Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Vullnet Mato

| E shtune, 27.08.2011, 07:00 PM |


Vullnet Mato

 

 

EVAT JOSHËSE

 

Do ishte mirë, sikur nëna

me shenjtërinë e saj,

gjatë procesit formues

të foshnjës në plancetë,   

kur filloi fytyrën time

ta qëndiste në maj,

të mos e kish modeluar

nga hijeshia e vet;

 

Sepse kur u bëra

vjelës madhor moshe,

për parcelat femërore

me mollë të arta,

dhe pranë çdo peme

një Evë më joshte, 

do kisha shpëtuar shpirtin

nga vuajtjet prapa. 

 

Se s’kishte më keq,

kur më përkëdhelnin,

dhe dredhoja enkas

nga ai gjarpër frike,

që zgjaste mes degëve

thumbin e helmit,

me shërim te purgatori

i punës fizike.

 

Evat bënin çudi

pse isha aq fodull,

sikur perrinë e botës

të kisha në shtrat.

Po harronin se gjarpërinjtë

e llojit “Dullë”,

më bënin për to qorr,

memec dhe sakat...

 

 

LODRAT ME THIKA

 

Dëgjova i mahnitur

sa çuditshëm luanin dy fëmijë.

Njëri vërtiste në ajër

thikën e mprehur me majë

dhe kërcënonte me shaka

bashkëmoshatarin e tij,

si të ishte një gladiator

përballë viktimës pa faj.

 

Mos, i thoshte pafajësia

me sy të frikësuar,

ç’po bën ashtu me thikë

si budalla, ore Gazi,

se po të shkau nga dora

ajo vjen drejt te mua!

Ai i përgjigjej:

“Le të shkasi, ty do të vrasi ! 

 

Atë çast pata një shoqërim

idesh të rastësishme;

Ja, si filloka qysh fëmijë

papërgjegjshmëria !...

Dhe shkon deri te autoritari

që me lodra të rrezikshme,

s'do të dijë kush e pëson

nga padrejtësia...

 

 

ZEMRA E HOMERIT

 

Nuk kam preferuar

të bëj poezi për poetë,

se ndoshta pasioni

më tingëllonte lëvdatë.

Por një gojëdhënë thotë

se para dymijë e ca vjetë,

një Çirçe zemërligë

zuri rob Homerin e lashtë.

 

Ajo i kthente në gur

kalimtarët e rastësishëm

dhe ngrinte me ta

murin e saj në oborr.

Zemra e bardit lëshonte

një lëng të çuditshëm,

që zbuste ngurtësimin

e trupit njerëzor...

 

Magjistarja u mundua

me ngulm të tepruar,

dhe kur s’mundi asesi

arritjen e dëshirës,

bardët dhe aedët përveç

s’i deshi të gurëzuar,

lejoi të kalonin në prona,

duke i rënë edhe lirës.  

 

Sikur lëngun çudibërës

të zemrës së tij bujare,

të kishte mundësi sot

ta pikonte çdo poet,

do shkriheshin kudo

gjithë gurët e halleve,

dhe mirësia njerëzore

do lundronte në një det.

 

DOÇKAT SI ZINXHIR FLORI
 
Të lidhte martesën
me zinxhir floriri,
njëra injektoi fëmijë
me spermën e huaj.
Se donte njeriun
tek ai burrë sterili,
që fatkeqësia e tij
e kish bërë të vuaj.
 
Ta kishte zinxhirin
si rrezen në mëngjes,
tjetri hapi krahët
për vogëlushin jetim.
Të mos prishej foleja
me zogëzën pa vezë,
të mos dëshpërohej fisi
me zogj në këngëzim.
 
Se zinxhirë të florinjtë
me fuqi magjike,
kishin vetëm fëmijët
me dy doçkat e njoma. 
Për t’u lidhur më fort
këto zemra fisnike,
pa mbetur në shpirt
sterilë dhe beronja...
 
Pasi vetmia e gjatë,
me ndarje të shpeshta,
te gratë lënesha,
dhe burrat mbetur qyq,
ndjehet si zhveshja
e ca drurëve nga vjeshta,
mbetur ngricave
në trishtimin lakuriq.