Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besim Muhadri: Natë në Nju Jork

| E hene, 29.08.2011, 07:57 PM |


Besim MUHADRI

 

NATË NË NJU JORK

 

(Në pritje të arritjes së urraganit Irena)

 

Televizionet amerikane flasin për urraganin Ajrinë

Që udhëton si një fantazmë gllabëruese qyteteve dhe shteteve amerikane

Për pamëshirshmërinë e kësaj furtune që sillet

e mbështillet nëpër Oqeanin Atllantik rrëfejnë e tregojnë strorie

Tregojnë se si përshkon qytete, trishton njerëzit

Rrëzon lisa e shkatrron shtëpi e gjithçka që i del përpara

 

Në natën e gjatë të së shtunës Nju Jorku kurrë s’ka qenë më i heshtur

I mbytur në vetmi dhe trishtim vdekjeje

Miliona njerëz kanë ikur, janë tretur dikund për t’i shpëtuar vdekjes

Lajmet televizive japin kronika dhe tregojnë

se vdekja e quajtur Ajrinë ka hyrë edhe në qytetin që nuk fle kurrë

Do të shkatërrohet Manhatteni thonë gojëkëqinjtë

Qindra rrokaqiej që shikojnë lartësitë ndoshta nuk do të jenë më

Janë mbyllur të gjitha urat që lidhin qytetin me botën, metroja nuk punon

Nuk ndihet më zhurmë trenash njerëzit janë strukur dikund

Në qiellin e Nju Jorkut nuk shihet as një aeroplan i vetëm

Aeroportit John F. Kenedi i kanë vënë dryrin

Bota ka drejtuar sytë këndej kah qyteti i ëndrrave të parealizuara

E gojëkëqinjtë luten për zhbërje për vdekje masive të njerëzve luten

vetëm për inatë a për realizim dëshirash vrastare

 

Nju Jorku sonte prapë nuk fle, por vetmia ndihet çdokund

Nëpër rrugë nuk sheh njeri, era fryn e shi bie

Nga dritaret njerëzit shikojnë se si rrugët mbulohen nga ujë

Drunj të thyer e makina të shkatrruara

Kanë frikë nga vdekja që mund të vijë në çdo kohë

Sonte qyteti është mbytur në vetmi

Askund nuk dëgjohen këngët e espanikëve

Këtyre njerëzve kaq të hareshëm

që nuk janë mësuar të kalojnë në heshtje këtë ditë

janë mbyllur kasinot, klubet e natës

Sonte bixhozhinjtë do të kursejne dollarët laviret kanë pushim

Ku janë tretur vallë të pastrehët që natën e bënin metrove

dhe nën urat e qytetit

A do të luten ata që jeta të vazhdojë

a do të lutemi dhe ne që fantazma e vdekjes të mos ekzistojë

Nga Kosova, Shqipëria, Evropa bien telefonat pa pushim

Njerëzit pyesin se si është puna këtu si ndihemi a kemi frikë

“Mediet po e bëjnë kiamet thonë andej nga Kosova

Jo i them, lajmet janë të fryra, këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, gënjej unë

Eh, Nju Jork, Nju Jork, ç’fat po të pret, ndoshta nuk është film

A  mos vallë do të shuhen miliona ëndrra, historia e botës të ndryshojë

A mos vallë .... a mos vallë.....

Dhe pikat e sheshjtes s’kanë të ndalur

Ashtu si heshtja që ka rënë në Nju Jork...

 

Nju Jork,

Më 27 gusht 2001, natë