E enjte, 25.04.2024, 10:46 PM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Lamtumirë, Serbi! Lamtumirë, Lindje!

E shtune, 16.02.2008, 06:42 PM


Lamtumirë, Serbi! Lamtumirë, Lindje!

Nga Enver Bytyçi
 
Më 17 shkurt 2008, Kosova feston pavarësinë dhe shqiptarët shkëputen de jure prej ndikimit lindor:

Deklarata për shpalljen e pavarësisë do të publikohet nesër më 17 shkurt nga ana e Parlamentit të Kosovës dhe do t'i thotë përfundimisht “Lamtumirë” Serbisë. Ndërsa ne shqiptarët do t'i themi de jure “Lamtumirë” Lindjes. Nga ky moment treni i shqiptarëve do të udhëtojë lirshëm në rrugën euro-atlantike, duke u rikthyer edhe njëherë në pikënisjen e vet të para 2000 viteve. Fushë beteja midis Lindjes dhe Perëndimit nuk do të jenë më territoret shqiptare, por vetë territoret e pushtuesve serbë.

Nesër Parlamenti në Prishtinë do të shpallë deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Ky akt do të jetë epilogu i mundimshëm i lamtumirës që shqiptarët janë përpjekur t'i thonë vazhdimisht Serbisë, por që deri tani kishte mbetur në tentativë. Ky akt do të shënojë gjithashtu fundin e një kohe të shkuar të shqiptarëve, fundin e një epoke më shumë se njëmijë vjeçare. Me pavarësimin e Kosovës treni i shqiptarëve merr licencën e udhëtimit të pandalshëm në rrugën euro-atlantike. Nuk do të ketë më asnjë forcë lindore që ta ndalojë këtë proces. Nuk do të mundet më Rusia ose Serbia që t'i pengojë shqiptarët të arrijnë atë finish, të cilin ua kishin përcaktuar rilindësit e tyre.

Lamtumirë Serbi! Ky është thelbi i deklaratës së pavarësisë. Lamtumirë Lindje! Kjo është motoja e të gjithë shqiptarëve pas pavarësisë e Kosovës. Lufta për ta tërhequr litarin në terrenin e trojeve shqiptare mori fund. Ajo ishte një luftë e pakuptimtë midis vlerave dhe antivlerave, midis Perëndimit dhe Lindjes, midis Euro-Amerikës dhe Rusisë, midis shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre të pabesë e të pamëshirshëm.

Një shekull u tërhoq ky litar në terrenin shqiptar, një shekull shqiptarët ishin pre e arenës së kësaj lufte të pamoral. Fuqitë e Mëdha ishin ndeshur me njëra-tjetrën, duke bërë kurban territoret e shqiptarëve dhe jetën e tyre. Vetë diktatorët shqiptarë kishin parë veten në Lindje, madje në Lindjen “e kuqe” dhe nga ana tjetër “përgjëroheshin” për Kosovën e fatin e saj. Në fund të diktaturës ishte hedhur parulla “As Lindje, as Perëndim”, duke vazhduar mohimin e asaj çfarë përfaqësonin në të vërtetë shqiptarët. Ndërkohë me dhjetëra studiues të botës demokratike dhe të shkencës perëndimore kishin zbuluar rrënjët tona indoevropiane. I kishin shkruar dhe pohuar me zë të lartë këto rrënjë e këto vlera të shqiptarëve, me të cilat mburren kombet e mëdha të Evropës së sotme, gjermanët, francezët, italianët, austriakët etj.

Dhe ndërsa ne, të lodhur dhe të kërrusur nga luftërat e vuajtjet, në periudha të caktuara kishim “harruar” vetveten, Amerika dhe Evropa, NATO dhe BE do të na rikujtonte se i përkasim historisë dhe vlerave që këto vende dhe organizma përfaqësojnë, madje do të na merrnin në mbrojtje. Në Kosovë ndërkohë ishin zgjuar engjëjt e Perëndimit: Prishtina me Ibrahim Rugovën kishte dëshmuar se nuk i ngjante Sllobodan Millosheviçit dhe se dëshironte të arrinte lirinë me mjete paqësore. Por çmenduria e Milosheviçit kishte vazhduar me dhunë e terror të shtuar. Prandaj dhe UÇK-ja kishte dhënë shansin që engjëjt e Perëndimit të kuptonin se “thika kishte vajtur në kockë” dhe shqiptarët nuk ishin më të gatshëm të pranonin dhunën e terrorin mesjetar dhe të pandërprerë serb. NATO-ja do të bombardonte Serbinë më 24 mars dhe më 12 qershor 1999 do të pritej me lulet e tymosura nga bombat e Milosheviçit, të cilat shqiptarët i mblidhnin e ua jepnin me gjithë zemër ushtarëve të saj. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë në histori që një popull të priste me lule e brohoritje si çlirimtare një ushtri të huaj. Po ndodhte kjo me shqiptarët në Kosovë, sepse ata ishin të vendosur t'i thoshin “Lamtumirë, Serbisë”! Dhe gjithashtu “Lamtumirë, Lindjes”!

Nesër është dita kur përfundimisht ndahen engjëjt nga djajtë, ndahen ditët nga netët, ndahen linjat e udhëtimit të shqiptarëve dhe pushtuesve e dhunuesve të tyre. Shqiptarët kanë marrë trenin e Perëndimit. Serbët vazhdojnë të zihen me njëri-tjetrin dhe ende nuk kanë vendosur në cilin tren do të donin të udhëtonin. Shumica prej tyre duan të udhëtojnë në trenin e lëndëve toksike të Rusisë, apo nëpër gjirizet e tubacioneve të Gazpromit, pjesa tjetër e dëshiron veten në trenin evropian.

Vendimi i nesërm i shqiptarëve ndoshta do t'ia hapë sytë dhe politikës së Beogradit, ndoshta do ta xhelozojë atë, që të përpiqet të arrijë trenin evropian. Por vetë shqiptarët nga dita e nesërme do të udhëtojnë të lirë, të pavarur, me identitetin e tyre të rikthyer si në kohën e Ilirisë, do të jenë gjithashtu pjesë e vlerave, pjesë e një identiteti të moralshëm.

Me shpalljen e pavarësisë Kosova ka marrë gjithashtu dhe një vendim tjetër të rëndësishëm: Shqiptarët si shumicë dërmuese e popullsisë së saj, megjithëse të dërrmuar dhe masakruar si asnjë popull tjetër në Evropë, i kanë shtrirë dorën e pajtimit serbëve të Kosovës. Ata, me vullnetin e tyre të pakthyeshëm e të sinqertë u kanë bërë thirrje atyre që të festojnë së bashku ditën e pavarësisë dhe të udhëtojnë së bashku drejt vlerave të Brukselit dhe Uashingtonit.

Edhe pse viktima, shqiptarët e njohin forcën e pajtimit. Prandaj ata ua kanë shtrirë dorën serbëve që jetojnë në Kosovë, edhe pse çdo familje e ka të paktën një varr në oborrin e shtëpisë për shkak të dhunës serbe, edhe pse çdo shtëpi (120 mijë të tilla) është ndërtuar rishtazi ose është riparuar nga themeli, sepse ishte shkatërruar e djegur nga bombat e ushtrisë serbe, edhe pse 2300 familjeve ende nuk u janë kthyer eshtrat e të masakruarve.

Këto vlera, që mbrohen ndër shqiptarët, por që janë errësuar në të kaluarën, do t'ia shtojnë madhështinë pavarësisë së Kosovës dhe lirisë së shqiptarëve, do ta rrisin autoritetin dhe dinjitetin e tyre në sytë e vendeve që na kanë mbështetur pa rezerva drejt rrugës së lirisë.

Është koha që të dëshmojmë se e meritojmë lirinë, e meritojmë pavarësinë dhe e meritojmë vendin që na përket në bashkësinë e vendeve të qytetëruara. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora