E shtune, 21.09.2019, 10:15 AM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Takim pas pesë shekujsh me Christopher Colombon në Santo Domingo

E shtune, 27.08.2011, 07:59 PM


 

Takim pas pesë shekujsh me Christopher Colombon në Santo Domingo

 

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Gjithmonë kam pasur kurreshtjen për të vizituar vende që nuk kam qenë më parë, mbetur pak si zakon qysh herët nga leximet e librave, të cilat rrallë mund t’i rilexoja, me përjashtim të autorëve të paktë që të tërhiqnin si me magnet dhe nuk të lëshonin nga faqet e librit...

Meqënse na janë krijuar mundësitë e qarkullimit të lirë një ëndërr e kahershme jona, këtë radhë vendosëm të shkonim në Punta Kana pranë Republikës Domenikane, ku frymëzim për këtë vizitë u bënë miqtë tanë Violeta dhe Përparim Likollari si dhe Agim dhe Mine Pira të cilët këta të fundit do të festonin 30 vjetorin e martesës.  Se ç’ka diçka shpirtërore të bukur, kur shkon me miq në pushime, për më tepër kur viziton një vend të huaj krejtësisht të një kulture dhe bote tjetër...

Pritja ne aeroportin e Punta Kanës ishte shumë festive të rrëmbente si me magji dhe të fuste në botën e zjarrtë latine, ndryshe nga eksperiencat e udhëtimeve tona të mëparshme.  Ecja përgjatë aeroportit shoqërohej nën tingujt e veglave muzikore tradicionale të interpretuara nga muzikantët që aq mjeshërisht dinin t’ju binin instrumentave të tyre. Personalisht, do të më bënte më shumë përshtypje fizarmonika e vogël e mbajtur në duartë e tyre.   Ishte një mirëseardhje tepër e ngrohtë nga ana e vendasve për miqtë pushues, çka tregon për një rit të lashtë të popullit autokton vendas, indogjenëve.

Aeroporti ishte krejtësisht i hapur, egzotik, me çati të mbuluara me gjethen e çarë të palmës, kashtën e përpunuar si në kohërat e lashta, ishte vërtetë një mrekulli më vehte, mënyra e ndërtimit të aeroportit të mbushte mushkëritë me ajër dhe fllad oqeani. 

Nuk kishte mure dhe dritare, çdo gje ishte në qiell të pastër.  Aeroporti në Punta Cana është hapur në vitin 1984 dhe atëhere mbi 1000 vetë zbrisnin në vit, sot janë mbi një milionë pasagjerë që ndalojnë atje.

Qëkur u nisa nga New Yorku si e apasionuar pas historisë dhe letërsisë e kishja bërë ndërmend të vizitoja kryeqytetin e bukur të Republikës Domenikane, Santo Domingon për të cilin më kishin folur me aq dashuri dhe më rekomanduan të shkoja atje, koleget e mia në shkollë me lëkurë ngjyre kanellë, veshje elegante dhe shumë të shoqërueshme si: Daisy, Thereza dhe Siara me origjinë nga Republika Domenikane. 

Fal organizimeve të bukura dhe me vlerë që të mundësohet atje u nisëm në një ditë të bukur që herë dielli të verbonte me rrezet e tij, herë shiu i pjerrët binte papushim si për të freskuar lëkurën e bronxtë të vendasve dhe të pushuesve me ngyrë çokollatë.  Shoqëruesi i aktivitetit që quhej Matheu një djalë simpatik dhe plot kulutrë ligjëronte si bilbil dhe plot krenari për kulturën e vendit të tij.  Në gjashtë orë udhëtim vajtje ardhje ai nuk pushoi së shpjeguari gjithçka që lidhej me historinë e atij vendi. 

Ligjërimi i tij filloi me zbulimin e Kristofor Kolombos dhe mbaroi po aq madhërisht me emrin e tij. 

Ai foli dhe për shumë njerëz të famshëm të Republikës Domenikane që kanë arritur suksese në botë.  Kështu me mjaft pasion foli për sportistët e baisbollit të cilët praktikoheshin në shkollën e famshme të sportit pranë fushave përkatëse, të cilët edhe në kohën që ne po udhëtonim ai na tregoi lojtarët qe po stërviteshin.  Ata kanë qenë fitues disa herë me skuadrën amerikane dhe në botë, në lojën e beisbollit.

Nga xhamat e dritareve dukeshin plantacione të tëra të mbjella me bimën që prodhonte sheqer, sintetike, neilonin dhe që ishte sjellë nga vetë Kolombi.

Lulishtet dhe parqet mbuloheshin nga lulja Bayahibe, simbol i lules kombëtare.  Intersant është fakti se kartmonedha domenikane ne vitin 2014 do të ketë dhe këtë lule simbol. Ndërsa simboli i pemës kombëtare është pema Mahogani.  Zogjtë e shumtë cicërinin ëmbël e ëmbël kudo dhe kurdoherë, por populli domenikan ka zgjedhur për zog kombëtar, Palm chat, zog që qëndron në majë të palmave dhe vezët i ka në ngjyrë lejla.  Të tria këto simbole gjithmonë më kanë ngacmuar në shumë vende të botës, ngase kam qenë gjithmonë konfuze se cilat janë simbolet tona në Shqipëri, që ashtu si për shumë gjëra të tjera ne i bëjmë mish-mash ato që janë më të rëndësishme, që edhe pse i kemi, i zhdukim!...

Po kështu tregoi dhe për bukurinë magjepsëse të grave, ku kombinimi afrikano – latino, në ngjyrë kanelle ka bërë që ato të jenë shumë konkurruese dhe njëkohësisht të fitojnë kurorën e bukurisë si misse në bote.  Kështu disa prej tyre në vitet e fundit  janë:

Mariasela Alvarez - Miss Bota 1982, Denny Mendez - Miss Italy 1996, Ruth Ocumarez - Miss Dominican Republic 2001, Amelia Vega - Miss Universe 2003, Claudia Cruz - Miss World 2004, Renata Soñé - Miss Universe 2005.

Shumë shkrimtarë dhe poetë të famshëm janë me origjinë nga Republika Domenikane, ku do të vecoja: Junot Diaz – një përmbledhje me tregime “Drown” të publikuara në vitin 1997, revista e mirënjohur “The New Yorker magazine” e ka renditur atë si 20 shkrimtarët më të mirë të shekullit 21.

Dr. Guillermo Linares është propozuar nga Michael Bloomberg, kryebashkiaku i Nju Jorkut, si komisar i çështjeve të emigracionit në New York.  Eshtë i pari Domenikan që mban këtë detyrë të lartë…

 

Santo Domingo

 

Kryeqyteti i Republikës Domenikane është Santo Domingo, qyteti i parë në gjithë Amerikat, qyteti i një bote të re, zbuluar rastësisht.  Ky qytet brenda Ishullit që është gjithashtu i dyti për nga madhësia në Antilet e Mëdha u zbulua nga Kristofor olombo, në vitin 1492.  Kështu vajtja pranë kështjellës së ndërtuar nga vëllai i Christopher Colombos ishte dicka befasuese, gati –gati ndjeje se prekje një botë tjetër, të mistershme më parë për ne.  Me fanatizëm dhe kulturë ishte ruajtur gjithçka që para 500 vjetësh, kur Kolombot kishin shkelur në këtë tokë.  Arkitektura e asaj kohe mbizotëronte kudo në parqe dhe gjithë zonën koloniale.  Tepër emocionuese ishte nderimi që iu bëhej burrave të shquar të Kombit si dhe të huajve që kishin punuar për Republikën Domenikane.  Varret e tyre ndodheshin në Panteonin kombëtar.  Nderimi që ju bëhet atyre nga ushtarët roje është i pandërprerë.  E dëgjoja me vëmendje të posaçme ciceronin dhe ndërkohë në mendje më endeshin heronjtë e Kombit tim, që jo pak të ashtuquajtur studjues hedhin baltë mbi veprën e tyre të admiruar nga populli.  Heronjte dhe mendimtarët e Kombit te tyre ishin të paprekshëm…ata nderoheshin nga populli dhe po ashtu nga turistët e shumtë, që organizuesit e kishin në planin e tyre dhe vizitën në Panteonin Kombëtar, aty ku nderoheshin mendimtarët dhe heronjtë, aty ku unë si vizitore u përula me respekt për veprën e tyre në shërbim të një populli aq bujar dhe fisnik.

Flamuri kombëtar që ndodhej kudo ishte me një kryq të bardhë që e ndan atë në katër pjesë të barabarta, të kuqe dhe të kalter.  Flamuri ka tri ngjyra që kanë kuptimin e tyre si: e bardha është shpëtim, e kuqja gjaku i heronjve dhe bluja simbolizon Lirinë.

Stemën e Republikës Domenikane e kanë të vendosur në mes.

Mbasi dolëm prej andej Ciceroni tha se brenda Panteonit ju patë 48 varre, ndërkohë janë dhe 26 të tjerë që do të vendosen këtu, në se do të ketë burra që do të punojnë për këtë komb…

Duke ecur në gjithë atë qytet historik i cili ruhet si pasuri ndërkombëtare nga UNESCO  shoqëruesi na çoi në Katedralen St.Mary, një katedrale e ndërtuar në vitin 1511 ku sivjet do të festonte 500 vjetorin e ndërtimit të saj. Eshtë katedralja e parë e ndërtuar në gjithë Amerikën latine, që i kushtohet St.Marisë dhe personifikimit të saj.  Madhështia e saj të përpinte me thjeshtësinë e komunikimit nga ciceronët dhe krenarinë e tyre për ruajtjen me aq kujdes të veprave të mëdha për kombin e tyre.  Në këtë katedrale kishte ardhur tri herë Papa Gjon Pali i dytë, burri që respektohet nga gjithë bota për tolerancën dhe përkushtimin ndaj Zotit.  

Në këtë qytet janë disa ndërtime që për herë të parë në botën e re zbuluar 500 vjet më parë, kanë filluar në Santo Domingo.  Kështu dhe universiteti në këtë kryeqytet është i pari në gjithë hemisferën perëndimore të Amerikës që është krijuar jo zyrtarisht nga Papa në 1538 dhe po zyrtarisht në atë vit nga mbretëria.

U larguam nga kjo ndërtesë madhështore për të vizituar pallatin kombëtar “shtëpinë e bardhë”.  Ndoshta nga arkitektura ishte gati një kopje e shtëpisë së bardhë, por kurrsesi t’i përngjante nga veprimet.  Kjo shtëpi presidenciale është projektuar nga arkitekti italian Guide D´alessandro Lombardi dhe është inaguruar në 16 gusht 1947.

Duke e fotografuar dhe ndenjur pranë portës së saj të hekurt me roje kombëtare, mendja më shkoi tek nobelisti i vitit 2010 Mario Vargas Llosa, me librin e tij “Festa e cjapit” një ndër shkrimtarët e mëdhenj të Amerikës Latine.  Pena e autorit përshkruan artistikisht duke fshikulluar diktatorin domenikan Truhijo i cili ndenji në pushtet për 30 vjet radhazi, 1930-1961 duke e vrarë e prerë pa mëshirë popullin e butë domenikan.  Tirani Truhijo i quajtur ndryshe nga populli i tij Cjapi, të neveritet nëpërmjet leximit veçanërisht nëpërmjet personazhit kryesor Uranisë, e cila ka qenë e traumatizuar nga sistemi...  Fundi i këtij diktatori të përbindshëm erdhi nëpërmjet një atentati, ku unë si shqiptare nuk ka se si të mos tronditem nga këta përbindsha, që dhe populli im jo pak ka pjellë të tillë!...  Ciceroni Matheu fliste me një përbuzje dhe urrejtje gjer në rrënqethje për cjapin domenikan, që kishte mbajtur dhe vrarë nën terror dhe përdhunim një popull të tërë...

Diktatori i kishte ngritur kulte vehtes sikur të qe Zoti i tyre, ndërsa gjatë sundimit të tij kryeqyteti kishte emrin e tij “Truhijo”...

Populli domenikan e ka në traditë respektin dhe mirënjohjen, veçanërisht për ata që kanë kontribuar për Kombin e tyre.  Një monument madhështor ishte ngritur për Christopher Colombon, njeriu që zbuloi për herë të parë një bote tjetër, më 1492. Si ide për të nderuar figurën e Kristofor Kolombos ishte hedhur nga historiani dhe shkrimtari Antonio Delmonte Tejada në librin e tij “Historia e Santo Domingos” publikuar në vitin 1852.  Ndërsa amerikani Pulliam William Ellis filloi të shiste idenë që të ndërtohej monumenti per Colombon në qytetin e parë amerikan.  Në vitin 1923 në konferencën e parë inernacionale në Kili ata dolën me vendimin që monumenti të ndërtohej nga të gjitha qeveritë dhe qytetarët e amerikave.

Ndërtimi kishte filluar në vitin 1986, projektuar nga arktekti skocez Gleave në vitin 1931 i cili fitoi midis 455 arkitektëve nga 48 vende të botës dhe inaguruar në vitin 1992 në 500 vjetorin e zbulimit të Amerikës.  Në ndërtimin e tij kanë kontribuar gjithë shtetet e amerikës latine po ashtu dhe nga gjithë bota.

Në këtë monument ndodhen 157 trarë që lëshojnë rrezet e dritës drejt qiellit dhe që rrezatojnë mijëra kilometra larg…Ato janë shumë të fuqishme dhe mund të shikohen që nga Porto Rico, një ishull tjetër.

Monumenti është nje muzeum në formën dhe madhësinë e një anijeje tip cruise që përmban koleksione të ekspozitave nga të gjitha vendet e Amerikës, Europës dhe Azisë, ideuar nga ish presidenti Balaguer. 

Vizita në Santo Domingo, qyteti i parë në të gjithë amerikat, do të ngelet e paharrueshme në kujtesën time, ngase atje m’u duk se u takova me Kristofor Colombon, njeriun që zbuloi një botë krejtësisht tjetër, por që une e takova pas 509 vjetësh, dhe kështu do të vazhdoj takimi me të dhe nga të tjerë vizitorë, përjetësisht, ngase mirënjohja e popullit domenikan është ngulitur në zemrat e tyre, dhe po ashtu është shprehur aq magjishëm dhe nëpërmjet artit…

 

 



(Vota: 9 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT