E marte, 23.04.2024, 08:44 AM (GMT+1)

Mendime

Agon Maliqi: Ta mbajmë fenë larg shkollave publike

E hene, 29.08.2011, 07:58 PM


Ta mbajmë fenë larg shkollave publike

 

Nga Agon Maliqi

 

Suedia, Danimarka dhe Norvegjia, shtetet nordike që shtrihen në majën veriore të kontinentit tonë, bëjnë pjesë në mesin e shteteve me cilësinë më të lartë të jetës. Përveçse kanë arritur të zbatojnë modele shumë të veçanta dhe funksionale të shteteve sociale, skandinavët karakterizohen edhe nga një nivel i lartë i kapitalit njerëzor dhe vetëdijes shoqërore.

 

Nëse me etikë dhe moral nënkuptojmë sjelje të përgjegjshme dhe trajtimin e drejtë të njerëzve të tjerë, atëherë shtetet skandinave mund të konsiderohen edhe si shtete me qytetari shumë të moralshme dhe etike. Respektimi i ligjeve të shtetit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë, etj., këto janë parime të ngulitura thellë në mendësinë humaniste të nordikëve.

 

Këto vlera i njohin më së miri emigrantët e shumtë që shkojnë në shtetet skandinave në kërkim të një jete më të mirë, apo edhe banorët e vendeve në zhvillim. Sipas statistikave të OECD-së, secili prej këtyre tri shteteve dhuron gati 1% të GDP-së vjetore për t'u dalë në krah shteteve në nevojë, rreth dy herë më shumë se vendet e tjera të zhvilluara.

 

Megjithatë, po të pyeteshin disa fundamentalistë islamikë të Kosovës, skandinavët do të cilësoheshin si njerëz krejtësisht të pamoralshëm që meritojnë ferrin (bashkë me Nënën Tereze).

 

Përveç faktit se qytetarët e tyre i takojnë “fesë së gabuar”, të tria shtetet hyjnë në top-pesëshin e shteteve të botës që i japin më së paku rëndësi fesë. Sipas një sondazhi të Gallupit, vetëm 17-20% të qytetarëve skandinavë thonë se feja luan rol të rëndësishëm në jetën e tyre të përditshme.

 

Supozimi se ndjekja e parimeve fetare është parakusht për moralitetin dhe mirësjelljen njerëzore përbën argumentin qendror prapa kërkesës së një pjese të komunitetit islamik të Kosovës, të trazuar nga kriza e vlerave në shoqërinë tonë, për të futur lëndën e mësimit-besimit fetar në shkollat publike të Kosovës.

 

Megjithatë, rasti i shoqërive laike skandinave tregon qartë se feja nuk mban kurrfarë monopoli mbi moralin. Ajo tregon se njeriu mund të jetë i moralishëm dhe njëkohësisht të mos jetë fetar. Navigimi i suksesshëm nëpër ujërat e së mirës dhe së keqës në disa raste edhe mund të ndihmohet nga ndjekja e kodeve fetare, siç dëshmon humanizmi i shumë besimtaëve, por shumë më ndihmuese në këtë drejtim është rritja e vetëdijes dhe e aftësisë për reflektim kritik në raport me realitetin.

 

Në fakt, është pikërisht përfshirja e lëndës së mësim-besimit në planprogramet e shkollave publike ajo që rrezikon ta pengojë këtë rritje të nevojshme të vetëdijës. Misioni i shkollës është që të forcojë aftësinë e fëmijëve për të reflektuar lirë dhe për të ardhur në përfundimet e veta mbi realitetin, gjithnjë duke u bazuar në parimet shkencore, dhe jo t'u ofrojë mendjeve të tyre brishta bindje dhe besime të parapërcaktuara, të pabazuara në shkëncë, por të cilat mund të tingëllojnë tërheqëse si shpjegime.

 

Në një kohë kur komunitetin tonë islamik e kanë vërshuar gjithfarë hoxhallarësh fanatikë, është skajshmërisht e frikshme se çfarë broçkullash do të dëgjonin nxënësit tanë.

 

Mbase duhet përkujtuar shoqërinë tonë se ishte pikërisht errësira dogmatike e institucioneve fetare ajo që çoi deri te persekutimi i shkencëtarëve dhe te shtypja e mendimit të lirë para dhe gjatë mesjetës. Këtu qëndron edhe arsyeja themelore, përveç legjitimimit që autoritetet fetare historikisht u kanë bërë pushteteve despotike, përse shtetet e para demokratike e përjashtuan fenë nga të gjitha institucionet shtetërore.

 

Natyrisht, në rastin e shoqërisë sonë ekzistojnë edhe shumë arsye të tjera për të kundërshtuar çfarëdo lloj varianti të mësim-besimit fetar në shkolla. U diskutua tashmë gjerësisht për efektet negative në prishjen e kohezionit brenda kombit.

 

Megjithatë, në një kohë kur si argument kryesor i shtytësve të mësim-besimit fetar jepet “kriza morale” e rinisë sonë, atëherë debati gjithsesi duhet të përqendrohet edhe në shpalosjen e pavlefshmërisë së këtij argumenti.

 

Nëse fundamentalistët fetarë me krizë morale nënkuptojnë rritjën e lirive individuale si ato të shprehjes, të drejtën për t'u relaksuar me dy gota verë, lirinë seksuale, lirinë e femrave për jetë të pavarur, të drejtën për të mos ndjekur rregullat fetare, etj., atëherë problemi gjithsesi qëndron te definicioni i tyre i ngushtë i moralitetit. Roli i shkollës nuk duhet të jetë ndalimi i këtyre lirive individuale, por vetëdijësimi i nxënësve që ato të përdoren në mënyrë sa më të përgjegjshme.

 

Por, nëse me krizë morale nënkuptojmë hajninë, dhunën, kriminalitetin dhe të këqijat e kësaj natyre që kanë kapluar shoqërinë tonë, atëherë ato kurrsesi nuk mund të shihen si rezultat i mungesës së besimit fetar. Nëse ky barazim mes mungesës së besimit fetar dhe sjelljeve të pamoralshme do të ishte i vërtetë, atëherë shoqëritë laike si ato të skandinavisë sot do të jetonin në rrethana krejtësisht mizore, të mbytura nga padrejtësitë dhe kriminaliteti.

 

Duhet të kuptohet përfundimisht se faktorët që çojnë deri te sjelljet e pamoralshme në shoqërinë tonë janë para së gjithash rezultat i vështirësive ekonomike, arsimimit të dobët, por edhe kulturës dhe edukatës së mangët qytetare që prodhon ky mjedisi ynë me historinë e tij të vështirë.

 

Për këtë arsye, në vend se të bjerë pre e shantazheve të Partisë së Drejtësisë dhe të marrë ndonjë vendim skandaloz rreth mësim-besimit fetar, qeveria e Kosovës do të duhej të investonte urgjentisht në përmirësimin e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet. Do të ishte e turpshme që shteti ynë, në shekullin XXI, të mos mësonte nga përvojat e historisë dhe të kapitullonte para presionit të disa forcave regresive.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora