Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


SHBA njeh zyrtarisht çështjen çame

| E hene, 29.08.2011, 05:56 PM |


Withers: Qeveria shqiptare nuk do të përplaset me Athinën

 

Nga Ylli Pata, Shqip

 

Qeveria nuk dëshiron të përplaset me Greqinë për çamët. Ky është një nga përfundimet e analizës së ish-ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, në një kabllogram që i dërgon Departamentit të Shtetit më 10 nëntor të vitit 2008. Në këtë dokument, ambasadori i SHBA-së bën një përmbledhje të hollësishme dhe analizën e të gjithë problemit të çamëve, duke dhënë edhe detaje të hollësishme historike. Sipas Withers, qeveria shqiptare nuk dëshiron të përplaset me Greqinë, pasi ka frikë se ngarkohet me akuza nacionaliste. Në kabllogramin e 10 nëntorit theksohet se “çamët etnikë shqiptarë të dëbuar nga Greqia gjatë Luftës së Dytë Botërore janë përgatitur të nisin një çështje ligjore për çështjen e shtetësisë greke dhe/ose kompensimin në lidhje me keqtrajtimin nga ana e qeverisë greke gjatë dëmit me forcë. Shumë pak është bërë për çështjen çame që nga rezoluta e vitit 1994 të Parlamentit kur u njoh si çështje dhe duket që qeveria shqiptare nuk dëshiron të kundërshtojë Greqinë dhe rrezikojë marrëdhëniet, duke këmbëngulur për këtë çështje. Perspektiva e çështjes ligjore kërkon më shumë vëmendje nga çamët, por është e paqartë se cila gjykatë do ta ketë juridiksionin për t’u marrë me këtë problem konkret”. Më poshtë, ambasadori Withers përshkruan historinë e dhimbshme të dëbimit të popullsisë çame nga ana e qeverisë greke. Në këtë pjesë të veçantë të kabllogramit të nëntorit të 2008-s, theksohet: “Çamët janë shqiptarë etnikë që kanë jetuar në Greqinë perëndimore. Afër fundit të Luftës së Dytë Botërore, rreth 20 mijë deri në 40 mijë çamë u dëbuan nga Greqia me akuzën si ‘bashkëpunëtorë të fashizmit’ dhe u vendosën në Shqipëri. Në fillim u trajtuan mirë në Shqipëri, por më pas qeveria komuniste u kthye kundër tyre dhe ekzekutoi shumë pjesëtarë. Si rezultat çamët kanë qenë kundërshtarë të fortë të regjimit komunist. Shumë pjesëtarë të komunitetit çam sot janë me koalicionin e qendrës së djathtë (proqeveritar) dhe besohet se numri i popullsisë çame në Shqipëri llogaritet në 400 mijë banorë. Çamët kanë luftuar gjatë për rikthimin. Në tetor (2011), Tahir Muhedini, lideri çam dhe kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, i tha oficerit politik të ambasadës, se çamët në bashkëpunim me disa zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare që nuk ua përmend emrat, kanë bërë gati çështjen ligjore të keqtrajtimit dhe ‘gjenocidit’ nga ana e qeverisë greke. Muhedini është i vendosur që të bëjë gati dosjen dhe ta dërgojë në Gjykatën Ndërkombëtare. Muhedini tha se asnjë nga problemet e kërkuara nga komuniteti çam nuk është zgjidhur dhe nuk mund të zgjidhet pa ndihmën e qeverisë shqiptare. Megjithatë, sipas Muhedinit, qeveria shqiptare ka dhënë një ndihmë të vogël për çështjen çame, pas kalimit të rezolutës së vitit 1994 ku u njohën të drejtat e çamëve. Qeveritarët shqiptarë, tha Muhedini, kanë kaluar kufirin dhe ai është korrekt në përshkrimin e keqtrajtimit të çamëve nga Greqia, por gjithashtu tha se qeveria shqiptare nuk dëshiron të përplaset me Greqinë. Sipas Muhedinit, grekët kanë deklaruar se nuk ekziston çështja çame”. Ndërkaq, në komentin e fundit të ambasadorit Withers, në kabllogramin drejtuar Departamentit të Shtetit, theksohet se ndërsa problemi çam është fatkeq, duket se qeveria shqiptare është më e shqetësuar për marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë sesa për kërkesat e çamëve. Greqia është në Shqipëri partneri i dytë më i madh tregtar dhe rreth 1 milion shqiptarë punojnë në Greqi, ndaj qeveria shqiptare duket jo e gatshme të dëmtojë marrëdhëniet me grekët, duke ngritur çështjen çame. Megjithatë është fakt që çamët po përgatisin një çështje ligjore ndaj qeverisë greke dhe iniciativa e marrë jashtë duarve të qeverisë shqiptare gjithsesi mbetet e vështirë, pasi juridiksioni për t’u hapur çështja kërkon një impakt juridik”.