E premte, 19.04.2024, 05:08 PM (GMT+1)

Mendime

Flaka Surroi: Porosi nga veriu

E hene, 29.08.2011, 07:56 PM


Porosi nga veriu

 

Nga Flaka Surroi

 

Merkel ia krisi shuplakë të fortë Tadiqit në Beograd, duke e lënë kryeministrin në humor të mirë për të vazhduar me eksploatimin e 25 korrikut dhe kryeparlamentarin në rolin e prishësit të qejfit të kryetarit të partisë, sekretar i së cilës është

 

Personaliteti i javës kësaj radhe na ishte kancelarja e, momentalisht, shtetit më të fuqishëm në Evropën, nëse jo në botën, e kapluar nga kriza ekonomike. Angela Merkel shkoi në Beograd për t’ia përcjellë nja tri porosi të fuqishme Serbisë -- se për ta marrë statusin e kandidatit do të duhej të arrinte rezultate në bisedime me Kosovën; do të duhej të mos e pengonte shtrirjen e EULEX-it në të gjithë Kosovën, që misioni të veprojë në tërë territorin dhe që t’i shpërbëjë institucionet paralele që veprojnë në Kosovë.

 

Me vizitën e saj në Beograd, zyrtarëve serbë ua komunikoi për herë të parë – shumë qartë -- se nëse serbët nuk e ndalin përzierjen në veri të Kosovës, për ta nuk do të ketë anëtarësim në BE. Pra, përderisa Gjermania ka fuqinë e vetos, s’ka as status kandidati për Serbinë dhe përderisa vërejtja vjen nga Gjermania, nuk mund të ketë tallje. Por ne në Kosovë disi nuk ditëm ta gëzonim lajmin që po vinte nga Beogradi -- Merkel zgjodhi që pas Beogradit të shkonte në shtëpi, e të mos bënte “skallë” në Kosovë.

 

Nëse nuk jam gabim, që nga vizita e kancelarit Schroeder, në korrik të vitit 1999, Kosovën kurrë më nuk e ka vizituar shefi i Qeverisë gjermane. Edhe pse ka pasur takime në nivelin e zyrtarëve më të lartë shtetërorë (p.sh. vizita e Sejdiut në Gjermani më 2010, kur u takua edhe me Koelerin, edhe me Merkelin) – mosardhja e saj megjithatë nuk të lë shije të mirë. Kjo për dy arsye – e para, për shkak se kishte e qenë shumë më e fuqishme po qe se këto kërkesa drejtuar Serbisë do të ishin përsëritur edhe nga ndonjë konferencë shtypi në Prishtinë. E dyta, për shkak se Merkel do ta kishte thyer akullin dhe do të shndërrohej në të parën shefe qeverie të shteteve të mëdha evropiane që nuk janë hamendur fare të na e njohin pavarësinë, që do ta vizitonte Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.

 

Do ta kujtojmë se zyrtarët më të lartë që na kanë vizituar janë kryetari kroat Mesiq; kryetari i Shqipërisë Topi; zëvendëskryetari amerikan Biden, kryeministri turk Erdogan... e më pas, natyrisht, një sërë ministrash të jashtëm e madje edhe ministra mbrojtjeje, bujqësie e të ngjashme..., por nuk kemi pasur vizitë të nivelit më të lartë – a thua pse? Ku është problemi që nuk vijnë për të na vizituar, a është te kredibiliteti i funksionarëve tanë politikë, apo është se ende nuk e kanë edhe ta atë qartë se si do të duhej të konfigurohej harta si politike, ashtu edhe gjeografike e Ballkanit? Apo të dyja?

 

Sido që të jetë, edhe nga distanca, kosovarët patën rastin të gëzohen, sepse, më në fund, së paku në këta tre vjetët e fundit, kjo ishte hera e parë që dikush i fortë ia kriste një shuplakë të madhe Tadiqit të llastuar midis Beogradi, duke i thënë troç se krejt çka kishte deklaruar javëve të fundit në lidhje ngjarjet në veri, me faktin se Evropa po e shpërblente Kosovën për “veprimet e njëanshme” dhe broçkullat e tjera, të cilat tashmë jemi mësuar t’i dëgjojmë, nuk ka bazë, ngase është “sekret publik” se ka struktura paralele që i mban Beogradi në Kosovë dhe se për t’u rregulluar punët, ato duhet të shpërbëhen. Por, natyrisht, ishin edhe dy porosi të tjera – ajo për EULEX-in, që në fakt mbase nënkupton realizimin e gjashtëpikëshit të Banit dhe marrëveshjeve të veçanta Beograd-EULEX (ende me status neutral karshi Kosovës) dhe ajo e suksesit dhe e rezultateve konkrete nga negociatat në Bruksel. E në fazën e fillimit të shtatorit dhe nisjes së rundit të ri të negociatave, pa kurrfarë dyshimi në rend të ditës do të jenë vulat dhe doganat. Ky rund do të duhej të përcaktonte, në fakt, çështjen më të rëndësishme në këtë muhabetin e doganave – se kush do të jetë i autorizuar t’i mbledhë tagrat dhe në cilin buxhet do të shkojnë paratë e mbledhura. Ani që Kosova thotë se kjo është çështje e brendshme. Nëse është, pse po negociohet, pra?

 

Duhet shikuar ndërkohë se kush do të vijë të na vizitojë dhe me çfarë porosie – në tetor do të vijnë me Raportin e Progresit, i cili mbase kësaj radhe do të duhej ta kishte në përmbajtje edhe një notë të vockël pozitive në raport me Kuvendin, i cili ani që nuk e ka përmbushur planin legjislativ nga Raporti i vjetëm i Progresit, megjithatë ka refuzuar të procedonte ligje që janë në kundërshtim me Kushtetutën, me rregullativën evropiane dhe me arsyen e shëndoshë. Në këtë kontekst, do të jetë hera e parë që i kemi dëgjuar dy deklarata të fuqishme nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit (Hamiti dhe Krasniqi), e që shpresoj se do të jetë parim të cilin do ta mbrojnë edhe në të ardhmen: “Kuvendi është i interesuar që të miratojë ligje në pajtim me standarde evropiane e jo në kundërshtim me to” dhe “Kuvendi nuk duhet të miratojë ligje për hatër të ndërkombëtarëve, nëse ligjet janë të këqija”. Kështu, sipas kësaj që u tha më lart, kuvendarët vendosën që të shqyrtoheshin më me kujdes së paku këto tri ligje: Ligji i Komisionit të Pavarur të Mediave, Ligji për transmetuesin publik, si dhe ai për Qendrën Historike të Prizrenit e që ato të viheshin në linjë me standardet e kërkuara.

 

Ndërkohë, derisa kuvendarët urgjentisht mblidheshin (ishin ftuar me telefon që të merrnin pjesë nëpër mbledhjet e komisioneve që duhej t’i shqyrtonin projektligjet), me qëllimin që të miratonin numrin maksimal të ligjeve deri më 29 gusht, kryeministri e kritikoi ashpër Kuvendin, duke e akuzuar për neglizhencë, ngase deputetët kishin vendosur të shkonin në pushim, “derisa ky nuk po mund ta kalonte propozimin për blerjen e helikopterëve dhe të autoblindave për policinë”, për shkak se kjo kërkonte miratimin e Kuvendit.

 

Sipas përgjigjes që e dha kryeparlamentari, doli që edhe ky ishte një blof i kryeministrit, zyra e të cilit duket se nuk e ka dërguar kërkesën për miratimin e buxhetit të shtuar për blerjen e këtyre mjeteve të domosdoshme për policinë.  Krasniqi tha: “Ne në Kuvend administrojmë letra e jo fjalë”, duke u përgjigjur në pyetjen nëse dinte për intencën e Qeverisë që të bliheshin këto. Përderisa konstatoi, e ky edhe mund të jetë qëllimi i Qeverisë, përfundoi përgjigjen duke e konfirmuar se askush nuk i ishte drejtuar Kuvendit zyrtarisht me një kërkesë të këtillë.

 

Përderisa Krasniqi sqarohej, kryeministri edhe kësaj jave e plotësoi normën duke e vizituar autostradën. Kësaj radhe e dha edhe një deklaratë karakteristike të tijën: “Autostrada nuk do të kishte kuptim pa vendosjen e rendit në veri”. Thënë në këtë formë, del se rendi në veri tashmë është vendosur dhe se vetëm nevojiten dy helikopterë dhe disa autoblinda për ta bërë edhe autostradën funksionale – e që të dy “projektet”, siç i quajti ai, të kishin ndërlidhje integruese... Kështu del se i kemi zgjidhur problemet dhe nuk ka nevojë të shkohet në Bruksel, sepse rendi është vendosur në veri... apo mbase duhet, sepse kështu tingëllojnë porositë që vijnë nga miqtë e mëdhenj evropianë e që ua komunikojnë të tjerëve në Beograd.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora