Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Rruga qorre

| E enjte, 25.08.2011, 09:04 PM |


RRUGA QORRE

 

Tani ju urdhëroj të më humbisni mua e të gjeni vetveten: dhe vetëm, kur të gjithë të më keni mohuar atëherë do të kthehem tek ju…

Friedrich Nietzche

 

Nga KALOSH ÇELIKU

 

Im Atë i donte shumë kuajt me shalë. Në shtëpi kurrë nuk kemi mbajtur gomarë me samarë në shpinë. E mbaj mend qysh si fëmijë se, komshinjtë dhe gati i gjithë Katundi mbanin gomarë, vetëm shtëpia jonë nuk e kishte këtë kafshë shtëpiake. Nuk e di pse?! Edhe kurrë nuk më ka shkuar ndër mend ta pyes për së gjallit t’im Atë, pse familja jonë nuk e kishim këtë kafshë në shtëpi. Tashti, kur Halldupi përsëri na troket te porta, dhe na e rrëfen nëpër dritare këmbën e lyer me miell do ta pyesja, po ai më nuk është në mesin tonë, moti ka ikur mes varreve rrëzë Çukës. Një pyetje të këtillë do t’ia bëja edhe Nënës, po as ajo më nuk është në mesin e të gjallëve. Askush nuk më ka faj mua, që kaq vonë m’u kujtua ta pyes t’im Atë, pse kurrë në shtëpinë tonë nuk e mbajtëm gomarin me samarë, po kalin me shalë.

Edhe, një ditë prej ditësh në atë kohë im Atë bleu një maz në Pazarin e kafshëve. Dorën në zemër, si sot më kujtohet kur e solli në shtëpi. E futi në lëmë, e pak më vonë pasi ia prekëm ballin ne fëmijët, e lëshoi në livadh. Mazi me të katra me bishtin mbi shpinë vrapoi deri në fund të shelgjeve. Ne fëmijët pas tij hipur mbi “kuaj” - shkopinj shelgu me librat e këndimit në gji të xha Naimit me shokë. Vërtet, atë ditë u gëzuam të gjithë, na u hijeshua shtëpia, mori frymë livadhi.

Mazi një ditë u rritë dhe im Atë e pagëzoi me emrin Gjoku. Kali përditë rriteshte dhe lëshonte shtat si kalë me shalë në Katund. Rrugës nga vraponte ai pluhuri pas tij çohej mjegull. E shalonte Gjokun pullali im Atë ditëve të pazarit rrugës përmes fushës, rrëzë Çukës për në Kërçovë.

Në atë kohë te ne në Katund, po edhe në fshatrat e tjerë të Kërçovës bëheshin shumë dasma. Përmëtepër, në ato dasma kishte edhe gara vrapimi me kuaj: me pehlivanë, me vrapime tradicionale, që moti fshatarët i kishin pagëzuar: “e torrmja”.

Im Atë një ditë vendosi me Gjokun të dali edhe në gara të vrapimeve me kuaj. Gjatë gjithë vitit nuk ia ndali taxhinë, elbin që e mbillte vetëm për të te ara rrëzë Çukës. Shkaku se, sipas t’im Ati: elbi nuk i rriste bark Gjokut. E bënte azgan, e hazdiste sa që kur e shalonte rrugës, thuaj gati se fluturonte në qiell si Gjoku i Gjergj Elez Alisë mbi mjegulla. Kalorësin e gjeti nga familja, ia besoi një kushëririt tonë, Nelit. Në këto gara merrte pjesë qysh heret edhe Kali i një kushëririt tonë, Xha Dullës. Nuk do mend, ky kalë edhe i kishte fituar disa gara vrapimi nëpër dasmat e Kërçovës. Im Atë, këta dy vëllezër kushërinj i kishte rritur, shkaku se herët si të vegjël kishin mbetur jetima. Edhe pse, këta dy kushërinjë herë pas here e spiunonin te paria për armëmbajtje pa leje. Dhe,  jo vetëm këta dy vëllezër, po edhe dy vajzat e hallës i rriti im Atë, që i kishte nga e motra si jetime. Vajzat e hallës, pasi u rritën një ditë edhe u gjeti burra, i martoi me dasëm. Interesant, për to u kujdes edhe pse kishin burra deri në vdekje.

Nuk ka rëndësi e gjithë kjo në këtë shkrim. Rreziku nga “miqtë historik” na troket te porta. Edhe pse nëpërmes të fesë islame pesqind vjet me radhë na kanë pushtuar, asimiluar dhe përzënë me dhunë në bashkëpunim me Serbinë në Turqi. Përsëri edhe në ditën e sotshme na sulen me të njëjtat metoda primitive historike: si çlirimtarë dhe “miq historik” të shqiptarëve. Fare pa pikë turpi kërkojnë ta ndryshojmë edhe historinë si popull: t’i shpallim si çlirimtarë e jo si pushtuesë shekullor brez pas brezi. Në asnjë vend të botës përparimtare nuk ndodhë kjo, populli pushtues edhe pas pavarësisë t’ia shkruaj historinë një populli tjetër për nga gjaku të nështruar në të kalurën shekuj me radhë nën këmbë. E harron Halldupi, se Shqipëria falë këtij pushtuesi shekullor edhe sot e kësaj dite është e coptuar copë - copë nëpër botë. Fatkeqësia: shqiptarët i kanë dhënë Turqisë mjaftë personalitete historike qoftë në fushën e luftës, qoftë në atë të kulturës: Ataturku i bëri shtet, Sami Frashëri gjuhë letrare... Shqiptarët, fatkeqësisht ende punojnë dhe vazhdojnë t’i japin Turqisë personalite politike e kulturore, po Turqia kurrë nuk u ka dhënë asgjë shqiptarëve veç prangave dhe robërisë shekullore, dhe as që e ka ndërmend t’ju japë edhe në këtë shekull pëveçse asimilim kombëtar dhe robëri.

Qëllimi im është, dua të dalë te besa shqiptare. Trimëria dhe morali me të cilin krenohen dhe thirren edhe sot shqiptarët. Ne shqiptarët dimë të thirremi në besë, trimëri e moral… E në realitet kam frikë se shumica, falë Halldupit nuk kemi as besë, as trimëri e as moral. Shkaku, se: nëpër damarë ende na qarkullon gjak Halldupi. Moti këto vyrtyte i kemi zhveshur nga vetvetja, nuk i kemi në ditën e sotshme.  Koha vetë e dëshmon më së miri sot me këtë thirrje të shqiptarëve për ndihmë. Im Atë e provoi për së gjalli Baba Dovletin. Vite me radhë deshën ta përzënë si “turk alhamdulillah” me gjithë familje në Turqi. Stërgjyshi Emin Xhambazi (Çeliku) shkaku turkut doli kaçak meleve, iu bashkangjitë Çetës së Dervish Carës në kryengritje kundër turqve për liri.

Im Atë Gjokun në gara, siç thashë më lartë ia besoi kushëririt tonë, Nelit. E realiteti: Neli gjatë atyre vrapimeve Gjokut tonë pullali që vinte i pari për në Katund, ia ndërroi rrugën te udhëkryqi mu te varret pranë Tyrbes së Babashehut, e drejtoi rrugës që ndaheshte nga fshati Kolibare. Vetëm e vetëm, që Gjoku të mos dalë i pari në këto gara.

Tashti në fund të këtij shkrimi, merreni me mend sa besë, trimëri dhe moral kemi sot ne shqiptarët. Gjithë kohën thirremi në besë, trimëri e moral. E në realitet, nuk kemi as besë, as trimëri e as moral. Bythën në Shqipëri e kokën në Turqi.

Edhe sot, sa gjasojnë politikanët shqiptarë me garat e kuajve: Sali Berisha me Hashim Thaçin krah për krahu i shalojnë kuajt e tyre nëpër dasma shqiptare gjoja alla evropiane me shami në kokë e ferexhenë krahëve. Ali Ahmeti i ka hipur një gjoku të tij në shpinë me pasqyrë në ballë. Edhe Menduh Thaçi e shalon dorinë me mbrojtëse lëkure anash syve, të shoh vetëm përpara këmbëve me rruza të kuqe përqafe.

E rëndësishmja është, se: cilës rruge i kalërojnë kuajt e shalës këta politikanë shqiptarë… E dyta: kuajt e  tyre të hazdisur me kalorësit në shpinë ende nuk kanë arritur në cak, në Katund ta fitojnë “nishanin” e Dasmës  Madhe. E treta: Dhashtë Zoti, këta kalorës të arratisur shqiptar me shpatën e Skënderbeut në dorë e me flamujt e gjelbërt me gjysmëhënë nëpër minare të xhamive aspak shqiptare nuk i drejtojnë kuajt e tyre me të katra rrugës qorre, edhe në ditën e sotshme të na përcjellin me dhunë e muzika përmes Çarshisë bythekrye në Turqi…