E enjte, 01.10.2020, 09:38 AM (GMT+1)

Editorial

Ardian Ndreca: Neo-otomanizmi ndër shqiptarë

E premte, 26.08.2011, 09:04 PM


Neo-otomanizmi ndër shqiptarë

 

Nga Ardian NDRECA

 

Deklaratat e ministrit të Arsimit të Turqisë gjatë nji vizite në Kosovë për rishikimin e historisë sonë hapën rishtas debatin rreth neo-otomanizmit. Otomanizmi asht nji fenomen që i përket historisë, pra, i mbyllun e pa asnji spiral zhvillimit të matejshëm; megjithatë ndjenjat pro-otomane, e kam fjalën për nji farë jargavitjet orientale, nuk i janë nda asnjiherë shqiptarëve, madje edhe gjatë komunizmit. Lokucioni ma idiot që qarkullon lirshëm në politikën shqiptare asht “populli vëlla turk”, nji shprehje që nuk pasqyron asgja objektive, por që shpreh tendencën dhe dëshirën e rimëkambjes së nji gjendjeje mjerane.

Rranjët e kësaj historie nisin me nji fjalim të ministrit të Jashtëm turk, Davutogllu, në Sarajevë («Ottoman legacy and Balkan Muslim Communities today», 16/10/2009), tek i cili shihen hijet e epsheve perandorake dhe dëshira me i dhanë jetë nji koncepti që ka ma pak vitalitet se nji coftinë. Davutoglluja, në delirin e nji ministri perandorak që s’pushon së renduni prej nji qyteti të ish-perandorisë në nji tjetër, tue zbutë zemrat me praninë ngushëlluese të dovletit, në atë fjalim programatik identifikonte rolin e Turqisë së sotme me otomanizmin e dikurshëm. Në ketë mënyrë ai me nji pakujdesi jodiplomatike shkapërcente dallimet që baheshin deri sot mes dy entiteteve politike.

Fytyra e tij prej babaxhani e lejonte atë ditë në Sarajevë me nxjerrë prej gojet me shpengimin e nji qoftexhiu të brigjeve të Marmarës, visare të pandieme. Ai mbërriti ndër tjera me thanë në atë 16 tetor, se ka ma shumë shqiptarë në Anadoll se në Shqipni, se Anadolli ju përket ju (boshnjakë e ballkanas në përgjithsi), se ne kemi përgjegjësí ndaj jush edhe sot, pse ju jeni tanët, se taxhikë, pashtunë, azerë, boshnjakë, shqiptarë kanë nji qendër të vetme, Stambollin.

Asnji politikan shqiptar nuk reagoi ndaj fjalimit të Davutogllusë. Pseudo-nacionalistat shqiptar, ata që i bijnë legenit sa herë që ndonji grek i dejun flet përçart në Himarë, kësaj here flenin pa mend e pa shqisa.

Kohët e fundit asht pa nji mobilizim i madh dhe i financuem mirë kundër regjistrimit të popullsisë. Qëllimi i tij asht me pengue shtetasit shqiptarë me deklarue se çfarë fejet dhe çfarë etnijet kanë.

Deklarimi i etnisë asht i lidhun me nji bazë objektive dhe mund të verifikohet lehtë nëse nji qytetar prej Skraparit apo prej Lezhet deklaron se asht grek apo spanjoll. Ndërsa deklarimi i fesë asht subjektiv pse secili asht i lirë me besue në Zot dhe me qenë antar i nji bashkësie fetare apo mos me besue aspak. Ekuilibrat fetarë në Shqipni nuk janë ma ato të fundit të viteve ’30 dhe nji regjistrim i sotshëm do të sillte nji pasqyrë tjetër të gjendjes.

Ata që duen me pengue regjistrimin e popullsisë, ku të deklarohet përkatësia fetare e shtetasve, nuk e bajnë ketë gja tue u nisë prej idealeve laike të ruejtjes së shtetit, por prej nji impulsi regresist që don me ruejt nji status quo fiktiv, për me përligj kështu indirekt tezat e Davutogllusë. Në qoftë se do t’i hante meraku për laicitetin e shtetit, atëherë përkrah firmave kundër deklarimit të fesë duhet të mblidhnin edhe firmat për daljen e Shqipnisë nga Konferenca islamike!

Ajo që i jep guxim turqve me kërkue rishikimin e historisë sonë rrjedh edhe prej statistikave të pasakta që ekzistojnë dhe vijojnë me u përdorë edhe sot.

Mos të harrojmë se Turqia asht vorri i identitetit të miliona shqiptarëve të shpërngulun prej ish-Jugosllavisë. Si ka mundësi që populli vëlla turk e shkretinat e tija gëlltitën gjithë ata shqiptarë! Në qoftë se dashunia e tyne vëllaznore ka këto pasoja vdekjeprurëse, do të preferonim indiferencën apo harresën.

Ne admirojmë ruejtjen e gjuhës dhe traditave të arbëreshëve që kanë pesë shekuj të ndamë prej dheut nanë, kurse Turqia mike në pak dekada zhduku miliona shqiptarë.

Edhe sot ka shtetas që mbajnë pasaporta shqiptare dhe e ndiejnë veten pinjoj të Anadollit.

Në gjysmën e viteve ’30 kur Ahmet Zogu ndërmori reformat e veta që parashikonin heqjen e fesit, të ferexheve, shfuqizimin e Sheriatit etj., pati familje të tana shqiptare që preferuen me emigrue në Turqi, sesa me pranue kushtet e reja.

Sot, ata që asokohe s’patën guximin me ikë, marrin guximin me thanë se Skënderbeu s’ka qenë hero por tradhtar, dhe e pohojnë ketë gja me koherencën e mbeturinave të nji epoke të palavdishme për ta dhe fatkeqe për ne.

Jam i bindun se doktrina e Davutogllusë asht anakronike, dhe inteligjenca e tij e pazoja me rrokë zhvillimet ballkanike në thellësinë e tyne shumëdimensionale, prandaj asht e destinueme me dështue. Fjalimet e tija retorike prej veziri, ku herë citohet Nastradin hoxha e herë tjera mbyllen me shprehje si: “s’ka kafe pa cigare, s’ka xhami pa minare”, tingllojnë thjeshtësisht qesharake.

Faktori kryesor i dështimit të asaj doktrine janë edhe shqiptarët e sotëm, ata të vërtetit, që shohin me ftohtësi dhe përbuzje kohën kur otomanët sundonin vendin e tyne, tue i izolue prej Europës e tue pengue çdo lloj progresi.

Sot turqit kërkojnë rishkrimin e historisë, e nesër kanë me kërkue me zhvendosë statujën e Skënderbeut prej qendrës së Tiranës.

Nji gja të tillë ata nuk e bajnë me grekët, tekstet e të cilëve përflaken kur flasin për otomanët. Me ne e bajnë pse klasa jonë politike e korruptueme nuk ka nji atdhe të caktuem, ajo asht sëmundja që e ulë imunitetin tonë dhe lejon që kombi jonë të poshtnohet prej nji ministri turqeli apo prej kandrrave që dovleti ka mbjellë anekand në tokën tonë.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora