E shtune, 20.04.2024, 02:24 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Monumenti i një ëndërre

E marte, 30.08.2011, 08:58 PM


MONUMENTI I NJË ËNDËRRE

 

Nga Frank Shkreli

 

Në fillim të kësaj jave në Uashington u hap për publikun memoriali kushtuar udhëheqsit të të drejtave civile në Amerikë, Martin Luther King-ut. Hapja për publikun e memorialit shënoi filloi një javë aktivitetesh, që duhesh të kulminonin me inaugurimin zyrtar me një fjalim nga Presidenti Obama këtë të Djelë, nëqoftëse ceremonia nuk shtyhet për arsye të kohës së keqe që do të shkaktojë uragani Irenë -- që këtë fund jave pritet të godasë rëndë pjesën jug-lindore të Shteteve të Bashkuara.

Martin Luther King, një prift protestant, kryesoi lëvizjen për barazi raciale në Amerikë gjatë viteve 1950-ave e 1960-ave.  Ai pat thënë njëherë se madhështia e Amerikës është se të jep të drejtën për të protestuar në favor të së drejtës dhe barazisë për të gjithë. Drejtë këtij qëllimi, ai udhëhoqi qindra mijëra afrikano-amerikanë në protesta paqësore kundër ligjeve që legalizonin ndasitë raciale në vendet publike.

Hapja dhe inaugurimi i Memorialit të Martin Luther King-ut është një ngjarje historike jo vetëm për Shtetet e Bashkuara por edhe për popujt anë e mbanë botës,

Martin Luther King
Martin Luther King
pasi vizioni dhe bindjet e Dr. King-ut rezonojnë gjithnjë edhe sot për popujt e të gjitha kontinenteve. Sipas organizuesve të inuagurimit të memorialit, të cilët thonë se përveç qindëra mijëra amerikanëve që po vizitojnë tanimë memorialin, pritet që mijëra vizitorë nga e gjithë bota të marrin pjesë në këtë ngjarje historike.

 ‘’Dr. Kingu ishte një mësues shumë i mirë, mësimet e të cilit ishin të ankoruara në pushtetin suprem të dinjitetit njerëzor’’, tha drejtori i fondacionit të Memorialit të Martin Luter King-ut, Herri Xhonson, Sr., duke shtuar se ‘’ai u dha fuqi ligjore ndryshimeve të pa këthyeshme shoqërore duke çuar vendin tonë përpara, me mjete eksklusivisht paqësore.’’   Ky memorial shtoi ai, ‘’do të jetë  një nderim i përhershëm ndaj  trashëgimisë paqësore të Dr. King-ut dhe do të shërbejë përgjithmonë si një monument i lirisë, mundësive dhe drejtësisë, për të cilën ai luftoi aq shumë.

Memoriali i Martin Luter King-ut është vendosur në fushën e Parkut të madh Kombëtar në qendër të Uashingtonit, në mes të dy memorialeve të ngritur për nder të dy prej presidentëve amerikanë, Tomas Xheferson-it dhe Abraham Linkoln-it, dhe është memoriali i parë që i kushtohet një afrikano-amerikani, duke ndryshuar kështu edhe traditën, pasi deri tani  në këtë park ishin ngritur vetëm memoriale kushtuar presidentëve si dhe luftërave të bëra nga Shtetet e Bashkuara.

Inaugurimi zyrtar -- i statujës prej nentë metrash e gjatë me disa prej citateve më të njohura të Dr. Kingut të skalitura në të -- të Djelën më 28 Gusht -- shënon

Memoriali i Matin Luther King-ut
Memoriali i Matin Luther King-ut
48-vjetorin e të ashtuquajturit Marshi i Uashingtonit, kur Martin Luter Kingu mbajti fjalimin e tij të famëshëm, e që bëri jehonë anë e mbanë botës me titull, ‘’Unë kam një ëndërrë’’, (I Have e Dream).

 ‘’Unë kam një ëndërrë se një ditë ky komb do të zgjohet dhe do të praktikojë besimin thelbësor të qenjes së tij, se të gjithë njerëzit kanë lindur me të drejta të barabarta.’’

‘’Unë kam një ëndërrë se një ditë, në malet e kuqe të shtetit Xhorxha, bijtë e ish-skllevërve dhe bijtë e ish-pronarëve të skllevërve do të mund të ulen së bashku në një sofër vëllazërimi.’’

‘’Unë kam një ëndërrë se katër fëmijt e mi do të jetojnë një ditë në një shtet, në të cilin ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por do të gjykohen nga përmbajtja e karakterit të tyre.’’

‘’Nga çdo mal, le të dëgjohet jehona e lirisë. Kur ne të lejojmë që të dëgjohet jehona e lirisë, nga çdo fshat i madh e i vogël, nga çdo shtet e nga çdo qytet, atëherë ne do të jemi më afër ditës kur të gjithë fëmijt e Zotit -- zezakë e të bardhë, paganë, jevrejë, protestanë e katolikë –do t’i japin dorën njëri tjetrit dhe do të këndojnë, sipas fjalëve të një kënge fetare të zezakëve, ‘I lirë më në fund’, ‘I lirë më në fund’! Falenderojmë të Madhin Zot, se më në fund jemi të lirë.’

Memoriali i të Përndershmit King është vendosur në rrugën 1964 Avenuja e Pavarësisë, duke shënuar kështu simbolikisht vitin kur presidenti amerikan i asaj kohe Lindon Xhonson nënshkroi Aktin e të Drejtave Civile, duke ndaluar kështu diskriminimet në bazë të racës, gjinisë dhe prejardhjes etnike, e që u realizua falë protestave paqësore të lëvizjes që kryesontë i Përndershmi King.

Martin Luther King Fjalimi në Uashington  'I Have a Dream', 1963
Martin Luther King Fjalimi në Uashington 'I Have a Dream', 1963
Ëndërra e Dr. King-ut për një Amerikë më të mirë për të gjithë, filloi të merrte përmasa formimi më 1964. Në moshën e re 35-vjeçare ai fitoi  Çmimin Nobel për Paqë. Mirëpo pas arritjeve të shumëta në fushën e të drejtave civile në Amerikë, Dr Martin Luter Kingu fatkeqsisht vritet në Prill të vitit 1968 në Memfis të shtetit Tenesi.

Amerika i ndërtoi një monument Martin Luter King-ut, në një çfaqje nderimi të përhershëm, për një njeri të paqës, i cili kryesoi një lëvizje paqësore që luftoi me tërë forcën e saj për demokraci, barazi e drejtësi për të gjithë, me qëllim për të përmirsuar jetën për miliona afrikano-amerikanë dhe të tjerë.   

Gjatë hapjes së memorialit për publikun në fillim të javës, ishte i pranishëm edhe skulptori kinez Lei Yixin, i cili krijoi statujën e Dr King-ut. Gjatë ceremonisë ai tha se ‘’Martin Luther King nuk është hero vetëm për Amerikanët – ai është gjithashtu hero i botës, pasi ai ndoqi ëndërrën universale të popujve të botës.’’

Ngritja e një memoriali në livadhin e Parkut Kombëtar në Uashington për një afrikano-amerikan është gjithashtu një dëshmi e përparimit që ky vend ka shënuar, gjatë dekadave të fundit, në rrugën drejtë barazisë raciale. Fundi i fundit, Shtetet e Bashkuara, për herë të parë në histori, kanë një president afrikano-amerikan. Por siç komentoi edhe gazeta kombëtare amerikane USA Today, ‘’Dr. King kishte shumë ëndërra më 1963. Këtë fund jave, Amerikanët e të gjitha racave kanë arsye të celebrojnë ato që janë realizuar deri më tani dhe njëkohësisht të jenë të vetdijshëm se është në interesin e të gjithëve të përpiqen që edhe endërrat ende të parealizuara,(të Dr. Kingut) të bëhen realitet’’.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora