E enjte, 01.10.2020, 09:08 AM (GMT+1)

Editorial

Lis Bukuroca: Dy shqelma dhe përjashta!

E enjte, 25.08.2011, 09:05 PM


Dy shqelma dhe përjashta!

 

Nga Lis Bukuroca

 

Ramë Buja është dashur ta kapë ministrin turk për veshi, ta godasë me dy shkelma pas dhe ta përplasë përjashta, para dere. Natyrisht jashtë protokollit zyrtar. Republika e Kosovës nuk do të kishte pësuar asnjë dëm, përkundrazi. Do të dëshmonte se është sovrane edhe shpirtërisht. Kjo duhej bërë para kamerave dhe ky akt do të kishte qenë po aq i rëndësishëm, sa edhe marrja pjesë në UÇK apo shpallja e pavarësisë. Me këtë kërkesë ministri turk po cenonte pikërisht pavarësinë tonë dhe konsideronte Kosovën vilajet të vetin. Po cenonte sovranitetin e vendit më keq se Serbia. Në “Youtube” do t’ ishte shikuar më shumë se sa këpuca e hedhur drejt Bushit. Buja do të kishte merituar një përmendore për së gjalli. Servilizmi nuk meriton respekt. As shkollarizmi, jo, përkundrazi!

 

Republika e Kosovës, nuk ekziston pse dëshiron Turqia, por Perëndimi. SHBA-ve çlirimi i Kosovës i kushtoi 70 miliardë dollarë…

 

Turqia dëshiron të bëhet vëlla me Kosovën, pasi e çliroi Perëndimi. Për çudi, asnjë politikan kosovar nuk quajti kancelaren gjermane Merkel, motër, edhe pse ajo bëri më shumë se vëllai i Hashimit, Erdogani. As Clintonin nuk e quajti askush baba, as Bushin, Albrightin madje as teze jo.

 

Merkel i tha Tadiçit se rruga e Serbisë për BEE kalon nëpër Kosovë. Për t’u bërë më vëlla se Erdogani, Merkel, e meriton edhe me qindra-mijëra shqiptarë të punësuar në Gjermani, që mbajnë sot Kosovën gjallë nga merr edhe Hashimi rrogën, por, për çudi, udhëtimi i Merkel konsiderohet obligim, kurse kollitjet turke shpjegohen si bomba atomike në favor të kosovarëve. Gjermania ka më shumë ushtarë se çdo vend tjetër në Kosovë dhe mbron shtetin nga Serbia. Sipas teorisë së Thaçit, ajo nuk mund të quhet motër, sepse na ka vrarë dhe dëmtuar më pak se Turqia. Disa në Kosovë sillen si fëmijët binjakë ndaj babait, që i ka braktisur. “Na ka telefonuar babai”, – mburren ata. Kaq! Ai telefonon, por më shumë as nuk mundet, as nuk ka dëshirë. Kjo është sindroma e fëmijës së braktisur dhe mungesa e dashurisë së sinqertë interpretohet si dashuri e vërtetë. Komplekse permanente vogëlsie, pavlerësie! Radhën do ta ketë Serbia. Edhe ajo do të thotë se në kohën e saj kemi pasur përparim më të madh, se sa 500 vjet nën Mbretërinë Osmane! Dhe, ndonjë Hashim tjetër, do ta shpallë edhe Serbinë popull vëlla! Po na rritet familja!

 

Çka mund t’i japë Turqia Kosovës, që nuk mundka Perëndimi ose SHBA-të? Çfarë sigurie mund t’i ofrojë Turqia Kosovës? E në fakt, Turqia nuk po vjen në Kosovë për neve, si Perëndimi, duke na respektuar ashtu si jemi, por për të na asimiluar, siç po bën tani me miliona shqiptarë, me 30 milionë kurd dhe me pakicat tjera. Turqisë i duhet një shtet satelit në Europë për ta shantazhuar Europën! Hashimi ia dorëzoi!

 

Investitorët turq, që vijnë në Kosovë, nuk janë degë të shoqatës Nënë Tereza, por vijnë për zmadhimin e kapitalit të tyre, për përfitime të veta, jo nga solidariteti, sepse kapitali nuk njeh empati ekonomike, por vetëm përfitim. Ndërmarrësit turq nuk vijnë në Kosovë për ta ndihmuar Kosovën, por për të fituar më shumë se sa fitojnë në Turqi. Kjo është normale.

 

Mbretëria Osmane paska qenë e jona dhe e tyre, paska pasur rreth njëzet vezirë shqiptarë. Por, në Perandorinë Romake, kishim 30 perandorë me origjinë ilire… Shihet se ne botës i kemi dhënë gjithmonë njerëz të mëdhenj, por tek ne kanë ngelur gjithmonë maskarenjtë.

 

Perandoria Romake ishte bartëse e kulturës, civilizimit, arkitekturës… Mbretëria Osmane nuk mund të quhet Perandori. Në Perandorinë romake njihej e drejta romake (para 2450 vjetëve), e cila rregullonte jetën e qytetarëve. Në Mbretërinë Osmane nuk njihet një e drejtë osmane dhe kjo është arsyeja pse mbijetoi kanuni. Sot kudo bëhen gërmime për të gjetur vendbanime romake: amfiteatër, obelisk, qypa, poçe etj., por askund nuk kërkohet gjë nga mbretëria osmane, sepse nuk ka dhe nuk kishte. Bile, asnjë qyp për turshi! Shtëpi me qerpiç që shembej me vdekjen e pronarit! Në kohën e Qesarëve ushtari romak duhej të dinte shkrim-lexim, përndryshe nuk pranohej në ushtri. Roma kishte kanalizim, kurse në mbretërinë turke qenefet ndërtoheshin në oborr, ku infektohej edhe uji i pijshëm i pusit. Edhe sot shihen këto nëpër fshatra. Para më shumë se 2000 vjetëve në “cirkus maximus” tuboheshin 300.000 spektatorë për t’i shikuar lojërat verore, që i organizonte Perandori. Sot akoma nuk ka një stadium kaq të madh. Në kohën romake kishte edhe filozof, shkrimtarë e historianë: 1500 vite më vonë, në kohën osmane kishte: ekzorcistë, magjistarë, fallxhorë dhe njerëz që shkruanin hajmali. Në kohën e osmanëve nuk ekzistonte as amfiteatër, as bibliotekë, as arkiv, as gjykata, as kanalizime, as ujësjellës si në Romë. Në Mbretërinë Osmane ndërtoheshin vetëm hamame ku laheshin burrat së bashku. Pasojat nga rënia në një mbretëri të prapambetur, shpjegohen duke krahasuar vendet perëndimore me shtetet tona. Për një popull, fatkeqësia është dhjetëra herë më e madhe, kur pushtohet nga një popull më i prapambetur sa është vetë.

 

Serbia toleronte shkolla shqipe me plan programe serbe. Në Turqi janë ndaluar shkollat shqiptare: gazetat, radio dhe televizor. Serbia dhe Turqia janë dy shtete që kanë determinuar fatin e shqiptarëve, copëtimin tonë dhe tragjedinë kolektive. Turqia ka investuar me shekuj në injorancën tonë. Ajo kur erdhi gjeti njerëz që dinin shkrim lexim, kur iku, ishim gati të gjithë analfabet dhe ishim kthyer në shekullin zero. Turqia në shekullin XIX kishte hapur shkolla greke, serbe dhe turke, por asnjë shqipe. Aty shkolloheshin serbet dhe grekët, që do të na copëtonin dhe sundonin gjatë shekullit XX.

 

Kosova sot mundet pa Turqinë dhe pa Serbinë, por Kosova nuk mundet pa Perëndimin, veçanërisht jo pa SHBA-të. Mirëpo, edhe kjo miqësi duket se është zvetënuar. Duket se pas vrasjes së amerikanëve, është bërë një tregti e madhe mes SHBA-së dhe Turqisë. SHBA-të do t’ i lënë hapësirë veprimi Turqisë aq sa dëshiron ajo, me kusht që Erdogani të mos përzihet në çështjen palestineze. Prandaj aktiviteti turk është shuar në Palestinë dhe rritur në Kosovë. Turqia nuk mund të lobojë për Kosovën tek vendet myslimane, sepse edhe ata qenë kthyer në injorancë të madhe pas pushtimit turk edhe pse në mesjetë, zhvillimi shkencor tek ta kishte marrë hov. Vendet myslimane nuk kanë mendim të mirë për Turqinë dhe e shohin si tradhtare. Po të kishte pasur Turqia ndikim, atëherë deri tani do ta kishin njohur të gjitha vendet myslimane.

 

Pas kësaj kërkese, në Kosovë, u sqaruan shumë gjëra: në fakt, ata që luftojnë për komb kosovar, janë mbështetës së idesë turke për ndryshimin e historisë.

 

Tregoni Turqisë se shqiptarët në Turqi kanë nevojë për ndihmën e Erdoganit.

 

Tregoni Turqisë se kurdët kanë nevojë për ndihmën e Erdoganit.

 

Tregoni Turqisë se ne kemi SHBA-të dhe Perëndimin si miq dhe vëllezër nuk na duhen.

 

Tregoni Turqisë se Çamëria ka nevojë për ndihmë.

 

Tregoni Turqisë se gjenocidi mbi armenët, shqiptarët duhet dënuar. Vetëm kështu mund të ndihmohet vëllai i Hashimit dhe tregoni se kemi nevojë për miq, që nuk intervenojnë në substancën tonë kombëtare dhe këtë të drejtë nuk e ka askush, madje as ai që na fali dinjitetin njerëzor: SHBA. Turqia nuk ka të drejtë morale, njerëzore të bëjë kërkesa të tilla perverse, sepse në Kosovë pakica turke ka të gjitha të drejtat, që i mungojnë shqiptarëve në Turqi… Pse nuk na duan turqit ashtu si jemi? Gjergj Kastrioti shndërroi mbretërinë e tyre në organizatë qesharake dhe këtë nuk e harruan kurrë. Do t’ishte sikur sot San Marino të fitonte kundër SHBA-ve! Megjithatë, ne fituam kundër tyre: fituam atëherë, do të fitojmë edhe sot. Qeveritarët e sotshëm po punojnë në rrëzimin e tyre…

 

Çudi dhe trishtuese për kombin shqiptar është miratimi në heshtje i kësaj kërkese nga Rexhep Qosja. Ai zakonisht diagnostifikon mirë gjendjen në Shqipëri, por hesht për simptomat vdekjeprurëse dy kilometra larg shtëpisë së tij.

 

Në vizitën tjetër Turqia do të vijë me listën e shkrimtarëve që duhet ndaluar në Kosovë dhe me kërkesën për largimin e Gjergj Kastriotit –Skënderbeut.

 

“Skllevër, bij-skllevërish, s’e meritoni, Se liri s’doni!” – pat thënë Noli i bekuar…



(Vota: 42 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora