E enjte, 25.04.2024, 09:35 PM (GMT+1)

Mendime

Selim Nëngurra: Haxhi Zeka përqafon nanën shqiptare

E marte, 30.08.2011, 08:59 PM


HAXHI ZEKA PËRQAFON NANËN SHQIPTARE

 

Nga Selim M. Nëngurra

 

Mbasi mërgimtar shqiptar Mhill Gjon Gjuraj që jeton e vepron si biznismen me shumë sukses në Nju Jork të SHBA-ve, e që asht i lindun në fshatin Sverka e Thatë në Lugun e Leshanit, pjesë kjo e Dukagjinit, vendlindja e të pavdekshmit Haxhi Zekë Biberi, thue se vetë Haxhi Zeka e kishte porositë, vendos që në qytetin historik të Haxhi Zekes të sjellë Nanën tonë të madhe, Nanën e njerëzimit, bamirësen dhe humanisten që u ba laureate e shumë e shumë mirnjohjeve e çmimeve ma prestigjioze botënore, mes të tjerëve edhe Çmimit Nobel për Paqe. Ky patriot, që me mallin për vendlindjen, për Atdheun, për farë e fis e vëllazni, jeton e fiton bukën e gojës në vendin tonë mik, në tokën e Shejtë të Shteteve të Bashkueme të Amerikes, nuk ngurron të ndaj të hollat për të ba nji punë humane, patriotike, atdhetare dhe kështu ky gjen nji skulptor shqiptar, mjeshtër i përmasave botënore, Mr. Gani Bajraktari të cilit i jap porosi t’i bajë SHTATOREN SHENJTRESHES SHQIPTARE, sepse vet i Madhi Haxhi Zeka ia ka kërku, ia ka kërkue, se Haxhi Zeka asht përmallue për Nanen, Peja e dashtun e tij ndjehet jetime, sepse para shumë dekadave Nana Tereze e kishte vizitue Pejen. Që nga ajo kohë pejanet e prisnin Nanën t’i vizitonte përsëri,  t’i prekte me duert e saj të vogla e t’i bekonte me shpirtin e saj të shejtë. Nuk e patën fatin ta shifnin t’u vinte përsëri, por e kanë sot privilegjin se NANEN SHQIPTARE, të Shejten Nana Terezë, do ta kenë për jetë të jetëve aty në krye të qytetit të tyne, në parkun e vogel breg Lumbardhit, përballë grykës së Bjeshkëve të Rugoves. Pra, ma në fund, në mesgusht të veres 2011, Peja e Haxhi Zekës, e Bedri Pejanit, Smajl Hajdarit e shumë e shumë burrave të pavdekshëm të kësaj treve, në gjiun e saj, të shkrime në bronz dhe madhështore, ka edhe Nanën Terezë.

 

Unë nga vogëlsia ime , si shqiptarë së pari pergëzojë vëllaun  mërgimtar z. Mhill Gjon Gjuraj që mbuloi të gjitha shpenzimet për ta ba shtatoren e Nanës Tereze, që mbuloi shpenzimet në ditën e zbulimit të kësaj shtatorje, sidhe që gostiti të pranishmit me nga nji koktej në Hotelin "DUKAGJINI", poashtu pergëzojë edhe skulptorin Mr Gani Bajraktari që kishte ba nji vepër të perkryeme.

Unë vëllajt mërgimtar z. Mhill Gjon Gjuraj, që bani këtë vepër kapitale për Atdhe dhe vendlindje i them: Të lumtë! Zoti të bekoftë që i solle Pejës Nanen Tereze ta perqafojë Haxhi Zeka. Koktej që na dhe, Zoti të dhashtë begati dhe paqë gjithmonë, gezime e begati në familjen tande. Mjeshtrit Gani Bajraktari për shtatoren i them poashtu të Bekoftë Zoti, maestro. Kishe ba shtatore, sa pata pershtypjen se Nana Tereze ishte e gjallë.

 

Tash. si shpreha emocienet e mia, do të shkruej për atë ditë që u ba zbulimi i shtatores së Nanës Terezë dhe për gjithë atë pismilet turme të mjeranëve islamistë, që fatkeqësishtë flasin shqip.

 

Kur Prefekti i Pejes, z. Ali Berisha, mbasi pat vendosë t’i ndante nji vend shtatores së Shejtneshes shqiptare, paten reague grupe që prezantohen se janë muslimanë, se ata dhe fenë e tyne i ofendon pranija e Nanës Terezë, patën mendue të mjeret se Peja asht e tyne dhe puna pat shkue aq larg sa z. Ali Berisha u kërcënue në shumë forma. Njifarë organizate, që po u quejtka "forumi i të rinjve islam", e që ka edhe adresë, dhe lider Behar Beqirin, e që për mendimin tim nuk janë asgja tjeter pos marionetë serbo-turkofile, i pat dergue disa letra kercnuese z. Ali Berisha. Ato letra janë ba publike edhe në shtypin e perditshëm të gazetave në Dardani e në sajde të ndyshme në internet. Megjithate z.Ali Berisha nuk u ndal. Ai bani nji veprim patriotik dhe jo vetem se ndau vendin si i pari i qytetit që asht, por edhe prezantoi personalisht ditën e zbulimit të Shtatores së Nanes Tereze. Ky burrë mbajti edhe nji fjalim për të pranishmit e mori prej tyne ovacione frenetike.

 

Ishin aty atë ditë shumë personalitete. Erdhi edhe Akademiku i madh, z. Mark Krasniqi. Foli edhe ky, e me fjalet e tij na mbushi zemrat shpresa, na dha forcë e kurajo për nji të ardhme ma të mirë të bashkjeteses shqiptare pa dallim fetar.

 

Mirëpo mue ato fjalë të tij thuejse vetëm ma mikluen shpirtin, por nuk ma mbushen fort mendjen për të pasë shpresë për ardhmeni të ndritshme të kombit tim. Unë dëgjoja Profesorin e nderuem dhe sytë më leviznin majtas, djathtas dhe shihsha se Peja, qytet i gadi 200.000 banorëve (nuk di sa janë saktësisht), atë ditë të Madhe aty buzë Lumbardhit të saj kisht arrijtë t’i grumbullonte vetem diku 200-300 vetë. Padyshim di se në Pejë janë disa xhamija të  vëllazënve tanë, që praktikojnë islamin, e kjo do të thotë se janë edhe disa hoxhallarë. Atë ditë në krye të Pejes, buzë Lumbardhit, nuk pashë asnji hoxhë. Aty kishte priften e ipeshkv, ishte edhe vet Arqipeshkvi i Dardanisë Imzot Dodë Gjergji, por nuk ishte asnji hoxhë, asnji sheh a dervish. Unë nuk kam shumë durim dhe ashtu nga thellsitë e shpirtit më doli nji ofshamë dhe thashë bukur si me za: Ku jini, o pejanë, Zoti ju marroftë, pernjime kenkeni zorragji (nji shprehje kjo ofenduese per qytetaret që perbuzin fshataret në Pejë). Nji zonjë pranë meje më degjoi dhe ma bani me gisht të hesht, shiko masen, këtu ka gjithçka dhe mund të të dalë telashe, më tha ajo zonjë urtësisht e butësisht, ashtu si i thotë motra vëllajt.

 

Unë isha i thyem prej zhgenjimit, mbështeta krahun në supin e djalit të kunatit tim, Albanit, që ishte me mue, dhe lëshova nji ofshamë, mezi u mbajta pa u perplasë për toke. Zonja ime, Nusha, që ishte krah meje dhe mbesa e saj Albina më pyeten njizani a isha mirë. Albines i erdhi keq kur m’i pa lotët në sy. Ajo padyshim do ketë mendue se unë kisha ndonji dhimbje, sepse ajo di per shendetin tim jo krejt të qendrueshem; nuk e dinte Albina se lotët e mi dilnin nga thellësitë e shpirtit kur shikoja se Pejes i mungojnë shqiptaret, se atë ditë u deshmue se në Pejë ka fare pak shqiptarë. Pau ajo se unë do rrexohesha dhe së bashku me vëllajn e saj, Albanin, më mbajten per krahu. Ashtu ecem deri te nji lis aty, ku unë u mbështeta.

 

Ah, Haxhi Zeka, po aq shumë paska pasë mallkue Zoti këtë popull, sa të bahet kaq injorant?! Ani tash në liri, me shtet të vetin? Pse?!

 

A ka mundësi të kesh qenë Ti, o Haxhi Zeka, mesues i keq e nuk i ke mesue të ecin rruges tate pejanët? Ti pate shkue në shpate të bjeshkes së Rugoves dhe pate sjellë dhuratë fidanin e lisit për Kishen e ZLLAKUQANIT dhe ai fidan sot asht lis aty në mes të oborrit të Kishës, që besimtarëve e kalimtarëve u kujton madhështinë e Haxhi Zekes. Jo, jo, i dashtun baca i jonë, më fal, se nuk ka mundësi që ti t’i kesh mesue keq shqiptaret. Ti i ke mesue mirë ata dhe pikrisht pse i mesove mirë ata të vranë pabesisht e tradhtisht së bashku me truprojen tande (të parin e rranjes time familjare) Ramë Feken e Krasniqes së Vendit. Nuk ka mundësi që  Ti, e baca Ramë, as t’i keni mallkue ata. Ata kanë mallkue veten dhe i ka mallkue Zoti, se u vranë Ju, përqafuen injorancen dhe shkojnë rruges së territ. Ata edhe tash treguen se janë injorantë. Megjithate, Ti si gjithmonë, me Ramë Feken krah per krah, mblidhi djemet e Pejes e rrethines dhe shkoni të perkuleni para Nanes tonë , Shejtores tonë, Nobelistes tonë. Përqafojeni shumë atë Nanë të njerzimit.

 

Borgenhaugen: 28.08.2011



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora