E enjte, 25.04.2024, 11:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefik Shkodra: Karikaturat euforike

E shtune, 27.08.2011, 07:57 PM


Ese

 

KARIKATURAT EUFORIKE

 

Nga SHEFIK SHKODRA

 

Nganjëherë a shumë herë, veç ëndrra e andrralla shohim. Një jetë të tërë, ndoshta krejt si në përralla e kalojmë. Madje, rrugëtim i kotë edhe nw profesion, pa i matur secili hapat për vetveten. Shumë gjëra të dalin si të pa rëndësishme. Si asgjë, po shumë ngashnjyese, me shpresë! E sheh?! Këtu ishte lidndja e tij. Nga kjo lugajë vjen e del në dritë. Po nuk dihet as gur mbi gurë. Është rrafshuar tash e është bërë trualli arë, si tërë kjo tokë e punuar që ishte dikur. Duke shkuar më tej sokakut, që dikur kundërmonte në bajga dhe shurrë bagëtish, në ajkë delesh, ngritej pluhuri mjegull i dheut t’argjiltë. Dhe lehtë dalloheshin mbetjet e vulosura të thundrave të deleve, dhive e të gjedheve. Dikur. Po, dikur në këto male, gati në çdo sukë kishte nga një krua me koritën plotë ujë. Kishte dhe mrize e hije për shpëtim të njerëzve dhe kafshëve nga rrezet e forta diellore. Këto kroje i kishte rregulluar dora e njeriut me shumë njerëzi.

Sot të gjitha rrugët i kanë prishë të reshurat, një erozion kohe ka ndërruar edhe pamjet e krojeve. Bari i keq, manaferra e gëmusha i kanë mbuluar. Si në jeremi, e pashë veten mbi ngrehinën, aty ku kishe kaluar një pjesë të rinisë shumë të lumtur, por edhe shumë të mërzitshme. Të lumtur, se, shpresoje për diç të re në një të ardhme. Të mërzitshëm, se, nuk dilej lehtë nga një skamje e nga një robërim i gjithanshëm. Këtu, te pragu, ka mbetur pema dëshmi. Kjo qershi ishte rritur bashkë me disa vëllezër e motra. Pema zinte vend mu pranë dyerve të dy korridoreve, njërit për në kthinën e djathtë, atje ku ishte oda e veçantë mbi ahurin e lopëve. Me dritare kah Zabeli i Ballit, shumë poshtë mbetet Ograja e Dhive, më tej Rrafshi i lajthive, Lugu i sokolave...kështu rreth e përqark veç qielli dukej mbi kokë. Katundi malor si kuptim reliefi është shkretëruar...Krejt këto ruajanë kujtimin për vetëkënaqësinë emocionale në karikaturë.

*

Më ka shkuar ndër mend një pyetje: a ka njeri në botën shqiptare që do të thoshte, edhe pa mua bën të vazhdoj kjo jetë. Ose, edhe pa punët e mia mund të qëndroj në këmbë rruzulli tokësor. Vetmeveti nuk ia kam dalë t’i përgjigjem kësaj pyetje. Për këtë rezultuan e më ndihmuan shumë mendime të lëna nga paraardhës tanë. Teorikisht, të gjithë pranojnë se, dielli do të nxej sërish edhe pas akëcilit ego. Hëna do të bëj të njëjtat rrotullime, të njëjtën formë të saj edhe më do ta shihnin njerëzia nga toka. Edhe yjet duken në të njëjtat pozita. Stinët e vitit...edhe të reshurat atmosferike nuk do të ndryshojnë. Me një fjalë, fenomenet natyrore nuk mund të devalvohen në terësi, e në imtësira, nëpër milenume, kanë mundur t’i përcjellin vetëm një grup ekspertësh, ta zëmë. Të tjerët vetëm flasin...flasin.

*

Derisa fenomenet shoqërore janë diçka që ndryshe mund të përceptohen, madje edhe të shtrihen e dimensionohen në kohë e hapësirë gjeografike. Thyerje-ndreqjet njerëzore janë të gjithanshme dhe të shumfishta. Më shumë thyerje shpirtërore shfaqen. Del ndonjë, për të cilin nuk e ke marrë me mend dhe bën mrekulli njerëzore. Po del dhe nga ai që s’e kujton fare e ‘gurgullon’ qelbi. Herë me arsye të mëdha, e herë-herë pa ndonjë shkak serioz, veç mendja e njeriut e fluturuar. Ajo tek mendja që çon deri te fiks mendimi. Te dalldia. Kam bërë këtë e atë, thotë akëcili. Kam qenë i pari, i pari dhe tash duhet të jem. Po, të mirën që e ke bërë për kolegun, fqinjin, vendin mos u lavdëro! Bën mirë sepse ta thotë mendja, se duhet bërë ashtu. Mund të bësh edhe keq. Vepra e mirë, sidomos ajo për atdheun, nuk shpërblehet me lavde. Sidomos, vetlavdata është ndotje ambienti shoqëror. Bëhet teatër palaçosh. Komedi për të tjerët dhe tragjedi për autorin. Dhe fjalë pas fjale e bisedë pas bisede, nga kureshtja e lëshojmë edhe një pyetje. Kjo pak e çuditshme, në mese të çuditshme gjithashtu. Në një grumbull të madh njerëzish me profesione të ndryshme, që nga barinjtë e deri te shkencëtarët e lëmenjve të ndryshëm, thërrasim, për shembull: – Kush mund të bëhet mbret i gjithë shqiptarëve? Pyetje pak e rëndë, pakëz si lojë e humor sa për të shkuar kohën. Dhe këtë “grackë” nuk do ta kishin marrë vesh krejt sa janë me siguri. Të gjithë ndalen dhe mendohen me kokë ulur. Asnjëri nuk deklarohet as me ‘po’ e as me ‘jo’(!) Secili prej tyre, pavarësisht çfarë profesioni dhe aftësie, mendon vet me vete e për veten e tij – “mundem, mundem”! kur dëgjon këtë pohim, një ankth të pushton, mendjen ta turbullon.

*

Ajo tek mendja, ajo ego-ja e vrazhdët, që nuk i bën dritë brendisë së vet, mbyll edhe poret e lëkurës së trupit. Zihet ngadale si kërmilli i tharë në gëzhojën e vet. Hedh vrerë në përmasa të një kantejneri, kur nuk i shkon për shtati. Mbledh bërlloqe për dezinformata.  Shtie spica në kënde rrugësh ndaj kolegëve, si ai “shejtani i vocërr me sherr të madh”, nga ajo shkolla, që e mësuan të veproj në kundërshtim të rregullave njerëzore. Ai u “shashtris” nga gëzimi, që pati mundësi në ditët e motit të vet të bëj do kurthe, duke pas kënaqur egon. Çfarë kurthe? Kundër atyre që ia ruajtën kokën e “cincarit” – një kungulli të egër. Më në fund, ai, si djalli që u fuste nga një “guralec në këpucë” njerëzve të urtë. Diçka diabolike ndër kolegë e njerëz. Po. Populli ka thënë: “Sorrën që e ushqen t’i nxjerrë sytë”! Kam pa se si e ndjekin hutin do zogj të vegjël. Ndodh që ata të jenë rreziku i tij. Kush di çfarë zogjësh janë! Edhe ndonjë farë shqiptari nuk dihet çfare është! Me siguri, dikush nuk e ka harruar edhe një shkrim shumë të spikatur për “njerëzit kacavjerrës”. Duken njerëz veç me formë, po me shumë veprime lugatërie. Janë tipa që lëpijnë ‘rrëzgina’ opingash. Japin gjën më të shtrenjtë për karierë. Thadrojnë me fjalët djallëzore shumë ‘mahnitëse’ dhe pas pak, kthehen në sulm, mu kundër atyre që jo shumë kohë më parë e mbanin nën sqetulla. Kjo ishte një lozë e djallit dhe është që shitet “patriot” duke vjedhur e duke bërë spiunime të panumërta kundër atyre të ‘krahut’, si i quante vetë dikur. Po. Dikur, fjala i shitej si një këngë e ëmbël e ritmike, si gurgullima nga një përrua vërrini. Po. Njeriu kacavjerrës – morroveci i coftë! Ëndrra më e madhe e tij është kariera. Dashnore më të afërt atë e ka. Për këtë është më i shpejtë se miu i gjirizit!  

*

Prapë sindromi i ego-s. Është një fjalë populli, pak bajate, po funksionale. Thuhet për raste të veçanta: “Iu ka tekë si trentit për kos.” E ka marrë për sipër punën që s’i del zot. E nis ndërmarrjen e madhe, por i mungon kapaciteti intelektuar e shkencor. Amon! Ndonjëri, sa më pak që di, aq më thell futet prej nga nuk mund të dalë me “faqe të bardhë”, po ai nuk e pranon dhe gjithnjë rrah gjoks. Thuhet, të tjerët e “bajnë marren për të”. Kështu, bie fjala, sheh tek shkruan njeri për shkrimtarë e vepra që as i ka lexuar mirë ndoshta. Shkruan vepra letrare pa ditur ku fillon e çka mbaron. Jep vlerësime me shumë ‘kompetencë’, po me ato vlerësime dalim si karikaturë. Dhe...,sindromi i jonë veç botës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora