Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fotaq Andrea: Shqipëria në NATO, një kontribut me zanafillë të lashtë

| E hene, 29.08.2011, 09:05 PM |


SHQIPËRIA NË NATO,

NJË KONTRIBUT ME ZANAFILLË TË LASHTË

 

- Me rastin e pranimit të Shqipërisë në NATO -

 

Nga Fotaq Andrea

 

Shqipëria në NATO. Është sot, e më në fund, një realitet. Për ne, shqiptarët është edhe më shumë : një shkallare e re drejt afrimit dhe integrimit të vendit në Europën e Bashkuar. Pas shekujsh largimi e distancimi prej Perëndimit, që në hershmërinë mesjetare, pas gulçeve e përpëlitjeve të shtetit të ri shqiptar gjatë dy luftërave botërore, dhe më në fund, pas vitesh të ashpra të ngujimit e vetizolimit komunist, historia veç kur përsëritet : ushtari i sotëm shqiptar, integruar në strukturat ushtarake të Aleancës së Atlantikut Verior, është, të themi, njëfarë shëmbëlltyre tipike e stradiotit të dikurshëm albanoi që merrte pjesë fuqimisht në strukturat ushtarake të papatit e Venedikut, në kryqëzatat e Karlit VIII e të Luigjit XII të Francës, në luftërat civile fetare nga Spanja në Holandë, në atë agim të rilindjes italiane, franceze e europiane, gjatë krejt shekujve XIV-XVII gjer, më në fund, në strukturat ushtarake napoleoniane të fillimit të shekullit XIX.

 

Asgjë për t’u çuditur. Shqipëria prej kohësh ka dhënë gjakun e bijve të vet më të shtrenjtë në mbrujtjen historike të paqes në Europë e më gjerë. Sigurisht, përmes luftërash mizore, sa në Perëndim dhe në Lindje. Le të kujtojmë, me këtë rast, kompanitë e stradiotëve shqiptarë udhëhequr nga kapitenë a kapedanë të shquar si Mërkur Bua me shokë, apo armatat europiane të gjeneralisimit Gjergj Basta, më pas, suliotët e Marko Boçarit gjatë luftërave për pavarësinë greke si dhe gardat e famshme shqiptare të Mehmet e Ibrahim Aliut në Egjipt, Jemen e në krejt Gjirin persik.

Na shfaqet, kësisoj, po ai shqiptar historik, zanat i parë i të cilit ishte thjesht të qenit ushtar, qoftë ushtmbajtës ngadhënjyes në falangat e Aleksandrit të Madh, të Pirros e të perandorëve ilirë e romakë, qoftë stradiot i hovshëm e vetëtimë në kalorësinë e lehtë europiane, qoftë më në fund jeniçer i tmerrshëm e i pathyeshëm i vezirëve të mëdhenj shqiptarë të Perandorisë osmane. Gjithnjë me armët në brez e ushtën a dyfekun në dorë të markës made in Berat a made in Skutari.

 

Gjithnjë me fustanellën bardhëllore shqyer a djegur barotit. Gjithnjë me plagët lidhur me shaminë e kuqe malësore nën kapelen mesjetare albanoi, shi atë kapë që do bëhej e njohur në krejt Europën dhe do ta mbante mbi krye edhe vetë Henri IV i Francës. Na shfaqet, në rrjedhë të kohës, po ai shqiptar, luftëtar e luftarak njëkohësisht, sintetizuar bukur në shprehjen mesjetare “Fier comme un Albanais” (krenar si shqiptar), tek e hasim, gjithë entuziazëm e dramacitet, nën penën e humanistëve Rable, Ronsar, Obinje e Volter, apo të romantikëve Bajron, Shatobrian, Lamartin, Dyma, Hygo etj. Është po ai shqiptar me plasticitet e bukuri të rrallë, tek rrezëllin nga armët e jelekët krejt në ar e serm tablove të fuqishme të Delakruasë, Lirit, Augustit, Zheromit, Dekampit, Valerios, Kokrelit e Jovanoviçit, dhe më në fund, po ai shqiptar që shfaqet natyrshëm dokumenteve dhe dëshmive të kohës në arkivat e Vatikanit, Venedikut, etj. apo në memuaret e shumta të kronikasve europianë.

Për më tepër, “me sytë përherë nga Perëndimi”, siç thotë Çabeji i madh, me ndjenjë të theksuar migrimi, nisur nga faktorë gjeografikë, ekonomikë e demografikë, që i analizojnë me imtësi Prof. Ducellier e prof. Cabanes, e shohim historikisht shqiptarin, që nga Bizanti i lashtë, të marrë rrugët e mërgimit - si individ, familje, apo edhe si fis a fshatçe -, drejt Moresë, Napolit e Siçilisë, por edhe më tej, drejt Venedikut, e nëpërmjet tij drejt gadishullit iberik e Europës, gjer në Alzasë, Lorrenë, Belgjikë e Alemanjë.

Me të drejtë mund të thuhet se ky migrim i dokohshëm i shqiptarit - pa i kthyer kurrë shpinën vatanit -, ishte thjesht rrjedhojë e mbijetesës së tij, sa epike aq edhe tragjike, tek ruante njëkohësisht të pacenuar nderin, dinjitetin dhe fenë e krishterë. E megjithatë, ky migrim i detyruar nga faktorët historikë do të përmbante në thelb pikërisht atë kontribut të vyer të djersës dhe gjakut të tij në ripërtëritjen e Europës, duke i dhuruar e falur asaj pjesë nga shpirti i tij vital, energjik e i vendosur.

Domosdo sot, në demokracinë moderne, kur Shqipëria e sheh veten integruar në NATO dhe në shërbim të misionit të saj për mbrojtjen e paqes, nuk ka si të mos na vijë në mendje, në radhë të parë, epopeja skënderbejane, kur Arbëri dhe Epiri u shndërruan drejtpërdrejt në kala dhe mburojë e fuqishme për mbrojtjen e Europës gjatë krejt gjysmës së dytë të shekullit XV, me luftërat e shqiptarëve përherë ngadhënjyes kundër superfuqisë së kohës përfaqësuar nga Perandoria osmane.

Histori e Shqipërisë është histori e personalitetit. Në pragun e kohës së re, ia mbërrin Gjergj Kastrioti.” Ky postulat i Çabejit, si sinjal i vërtetë kambane për ndërgjegjen kombëtare kumbon në mënyrë të shenjtë dhe merr sot, më shumë se kurrë, vlerë të artë në afirmimin dhe shpalosjen e identitetit historik shqiptar si pjesë përbërëse dhe e pandashme e vetë identitetit europian. Sepse pikërisht, përmes personalitetit të fuqishëm të Gjergj Kastriotit, të kësaj figurë madhore shqiptare në rrafsh europian e më gjerë, Arbëri do bënte, anë e kënd, zë e jehonë dhe do hidhte rrënjë të thella në ndërgjegjen e kombeve të kontinentit të lashtë. Dhe është për të ardhur keq që nën petkun e çmitizimit të Heroit bëhen orvatje për të tjetërsuar e shpërfytyruar figurën e tij, duke cenuar e përbaltur kështu edhe vetë ndërgjegjen tonë kombëtare.

Nga ana tjetër, qëndresa heroike shqiptare shpalosur gjatë Skënderbejadës do të shërbente jo më pak për të lartuar edhe vetë figurën e luftëtarit të vrullshëm shqiptar, zanatliut të përhershëm të armëve, si dhe do të vinte në piedestal të lavdisë europiane një art të ri ushtarak për kohën, përfaqësuar nga arti ushtarak shqiptar, me taktikat dhe strategjinë e tij të luftës rrufe. Dukuria estradiote shqiptare, si shprehje e artit të lashtë ushtarak shqiptar, do të përsosej në periudhën e Skënderbeut dhe do të shndërrohej shumë shpejt në kontribut me vlerë për vetë artin ushtarak europian. Për herë të parë do të futej në këtë të fundit taktika dhe strategjia e kalorësisë së lehtë shqiptare, e cila do sintetizohej më pas në dy veprat e Komisarit të përgjithshëm të kalorësisë europiane, shqiptarit Gjergj Basta, me veprat e tij “Mbi qeverisjen e kalorësisë së lehtë” (1612) dhe “Mbi detyrat e shtatmadhorisë” (1606).

Ata stradiotë të famshëm albanoi të Perëndimit, që vepronin në fushë të betejës tepër rrezikshëm dhe me “shpejtësinë e fluturimit të dallëndyshes”, siç shprehet kronikasi i kohës Filipi i Kominës, krahas sivëllezërve të tyre jeniçerë të Lindjes, të konsideruar si maja e mprehtë e kordhës otomane, do të lartonin kështu famën e Arbërit dhe domosdo, identiteti shqiptar nuk do mungonte të shkëlqente në të dy kahet e Europës, sa në fushën ushtarake, aq edhe në fushën administrative e organizative.

Po kush ishin konkretisht stradiotët shqiptarë dhe çfarë kontributi dhanë ata në fushën e artit ushtarak evropian? Është e njohur tashmë se dukuria estradiote shqiptare është shfaqur që në fillim të shekullit XI, kur Perandoria bizantine, në dobësim e sipër, kërkoi të forcojë makinën e vet ushtarake nëpërmjet ngritjes së vendbanimeve të reja apo të kolonive ushtarake në Greqi (të quajtura “stratopia” apo “katun”) me banorë të ardhur tërësisht nga trojet e Arbërisë. Këta banorë, të shtrënguar të migrojnë para kërcënimit të huaj (normand, serb, bullgar, venecian, katalan, etj.) u vendosën në mënyrë paqësore në tokat djerrë të Greqisë kontinentale, duke u shfaqur kësisoj, ndër të tjera, edhe si një faktor nxitës për progres e zhvillim cilësor të vetë Greqisë.

 

Lindja dhe zhvillimi i stratopisë shqiptare u realizua, sikurse e vë mirë në dukje At Valentini, mbi bazën e tipareve juridike kanunore të fisit në bashkësitë shqiptare, të cilësive që e karakterizonin fisin si një “individualitet i përsosur”, me të drejtën kanunore për të pasur një gradë të caktuar autonomie, si dhe forcat e veta të armatosura. Nga ana tjetër, fisit dhe katundit shqiptar i njihej e drejta për të bërë aleanca e luftra, si dhe për të lidhur pakte me të tjerë, e drejta për të bërë politikë të jashtme dhe më në fund, e drejta për të pasur prijësin apo prijësit e vet. Forca zakonore shqiptare, e trashëguar shekuj pas shekujsh qëndrese e mbijetese, qëndron kështu në themel të stratiopisë shqiptare, tek mbante përherë të mbrujtur shpirtin luftarak e liridashës të malësorit ilir, arbër e shqiptar. Nga ana tjetër, vetitë fiziko-morale-ushtarake të shqiptarit do të ndikonin drejtpërdrejt edhe në përsosurinë e figurës së stradiotit albanoi, në famën dhe kontributin e tij europian paguar me çmimin e gjakut. Ndër këto veti e tipare të natyrës së shqiptarit dalin më së miri në pah trimëria apo kreshnikëria e tij, ndershmëria në aleanca, zelli dhe besnikëria në të shërbyer, nuhatja e rrezikut dhe të situatave të ndërlikuara, sidomos në shesh të betejës, mprehtësia dhe shkalla e lartë e përqëndrimit, apo siç shprehet Çabeji “hollësia dhe prezenca e jashtëzakontë e mendjes”, kurajua e lindur nga jeta me rreziqe, marrja e iniciativës së fortë në çastin dhe në vendin e volitur, etj. Tërë këto tipare të theksuara të karakterit luftarak të shqiptarit do të udhëhiqnin kështu veprimet e tij të zgjuara në luftë e sipër, për të dërrmuar kundërshtarin e për të dalë përherë ngadhënjyes ndaj tij. Ndër veti të tjera që e plotësojnë këtë portret luftarak të shqiptarit janë edhe këmbëngulja në jetë dhe fuqia e personalitetit. Kësisoj, nën kërcënimin e egër të përditshëm të pushtimit të vendit, Barleti na e paraqet shqiptarin madhështor në zjarrin e luftës, duke lëruar arën me njërën dorë dhe duke mbajtur shpatën në dorën tjetër.

 

Studjuesi Henry Castell, me të drejtë jep këtë vlerësim për shqiptarët : “...të quajtur nga italianët stradioti, ose ndryshe albanoi apo grekë, ata kanë namin si të krishterë shumë të mirë, dhe nga ana tjetër janë aq të guximshëm e trima, sa nuk duan të jenë shtetas të askujt; përpiqen të qeverisin aq mirë midis tyre... dhe duke i pajisur aq mirë kështjellat e tyre, ndonëse në vende të shkreta dhe gati të paarritshme, saqë turku kurrë nuk ka ditur t’i nënshtrojë e skllavërojë”. Vite më pas, më 1799, Napoleon Bonaparti, që do t’i njhte nga afër shqiptarët dhe do të kishte edhe një regjiment shqiptarësh në ushtritë e tij, do t’i shkruante gjeneralit Desaiks gjatë ekspeditës së Egjiptit se “arnautët, mograbinët, naplusinët janë pa mëdyshje trupat më të mira të Europës”.

Tepër domethënëse në këtë drejtim janë fjalët e historianit të shquar zvicerian J.C.L. Sismonde de Sismondi, i cili, për periudhën 1454-1470, vë në dukje: “Shqiptarët, ilirët, ishin krejt të ndryshëm nga grekët, nuk pranonin t’u bihej më qafë apo të shtroheshin urtë e butë për punë, por ishin nga ana tjetër energjikë e të guximshëm. Republika [venedikase] do kish gjetur tek ata ushtarët e vet më të mirë, marinarët më të mirë, po të kish dashur t’i trajtonte me barazi të plotë në ushtritë dhe flotat e saj.” Kurse studjuesi Edouard Laboulaye do të shprehet: “Lufta [për ta] është i vetmi mjet që u jep pasuri e nder... vetë Europa i ka pasur në shërbim të saj mëse një herë; ka pasur mirditas në shërbim të Napolit e të Austrisë, ka pasur në Francë në kohën e Henri IV”. Nga ana e tij, murgu francez Jean Claude Faveyrial, që ka hartuar i pari “Historinë e Shqipërisë”, duke folur për cilësitë e shqiptarëve, thotë se nën Luigjin XIII, misionarët francezë që vizituan Shqipërinë “u mbërthyen nga admirimi tek panë këtë racë me shpirt të fuqishëm, shtatin e lartë, tiparet e ashpra, armët e zbukuruara”.

 

Orientalisti i mirënjohur grek N. Sathas, me shumë guxim e të drejtë, do të vinte pikërisht në dukje se “Arti i tyre luftarak ishte themeli i strategjisë së mëpasshme europiane, sado e çuditshme të duket kjo”. Studjuesi bashkëkohor Nicholas C.J.Pappas i sheh stradiotët, “në pjesën më të madhe me origjinë nga Shqipëria, si pionerë të taktikave të kalorësisë së lehtë në ushtritë europiane të kohëve moderne”. Aristidh Kola, tek përmend ndër stradiotët e mëdhenj Mërkur Buan dhe Manol Bleshin, thotë për ta se, ashtu sikurse Marko Boçari shekuj më pas, ata studjonin betejat e Skënderbeut në librat e Barletit për Heroin e Arbërisë e të Epirit, libra që ishin përgjithësisht ndër më të përhapurat në radhët e stradiotëve shqiptarë. Përballë armikut, ata dinin të vepronin me zgjuarsi dhe nuk ishin aspak “mish për top”, për të shkuar në luftë “oburra rrëmujçe”, siç duan t’i paraqesin disa kronikas. Ata studjonin fuqinë e kundërshtarit, terrenin dhe elementë të tjerë të betejës, zinin më pas prita, i linin kundërshtarit në fillim të përleshjes përshtypjen se po tërhiqeshin, dhe kur kundërshtari u binte pas dhe humbiste kompaktësinë mbrojtëse, ata riktheheshin për të goditur kësaj radhe më fort duke i shpartalluar.

 

Ja pse studjuesi R.P.Daniel, në veprën e tij Histori e Milicisë franceze (1721), jep këtë përkufizim për stradiotët shqiptarë : “Si kalorësi e lehtë, ata përbënin një Milici ... U quajt në Francë kjo Milici kalorësia shqiptare”. Me këtë rast, ai citon kronistin francez De Brantome, i cili vë në dukje nga ana e tij se Mbreti Luigji XII i caktoi zotërisë De Fontrailles detyrën e gjeneral-kolonelit të albanojëve në shërbim të tij (2000 trupa të komanduar nga kapiteni shqiptar Mërkur Bua) dhe se “janë ata [stradiotët shqiptarë] që na sollën formën e Kalorësisë së lehtë, e cila deri në atë kohë pak vlerësohej në Francë”. Po ashtu, dëshmon për këtë, ndër të tjerë, edhe Konti Bussi de Rabutin i cili shpreh të njëjtën pikëpamje kur thonë se në Francë “u muar për model kalorësia shqiptare, së cilës iu dha emri estradiotë apo stradiotë”. Në këtë mënyrë, kalorësia e lehtë franceze, dhe më pas ajo europiane u formua sipas modelit të kalorësisë shqiptare.

Taktikën e “luftës rrufe” apo luftës së shpejtë, shkrimtari i mirënjohur francez Zhan Maroti e ka përcaktuar bukur në librin e tij “Udhëtim në Venedik” kur thotë për shqiptarët: “Shkojnë me aq shpejtësi, sa duket sikur janë stuhi”. Dhe që këtej vetë shprehja e Marotit: “Krenar si stradiotët”, “Krenar si shqiptarët”.

 

Në përfundim, mund të themi se krejt periudha e lulëzimit të Estradiotisë shqiptare, para, gjatë dhe pas periudhës skënderbejane është një kontribut me vlerë i popullit shqiptar në rrafsh europian, që bëri të mundur me qëndresën e tij përballë perandorisë osmane dhe me kontributin e gjakut stradiot shqiptar, ashtu siç thotë Edwin Jacques “lulëzimin e Rilindjes europiane, reformimin dhe eksplorimin e botës perëndimore, ku do të strehoheshin qindra e mijëra pasardhës të tij [të Skënderbeut]”.

 

Dhe më në fund, në atë ditë historike të pranimit të Shqipërisë në NATO, kur Shqipëria ka dhënë nga shpirti dhe gjaku i vet për Europën, citojmë sërish fjalët e arta të Prof. Çabejit, tek thotë : “Si në kohën antike, ashtu dhe më vonë, ky popull malësor i fortë jep gjakun e tij për mbrujtjen e kombeve të reja ballkanike, jo vetëm me anë të përzjerjes etnike, por edhe në pikëpamje politike, si kasta luftëtare e Ballkanit, me armë në dorë”. E më tej, si kasta luftëtare e mbarë Europës me stradiotët e shquar shqiptarë!