Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Richard Gere - Një burrë që është shndërruar në një ëndërr

| E marte, 30.08.2011, 05:48 PM |


Në jetë nuk mund të kesh asnjëherë gjithçka, por për Richard Gere duket se mund të bësh një përjashtim. Nëna natyrë i ka falur gjithçka për t’u quajtur një njeri i kompletuar: i bukur, i zoti, i pasur, inteligjent, i famshëm dhe me fat, përveç një “Oskari”.

 

Richard Gere sapo mbushi 62 vjeç, por për shumë njerëz dhe admirues ai është “kavia” ku duhen zbuluar sekretet e rinisë së përjetshme, sepse para së gjithash është një mashkull bukurosh. Gere, një djalosh që vinte nga një familje e thjeshtë me pesë fëmijë, ka arritur të bëjë gjithçka vetë në jetë. Ka arritur të realizohet 99 për qind për të mos thënë 100 për qind, sepse ndryshe do të ishte një njeri perfekt. 62-vjeçari ka qenë dhe është yll kinemaje për më shumë se 30 vjet.

 

Roli i tij i parë i rëndësishëm në një film ka qenë ai përkrah aktores Diane Keaton në filmin “Looking for Mr. Goodbar” që u pasua nga ai i një punëtori ferme, emigrant në “Days of Heaven” në vitin 1978. Kurrë nuk ka arritur të kuptojë se përse u kthye në një seks-simbol pas filmit “American gigolo”, por di me siguri se ai rol i hapi udhën edhe për filma të tjerë të suksesshëm si: “An Officer and a Gentleman”, “Internal Affairs” dhe “Pretty woman”, ku tregoi aftësi komike që nuk i kishte treguar asnjëherë më parë.

 

E, megjithatë, për atë vetë ky sukses mbetet ende mister.

 

“Është mrekulli që karriera ime ka arritur në këtë pikë, pasi nuk kam qenë kurrë i zoti të tregoj aftësitë gjatë provave për rolet”, thotë aktori.

 

“Po të bazohej gjithçka te provat, nuk do kisha fituar kurrë ndonjë rol. Në to isha shumë nervoz dhe e urreja faktin që njerëzit përballë më gjykonin”.

 

Si besimtar i devotshëm i budizmit, Gere arrin të balancojë kërkesat për shtypjen e çdo lloj egoizmi që i kërkon kjo fe me kërkesat narciziste që shtron detyrimisht karriera hollivudiane.

 

Fillimisht ka qenë i martuar për pak kohë me modelen Cindy Crawford gjatë viteve ‘90, më pas për 5 vjet me Carey Lowell, aktoren me të cilën u njoh e nisi të takohej rregullisht në vitin 1990. Kanë një djalë së bashku të quajtur Homer. Nuk e ka vendosur ende nëse do ta edukojë si një budist, apo do t‘i japë një kulturë tjetër, por mendon se fëmija duhet të jetë i lirë të zgjedhë të bëjë atë që dëshiron dhe kë ka më shumë për zemër.

 

E kundërshton shpejt vërejtjen se për shkak të miqësisë së ngushtë me Dalai Lamën dhe përpjekjeve të gjata për të arritur iluminimin, nuk është si baballarët e tjerë.

 

“Jam njëlloj si gjithë të tjerët, jam një baba të cilit fëmijët nuk ia varin”, thotë me të qeshur.

 

"Kam një vajzë adoleshente që nuk më afrohet fare dhe një djalë, që më sheh si njeriu me të cilin mund të luajë bejsboll. Për mua karriera është shumë e rëndësishme, por nuk ka asnjë dyshim se në plan të parë kam familjen”.

 

Për sa i përket karrierës, Gere nuk ka qenë kurrë kandidat për çmimin “Oskar”. Edhe pse sot është një nga aktorët më të njohur, pasionin fillestar në jetë ka pasur muzikën. Di të luajë shumë mirë në piano, në kitarë dhe të shkruajë këngë. Vendi ku lindi dhe u rrit janë rrethinat e Nju Jorkut dhe ka qenë i dyti në një familje me 5 fëmijë.

 

Pasionin për muzikën e ka nga prindërit, të cilët për të mbeten njerëz të jashtëzakonshëm. Jo vetëm ai, por edhe 4 vëllezërit e motrat e tjera, sipas Gere, u detyrohen shumë prindërve për shkollimin dhe dashurinë me të cilën i rritën. Edhe karriera e tij në skenë ka nisur si muzikant në një bandë roku në performancën e parë në vitin 1973. Me gjithë preferencat e tij artistike, në qendër të vëmendjes Gere thotë se paralelisht, qëkurse mban mend, është munduar që të jetë një njeri i ndriçuar.

 

"Që hershëm i kam bërë vetes pyetje në lidhje me natyrën e ekzistencës dhe natyrën e qenies në vetvete. Kush jam? Përse jam? Çfarë kam ardhur të bëj? Cila është arsyeja e gjithçkaje që bëjmë?".

 

Ishte kjo shtysë e brendshme që i hapi dyert një feje jo aq popullore në Perëndim, budizmit. Vendimin për t‘iu dhënë me mish e me shpirt budizmit dhe çështjes tibetiane, e mori gjatë një udhëtimi që bëri në Nepal në vitin 1978 me një piktore braziliane. Ai madje është një nga themeluesit e Shtëpisë së Tibetit, një organizatë joqeveritare, që ka si synim ruajtjen e kulturës tibetiane.

 

Veç Tibetit, Gere është një mbështetës i madh i të drejtave të njeriut në përgjithësi, duke dhënë një kontribut të madh në mbështetjen e "Amnesty International". Këtë vokacion humanitar ai e ka përfshirë edhe në punën e tij si aktor. Ka luajtur disa filma ku denoncohen shkeljet e të drejtave të njeriut në vende të tilla si Kina, apo Ballkani. E me gjithë përpjekjet dhe punën e tij artistike, ashtu edhe humanitare, Gere nuk ka qenë kurrë personi i dashur për shtypin e thashethemeve, ndoshta sepse jeta që ai bën sipas parimeve të budizmit nuk përputhet aspak me mënyrat e ekzistencës së hollivudianëve pasanikë dhe të llastuar.

 

Për Gere, i cili gjatë bisedave shpesh humbet në universin e tij shpirtëror-filozofik, dy forcat lëvizëse të ekzistencës janë mençuria dhe dashuria. Pikërisht këto e bëjnë atë gjithnjë energjik dhe plot besim. Edhe pse jo gjithmonë me buzë në gaz, Gere e pëlqen të qeshurën dhe ka një sens humori shumë të mirë. Madje, ai bën shaka edhe me disa aspekte "qesharake" të fesë së tij, si për shembull mosbërja keq jo vetëm ndaj njerëzve, por ndaj të gjitha krijesave të gjalla, bimë apo kafshë qofshin.

Shqip