjitha këto respekte Luigjit , Bardhecit  dhe dy zonjave të mrekullueshme Prenaj, publikisht i falemnderoj dhe lus ZOTIN që ta bekojë këte familje, këta njerëz të mirë, të urtë, bujarë, bukëdhanes dhe puntorë.

Ju falemnderit, të dashtun, Jy fisnikët e familjes Prenaj.

Ju premtoj se Selim Nengurren (ish Hasanaj) gjithmonë do ta keni si vëlla.

Borgenhaugen: 30.08.2011



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora