E merkure, 24.04.2024, 03:33 AM (GMT+1)

Mendime

Halil Matoshi: Turqia dhe “jetimët” e Ballkanit

E marte, 30.08.2011, 08:58 PM


Turqia dhe “jetimët” e Ballkanit

 

Nga Halil Matoshi

 

Ahmet Davutogllu rrënjët e rreshtimit turk me SHBA-në dhe doktrinën e shtrirjes së ndikimit turk në zonë nga këndvështrimi neootoman (shqiptarët autoktonë ai i cilëson si mbetje të osmanëve në zonë!???) përpiqet t’i nxjerrë pikërisht gjatë konfliktit në Bosnjë dhe tek impakti i Turqisë në Lindjen e Mesme, si kundërvënie modelit të islamit politik

Ministri i Jashtëm turk dhe autori i “Thellësisë...” Davutogllu, duke bërë fjalë për politikën serbe të viteve ’90, thotë se Serbia për t’u shtrirë në rajon si fuqi dominuese, provoi ta nxirrte “çështjen shqiptare” së qeni “çështje e Jugosllavisë”, pra për ta shndërruar në çështje të Ballkanit, posaçërisht në “çështje të Maqedonisë” ku do të përplaseshin nacionalizmat ballkanikë (të përfshiheshin në konflikt Bullgaria, Shqipëria, Greqia dhe Turqia) dhe ajo të kryente punën lehtësisht me Kosovën.

 

Çfarë analogjie historike mund të nxirret nga kjo përthyerje gjeopolitike!?

 

Njëjtë kishte vepruar Perandoria Osmane gjatë grahmave të fundit, me Shqipërinë, duke e nxjerrë jashtë Perandorisë Osmane “çështjen shqiptare”, për t’ia lënë fatit, de jure, si “tokë e askujt” dhe për t’i lëshuar udhë invadimit serb dhe për t’u marrë vetë lehtësisht me Greqinë.

 

Por edhe duke qenë “jashtë historisë” çështja shqiptare (në kuptimin e ngushtë: Shqipëria e sotshme) megjithatë u mor në mbrojtje nga fuqitë europiane (sidomos nga Perandoria dubioze Austro-Hungareze) dhe në vitet ’20 të shekullit të 20-të edhe nga SHBA-ja (mbrojtja e Shqipërisë nga Presidenti Wilson në Ligën e Kombeve) dhe kjo mbrojtje shpjegon më së miri orientimin properëndimor të shqiptarëve atëherë dhe sot, sidomos në kontekstin e shtetësisë së Kosovës.

 

Pra,  “Çështja e Kosovës” edhe pse nga dominimi serb i ish-federatës jugosllave u nxor jashtë të qenit “çështje kombëtare shqiptare” brenda Jugosllavisë së Titos, duke e trajtuar si çështje pakicash nacionale, pra çështje të brendshme të shtetit federal.

 

Atëbotë, ende Fuqitë e Mëdha, pra edhe Turqia, vazhdonin ta mbështesnin Jugosllavinë. Dhe tek pas suprimimit të autonomisë së Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974 me 1989, kjo çështje u konturua si “Çështje e Kosovës.”

 

Kosovës as në vitet ’90 nuk i erdhi mbrojtja nga “trashëgimia otomane”, por sërish nga fuqitë evropiane (Austria, Britania, Gjermania, pastaj edhe Franca dhe Italia) dhe natyrisht, sërish nga SHBA-ja.

 

Prandaj evropeanizimi dhe perendimorizimi i shoqërive shqiptare janë interesa vitale kombëtare, pa asnjë dilemë. Nuk mund të projektohen interesat e shqiptarëve dhe jo veçmas të kosovarëve në doktrinën e thellësisë strategjike, që ka për synim riorientalizmin e tyre kulturor, neootomanizmin e tyre strategjik dhe riorientimin e tyre gjeopolitik.

 

Natyrisht se Turqia si aleatja më e besueshme e SHBA-së në Mesdhe, mburojë e Grykës së Bosforit nga inkursioni i mundshëm rus dhe për impaktin që ka në Lindjen e Mesme dhe Kaukaz është një shtet tek i cili Kosova duhet të mbështetet.

 

Kjo edhe për faktin se gjatë luftës së fundit në Kosovë, Turqia ishte rreshtuar me shtetet perëndimore dhe me NATO-n për t’i mbrojtur kosovarët shqiptarë nga gjenocidi nën fashizmin e Milosheviqit.

 

Por kjo nuk do të thotë se Kosova duhet që t’i shërbejë Turqisë për kundërpeshë ndaj BE-së.

 

Së pari lufta në Bosnjë dhe ndërgjegjja e vrarë “botërore” e trandi edhe Turqinë në raport me krizën humanitare të Kosovës.

 

Kështu Turqia iu bashkua forcave të koalicionit perëndimor në fushatën ajrore (1999) kundër forcave serbe të sigurisë që avanconin në përpjekjet gjenocidale, e shtytur pikërisht nga SHBA-ja, sepse deri vonë, gjatë viteve ’90 ajo fokusohej ende te Serbia si interes të saj strategjik në zonë, madje edhe sot luan me dy letra, dhe kjo është në domenin e politikanies.

 

Dhe duke qenë pra aleate e qëndrueshme e Amerikës, Turqisë i është shtruar me dafina udha e shtrirjes zonale në Ballkan, sepse llogarit në proamerikanizmin e këtyre kombeve.

 

“Elementet si mbetje osmane në këto zona, për shkak të presioneve që ka lindur boshllëku gjeopolitik i dalë në shesh, janë orientuar drejt fushës qendrore osmane (Heartland) me boshtin Ballkan-Anadoll, që e shohin si fushë sigurie historike”, kështu e justifikon Davutogllu përgjegjësinë gjeokulturore dhe gjeopolitike të Republikës së Turqisë ndaj ‘jetimëve” të zonës.

 

Neootomanizmi sot, oferton strategjikisht shqiptarët, duke qenë se ata janë me një shumicë domethënëse të besimit islam, e që në rrafshin gjeopolitik ndihen të vetmuar duke e perceptuar veten nën një rrethim armiqësor, (duke qenë kombe josllave), por që me çlirimin e Kosovës kjo ndjenjë nuk përkon me realitetin, sepse shqiptarët patën në krah në periudhat më kritike historike pikërisht kombet oksidentale.

 

Dora e ngrohtë  neootomane u ofrohet atyre si letër lakmusi për depërtimin turk në thellësi, duke u rishfaqur si dominuese në ish-hapësirat perandorake, jo më me shpatë e topuz, por me diplomaci dhe politika të buta, gati përqafuese. Këto politika te disa liderë shqiptarë që s’kanë strategji për të prodhuar politika të jashtme, por vetëm konsumojnë, janë leva mbi të cilat këta mbështesin nepotizmin, kleptokracinë dhe pushtetin e tyre personal, pra për forcimin e pozicioneve të vetë atyre, karshi mungesës së legjitimitetit të plotë brenda shoqërive të tyre. Por liderët e shqiptarëve dhe posaçërisht këta kosovarë i shquan edhe një dozë e turpshme poltronizmi karshi liderëve të shteteve të fuqishme.

 

Davutogllu përpiqet që rrënjët e rreshtimit turk me SHBA-në dhe doktrinën e shtrirjes së ndikimit turk në zonë nga këndvështrimi neootoman (ai i cilëson shqiptarët autoktonë si mbetje të osmanëve në zonë!???) përpiqet t’i nxjerrë pikërisht gjatë konfliktit në Bosnjë.

 

Atëbotë, Turqia si vëzhgues pasiv, por nga afërsia, frikësohej se po mbetej vetëm në zonë, ngase Gjermania si forcë kohezive në BE po depërtonte në Ballkan, (mbështetja e Sllovenisë dhe Kroacisë për pavarësimi), kurse kundërpesha Franca dhe Britania po e forconin linjën serbo-greke.

 

Sipas tij, kjo situatë bëri që Turqia t’i jepte përparësi më të drejtë, ndikimit të SHBA-së në zonë ndaj ndikimit të BE-së dhe të përcaktonte, në këtë çështje, një pozicion strategjik më afër SHBA-së.

 

Në këtë kontekst, sipas këtij autori, ngritja e një lidhjeje mes sigurisë së elementëve shqiptarë dhe boshnjakë, mbetje të osmanëve në zonë (Sic!) dhe stabilitetit në Ballkan nga SHBA-ja, e forcoi akoma më shumë pozicionin strategjik mes SHBA-së dhe Turqisë pranë zonës.

 

Republika e Turqisë, si kreaturë e re e kemalistëve (që identifikohet me Mustafa Kemal Ataturkun) sot synon të bëhet një fuqi botërore, madje edhe ka bërë hapa impresionues në ekonomi dhe për këtë, bravo i qoftë.

 

Së këndejmi, rikthimi në retorikat e politikës së ditës (madje ministri i saj i Jashtëm Ahmed Davutoglu këtë rikthim po e cilëson sipas konceptit të “thellësisë strategjike”, duke u dhënë këtyre retorikave ditore fuqi të qëndrueshme doktrinare dhe globale.

 

Edhe kjo është punë për ta.

 

Por Kosova, si shtet i ri, i krijuar dhe i dalë nga konflikti i tmerrshëm ballkanik, përgjatë shpërbërjes së ish-federatës jugosllave, pos miqësisë dhe marrëdhënieve bilaterale, nuk ka çfarë kërkon në të shijuarit e ilahive për Muratin e Parë, as në doktrinën e neootomanizmit, që është një reminishencë e luftërave despotike e shkatërrimtare ndaj popujve të vegjël në fqinjësi dhe më larg, të Perandorisë Otomane.

 

Kosova lirinë dhe shtetësinë e saj e ka kërkuar dhe krijuar me mund dhe mbi të gjitha duke u mbështetur në vlerat e qytetërimit perëndimor, pra mbështetur në vlerat e përbashkëta evropiane dhe nuk mund të ketë flirte me asnjë vlerë tjetër ideologjike rajonale apo globale, siç po shfaqet tashmë neootomanizmi i Davutoglu dhe shefit të tij Erdogan, të cilët ia arritën që sulltan Muratin e Parë ta promovojnë si vlerë universaliste edhe në Kosovë.

 

Kur në maj të vitit 2009 në Shkodër, nga një dorë shqiptarësh të besimit islam (madje edhe me tituj doktorësh) ishte festuar 710-vjetori i themelimit të Perandorisë në medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, ende askush në mendësinë politike shqiptare nuk do të ketë menduar se një ditë sulltan Murati i Parë, aq i urryer e i mallkuar ndër shqiptarët, me e pa të drejtë, në historiografinë zyrtare, si në epos, rapsodi popullore, vjershëtari etj., do të shndërrohet në martir, universalist islamik dhe gati në përmasat e shpëtimtarit të shqiptarizmit!?

 

Kësodore në Kosovë, nën sponsorizimin e ministrave turq, u dëgjua kjo ilahi e sulltan Muratit të Parë (gusht 2011), më shumë se 620 vjet pas rënies së tij. “O Zot, po qe se kjo furtunë ka dalë për shkak të mëkatarëve dhe heretikëve (...) mos m’i ndëshko ushtarët e mi...” ectr.

 

Nuk do të lëshohem në historiografinë e Perandorisë dhe në brutalitetin e saj në Ballkan, e posaçërisht ndaj një populli që veten e identifikonte etnikisht si arbër (shqiptarë), ndonëse as Perandoria Otomane dhe as arbrit nuk ishin të konstituuara si kombe moderne, por ishin konglomerate tribale dhe etnike, sepse kombin modern turk e krijoi tek Ataturku, kurse kombin modern shqiptar, ndonëse historiografia shqiptare pretendon se e krijuan rilindësit (1878-1912), e vërteta është se Ahmet Zogu më 1920 e krijoi si shoqëri (entitet) politike të mbështetur në ligj.

 

Pra që këtu nis ndërtimi konstitucional i kombit shqiptar.

 

Kryeministri e më pas mbreti i Shqiptarëve Ahmet Zogu e riktheu mitin e Skënderbeut në panteonin e kombit dhe shtetit, duke pandehur se ai vetë kishte një prejardhje nga dera e fisme e Kastriotëve, ndërsa Enver Hoxha e pasoi këtë qasje nacionaliste ndaj figurës së Gjergj Kastriotit duke ia përshtatur ideologjisë komuniste. Diktatori Hoxha po ashtu Lidhjen e Prizrenit e zyrtarizoi duke e  kontekstualizuar me nacional-socializmin e tij, për një ekspansionizëm latent kombëtar duke u mbështetur në teorinë e  kombit kulturor gjerman.

 

Së këndejmi, cilësimet si ‘hordhitë turke’, ‘barbarët turq’ etj., në tekstet e historisë shqiptare nuk përkojnë me gjuhën e shkencës, (sepse ushtritë osmane nuk ishin monolite turke, por perandorake, pra shumetnike), prandaj mund të tingëllojnë fyese, dhe si të tilla duhet mënjanuar. Mirëpo, ‘horda’ vjen në shqip (hordhi) nga hungarishtja, kurse ‘barabar’ nga greqishtja (i huaj.)

 

Madje këso cilësimesh kanë hyrë në mendësinë shqiptare përmes rilindësve dhe janë analoge te të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor, që në gjysmën e dytë të shekullit 19 po hynin në epokën e zgjimit kombëtar dhe të nacionalizmit, për t’iu kundërvënë Perandorisë pesëshekullore Otomane dhe për të krijuar shtetet nacionale.

 

Cilësime të tilla për osmanët hasen dendur veçanërisht te historiografia serbe, si “turske horde”, “turski zulumcari”, apo “osmanlije varvari” etj. Dhe nuk më ka rënë të dëgjoj se për këso cilësimesh ka pasur ndonjë ankesë të Ankarasë zyrtare tek autoritetet në Beograd!?

 

Ndërsa ravijëzmi i hartës së Kurdistanit, në librat shkollorë të Kosovës, mund të tingëllojë si ndërhyrje në çështjet e brendshme të një shteti të pavarur, përderisa, tjetër çështje është nëse grupet e të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humane kosovare të angazhohen për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të kurdëve nga pushteti i Ankarasë.

 

Si shembull mund të merret BBC ose CNN, dy mediume të fuqishme botërore, të cilat derisa Qeveria britanike dhe ajo amerikane e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, pas 17 shkurtit 2008, hartën e Kosovës e kanë edituar të pandarë nga Serbia.

 

Sido që të jetë ideja e rilindësve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit 19, për të gjetur fije që i lidhin shqiptarët me qytetërimin europerëndimor që nga mesjeta skenderbegiane, si dhe ideja e Ibrahim Rugovës “për lidhje speciale me SHBA-në”, që të dyja ishin tendenca më kohezive dhe strategjikisht më të mençura se sa idetë aktuale për lidhje speciale (vëllazërore) me Turqinë.

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora