E premte, 29.03.2024, 10:29 AM (GMT)

Mendime

Gëzim Tushi: Pavarësia e Kosovës, fund i nacionalizmit serb…

E shtune, 16.02.2008, 05:39 PM


Pavarësia e Kosovës, fund i nacionalizmit serb…
 
Nga Gëzim Tushi

 
Pavarësia e Kosovës, tashmë është çështje orësh. Atë nuk ka më forcë që e ndal drejt një finishi historik të merituar. Natyrisht, kjo është një ngjarje që duhet parë nga optika e politikës së qytetëruar dhe jo nga optika e mbeturinave ideologjike tashmë të marra fund. Padyshim kjo ngjarje është testim për të dy shtetet që do të krijohen. Sepse jo vetëm Kosova krijohet për herë të parë si shtet i pavarur, por dhe Serbia bëhet përsëri shtet natyral dhe i vërtetë. Pas kësaj ngjarjeje të shënuar, të shumëpritur dhe të merituar për popullin shqiptar të Kosovës, politika serbe është në provë dhe testim demokratik. Qëndrimi dhe politika serbe, ka shansin që të shkëputet përfundimisht nga mentaliteti retrograd, nga valët e vjetra të etnonacionalizmit fondamentalist. Politika serbe në vend që të nanuriset me iluzionet e nacionalizmit të vjetër, është më mirë të ndahet prej tyre dhe t’i drejtohet Evropës, me dinjitetin e vërtetë kombëtar të saj. Politika serbe, nëse është inteligjente në vend të stratagjemave të dështuara me Moskën apo me presionet naive në Këshillin e Sigurimit, të kthejë sytë nga vetja, për të shfrytëzuar këtë rast si një moment të vërtetë për rilindjen e saj politike, etnike dhe kulturore.

Ka shumë gjëra që ndikojnë që politika serbe të bëhet “esëll”. Ajo që ata duhet të kuptojnë sinqerisht është se nacionalizmi i tyre është një “grackë” e rrezikshme ku ka rënë politika serbe, e cila është pengesë e rrezikshme që pengon integrimin e tyre në Evropë. Jo vetëm kaq, por gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Serbi përveç tezave, parullave dhe mentalitetit nacionalist serbomadh, pati një lulëzim të dukshëm edhe psikoza antievropiane e disa politikanëve dhe simpatizantëve të tyre, të cilët nën psikozën perandorake kanë treguar një euroskepticizëm të çuditshëm. Nuk është në nderin e një politike evropiane të një populli të kulturuar që të humbasë busullën shpirtërore dhe të mbulohet nga halucinacionet e nacionalizmit. Ksenofobia dhe parullat gati antievropiane të politikanëve serbë janë një realitet që të ndihmon të ridimensionosh konceptet për të tilla qëndrime antihistorike. Nuk ka si të jetë në rrugën e duhur një politikë nacionaliste e çekuilibruar, e cila i shfaq hapur të gjithë sindromat më të këqija të nacionalizmit, populizmit, euroskepticizmit, pse jo deri në ngjyrime të forta të fondamentalizmit nacionalist. Serbët duhet të kuptojnë se koha e re punon kundër nacionalizmave të vjetra të natyrës perandorake. Në këtë kohë nuk mund të ecet me frymëzime nacionaliste, si formë e deformuar e “kompensimit ideologjik”.

Nuk besoj se politika serbe do të jetë aq e verbër, sa të mos kuptojë mesazhet e qytetërimit euroatlantik që e imponojnë në të mirë të atdheut të tyre, që të largohen vullnetarisht nga “narcizmi nacional” i politikës së vjetër perandorake, që në Evropë u ka perënduar koha që nga viti 90-të i shekullit që kaloi, kur u “gris”, perdja e hekurt e ndarjes politike, kur u dërmua përfundimisht mentaliteti perandorak në këtë kontinent. Serbët duhet të jenë bërë tashmë realistë, si politikë dhe si popull, se nacionalizmi i tyre nuk mund më të jetë në rolin e vjetër dhe as mund të realizojë më funksionin primitiv të “ideologjisë kompensuese”.

Nëse politika serbe ka sens perëndimor, duhet të jetë bindur për të këqijat që i ka sjellë nacionalizmi, i cili me sa duket vazhdon të jetë edhe këto ditë të përfundimit të strukturës perandorake, “gracka e fundit” që pengon instalimin e demokracisë liberale në Serbi. Ai nuk është më mjet që mund të ndihmojë serbët që të gëzojnë mirëqenie dhe privilegjet nacionale. Këtë besoj duhet ta kenë kuptuar edhe “profetët” e nacionalizmit serb. Nuk ka arsye pse këto ditët e fundit, kur Pavarësia e Kosovës është fakt i pakthyeshëm, të shpërthejë histeria nacionaliste dhe ndjenjat arkaike të “vetëperceptimit sllav”. Modernizimi i jetës në Serbi, nuk ka nevojë për mentalitete që e çojnë atë në kundërsens me qëndrimin demokratik kontinental. Përkundrazi, pas asaj që do të ndodhë këto ditë, qeveria dhe politika serbe kanë nevojë të ndryshojë mentalitetin, moralin historik nacionalist, i cili siç thonë politologët modernë bashkëkohorë, “ka ndikim të fuqishëm atje ku “puna moderne ende nuk i ka zhvilluar ndikimet e veta”. Nuk besoj që një popull i vjetër i Ballkanit si serbët, të mos kuptojë sot se vlerat universale të politikës dhe qytetërimit modern evropian, janë për ta shumë më të rëndësishme se mentaliteti megaloman, nacionalist, më me vlerë se “matrica” e vjetër etnike sllave. Në këtë kontekst, dita që do të shpallet Pavarësia e Kosovës, logjikisht duhet të jetë edhe “dita e fundit” e nacionalizmit patologjik të politikës serbe. Prandaj në botë ka dhe politikanë dhe analistë që e shikojnë këtë ngjarje me rëndësi jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë, e cila ka për t’i thënë “lamtumirë” historisë së vjetër, dhe me siguri që do të kthehet në vazhdimin me dinjitet të historisë së vet kombëtare. Pavarësia e Kosovës shëron jo vetëm plagët e saj, por dhe korrigjon përfundimisht historinë e Serbisë, pikërisht në atë moment historik, kur ajo devijoi nga normaliteti.

Nëse do të vlerësonim me qetësi evropiane atë që ka për t’i ndodhur Serbisë pas pavarësisë së Kosovës, do të thoshim se ajo me siguri që do të provojë një proces të rilindjes së vërtetë kombëtare, duke u ndarë përfundimisht nga “pjesët e tepërta” të saj. Kjo është koha e rikthimit të “arkitekturës së vërtetë” të Serbisë, e cila tashmë ka kohën e vërtetë për të qenë në përmasat reale historike, duke mos qenë “as e madhe” por “as e vogël”. Pavarësia e Kosovës e mbyll procesin e ridimensionimit të këtij shteti, që duke qenë me konflikte të përgjakshme multietnike, ka qenë e detyruar të ishte e “hapur” ndaj ndryshimeve dhe ridimensionimeve që ka pësuar dy dekadat e fundit. Shteti serb do të jetë në pozicion normal në identitetin e vet të vërtetë gjeografik dhe demografik.

Vërtet Serbia do të jetë ca më e tkurrur nga pikëpamja territoriale, por do të jetë më e vërtetë në historinë e saj, duke shpëtuar nga “barrët e tepërta”, që padrejtësisht historia i vendosi në shpatulla. Në një farë mënyre, ajo që po ndodhë pas Pavarësisë së Kosovës është fakti që serbët më në fund do të kenë shtetin e tyre autentik, kombëtar. Ky është moment që ata duhet ta kuptojnë dhe interpretojnë drejt, si qytetarë të një shteti modern dhe jo të një “province primitive”, sepse Serbia do të hyjë në një fazë të re të historisë së saj. Kësaj radhe, të historisë së vërtetë, që me largimin e Kosovës do të ndryshojë me siguri rrënjësisht. Pavarësia e Kosovës do e ndihmojë indirekt politikën serbe, të ndryshojë kahjen dhe aksin e vjetër, duke u përshtatur me parametrat e qytetërimit perëndimor, duke shpëtuar përfundimisht nga makthet e nacionalizmit serbomadh, që ende e mbajnë për fyti politikën serbe. Ata, politika dhe populli serb, duhet të kuptojnë se historia e shqiptarëve të Kosovës e ka marrë rrugën e saj të drejtë dhe historitë dhe padrejtësitë e vjetra, që janë luajtur padrejtësisht mbi të, nuk mund më të përsëriten kurrë.

Këtë do e kuptojë politika serbe kur Kosova të jetë përfundimisht e pavarur… 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora