| E hene, 29.08.2011, 07:56 PM |
Haluçinacione vape
Nga Lida Lazaj
Vetëm njëherë
Qëlluam të çmendur
Orët i thyem dhe busullën e bëmë varkë
Vozitëm në detin e dëshirave miturisht
Spirancën e hodhëm në Ishullin e Pashkës
Në atë vend, ku as lind, as perëndon
Ku s`ka as mollë as gjarpër
Në det i flakëm gjithçka patëm prej Kaini
Mbajtëm në trup veç dlirësinë e foshnjës
Në atë vend s`do jemi më
As unë as Ti
E kush përgjithnjë i prêt statujat
Të gjejnë në llogjikën e mermerit
Të kthehen a të mos kthehen tek të gjallët
Vetëm një herë
Qëlluam të mençur çmendurisht
Për vetëm një cent
I padukur mes turmës
Një shpirt prej drite
Me ura fjalësh lidh brigjet
Në fusha lënesha mbjell buzëqeshje e pemë miqësie
Në qytetin me trafik e det
Me mite te rrëzuara nga piedestalet
Me të gjallë që ender të vetme kanë piedestalet
Një qenie kozmike, mes turmës i padukur
Për foshnjat e lulet
Për ketrat e zogjtë
Projekton një vendbanim të ëndërt
Në yllësinë e Udhës së Qumshtit
Në qytetin e zhuritur prej vapës
Dhe nga ethet e krizës ekonomike
Fjala dhe ëndrra kushtojnë një cent
Për vetëm një cent
Brigjet bëhen të largët
Pemët e miqësisë thahen
Vetëm një cent
një monedhë e vockël metalike
mban peng vezën aurike
Ne, bijt` e shekullit të ri
Kemi ecur, Migjen, kemi ecur
Në traga udhësh i lamë tollumat e Lulit
Që donin me hangër mësuesin
Luli i Vocërr u bë burrë shteti
Ndonse ç`do katund ka një Lul
Me tolluma gojshqyer, që duan me hangër shtetin
Cdo kullë mban fshehur një Lul
Që me ball` të shenjuar, nga gryka e armës së gjaksit
Gërmëzon alfabetin
Kemi ecur, Millosh, kemi ecur
Legjenda e misrit na ishte njëherë
Tashme falë teknologjisë dhe menysë së pasur të gastronomisë
Kryeqyteti ha e ofron live
Haviar, salsiçe e profka mediatike
Ndonse në ndonjë fshat nën sqetull mali
Meny e përditshme,
Poema e mjerimit dhe patatja
Është dhe bukë dhe gjellë
Kemi ecur, Migjen, kemi ecur
Së toku me Lula, tolluma, poema,
Me refren legjendën e misrit
Kemi duartrokitur fitoret e vogla
Parë me syrin e milingonës kokrrën e drithit
Kemi ecur, Migjen,kemi ecur
Ndonse në koas e rrëmujë, kemi ecur
Ne bijt` e erës internetike
Në ekranet epshndezur
Një travestit Tirane
Lidhet me martesë me nje kangur në Australi
Vrapojmë Millosh, vrapojmë (ku po shkojmë?!)
Ne bijt` e shekullit të ri