E merkure, 24.04.2024, 01:52 AM (GMT+1)

Mendime

Edlira Gjoni: Gruaja e hekurt e Europës në krizë

E diele, 28.08.2011, 11:03 AM


Gruaja e hekurt e Europës në krizë

 

Nga Edlira Gjoni

 

Zyrtarisht ajo është kancelarja e Gjermanisë, vendi me ekonominë më të zhvilluar në Europë. Jo zyrtarisht, ajo emërtohet si udhëheqësja e vërtetë e Bashkimit Europian dhe, së fundi, e klasifikuar edhe gruaja më e pushtetshme në botë. Angela Merkel e ka fituar reputacionin e saj qëkur u zgjodh kancelare në vitin 2005. Ama, fuqia dhe influenca e saj e padiskutueshme u bënë të qarta dy vitet e fundit me qëndrimet rigoroze ndaj zhvillimeve të fundit që kanë tronditur eurozonën dhe me mënyrën se si ajo përcaktoi mbi kolegët e tjerë europianë rrugën që do të ndiqte Bashkimi Europian me Greqinë, Portugalinë e Irlandën, e së fundi, edhe me eurobondin. Znj. Merkel është e dyta zonjë e hekurt që shfaqet në kontinent që pas Luftës së Dytë Botërore. Para saj, Margaret Theçer la gjurmë në mënyrën e ashpër të qeverisjes, por kontributi i saj ngeli një aset vetëm për Mbretërinë e Bashkuar. Kurse pozicioni i znj. Merkel është ndryshe; fjala e saj nuk ka peshë vetëm për Gjermaninë, përkundrazi, ajo përcakton rrjedhën e ngjarjeve për të gjithë Europën. Në një anë më pak të rëndësishme për politikën e jashtme, por tejet të veçantë për Gjermaninë, Angela Merkel ka favorizuar përqasjen e emërimit të më shumë femrave në pozicione kyçe drejtimi në rangje të larta në vendin që qeveris, si dhe ka fituar vota e popullaritet me iniciativat mjedisore. Kurse për interesin europian, përpjekjet e saj janë mjaft të dukshme në synimin për të rritur ndjeshëm rolin e euros në tregun financiar global. Por, nëse për europianët vija politike e kancelares Merkel, vendosmëria dhe disiplina me të cilën ajo përcakton axhendën e kontinentit është deri tani shpëtimtare, për vetë gjermanët, po kjo politikë i ka sjellë asaj ulje të mbështetjes ndër votuesit vendas. Kjo sepse, mes të tjerash, gjermanët po e shohin veten vit pas viti të zënë në kurth për të shpëtuar ekonomitë e bashkanëtarëve të BE-së, që s’po dinë t’u vënë fre deficiteve buxhetore. Po të kesh parasysh se gjermanët vetë kanë jo vetëm më shumë disiplinë në çdo aspekt, por edhe më pak ditë pushimesh në vit krahasuar me bashkeuropianët e tjerë, nuk është e vështirë të kuptosh pakënaqësinë e taksapaguesve ndaj vendimeve të znj. Merkel për të ndihmuar shtetet europiane në krizë. Megjithatë, ky tregues i thjeshtë nuk e vë në pikëpyetje rolin e Angela Merkelit në politikën e sotme europiane. Ajo duket e palëkundur në synimin e saj për t’i mbajtur të bashkuar 17 vendet e eurozonës dhe me pak ndihmë franceze nga Sarkozi, Merkel vazhdon t’i investojë energjitë e saj për një rritje të rolit ekonomik dhe politik të BE-së në botë. Dhe këtë e bën me bindje, me vendosmëri, me disiplinë të hekurt në veprimet e saj. Mbase pikërisht për shkak të kësaj disipline, vetëm para pak ditësh, Merkel, krahas emërtimit si “gruaja më me influencë në botë”, u përcaktua edhe si “gruaja më e rrezikshme në botë, sepse po e shndërron Gjermaninë në dominuesen e padiskutueshme të politikës dhe ekonomisë europiane”. Në të tilla raste, britanikët dhe amerikanët nxitojnë të bëjnë krahasime të ashpra të mënyrës së sjelljes së Merkelit dhe qeverisjeve gjermane. Por, këto krahasime thjesht përforcojnë idenë se kjo grua e hekurt, së bashku me shpurën e këshilltarëve gjermanë që ka pas, po lëkund themelet e një hegjemonie të pistë në politikat botërore, veçanërisht në ato financiare. Merkel është pengesa e paparashikuar e orkestruesve të tregjeve financiare, që po sjellin vërdallë Amerikën e të tjerët më pas. Merkel nuk thotë si Theçer, “dua mbrapsht paratë e mia” (deklarata e famshme në vitin 1984, kur Mbretëria e Bashkuar paguante shumë më tepër në buxhetin e përbashkët sesa merrte mbrapsht, për shkak se politika rimbursuese europiane favorizonte francezët, që e kishin bujqësinë shumë më prioritare sesa anglezët). Merkel, pra, nuk e ka luftën me partnerët europianë. Atyre fjala u shkon e prerë fare shkurt: “Minimizoni shpenzimet”. Kurse mesazhi që me qëndrimet e saj ndaj krizës së disa vendeve europiane çon përtej kontinentit, është akoma më e prerë: “Larg duart nga euroja. Ajo qëndron këtu ku e ka vendin”.

Njohësit e mirë të politikës botërore pranojnë tashmë se përcaktimin e fateve të botës, nisur nga ato financiare, nuk e përcakton më një grusht njerëzish në Amerikë dhe në Britani. Një dorë e hekurt përplaset mbi tavolinën ku përcaktohet e ardhmja. E nuk është një dorë europiane, as thjesht “gjermane”. Është vendosmëria e kancelares së parë femër që nuk ka asnjë gramë të humbur nga disiplina gjenetike gjermane, e përpos saj, ka edhe guximin e vendosmërinë të frenojë apo të vërë në lëvizje mekanizma që e mbajnë larg rrezikut ekonominë europiane, me në krye atë të vendit të saj.

Për analizuesit e saj nuk është akoma e qartë nëse Merkel është me fat që drejton Gjermaninë, apo që Gjermania është me fat të ketë në këtë periudhë kyçe në krye të saj një zonjë të hekurt? Por ajo që dihet me siguri është që nëse Europa do të dijë t’i shpëtojë katastrofës financiare që e kërcënon, kjo do të jetë falë një gruaje të vetme: Angela Merkel. Jo falë njohurive të saj për financat apo ekonominë, por për shkak të grupit të madh të njerëzve shumë të papërlyer që i qëndrojnë pas. Duke vendosur besimin tek ta dhe guximin e saj për t’i dhënë Europës një tjetër zë, Merkel jo vetëm po tjetërson kursin e një krize botërore të stisur, por edhe po synon ta nxjerrë kontinentin mbi detin e trazuar financiar ku e kanë futur miqtë e vjetër.

Merkel dhe Gjermania duket se nuk ishin pjesë e lojës, por, sipas të gjitha gjasave, pikërisht për shkak të saj, Gjermania pritet të shndërrohet në përcaktuesen e së ardhmes botërore, ku tregjet nuk janë domosdoshmërisht interesi i vetëm.

Kancelarja gjermane duket se mendon qartë që hegjemonisë zotëruese në botë i ka ardhur fundi. E bashkë me të ka ardhur koha për pak disiplinë në rendin botëror. Mund të ngjajë i hidhur një vendim i tillë i marrë nga një grua, por duket po ashtu më i sigurti për t’i dhënë udhë.

Angela Merkel është faktor. Në një shkallë shumë më të vogël, njerëz të tillë mund t’i bënin mirë edhe Shqipërisë. (Jo Merkel vendit, por Angela të tjera të rritura në vend, jo domosdoshmërisht të gjinisë së saj).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora