E marte, 23.04.2024, 02:37 PM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: Marrëveshja që solli dëshpërimin e Edi Ramës

E enjte, 25.08.2011, 08:50 PM


Marrëveshja që solli dëshpërimin e Edi Ramës

 

Nga Enver Bytyçi

eb_shqip@hotmail.com

 

Minatorët e Bulqizës kanë dalë tashmë nga niveli i 1400 metrave, ku patën qëndruar për 26 ditë me radhë, ndërkohë që dje morën urdhrin e Edi Ramës që të rifillojnë përsëri ritualin e protestave dhe grevave të pafund, derisa të shkojë kjo qeveri e të vijë një qeveri tjetër, e cila do ta kishte modelin, fytyrën dhe formatin e ish-kryetarit të Bashkisë ë Tiranës. Një letër editorial, të cilën Rama e kishte dërguar në redaksitë e gazetave, televizioneve dhe radiove të këtij vendi që dermit prej aksioneve të tij shkatërruese, ka zbuluar shumëçka e gjithçka ka të bëjë me praktikat e kreut anarkist të opozitës. Letra e kreut të selisë rozë u shkrua menjëherë pasi minatorët iu bindën logjikës së dialogut me krerët e policisë e të forcave të RENEA-s. Ajo duket si reagim i mospajtueshmërisë së Edi Ramës me kompromisin e minatorëve me drejtuesit e policisë së shtetit dhe siç vihet re në letër, ky kompromis ka ngjallur zemërimin e tij. Por Rama ka pësuar siç kishte pësuar i dashuri i Marigosë në komedinë "14 vjeç dhëndër". I revoltuar për mënyrën si minatorët iu bindën djemve të zonës, kreu i socialistëve shqiptarë rrëmbeu "penën pushkë" dhe filloi të qëllojë në modelin e 21 janarit kundër qeverisë, të cilën ai duket se e urren. Në atë letër ai ka rrokullisur të gjithë gurët e çmuar të Bulqizës me qëllim që të shkatërrojë njëkohësisht frymën e dialogut e të marrëveshjeve në këtë vend.

Letra e Edi Ramës duket si fletë rrufe ose dacibao kineze, që vërsulet kundër qeverisë e qeverisjes, kundër koncesioneve dhe zhvillimit të ekonomisë së tregut, në atë mënyrë si qëmoti paraardhësit e tij diktatori Hoxha dhe mikrodiktatori Alia. Stili i përdorur, fjalët e gjetura, fjalori armiqësor, thirrjet për "revolta", me të cilat ai presupozon kryengritjen e armatosur, shpifjet dhe akuzat, rrenat dhe mashtrimet, të gjitha këto bashkë përbëjnë në atë letër strukturën e një pamfleti, që edhe Lenini e Stalini do ta lexonin me kureshtje. Pra, nëse ish-klasikët e Ramës do të ngriheshin nga varret e do të lexonin pamfletin e tij të botuar dje thuajse në të gjitha mediet, ata do të ndjeheshin të turpëruar nga dobësia që kanë shfaqur në hartimin e dokumenteve të tilla, që prej Manifestit e deri te letra e lamtumirës të diktatorit shqiptar, sepse përmbajtja e letrës "editorial" të Ramës e kalon çdo cak të letrave dhe manifesteve të udhëheqësve të shumtë komunistë. Ne kemi parë gjithashtu se si autorët e letrave të tilla shfaqen në editorialet si "nacionalistë", "antikomunistë", "antienveristë", ndërkohë që hartimet e Ramës i shkruajnë në frymën e enverizmit e të stalinizmit të munguar fizikisht.

Në letër Rama shkruan se "Babëzia me minierat i ka rrënjët në Tiranë, në tryezën e qeverisë së Saliut, ndërsa degët në çdo labirinth nëntokë, ku po shkatërrohet një pasuri e tërë kombëtare për të bërë të pasur një grusht barbarësh të veshur me pushtet a të mbrojtur nga pushteti. Kompania e përfshirë në këtë mesele të zymtë sështë veçse një tentakulë e oktapodit të mafies së minierave, që po i bën Shqipërisë atë që sdo tia bënte kurrë asnjë pushtim, që sia bënë as fashistët, as komunistët jo e jo në periudhat e sundimit të tyre të pamëshirshëm". Mund të vini re lehtësisht të nderuar lexues sa shumë cilësorë dhe epitete përdoren me aq mllef dhe urrejtje në një fazë të vetme. Numëroni pak: "Babëzia e një grushti barbarësh", "shkatërrim i pasurisë kombëtare", "Grusht barbarësh të veshur me pushtet e të mbrojtur nga pushteti", "Tentakulë e oktapodit të mafies", "Shqipërisë po i bëhet ajo që nuk i ishte bërë nga asnjë pushtues, as nga fashistët, as nga komunistët". Ndërkohë po ti marrësh e ti renditsh të gjitha akuzat, fyerjet, shpifjet dhe huazimet që prodhojnë urrejtje e hasmëri, të cilat i përmban letra, atëherë do të duhej të mbushje një faqe gazete me to. Ec e mos ta kenë zili Edi Ramën fejtonistët më të famshëm të stilit komunist për të tilla produkte që prodhojnë armiqësi, urrejtje dhe kundërshti ekstreme në një shoqëri ende të pamësuar me tolerancën, harmoninë, mendimin ndryshe dhe dialogun e logjikshëm. Sa kontrast bën kjo letër me mendimin moderator të Evropës së civilizuar. Po jap vetëm një shembull. Kur libri im "E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës" u përkthye në gjermanisht. Redaktori dhe lektori i saj, dr. Konrad Clewing, më tha se duhej hequr një fjalë e përdorur vetëm një herë "barbarët serbë", të cilën e kisha përdorur në funksion të masakrave që ata kishin bërë kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit. "Nuk tingëllon mirë përdorimi i kësaj fjale",- më tha dr. Clewing. Dhe natyrisht që u pajtova me profesorin e shquar gjerman. Madje më erdhi turp që ai po lexonte në një kontekst krejt tjetër nga përdorimi i kësaj fjale prej kreut të opozitës shqiptare sot në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të XXI.

Por letra e Edi Ramës është e mbushur me të tilla terma ekstremë përmes të cilave ai në letrën e tij të djeshme shprehte urrejtje jo vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër bashkisë dhe kreut të saj në Bulqizës e deri kundër firmës austriake, e cila ka fituar të drejtën e koncesionit për këtë minierë. Kreu i socialistëve ishte marrosur e në stilin e vartësve të tij shfaqet në atë letër kundër koncesioneve në Shqipëri, të cilat i konsideron si skllavëruese. Dikush që e ka lexuar letrën mund të krijojë shijen e rreme se Rama "na qenka edhe atdhetar", se atij "i dhimbsen pasuritë kombëtare të këtij vendi". Por pa pasur nevojë të sjell ndonjë argument të panjohur, në këtë aspekt është e mjaftueshme të shohim Tiranën 11-vjeçare në duart e Edi Ramës. Ai ka dëshmuar si askush tjetër se sa i është dhimbsur kryeqyteti i Shqipërisë, të cilin me vetëdije e për babëzi të pashembullt parash e ka shkatërruar në atë farë feje sa ska bir nëne më ta riparojë dëmin e shkaktuar prej tij.

Ndërkaq në atë letër fshihet diçka tjetër: -Edi Rama aty shpreh hapur revoltën dhe mllefin e tij, pse minatorët iu bindën qoftë dhe për momentin drejtuesve të policisë lokale, djemve të asaj zone, të cilët e drejtojnë këtë polici në shërbim të popullit, e nuk iu bindën edhe më tej urdhrave të tij absurdë për vetëflijim, me qëllim që ta përdorte jetën e minatorëve për ta rrëzuar qeverinë e Sali Berishës. Ai shfaq dukshëm mllefin dhe arrogancën e tij kundër marrëveshjes së minatorëve, sepse ka bërë llogari që "malokët" ti manipulojë lehtësisht për hesapin e tij për pushtet. Letra e Edi Ramës duket e lexohet njëkohësisht si letër dëshpëruese, pse Bulqiza dhe Shqipëria heshtën ose qëndruan indiferentë gjatë kohës së protestave dhe grevës së urisë së minatorëve. Kalemxhinjtë e tij u lodhën duke mallkuar shoqërinë shqiptare për indiferentizmin e saj dhe mospajtimin që ajo shpreh ndaj politikave staliniste, aksioniste dhe revolucioniste të kreut të socialistëve shqiptarë. Duhet të jesh kryetar i konfederatës së sindikatave të Shqipërisë apo të Bulqizës, ose kryetar i sindikatës së minatorëve, i punësuar si pagator i Edi Ramës, që të të pëlqejë ta shohësh kreun e selisë rozë në pozitat e politikanit parimor, të cilit i shkaktoka neveri modeli i qeverisjes së sotme në Shqipëri. Në të vërtetë ai nuk kishte pritur që disa burra të mençëm në Bulqizë e në Dibër do të mund të dallonin planin djallëzor të Edi Ramës. Plani i tij ishte të shkaktonte një "Gërdec" të ri në Bulqizë. Me këtë skenar u paraqitën mediat e tij një natë para kompromisit, kur u kujtuan minatorëve se ata mund ta hidhnin minierën në erë me anën e tritolit. Kjo do të thoshte viktimizimi ose vetëviktimizimi i minatorëve për hesapet e politikës së çmendur të kreut të opozitës. Marioneta e tij do të ishin emrat që tashmë njihen e dihen në Bulqizë e në Dibrën e kuvendeve të burrave të shquar e të mençëm.

Prandaj Edi Rama në kulmin e dëshpërimit të tij e shkroi letrën - dacibao, në dukje kundër qeverisë së demokratëve e në thelb kundër "malokëve" të zgjuar që ditën ti thonë jo aventurës së radhës të njeriut që ka sjellë kaq shumë fatkeqësi në vetëm dy vite për këtë vend e për këtë komb. Nëse minatorët do të mësojnë një ditë të vërtetën e plotë rreth këtij manipulimi politik që u ka bërë Edi Rama, ata do të ndjeheshin të turpëruar për jetë e mot. Ndërkaq malësorët nuk janë mësuar të turpërohen ndonjëherë. Minatorët e Bulqizës mund tia dalin shumë më mirë e më lehtë vetë, sesa me ndihmën dhe nxitjen aventureske të Edi Ramës. Me letrën e djeshme të Ramës ata janë tashmë të bindur për manipulimin dhe shërbimin që do ti bënin kreut të opozitës shqiptare.

 

22/08/2011



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora