Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Drita magjike e Dardanisë

| E marte, 23.08.2011, 08:59 PM |


Drita magjike e Dardanisë

 

(Liman Zogaj, Ikja nga buzëqeshja, Zogu, Prishtinë, 2010)

 

Liman Zogaj nuk është i njohur si Azem Shkreli, Ali Podrimja apo Sali Bashota, por fati i tij është më i madh se fati i tyre, ngase Limani ka fat të kultivojë atdhedashurinë shqiptare në atdheun e Hegelit e të Schelingut, duke thithur materjen legjendare të krishtërimit, duke i gërshetuar frymëzimet e tij madje edhe me Artin Poetik të klasikëve francezë, duke kërkuar sytë e Mona Lizës, brushën, detin e Ticianit dhe Odhise Paskalin „Në Atelienë e furtunave.”

 

Nga Baki Ymeri

 

Na është bërë shprehi që titujt e bukur si „Drita magjike e Dardanisë” apo „Dardania e zemrës sime”, në vend që t’i shfrytëzojmë si tituj veprash personale, ua falim atyre që e meritojnë, siç ia falin edhe ata mundin, djersën dhe jetën, kombit, atdheut dhe familjes. Poezia është një përjetim i ndjeshmërisë së asaj që na rrethon, një botë magjike e shprehur përmes diskursit gjuhësor të mbrujtur me figura stilistike. Vargu i mirëfilltë poetik mund të lindë spontanisht, ndërsa arti kërkon edukatën e punës vetëshkatërruese të të qenunit i pamëshirshëm ndaj asaj që vetë ke krijuar, por që nuk është kurrë e përsosur, thekson Daniel Gazulli në një shkrim të tij. Është apo s’është i përsosur një mund i këtillë, kjo mbetet për t’u parë, ngase ka krijues të mëdhenj që mashtrohen pas skribomanisë duke qëndisur herëpashere vargje të dobta, dhe ka krijues të “vegjël” që dinë të qëndisin vargje që mbeten në kujtesë. Një nga këta të fundit është edhe zogu i

Ballina e Shqiptarit me poetet Liman Zogaj dhe Florica Ceapoiu
Dardanisë, Liman Zogaj, një meteor i mirësisë të cilin e josh loti i gurit apo piramida e dritës ”në sytë e shkruar” të bukurisë “pranë fluturave në lojë”.

Autori e njeh poetikën e elementeve universale dhe posedon prirjen imagjinative për ta parë buzëqeshjen e ngrirë të fjalës “nëpër gërsheta rrezesh”. Në biobibliografinë e tij defilon aktiviteti letrar dhe aktiviteti artistik. Liman Zogaj  është poeti i dritës që i jep prioritet poetikës së dheut, herë herë e gërshetuar edhe me poetikën e zjarrit: “E mora/ në shuplakën e plasaritur/ një grusht drite dhe/ bashkë shkrumohemi/ dhe mbesim hi i djegur”. Në vargjet e tij anamneza e shifrave vret pentagramin e këngës „dhe zgjohem  e  rri përballë/ toka ime.” Shembujt e një lirike të këtillë të mbrujtura me poetikën e dheut në atdhe dhe mërgim, janë të panumërt. Ja vetëm njëri nga to: „Më thonë/ jeta filloi nga dheu/ kurrën e kurrës klitha/ ka varre/ bëhem tokë.” Në këtë kontekst shpërthen edhe elementi i dytë: poetika e ujit: „Loti iu bashkua lumit/ në det bëhet valë-dallgë/ kur rigoi shiu/ si loti im i ngrirë.”. Dhe më tej, në një poezi tjetër kushtuar detit: “Më thonë/ jeta filloi nga uji/ nuk e besova,/ loti im i vyshk edhe pranverat”. Apo: “Vetëm ta preka freskinë/ e  ika  o det/ lumi  ti, paske valë/ e unë   jam vetë.” Evolucioni i mendimit filozofik dhe vlerave të tij shtohet nga vepra në vepër. Në kuadrin e vargjeve të këtij vëllimi të ri, del në pah edhe elementi i tretë: poetika e zjarrit: „Më thanë/ jeta ka filluar nga flaka/ kurrën e kurrës/ klitha/ a po  e shihni/ se si digjem!”

Vlen të theksojmë se vargjet paraprake janë të shkëputura nga i njëjti vëllim, që ta përkujton ikjen nga buzëqeshja apo ekzilin e saj. Poeti këndon për atdheun dhe digjet për ajrin e Dardanisë dhe sytë e dritës së saj, për pak dritë për kambanat që bien me melodinë e vdekjes, për zogjtë që përpëliten nëpër re. Ja pra se si vjen në shprehje edhe elementi i katërt që e rrumbullakëson poetikën e elemeneteve universale: poetika e ajrit. E bukura  e tij gjallëron në flakë, në prush e në hi. Zjarri i fjalës dhe prafullima e yjeve, blerimi i ri dhe durimi që e mund vdekjen, derisa “Do gjethe të këputura/ si flutura të lodhura/ luanin me erën/ nëpër asfaltin e thatë.” Poeti është mbret që i dëgjon ulërimat e ujqërve, krokamat e korbave, kur e pat lënë “Ditën e Lirisë”. Dita e lirisë, drita e Dardanisë dhe syri magjik që i sheh ushujzat që thtithin “gjakun e zogut të bardhë”. Më dëgjoni, klith poeti: “A keni sy/ Në kullën time/ Ku nuk jam  i huaj!” Sistemi filozofik i Schelingut dhe idetë e kohës mbi rëndësinë e mitologjisë fshihen edhe në këto fjalë, edhe në këtë varg, edhe në këtë vjershë, titullin e së cilës lexuesi do ta gjejë gjatë shfletimit të librit, ngase kush lexon, kush mediton dhe kush krijon vlera, Parajsën e gjen për së gjalli.

Liman Zogaj nuk është i njohur si Azem Shkreli, Ali Podrimja apo Sali Bashota, por fati i tij është më i madh se fati i tyre, ngase Limani ka fat të kultivojë atdhedashurinë shqiptare në atdheun e Hegelit e të Schelingut, duke thithur materjen legjendare të krishtërimit, duke i gërshetuar frymëzimet e tij madje edhe me Artin Poetik të klasikëve francezë, duke kërkuar sytë e Mona Lizës, brushën, detin e Ticianit dhe Odhise Paskalin „Në Atelienë e furtunave.” Në një rast të këtillë, shqiptari i Kosovës mbetet „sy në sy” me bukurinë e rrethuar në kornizat prej metali, në kohën kur kameleni skuqet i tëri dhe futet nën lëkurë, si bretkoca nën gurë. Sipas tij, e bukura  gjallëron në flakë, në prush, në hi, derisa ta mundë vdekjen, deri në blerimin e ri. Poeti i ik vargut klasik dhe përulet para pikturave që ua falnim bekimin, duke e përkujtuar herë Bubulinën, herë Ticianin, herë Adem Jasharin apo Nënë Tereze. Lirika e tij filozofike kundron „pranë dritares së thyer”, një tren me binare të këputura, duke na prurë një buqetë vargjesh që e fisnikërojnë shpirtin e shqiptarit në diasporë.

 

Një meteor i mirësisë

 

Poeti transformohet në lule për ta puthur fluturat gjatë vërtitjes së tyre rreth diellit. Pa e përmendur Spinozën, Limani i njeh fshehtësitë e botës magjike të dashurisë, duke e konsideruar dashurinë si një shkallë në qiell (Amor intelectualis dei), duke shkruar për „Gërshetat e rrezeve/ varur mbi portretin e vashës/ ku  unë dhe gruja ime/ hapëronim kah drita”. A ka pendë, pyet poeti, që këtë bukuri e pagëzon „Bukuri  e ngjyrave”, duke i përkujtuar rrugët, dhembjen dhe dritën, dritën me dhembjet e Nënës dhe me dashurinë e Engjëjve. Poeti i dritës e përkujton shekullin me plagë, Darvinin dhe dënesjet e dhembjet në laboratoriumin e epruvetave që do t’i thoshte shqip: „Kurrën e kurrës nuk digjen/ as gjenet, as indet, as gjaku.” Ja pra se si duket biografia e djegur e një shekulli që  “më erdhi si fëshfërimë/ nga dheu/ si një zë engjëlli nga qielli” dhe  e dëgjova me zemër një yll drite që më tha: “një copë diell// një dashuri prej nëne/ një Meteor i Mirësisë:/ Nënë Terëza e buzëqeshjeve tona.”

Si çdo shpirt i frymëzuar, Liman Zogaj ka kujdes që në këtë korpus mendimesh mos t’i ikë ideja qëndrore: drita. Drita magjike e Dardanisë dhe drita e fjalëve me të cilat e ndërton krejt konstrukcionin poetik të tij. Poeti ëndërron të bëhet zog  apo “dallëndyshe në kthim”, një tufë rrezesh mbi kullat e vendlindjes, duke e konsideruar veten në mërgim si një “shtegtar i përgjakur” që dëshiron të jetë “gur në lumin e fshatit tim”. Për të mësuar këngën e valëve, poeti ëndërron të jetë lule që merr flatrimin e bletëve, apo shkëmb që t’i ruajë vringëllimat e shpatave në trojet e Ilirisë “të lara me gjak”.  Ai s’është tjetër veçse një shpirt i djegur dhe

Ballina e vëllimit Ikja nga buzëqeshja
bilbil i plagosur me hartën e Atdheut në sy. Poeti shkruan me zjarrin e zemrës për gurrat e Alpeve shqiptare dhe kullat e gurit me dryrë të ndryshkur, për mëgimtarët me përmallim të zjarrtë, për lotin e dhembjes që t’i ledhaton plagët, për bijat e Arbërit të degdisur shtigjeve të harrimit, për një tufë rrezesh që shëmbëllejnë me një “një lule e vrarë nga vetëtimat”. „Çoje në laboratorin nuklear” atë tufë gërshetash”, ngase “Aty i mëson analizat/ e gjakut  të Arbërit!”

Kënga e mërgimit lind poetin e dritës, poetin e dhembjes dhe poetin e dashurisë: “Kënga na u bë dhembje/ e dhembja shtërngatë.” Herëpashere, poeti bisedon me gurin dhe këngën apo lotin e tij. Në festat e flamurit ai bëhet daulle „me lëkurën e pëlcitur/ si yjet nëpër re”. Poeti e pyet ylberin a t’i fali dielli këto ngjyra „që nuk digjen as zjarreve!”. Poeti vuan për dhe, për diell, për zjarr dhe për det, në këtë kohë të krisur dhe „në këtë jetë që vret”. Poetika e tij filozofike reflektohet edhe në vargjet si: “Ti, det i kaltërt/ me valë i puth brigjet/ unë përpëlitem me dallgë/ me Shpirtin që më  digjet.” Pendën e poetit „e zuri pikëllimi/ për fluturën e ngrirë”, për shpirtin e fjalës dhe kortezhin e ngrirë të kohës, duke kërkuar që edhe varrimin ta ketë nëpër dritë. „O Zot,/ për shpirtërat e ndritur/ shëroje dhembjen/ harrimin dhe vdekjen!”. „Ikja nga buzëqeshja” vjen të rikonformojë talentin e Liman Zogajt që bazohet mbi një shprehje moderne, metaforike, ku fjalët luajnë rolin magjik për deshifrimin e një ndjeshmërie të veçantë.

 

BOX

 

Poeti Liman Zogaj u lind më 1960 në fshatin Lladroc të Kosovës.  Me krijimtari letrare filloi të merret që nga shkolla e mesme, duke i botuar krijimet e tij në Rilindja, Bota e Re, Zëri i Rinisë, si dhe në faqet e gazetave dhe revistave të tjera. Poashtu ka botuar shkrime poetike edhe në revistat e gazetat e kohës në Shkup, Shqipëri, etj. Shkruan poezi dhe pjesë teatrale, por merret edhe me gazetari dhe regji. Tekstet teatrale dhe regjitë e bëra nga ky krijues janë interpretuar dhe janë shpërblyer në festivale serioze teatrale në Kosovë. Që nga viti 1983 jeton, punon dhe krijon në Gjermani, ku ka themeluar dhe ka udhëhequr vatra kulturore të mërgimtarëve tanë në Shvelm, Enepetal dhe Essen, për ta begatuar jetën kulturore për shqiptarët e mërguar.Me   krijimet poetike të tij janë prezantuar në antologjitë poetike Metafora e arratisur (Tiranë, 2003), Asht e gjak Arbërie (Gjermani, 2007),Perkushtime (Prishtine,2009) Kujtimet e fjalës (Bukuresht, 2010). Deri tash ka botuar vëllimet poetike Kosovë nuk ta mora diellin, Tiranë, 2007, Shtigjet e dritës, Prishtinë, 2009, Loja mbi gurë, Prishtinë,  2010, Florile luminii / Lulet e dritës (Bukuresht, 2010). Ky është libri i tij i pestë i autorit që e sheh dritën e botimit në Dardaninë e zemrës sonë.