E premte, 19.04.2024, 03:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Zoti nuk është qendra e frikës por Burimi i Dashurisë

E shtune, 27.08.2011, 07:59 PM


ZOTI  NUK ËSHTË QENDRA E FRIKËS POR BURIMI I DASHURISË

 

Disa mendime për librin autobiografik të profesor Sami Repishti.

 

NËN HIJEN E  ROZAFËS

 

Nga Kristaq Turtulli

 

Shumë kush nga ne ka dëgjuar dhe lexuar mjaft për intelektualizmin dhe patriotizmin shkodran, të klerit katolik, mysliman dhe ortodoks. Këto tre fe kanë qene në harmoni të mrekullueshme në shekuj si kudo në Shqipëri edhe në Shkodër. Kemi lexuar heroizmin e pashembullt të malësisë shqiptare që mbrojtën me thonj dhe gjak gjuhën, traditën, besën dhe fisnikërinë.

 

Klerikë të ndershëm të arsimuar, të përkushtuar ndaj Zoti drejtësisë dhe atdhedashurisë, heronj të heshtur, të pajisur me kulturë perëndimore dhe civilizim, Kolosë të mendimit intelektual: Qysh me të madhin  Marin  Barleti, i cili përshkroi aq madhërisht heroizmin e Skënderbeut dhe të popullit shqiptar, kundër hordhisë turke, perandorisë më të madhe të kohës. Pal Engjellin, me formulën e pagëzimit. Burimorin, origjinalin Gjon Buzuku. Pjetër Bardhin. Pjetër Bogdanin. Ndre Mjeda. Patër Gjergj Fishta. Patër Antoni Arapi. Patër Ndue. Patër Gjonin dhe plot të  tjerë. Të cilët kanë qenë patriotë të mëdhenj, shkrimtarë të shkëlqyer, historianë, kronikanë, lëvrues të gjuhës së bukur shqipe, pishtarë dhe fanarë të përparimit shqiptar.

 

Shumë kush nga ne ka dëgjuar dhe lexuar mjaft për intelektualizmin shkodran, të malësisë dhe të klerit, rezistencën kundër komunizmit. Shkodra, vatër kjo e demokracisë dhe progresit Shqiptar.

 

Ndërsa në kuintat e ndyra u përgatit loja e sigurimit të shtetit për ti fajësuar ata klerikë, besimin fetar dhe me pas asgjësuar, sikundër edhe ndodhi.  Ata u përballën me dinjitet me marrëzinë e kohës dhe u martirizuan egër prej komunizmit. Humbën në vite dhe vite neper burgje dhe birucat, u vranë, u pushkatuan, u zhdukën  pa nam e nishan. Dhe nuk u përmenden. Ndoshta dikush prej tyre tani vonë fare pak. Dhe jo aq sa e meritonin dhe sa kishin sakrifikuar.

 

Shumë pak prej tyre, mund ti numërosh me gishtat e dorës, me kosoren dhe lakun në qafë arritën të çanin gardhin e hekurt. Tu shpëtonin plumbave dhe qenve te tërbuar, morën arratinë, shkuan në perëndim. Por me zemër të ndezur prej mallit dhe përkushtimit të pashuar atdhetar.

 

Një prej tyre është pa dyshim personaliteti, patrioti dhe shqiptari i madh, me kulturë dhe inteligjencë profesor Sami Repishti. Ai ka qenë pjesëmarrës aktiv për të drejtat e popullit Kosovar për vetëvendosje. Ka dëshmuar vazhdimisht përpara Kongresit Amerikan, duke mbajtur lidhje me Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, gjithmonë për çështjen shqiptare. Ka drejtuar Këshillin Kombëtar Shqiptar Amerikan për shumë vite me radhë. Ai ka botuar me qindra artikuj e studime mbi problemet shqiptare dhe te drejtat e njeriut ne shtypin shqiptar dhe te huaj. Është dekoruar disa here nga qeveritë shqiptare dhe amerikane, për merita te shquara dhe për veprimtari patriotike dhe akademike.

 

Ish profesori i nderuar i Universitetit Adelphi, Sami Repishti tani është në moshën tetëdhjetë e gjashtë vjeçare. Është një histori e gjallë e dhembjes dhe së vërtetës. Një libër i hapur,  dëshmitar okular, për të ndriçuar llambën e së drejtës. Dhe na tregon se individi i vogël rritet, merr përmasa mbinjerëzore, që fisnikërohen nga madhështia e kauzës që i shërben.

 

Libri : ‘Në hijen e Rozafës.’përshkruhet nga një ndjenjë e fuqishme për vendin, fëmijërinë, Shkodrën fisnike dhe patriotike. Kontradiktat e thella në gjirin e shoqërisë shkodrane, brumosjen e karakterit të tij, e cila i shkaktoi aq mundnim e persekucion. Vuajtjen, mbrojtjen e integritetit kundër vasalitetit jugosllav. Dashuria e pakufishme për nënën, respektin ndaj kujtimit të babait, klerik. Për shokët, miqtë edhe pse i prangosur dhe i torturuar deri në barbari. Në ferrin dantesk, nën presionin e tmerrshëm, si të gjithë të burgosurit e tjerë, viktima të pafaj, atij iu lëkund besimi tek zoti dhe humanizmi. Por përsëri i dalluar dhe i brumosur për karakter të fortë, nuk i humbi këto elemente të rëndësishme. Mbeti njeri, si rrallë të tjerë.

 

Sami Repishti midis shumë veprave me karakter historik dhe librit me tregime:’ Pika loti,’ tregime nga burgu. Në vitin 2004 botoi librin e tij të merituar outobiografik:’ Në hijen e Rozafës.’ Narracion i hollë,dhembje ,mundim, kundërshti, luftë për dinjitet dhe sensibilitet. ‘Në hijen e Rozafës.’nuk është thjesht një libër që tregon jetën e një individi, por është një analizë e thellë e jetës politike dhe shoqërore shqiptare në harkun kohor njëzet e pesë vjeçar, midis viteve tridhjetë deri në mbarim të vitit 1959 të shekullit të kaluar. Në Shqipëri ndodhën ndryshime të mëdha siç ishte pushtimi fashist, lufta e popullit mbarë për rezistencë kundër okupatorit. Lufta civile, vëllavrasja, si dhe ardhja e komunizmit. Mënyra e egër e vendosjen së diktaturës së proletariatit .Intelektualët e ndershëm e kundërshtuan, u përballën me të dhe u kryqëzuan prej saj.

 

Si të gjithë të rinjtë dhe Sami Repishti u gjend që në fillim në udhëkryq. Kazani ziente. Ai duhej të merrte një vendim qoftë dhe me rrezikun e jetës. Të bëhej pjesë e rrjedhës të pashmangshme ku kish mbërthye euforia dhe çmenduria.  Ta kundërshtonte atë dhe të përpiqej për një mundësi më të mirë? Ai me kthjelltësi dhe ndërgjegje i tha ‘Jo’ diktaturës dhe morri rrugën që nuk kishte fund, një lundërtar në detin e gjerë, pa brigje. Akti i tij rebel pothuajse e vrau, por e çliroi njëkohësisht.

 

Sami  Repishti është dëshmitar okular i jetës në ferrin fashit dhe komunist në Shqipëri. Jo si ‘politikan’, apo ‘personalitet’ i makro politikës shqiptare, por si student dhe i ri, i cili u ndërgjegjësua për rolin e vet, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashuria për atdhe dhe dëshira për liri. Ne ato momente të vështira shohim një djalosh të ri me qëndrim të qartë, besnik i vetvetes, i jetës për të jetuar me dinjitet pa kompromis.

 

Gjatë udhës, thotë autori, takova dhe njoha ma mirë ‘njeriun’ krijesën fisnike, të etur për liri, të djegur për vëllazërim e njëkohësisht të aftë për të zbritur poshtë, në botën ku mbretëron çnjerëzimi ma i plotë dhe vdekja e frikshme. Në këtë botë të nëntokës përqafova viktimën dhe e doja atë me pasion. Kjo dashuri për njeriun mundi dhe kërcënimin e vdekjes.

 

Sami Repishti lindi dhe hodhi shtat në hijen e kështjellës tremijë vjeçare së Rozafës. U ushqye me legjendën e dhimbshme e magjepse: Një murojë madhështore e pathyeshme ndërtuar mbi trupin e njomë të një nuseje, të një nëne që linte djalin jetim nga respekti i padiskutueshëm për traditën. Ideja e sakrificës që kërkon jetë njerëzore në formën më të ashpër, ushqeu fantazinë e një populli, që mund dhe vdekjen. Më vonë mbretërit që kishin mbajtur dhe mbrojtur këtë kështjellë: Bardhyli. Pleurati. Teuta. Agroni. Deri tek dorëzimi i mbretit Genci, i përcjellë në Romë me pranga floriri.

 

Në këto histori madhështore të kështjellës së Rozafës dhe qytetit të tij Shkodrës u brumos karakteri i djaloshit të ri, birit të thjeshtë Sami Rapishti.

 

Në një pjesë të rëndësishme të librit autori përshkruan pushtimin vendit prej Italisë fashiste. Si priti dhe e përjetoi populli i vuajtur Shqiptar këtë ditë të zezë. Shkodra si e gjithë Shqipëria ishte në tension e flakë. Trusninë e përjetuan dhe shkollarët, për të cilën e përshkruan dhe jetuar autori me aq patos dhe art. Himni kombëtar këndohej pa pushim. Shqetësim, dhimbje për nënën Shqipëri, gatishmërinë e të gjithëve për të shkuar dhe luftuar me armë kundër pushtuesit. Hija e rëndë e pushtimit. Por qëndrimi i popullit kundër pushtimit nuk u fashit, nuk reshtën demonstratat dhe lëvizjet mazive të organizuara. Si i gjithë populli ai vetë po ashtu dhe familja e tij u përfshinë në këtë lëvizje të madhe për liri dhe përparim.

 

Sami Repishti luftoi pa kompromis kundër çnjerëzimit, pavarësisht nga ngjyra.

 

Pikërisht në këtë lëvizje frontale ai u përfshi me idealizmin për një Shqipëri të vërtetë me vështrim demokratik perëndimor, duke  futur brenda të gjitha trojet shqiptare të ndara padrejtësisht nga trungu i nënës Shqipëri. Ai u përball në të njëjtën kohë me komunizmin që ish ushqehej dhe shtyhej prej Jugosllavëve: Me moton shkatërrimtare, o me ne, o kundra nesh.

 

Sami Repishti edhe pse shumë i ri, nuk mund të pranonte një shoqëri që premtonte dhunë dhe urrejtje. Një shoqëri që nëpërkëmbte parimet morale, që ishin bazë e një qytetërimin tre mijë vjeçar. Komunistët nuk i kërkonin trojet shqiptare, as nuk e hapnin këtë kapitull. Ata kërkonin luftë pa kompromis kundër të gjithëve, pronës, fesë, duke shkulur nga rrënjët botën e vjetër, me ideologë të mëdhenj Titon dhe Stalinin dhe me militantë  të brumosur me urrejtje.

 

Në kulmin e përfshirjes madhore të lëvizjes për çlirim, në mbledhjen e njësitit. Sami Repishti

 

ngihet dhe thotë: ‘Unë nuk jam komunist.’

 

Por ky deklarim burrëror dhe i sinqertë, nuk kaloi pa gjurmë. Pa vonesë ai e kuptoi se tashmë ishte përballë kundërshtarësh, deri tek Lili, vajzën që adhuronte aq shumë. E cila i tha:

 

‘Meqenëse nuk ish i një mendje me ideologjinë komuniste dhe kushdo që nuk e pranon ose kundërshton këtë, është armik që duhet të urrehet dhe të luftohet pa mëshirë.’

 

Në këtë pështjellim njerëzor autori i thotë vajzës së zemrës:

 

‘Lili, ke humbur çka është fisnike tek ti, ke humbur çka është e jotja dhe vetëm e jotja...’

 

Interesant është gjithashtu debati me të kushëririn komunist. Ata kishin bindje të kundërta. Kushëriri kërkonte ndryshim dhe dhunë pa kompromis. Samiu i thoshte për tolerancë dhe mirëkuptim në interes të vendit. Në fund u ndanë të indinjuar me njëri tjetrin. Shikimi i kushëririt ishte tmerrshëm. Por vetëm dy ditë më vonë, nën errësirën e natës, kushëriri u hyri në shtëpi me hap të shpejtë dhe u tha: ‘Policia fashiste më ndjek. A mund ta kaloj natën këtu tek ju?’ I ati i Samiut, hoxha Hafis Ibrahim Repishti e pranoi pa hezitim në shtëpi  edhe pse e dinte që komunistët ishin ateistë. Besa e shqiptarit është më e rëndësishme se gjithçka.

 

Në mesnatë fashistët shkatërruan derën në kërkim të kushëririt. Nëna e Samiut e nxori nipin nga dera tjetër. Në shtëpinë e tyre filloi bastisja. Oficeri kapi të atin nga krahu dhe e shtyu me forcë në dhomën tjetër, filloi të bërtiste. Për një klerik mysliman trajtim i këtillë ishte shumë i rëndë, pësoi hemorragji cerebrale, paralizë dhe mbas disa ditësh i ati vdiq.

 

Erdhi çlirimi i vendit, kjo ngjarje e jashtëzakonshme shoqërohej nga frika e së panjohurës. Kush janë fitimtarët, partizanët, udhëheqësit e pakontestueshëm të rendit të ri që premtohej? Metodat e përdorura ishin të ashpra e diktatoriale. E liruar nga dy regjime, shoqëria shqiptare priste me padurim një periudhë paqeje e sigurie. Por psikologjia e masave të një qyteti si Shkodra që e kish pësuar vazhdimisht invazione nga fqinja e veriut, nuk lejonte pranimin pa kushte të një bashkëpunimi të ngushtë me jugosllavët, praninë e instruktorëve serbë dhe malazezë në të gjitha sektorët e jetës së vendit.

 

Autori na jep me vërtetësi pamjen e Shqipërisë në vitet e para të pas çlirimit të vendit, varfërinë, euforinë, pasigurinë. Në të njëjtën kohë po ngrinte kokë organizimi i shtetit mbështetur mbi forcën e zjarrit dhe të hekurit. Ekzekutim publike sipas stilit fashist, rreth të pushkatuarve, grupe partizanësh që hidhnin valle, duke kënduar këngën: ‘Lule Sofo, lule djalë.’Ishte mënyra e këtij ekzekutimi ‘të bashkëpunëtorëve’ që tregonte një mospërfillje për shtetin ligjor si dhe mospërfillje për ndjenjat qytetare.

 

Çdo ditë përsëritnin si në kor: ‘Plumbin ballit, plumbin ballit!Vdekje tradhtarëve!’ Gjithçka ishte llogaritur për të krijuar atmosferën e frikës.  Autori na je jep të saktësi sesi klasa shoqërore shkodrane dhe të malësisë së madhe, dikur e privilegjuar dhe e fuqishme, më vonë e dërmuar prej krizës ekonomike, ndryshimeve shoqërore e kataklizmave të luftës, po avullohej pa lënë trashëgimtarë për zëvendësim. Boshllëku i mbetur ishte i madh dhe i frikshëm.

 

Në këtë trusni, terror, që po ngrihej përpara syve të inteligjencës së mirëfilltë shkodrane, humbje vlerash të çmuara të traditës dhe kulturës, u ndje nevoja për veprim. ‘Para meje, shkruan autori, ngrihej çdo ditë ma e madhe kërcënuese’ ndërtesa’ që më zinte frymën përgatiste murimin e përjetshëm, si varri i Rozafës viktimë. Ai ishte vetëm njëzet vjet dhe në luftë të brendshme shpirtërore. Për tu fisnikëruar dhe lartësuar. Dhe gjykonte se shoqëria e re, kish vrarë me dorën e vet, ambiciet e saj morale. ‘Njeriu i ri’ që po krijohej ish i përqendruar vetëm në një pikë: ‘urrejtje.’ Tek ai ishte përqendruar një ndjenjë:’ hakmarrja.’ Tek ai, gjithçka ishte e frymëzuar nga një qëllim: etja e pangopshme për pushtet.’

 

Ndërkohë dy ngjarje të rëndësishme ndodhën në qytetin e Shkodrës. Në maj të vitit 1946 u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste e qetë por e fuqishme, krejtësisht spontane, nën vëzhgimin e Sigurimit. Ishte funerali i arqipeshkvit katolik që vdiq, ndërsa mbahej në gjendje arresti, në shtratin e vdekjes. Ndërsa më 9 shtator 1946 ndodhi ‘Lëvizja e Postribës’.Këto dy ngjarje u bë shkak të ‘spastrohej’ i gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe. Brenda një muaji qyteti kishte njëmbëdhjetë burgje të përkohshme dhe më shumë se njëmijë e dyqind të arrestuar. Hija e rëndë e ekzekutimeve ishte kudo.

 

Arrestimi i autorit të librit: ‘Në hijen e Rozafës,’ ndodhi në mbasdreken e 22 tetorit 1946. E flakën në qeli. Dhe qysh në momenti e parë u përplas me dhunën e egër dhe torturën e cila i vazhdoi për shumë muaj me radhë për të pranuar fajin e pakryer. Ai e mendoi shpesh vdekjen. I mbyllur, i torturuar shumë pranë hijes së kështjellës së Rozafës.  Ardhja e nënës për të vizituar në burgun e spitalit dhe dhuna e egër nga saj prej rojeve. Autori me shpirt në dhembë i thotë rojës: ‘Unë nuk do ta shkelmoja kurrë nënën tende.’

 

Më në fund mbërrin gjyqi, një farsë e zakonshme, turma të eksituar që bërtasin. Gjykatësit, prokurori, vetë flasin, paraqitin akuzat e rreme dhe vetë vulosin. Heshtje prej të akuzuarve, pastaj dënimi me pesëmbëdhjetë vjet burg, shumë të tjerë me pushkatim.

 

Më 28 nëntor 1947 e transferojnë në burgun e madh. Solidariteti i të burgosurve , të cilët heqin kapotën nga vetja dhe ja japin më të dobëtit. Aty autori ra gjithashtu në kontakt me klerikë dhe të njerëz shquar të burgosur padrejtësisht, të cilët ndihmuan në forcimin dhe vendosmërinë e karakterit. Më vonë puna kapitëse në kampet e punës. Shpirtligësia e gardianëve dhe rojeve të burgut nuk kish kufi. Po ju jap disa shembuj: ‘Një oficer duke u tallur urdhëroi heqjen e mjekrës së një imami shtatëdhjetë vjeçar. Imamit lotët i binin rrëke. E tallura e oficerit vazhdoi: ‘ hoxhë, a ndjehesh më mirë tani?  Imami plak u përgjigj me zë që dridhej prej dëshpërimit:  ‘A nuk turpëroheni prej pleqërisë sime?’

 

Apo shehu plak nga Luma, i dërmuar prej plagëve dhe torturave thosh shpesh: ‘Zoti nuk është qendra e frikës siç e propagandojnë këta, por burimi i dashurisë.’

 

Ose talljet e tejskajshme të rojeve kundër priftërinjve të përgjakur dhe të munduar: ‘Ore uratë, sikur të kisha atë Zotin tënd tani këtu, do ti a thyeja brinjët me këtu dru lisi, dëgjove ore?

 

Autori në burg takoi klerikët e akuzuar padrejtësisht për fshehje armësh në kishë. Autori takoi gjithashtu dhe dëshmitarin okular i cili e dinte mirë të vërtetën, por të gjithë u pushkatuan dhe humbën në rrëpirat ku frynin erëra të mëdha. Krahas punës së rëndë rraskapitëse, në baltë erë dhe të ftohtë vazhdonte tortura dhe marrëzia e rojeve.

 

Në protestën më të vogël: ‘Unë nuk jam kafshë pune,’ tha një i burgosur. Ndëshkimi i sh mesjetar: ‘Je armik i poshtë o derr i derrit.’u tërbua roja dhe i vuri cigaren e ndezur në sy. Viktima lëshoi britmë therëse dhe i tha: ‘ O, Aristidh Karrabeci. Edhe Zotin mund të harroj, por jo fytyrën dhe emrin tënd.’

 

Më në fund më 1 korrik 1956 Sami Repishti u lirua prej burgut. Por u përball menjëherë me  vuajtjen e urinë e familjes, ata nuk kishin bukë ti nxirrnin. Varfërinë e një populli të tërë, të cilët jetonin me triska për një kile sheqer ose oriz. Si dhe propaganda e shfrenuar komuniste për mirëqenien e popullit të vet, heroik, luftarak dhe paqedashës.

 

Kështu ai doli nga një burg i vogël dhe u përball me burgun e madh,ku vuante një popull i tërë i indoktrinuar deri në marrëzi. Ndiqej, përgjohej  ngado. Tehu i mprehtë i arrestimit të dytë rëndonte çdo minutë mbi kokën e tij. Çdo lëvizje që ndodhte në vend ose në botën matanë telave me gjemba, emri  i tij ishte në listë për tu arrestua dhe ekzekutuar. Samiu ishte në dilemë të madhe. Ikja dhe mos ikja. Vetësakrifikimi dhe e drejta për të jetuar. Ai nuk ish si gjithë të tjerët. Mbasi nuk bëri asnjëherë kompromis me dinjitetin në kulmin e tmerrit, mundimit dhe të torturës. Atë e mundonte në të njëjtën kohë hakmarrja e pushtetit ndaj fatit të nënës dhe njerëzve të tij.

 

Me dhimbje dhe art ka përshkruar autori monologimin në varrin e të atit: ‘Kështu më deshe, besnik të vetvetes. Ti më mësove të luftoj për parime të drejta, që kërkojnë vuajtje dhe sakrificë. Të lutem babë falu për mue...’Kontrasti i filozofisë së jetës, mes babës dhe djalit ishte i plotë...

 

Gjendja e Samiut mori karakter tragjik. Çdo minutë ai ish i ndërgjegjshëm për arrestimin , burgosjen dhe ekzekutimin. Një jetë  me vuajtje të padurueshme dhe të përhershme nuk është jetë. Vdekja me dinjitet është më e pranueshme. Le të goditej prej rojeve të kufirit në se zbulohej por nuk kish më kthim prapa.

 

Dhe ai më 23 gusht 1959 bëri arratisjen nëpërmjet lumit të Bunës.

 

Pse shkruaj? thotë autori në parathënien e librit. Jam  viktimë e, denoncimi i krimit e kriminelit. Justifikon mbijetesën time. Zbulimi i dhimbjes se vuajtur e ngre viktimën në sferën e absolutes dhe hedh dritë mbi fajtorin e frymën e së ‘keqes’. Drita këput vargonjtë e lidhur në errësirë. Drita sjell lirinë...

 

Kristaq Turtulli

Gusht 2011



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora