Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bledi Mane: 10 fshatrat më të mrekullueshëm të Shqipërisë

| E hene, 29.08.2011, 06:36 PM |


10 fshatrat më të mrekullueshëm të Shqipërisë

 

Nga Bledi Mane

facebook.com/bledi.mane

 

Në monizëm ulnim kokën, na vinte turp të tregonin që vinim nga fshati. Të gjithë e kishim tmerr dhe kushdo priste me padurim të largohej drejt rrugëve të asfaltuara. Bënim lloj-lloj sakrificash për t’iu larguar menjëhere: martesa të çuditshme, shkollime të sforcuara, punë minerash, kollovarëzime qyteti…Askush nuk ia dinte vlerat fshatit derisa u zengjinuam dhe një ditë në kohët tona moderne u lëshuan me vrap përsëri drejt fshatit. Jo të punojmë në cooperative, por për të gjetur qetësinë e munguar a për të mbjellë e prodhuar prodhime bujqësore bio. Shqipëria, një vend me shumicë popullsie në zonat rurale, pati një eksod të frikshëm gjatë dy dekadave të fundit drejt qytetit e emigrimit. U la si shkretëtitë e harruar natyra dhe asetet e mrekullueshme të fshatit, derisa dikush u kujtua dhe në fillim si snobizëm e më pas si një lloj detyrimi ndaj vetes dhe natyrës, iu vërsulëm fshatit. Kësaj here e kemi seriozisht, nuk i largohemi dot më. Kemi listuar sot 10 fshatrat më perla të vendit me natyrë, tradita, ekosistem, kulinari, infrastrukturë dhe të dëshiruar nga kushdo. U a këshillojmë një blerje shtëpie, ose më e pakta kaloni një fundjavë të këndshme dhe me siguri do të rigjeneroni energjitë e do t’i ktheheni më të kthjellët rutinës tuaj të përditshme. Udhëtim të mbarë, por kujdes në destinacionin e fundit!  )

 

1-Bënja e Shqerisë/Përmet

 

E shtrirë në pjesën juglindore të vendit, afër rrugës nacionale mes qytetit të Përmetit dhe Doganës së 3 Urave, Bënja është një nga fshatrat më të mrekullueshëm të krahinës përmetare. Me shtëpi të vjetra të mirëmbajtura, një kishë ortodokse të shekullit XIVIII-të, gjelbërim vjetor, si dhe pranë llixhave me të njëjtin emër, Bënja ka vite që është kthyer në një destinacion fantastik pushimesh dhe eksplorimesh natyrore. Turizmi lokal ka filluar të investojë modestisht në dhe rreth Bënjës, ku veç banjove në ujërat termale, vizitës në kishë, daljes për gjah, mund të hani&pini lirë dhe pastër në restorantet me kuzhinë fantastike përmetare. Sa për kujtesë lexuesve, në këtë fshat është xhiruar edhe filmi i famshëm me Mato Grudën “Njeriu me top”.

 

2-Voskopoja/Korçë

 

Voskopoja, një nga fshatrat më me emër të historisë dhe turizmitvendas, ndodhet rreth 21 km larg nga qyteti i Korçës, mbi një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit. Një vendbanim mesjetar i hershëm, që daton prej vitit 1330. Nga manastiri i Shën Prodhomit mbi fshat hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme, nga duken majat e Lënies dhe Ostrovica, me një lartësi prej 2246 metra. Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 8 kisha. Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur akademi, bibliotekë, shtypshkronjë, artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje, Greqi e Turqi. Shkatërrimin e parë e ka pasur në vitin 1769, të dytin më 1789 dhe të tretin në 1916. Voskopoja ruan vlera të mëdha të artit mesjetar. Sot është një destinacion i domosdoshëm turistik me një infrastrukturë në përmirësim e sipër.

 

3-Lini/Pogradec

 

Lini është një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, 22 km nga qyteti i Pogradecit, me një fshat të bukur me të njëjtin emër. Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Aty është një vendbanim i tipit liqenor, ndërtuar në sipërfaqe të liqenit si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë nje ishull i bukur, me bimësi të lulëzuar. Tani, mbas 2000 vjetësh turistëtvendase të huaj vijnë në vendin ku qendruan ushtarët e Çesarit. Ata vijne këtu jo vetëm për të parë mozaikët e Linit , por gjithashtu për të vizituar varret monumentale të Selcës, të cilat na impresonojnë me madhështine e tyre. Disa nga mbretërit e rëndësishëm Ilirë janë vendosur këtu. Në Lin ka disa plazhe të këndshëm me ujë të kristaltë, me rërë dhe guralecë të vegjël. Një vend i bukur për piknik është edhe vendi i quajtur “Mulliri i Vjetër”, me burime gurgulluese dhe hije të freskëta pemësh. Këtu ndodhet edhe qendra e rritjes së Koranit, e cila përgatit koranët e vegjël për t’i lëshuar më pas në Liqenin e Ohrit.

 

4-Dragoti/Tepelenë

 

Dragoti është një fshat në rrethin e Tepelenës. Bën pjesë në komunën Qendër të këtij rrethi. Dragoti, i vendosur në faqen jugore të malit Shëndëlli, i kufizuar nga fshati Beçisht (vendlindja e Ali Pashë Tepelenës) dhe fshati Mezhgoran. Vjosa del nga lugina e Këlcyrës, i mbrojtur nga erërat e ftohta të veriut, karakterizohet nga një mikroklimë e veçantë për zonën përreth, që lejon dhe rritjen e agrumeve. Megjithëse në një pozicion strategjik dhe në një rrugëkalim të rrahur nga udhëtarët e të gjitha kohërave, ai është bërë pak objekt hulumtimi nga studiues të fushave të ndryshme.Malii Golikut, ura e Dragotit dhe aktori e regjisori i shquar hollivudian, Sten Dragoti, janë tri simbole të shquara që e lartësojnë këtë fshat. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dragoti u bë vendpushimi i ushtrisë italiane gjatë luftimeve të tyre për pushtimin e Greqisë.

 

5-Thethi/Shkodër

 

Thethi është fshati më në veri të luginës së Shalës, në mes të Alpeve, me një bukuri të rallë, në Veri të Shqipërisë. Shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 metra mbi nivelin e detit, shtrihet lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre Alpeve, 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh. Me kalimin e viteve që nga viti 1968 e në vazhdim janë hapur disa qendra të tjera turistike dhe po ndërtohen godina, hotele e shumë objekte të tjera, që prisin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa për shumë vjet rresht. Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400 vetë, mesatarisht 1 pushues për 1 banor.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, ku të përfshihen territore edhe nga Kosova dheMalii Zi.Me përjashtim të rrugës që të çon atje, gjithçka është perfekte në Theth.

 

6-Vuno/Vlorë

 

Vunoi është një fshat i pozicionuar në jug të qytetit të Vlorës, në bregun e detit Jon, me një pamje mahnitëse. Në veri të Himarës takohemi me fshatin më të parë, Vunonë, ndërtuar në formën e një teatri në këmbët e malit të Çikës. Gjendet paksa larg nga deti, në një lartësi 176 m mbi nivelin e detit dhe karakterizohet nga shtëpitë e gurta të ngritura përmbi rrugicat e shtruara me pllaka të gurta. Vunoi ndahet nga deti me një rafshnaltë mbushur me një ullishte të pafund dhe pemë të tjera frutore, që përbën një pasuri të vërtetë për banorët e tij. Në qendër të fshatit ngrihet këtu e dyqind vjet më parë kisha e Panajasë (Shën Marisë). Gjithashtu, ndodhen dhe kisha të tjera si ajo e Joan Pagëzuesit, Manastiri i Shën Spirdhoni, si dhe kisha e Shën Mëhillit në pjesën lindore të manastirit. Bregu i mrekullueshëm i Jalit në formë gjysëm hëne rrethohet nga brigje me një bimësi të dendur makjesh, dafine, sqine, trendafil i egër dhe bimë të tjera me arome dehëse. Kjo bimësi, e kombinuar me rërën ngjyrë ari dhe ujrat që rrethojnë shtëpitë që gjenden buzë detit, krijojnë një ikonë parajse magjike, që e bën udhëtarin të ndjejë veten si në endërr. Krejt zona përqark duket si tablo e një magjie kozmike, kur drita e ëmbël e mbrëmjes shtrihet kudo në det e në mal, duke krijuar figura dhe iluzione marramendëse.

 

7-Valbona/Tropojë

 

Valbona është një fshat në Alpet Shqiptare, 26 km nga Bajram Curri, Rrethi i Tropojës. Fshati është padushim një ndër atraktsionet më të preferuara turistike në Shqipërinë e veriut. Lumi Valbona qe kalon nëpër fshat dhe vetë Lugina e Valbonës tërheqin shumë vizitorë. Valbona, aktualisht përfshin rreth 37 shtëpi me vetëm 300 banorë. Fshati është i vendosur mes një gryke gjysmë të thepisur, buzë lumit me të njëjtin emër, mes malit të Kollatës, mal përballë Jezercës e Pecmarës, në një lartësi prej 810 metra mbi nivelin e detit.Turizmi malor i dekadës së fundit e ka shtuar emrin e këtij fshati në hartën e destinacioneve unikale të vendit.

 

8-Kallmet/Lezhë

 

Fshati i Kallmetit në rrethin e Lezhës shtrihet poshtë vargmalit të Velës dhe fushës së Shkodër-Lezhës ose siç i thonë ndryshe Fusha e Zadrimes.

Kallmeti është një vendbanim i lashte. Gjetjet arkeologjike ne të gjithë shtrirjen e fshatit tregojnë se këtu është banuar që nga periudha e gurit të ri e deri në antikitetin e vone. Edhe pas pushtimit romak popullsia vazhdoi te banoje këtu dhe krijojë kulturën e saj të veçante.Vazhdimesia e jetës se banoreve ne Kallmet nuk u nderpre, ata krijuan kulturën e tyre, kristalizuan tiparet dalluese duke e bere këtë fshat një njesi etnografike te veçante ne rrethin e Lezhës. Dalluese është veçanërisht veshja e grave dhe e vajzave me rroba krejt te bardha (vazhduese e veshjes Ilire).

Kallmetasit janë bujq dhe vreshtarë të mire, ata krijuan varietetin e rrushit “kallmet”, fasulen me emrin “kallmet” dhe ullirin kokërr madh që përmendet në literaturën shkencore bujqësore. Në Kallmet janë ngritur monumente të kulturës si Kisha e Eufemise e shekullit 13-te, një vend i shenjte ku vijne besimtarë për pelingrinazh nga gjithë veriu i Shqipërisë.

 

9-Petrelë/Tiranë

 

Përgjatë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan, në një largësi prej 12 kilometrash në juglindje, shtrihet Petrela, një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, emërtimi i së cilës rrjedh nga fjala “shkëmb”. Rruga për atje rrjedh qetë e ëmbël, lundron përgjatë oazit të gjelbërt, luginës së ngushtë, nëpër të cilën nanurit- lot i kthjellët, lumi i Erzenit. Petrela ka qenë dhe mbetet një degëzim i lashtë i Rrugës “Egnatia” që lidh qytetin e Tiranës me Elbasanin, fragmente të kalldrëmit të së cilës ruhen vende-vende edhe sot e kësaj dite.Petrela përmendet për mikroklimën e pasur, për pamje të bukura panoramike në terren kodrinor-malor dhe burime të pasura natyrore. Relievi i saj ka disa njësi fiziko-gjeografike mjaft të spikatura. Përmenden Kreshta e Farkës 6 km e gjatë me lartësi nga 222 m deri në 445 m mbi nivelin e detit, që është e mbuluar me pyje shkurresh, ku Mersina me Trumzën përbëjnë një pasuri të rrallë. Në Tiranën e sotme është kthyer në modë blerja e një shtëpie karakteristike në këtë fshat çka ka bërë që edhe çmimet e shitjes të kapin majat e tregut imobilar. Mjaft intelektualë apo artistë me emër kryeqytetas kanë vite që janë zhvendosur dhe jetojnë në Petrelën e mrekullueshme.

 

10-Lazarat/Gjirokastër

 

Më gjykoni si të doni, por për mua pak rëndësi ka. Lazarati i famshëm e meritonte të listohej si një nga fshatrat unikalë të Shqipërisë. Porsi një oaz, një Republikë e mëvetësuar, shtrihet përgjatë rrugës kombëtarë Gjirokastër-Kakavijë fshati kryeneç. Me një popullsi me rreth 2000 banorësh, është njëkohësisht qendër e komunës me të njëjtin emër. Duam a s’duam, Lazarati është fshati i vetëm në hapësirën mbarë shqiptare me të ardhurat më të mëdha për frymë dhe kjo falë punës së tyrë vetëmohuese në mbjelljen, ujitjen, rritjen, kositjen, por jo transportin, e një prej hashasheve më të mira të Mesdheut. Antikonformistë dhe rebelë të çdo lloj regjimi politik në Shqipëri, lazaratasit janë tepër mikpritës dhe të besës. Mendoni sikur ky fshat të shtrihej buzë ndonjë deti, aty do të kishim një tjëtërIbiza, por jo si ajo e Spanjës: më fantastike, më të bukur, më relaksuese!

 

(c)campusALBANIA&TemA/2011