E enjte, 25.04.2024, 07:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Vasil S. Tole: Naim Frashëri dhe Nonda Bulka, Shkrimtarë bilbila të “gjuhës së kënduar”

E hene, 29.08.2011, 07:52 PM


Naim Frashëri dhe Nonda Bulka, Shkrimtarë bilbila të “gjuhës së kënduar”

 

Nga Vasil S. Tole

 

Mendoj se shkrimtarët tanë të shquar Naim Frashëri (1846-1900) dhe Nonda Bulka (1906-1972), i përkasin më shumë se çdokush tjetër grupimit të shkrimtarëve, të cilët mund t’i quajmë “shkrimtarët e gjuhës së kënduar të birbilit”. Nisur nga origjina e tyre përmetare, ku gjuha dhe fjala e vërtetë gjendet e trupëzuar me trashëgiminë këndimore iso-polifonike dhe në mjedisin natyror të kësaj zone të Shqipërisë, ata zbatuan në veprën e tyre atë këshillën që Konica jua kujton vazhdimisht shkrimtarëve tek copa letrare “Ca këshilla mbi artin e shkrimit”, kur u thoshte që ç’do fjalë e shkruar e gjuhës amtare që ka një tingëllim të ëmbël, dhe kur të shkruhet duhet të tingëllojë si një copë muzike. Ky perceptim i qënies së shkrimtarit në shek XX-të, si një lloj bardi-rapsodi pa instrument, lidhet ë së pari me forcën e gjallë të traditës popullore e cila reflektonte ende për intelektualët e fjalës, atë realitet mijravjeçar ku vjershëtori-këngëtari dhe valltari ishin një njeri i vetëm. Pra, përmes unitetit të fjalës-muzikës dhe lëvizjes si një e vetme, në një lloj kuptimi arti tradicional kërkonte nga arti i kultivuar, që ta respektonte këtë fakt, që në thelb është identitet dhe një strukturë artistike dhe filozofike të menduari dhe të vepruari.

Në fakt, gati i gjithë korpusi kryesor i shkrimtarëve tanë të traditës pas Naim Frashërit kanë evidentuar në poezitë e tyre muzikën si art hyjnor dhe bilbilin si zog këngëtar. Naim Frashëri me dy poezi për bilbilin1, Ndre Mjeda me poezinë “Vaji i bylbylit”2, Asdreni me poezinë “Këndona bilbil”3, Hil Mosi me veprën letrare “Kanga e bylbulit”4, Nonda Bulka me “Kur qan e qesh bilbili”, “Bota siç ish kur qante e qeshte bilbili”, “Bilbili ka kujt t’i këndojë” etj,. Në krijimtarinë e Naim Frashërit “zogjtë vjershëkëndonjës”5 dhe “bota e zogjvet me të ëmblat ligjërime”6 janë një realitet i tërë. Në të “shpesët që fluturojnë”/Edhe këngëra këndojnë”7; kurse “shpesët e mizatë këndojnë, e kuajtë hingëllijnë”8. Mund të themi se në veprën e tij, Naim Frashëri krijoi përmes bilbilit, kultin simbolik të muzikës. Një zë tjatër tani dëgjonj!/Që zëmrënë m’a përvëlëon!

U-doqçë, më s’munt të duronj!/Bilbili ka zën’ e këndon!/

Qiej, yj e dhe, pushoni,/Tani juve kush u dëgjon,/Vini veshn edhe dëgjoni,/Bilbili, bilbili këndon./O bilbil!e di se ç’dua,/Andaj zëri i bukur yt,/M’a dogji shpirtinë mua,/Edhe gjumë s’më hyn në syt9!/

Pikërisht këtu, në referencën ndaj bilbilit si zog-këngëtar, ose më saktë si “vjershëtori këngëdlirë”10, gjejmë të pasqyruar edhe orientimin e Naim Frashërit dhe të Nonda Bulkës, për ta konceptuar artin e letërsisë të krijuar më shumë nga një vjershëtor që shkruan një gjuhë të kënduar, pra këngë, se sa një vjershëtor që shkruan thjesht vargje! A nuk ishte Naim Frashëri, i cili përveçse shkroi: Pa qasuni të këndojmë/ se na plasi buz’ e shkretë, i titulloi abetaret e tij: “Këndonjëtoreja I, II, e këndimit çunavet” si shprehje e qartë dhe e dukshme e gjuhës së kënduar!? Mendoj se edhe pseudonimi Chri-Chri i Nonda Bulkës, megjithëse dihet rrënja e fjalës Kristinë në të, përsëritja onomatopeike Chri-Chri, e afron atë në dëgjim me këngën e bilbilit ose të zogjve në përgjithësi që bëjnë: ciu-ciu, fiu-fiu etj.

Një tjetër krahasim të shkëlqyer mbi bilbilin si zog këngëtar gjejmë në poezinë e Lasgush Poradecit: …ç’u ndërtua bres pas brezi, bje greminë në më një çast / ku këndoj bilbil i kombit, grifsh e huaj çirret pas. Në gjymtyrën e parë (bilbil/grifshë) së cilës i pranëvihet opozicioni tjetër (këndoi/çirret) shënjohet dëshira për një shqipe që veç pastërtisë të ketë edhe magjinë e vlerave poetike, harmoninë dhe melodiozitetin e ligjërimit të bilbilit”11. Kurse, i pari ndër shkrimtarët shqiptarë që e krahasoi këngën e bilbilit me kangën e Orfeut ishte Migjeni në poezinë “Ekstazë pranverore”: … triumfon bylbyli/Këngëtar plot magji në gjemb të trëndafiles,/me një tempo të marrë përkëdheljet po shfre/e kanga kumbuese, kanga e tij pa fre,/asht si kangë Orfeji ndër telat e lyrës.

Po pse është kaq i fortë kulti i bilbilit në Shqipërinë e Jugut, e posaçërisht në Përmet?

1. Ç’farë përfaqëson bilbili si zog këngëtar: Pa as më të voglin dyshim, bilbili në popull është sinonim me këngëtarin. Sipas popullit vetëm bilbili këndon ndërsa gjithë zogjtë e tjerë cicërijnë pasi vetëm bilbili klasifikohet si “zogu i parë”. Ndërkohë që “Kënga jote (e bilbilit-shënimi ynë) s’ka të sharë”, cicërima e zogjve të tjerë duket se është përpjekje për të kënduar dhe jo vetë një akt këngëtimi i pastër, pra rrjedhimisht ajo klasifikohet si një lloj “paramuzike”. Në dëshirën e shprehur në poezinë e mëposhtme thuhet: Të më bën Zoti dhe mua / Një bilbil gjë tjetër s’dua;

2. Ku këndon bilbili: Sipas opinioneve më të përhapura bilbili këndon në baçe, në pyll, në hurma, në limon, në ftonj, në fushë, në mal etj. Lidhur me këngëtimin e tij, thuhet se ai dëgjohet herët në mëngjes, pranë vendeve të freskëta dhe me ujë. Ndonjëherë këngëtimi dëgjohet pasi bëhet natë dhe bie hënëza. Në pikëpamje të kohës kulminacionin e këngëtimit të tij e konstatojmë në harkun kur dëbora shkrin dhe behari vjen. Ja se ç’thonë më tej poezitë e zgjedhura popullore përmetare lidhur me vendin se ku këndon bilbili: -”Iku dimri, erdhi vera”/erdh behari, çeli fera/Borziloku e trëndafili,/Mbani vesh ç’thotë birbili;/Erdhi vera, çeli molla/Me shëndet robat e holla;/Sa qënka gëzuar dardha,/Qënka veshur me të bardha,/Pemët gjithë në burbuqe,/Me shëndet robat e kuqe;/Kopet me këmbor’ e zile,

Pyll’ i veshur me jeshile./ Përmet:

Se ç’këndon birbili pusevet,/Se ç’ka marrë havaz’ e nusevet./Se ç’këndon birbili ferravet,/Se ç’po mban havaz’ e djemavet./Se ç’këndon birbili fushavet,/Se ç’po mban havaz’ e çupavet./Se ç’këndon birbili odavet,/Se ç’ka marr havaz’ e zonjavet.

3. Si dhe çfarë këndon bilbili: Së pari “bilbili këndon me ëmbëlsirë”12. Duke qënë i përveçëm ai këndon, ashtu si dhe këngëtarët popullorë, në gjini muzikore të specifikuara në llojin e tyre. Për popullin bilbili këndon avaze, këngë, vajtime, melodi, kuje, etj,. Ngelet për t’u parë më tej, semantika që të ofrojnë këto gjini popullore tek stilemat muzikore të bilbilit, e në mënyrë të veçantë hulumtimin dhe studimin e aparatit krijues të muziktarit popullor i cili si në praktikën e mjedisit e po ashtu edhe në krijimin popullor arrin të diferencojë dhe të shprehë qartë veprimin, kur p.sh bilbili këndon këngën nga avazi, apo ndryshimin e melodisë nga kuja etj,. Thuhet se bilbili nuk shikohet kur këndon dhe se siç ka zërin nuk ka pamjen. Për shkak të mjeshtërisë së këndimit të bilbilit, gjithë krijimet e zërit të tij, quhen “të birbiluara”.

4. Me kë këndon bilbili: Bilbili këndon kryesisht vetëm, si dhe me zogjtë, me thëllëzat, me bilbilë të tjerë, me qyqen, etj. Në të gjitha rastet kur këndon me zogj të tjerë, bilbili është gjithmonë solisti i parë, ç’ka do të thotë se ai udhëheq, dirigjon të gjithë të tjerët me zërin e tij.

5. Bilbili si këngëtar: Kjo është tipologjia më e përhapur dhe më shpesh e hasur, që lidhet jo thjesht me transferimin e emrit në të tjera ambjente, sesa me vetitë karakteristike të tij. Rëndom në të gjithë jugun, për shkak të vështirësive të stilemave melodike që këngëtarët popullore duhet të përballojnë gjatë interpretimit të pjesës muzikore popullore, apo për faktin që ata ishin më të zgjedhurit ndër mes të të gjithë këngëtarëve të tjerë, këngëtarët që marrin linjën kryesore melodike (marrësit), janë thirrur gjithmonë prej popullit “bilbila”, kjo e vlefshme si për këngëtarët meshkuj, ashtu edhe për femrat. Një ndër majat e muzikës me saze të viteve ’30 të shek. XX-të, në Shqipërinë e Jugut- këngëtarja Hafize Leskoviku e shndëroi këtë fjalë në semantikën më të plotë që ajo mund të fitonte në gojën e një këngëtareje-bilbil siç ajo ishte.

Zakonisht për ta përdoret shprehja “është bilbil nga goja”, e cila gjendet më rrallë për të portretizuar muziktarët popullore që luajnë në vegla popullore13. Superlativi i bilbilit është “birbil gjyzari”14. Sipas Elena Gjikës edhe nusja përshkruhet në këngët popullore të jugut si “bilbil behari”15. Një formë tjetër të pasqyrimit të terminologjisë, do ta konstatojmë në muzikën popullore jugore me saze, e konkretisht në atë pjesë të repertorit të këngëve të cilat janë virtuoze dhe që duhet të interpretohen mjeshtërisht. Në notat më të larta të këngës, pikërisht në kohën kur kënga formalisht përfundon, këngëtari/a popullor/e interpretojnë në formën e një thirrje fundore, tip kadence fjalën “o-bilbil-o”. E thënë në një mënyrë të beftë dhe kryesisht në një formë deklamative, kjo fjalë mirëfilli shndërohet si në një lloj lutjeje e cila drejtohet për nga simboli i të kënduarit bukur, tek njëra nga format e kultit popullor mbi muzikën, tek bilbili si zog këngëtar. Sipas Prof. Çabej ky refren shqiptar (“more birbilo”- shënimi ynë), ka hyrë edhe në muzikën popullore greke të Greqisë Veriore sepse në të shprehet “… me gjithë shkurtësinë e prerë të tyre, fantazia trajtuese e popullit, fuqia plastike e tij në të krijuar të fjalëve”16. Gjithashtu në një pjesë të repertorit me vegla të sazeve iso-polifonike të Jugut, gjejmë të pasqyruar këngën e bilbilit. Kjo konstatohet në kabatë me violinë më subjekt imitimin e bilbilit, por edhe pjesërisht gjatë kabave të tjera ku kemi të futur me fishkëllimë zërin e bilbilit. Fishkëllima interpretohet nga një pjestar i sazeve, zakonisht nga llautari17.

Këtu duhet të përmendin edhe një formë tjetër të pasqyrimit të bilbilit në muzikën popullore jugore. Kjo formë duket se është shumë më e veçantë. Ajo shfaqet në formën e këndit të sazeve në shtëpitë karakteristike të fshatit shqiptar të gjysmës së dytë të shek. XIX e më vonë, të thirrur qysh herët “vendi i birbilit”, kënd i cili ishtë pjesë funksionale e banesës vendase shqiptare. Në të krahas hapësirës që krijohej për mjeshtrat muziktarë popullore të cilët luanin muzikë, në qendër i gdhendur në dru qëndronte përherë zogu frymëzues i tyre-bilbili. Pothuajse të gjithë mjeshtrat e sazeve të shek. XX-të kanë kënduar dhe interpretuar për bilbilin. Ndër to përmendim “Bilbil o i mjeri bilbil”-me fyell, interpretuar nga Cilo Qorri i sazeve të Korçës të viteve ’30 e regjistruar në disk tek “Odeon”, këngët “Ky bilbili ç’asht një zog” kënduar nga Çobani i shoqërisë “Demka & Hajro” në vitet ‘30-40, e në mënyrë të veçantë këngën e sazeve të Përmetit të viteve ’70, “Zura një bilbil me vesë” të kënduar nga M. Xhemali. Këngë për bilbilin kanë kënduar edhe këngëtarët e shquar lirikë shqiptarë të viteve ‘30-40 si Marie Kraja, Kristaq Antoniu etj,. Kompozitori Thoma Nasi, pjesën e kompozuar prej tij të titulluar “Bilbili” ja ka dedikuar një tjetër bilbili-”Muços, kryemuziktarit të Ali Pashë Tepelenës” etj,. Në poezinë popullore do të gjejmë shembujt më të plotë të vendit dhe rolit të bilbilit në jetën e shqiptarit për të cilën nuk pa zgjatemi këtu.

Më së fundi, në llojin e tyre, shkrimtarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në gjallimin e konceptit mbi muzikën si pjesë e kulturës në përgjithësi dhe e asaj kombëtare në mënyrë të veçantë. Kuptohet që detyra e tyre nuk është e njëjtë me detyrën e profesionistit të muzikës, por thjesht një detyrim që mund të lindë nga shtrati i përbashkët i këtyre dy arteve, nga vetëdija e njëjtë e trashëguar nga folk-etnosi, si dhe nga veçoritë e konceptimit të muzikës nga ana e secilit prej tyre.

 

(Footnotes)

1 Naim Frashëri, Vepra 1, “Bilbili” fq. 104, “Bilbili” fq. 170, Prishtinë, 1978

2 Ndre Mjeda, Vepra Letrare 1, “Vaji i Bylbylit”, fq. 37, Tiranë, 1988.

3 Asdreni, Vepra, “Këndona bilbil”, fq. Fq. 293, Tiranë, 1976

4 Hil Mosi, Vepra letrare, “Kanga e bylbulit”,fq. 208.

5 Naim Frashëri, Vepra 1, poezia “Vasha Nazemadhe…”, fq. 204. Prishtinë, 1978

6 Po aty, poezia “Zoti”, fq. 198, Prishtinë 1978.

7 Naim Frashëri, Vepra 1, poezia “Jeta”, fq. 75, Prishtinë, 1978.

8 Po aty, poema “Bagëti e Bujqësia”, fq.157, Prishtinë, 1978.

9 Po aty, poezia “Bilbili”, fq. 106, Prishtinë, 1978.

10 Shih Naim Frashëri, “Vepra 1”, poezia “Bilbili”, Prishtinë, 1978, fq. 171.

11 Çapajev Gjokutaj, “Poradeci: ligjerimi poetik në viset e metaligjërimit”,fq. 8, gazeta “Drita”, 27 Nëntor 1994.

12 Kjo sipas Naim Frashërit.

13 Megjithatë kemi edhe përjashtime si në rastin e gërnetistit të shquar të sazeve të Vlorës i cili në vitet ’30 ka qënë thirrur me emrin Bilbil (Vlora), sazet e Usta Laverit të mbiquajtur “Bilbilat e Përmetit” si dhe grupin polifonik të Vlorës të quajtur “Bilbili”.

14 Shiko dhe përallën“Birbil gjizari”,tek “Albanesiche texte” të HolgerPedersenit, 1895

15 Tek “Antologji e mendimit estetik shqiptar”, fq. 127, Tiranë 1979

16 Poaty, fq. 325.

17 Shiko dhe Kosta Loli, “Kabaja me saze”, tek “Kultura Popullore”, fq. 67

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora