Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Lulia dhe dasmat e verës

| E hene, 22.08.2011, 06:57 PM |


Skicë nga periferia  (1)

 

Gani MEHMETAJ

 

Lulia dhe dasmat e verës

 

  “S’ka stinë më të mirë se sa vera. Dielli t’i shkrinë eshtrat, qielli hapet, frutat mbushin vitrinat para dyqaneve deri në gjysmë të trotuarit. Pastaj vinë kurbetçarët me veshje të bardha marinari a këmisha lara-lara që ta kënaqin syrin”. Kështu mendonte zëshëm Lulia, me faqe të mbushura të trëndafilta, trup të zhvilluar, sy të butë ngjyrë kafe dhe ecje krenare si të Xhulia Robertsit, sa ta ka ëndja ta shikosh. Ajo është fqinja ime e parë nga Kodra e Trimave, lagje në periferi të kryeqytetit. Disa nga zilia Kodrën e Trimave sa një qytet e kanë pagëzuar Kodra e Hajnave. Të dy motërzimet janë të kohës së re, sepse ajo lagje dikur quhej Vranjevc. Vendësit trima që zbriten nga Llapi e Gollaku valë-valë: një herë kur ikën gjermanët e hynë partizanët dhe herën e dytë kur ia mbathën serbët me shalë ndër këmbë, vendosen të shquhen edhe ata për ndonjë kontribut kombëtar, prandaj ia vunë këtë emër vendbanimit të tyre që të imponon respekt. Aq patën mundësi dhe e bënë pa iu trembur syri!

 “Janë shpifje ato që thonë për lagjen tonë, kinse janë hajdutë, sepse hajdut ka si çdo kund tjetër në periferi të kryeqytetit, as më shumë as më pak”, e mbron me zjarr lagjen e vet Lulia. Përflakët kur dikush e ngacmon me emërtimin me të cilin ajo mburret. Është e gatshme të zihet me këdo që ia përqesh Kodrën e Trimave. Lulia plot gjallëri, digjet nga patriotizmi lokal, por as patriotizmi kuq e zi nuk i mungon. Do të shihni dhe do të bindeni.

    “A mendon se ata të Kolovicës (një lagje rivale) janë më të mirë a? Zoti na ruajt prej tyre”, shpreh mllefin lokal patriotik- ajo. Dhe numëron të zezat e tyre, të cilat sipas saj nuk kanë fund, por njerëzit ua fshehin të pabërat, prandaj ata duken engjëj kush nuk i njeh. 

  Kur kthej në shitoren e saj për te blerë pemë a perime shpesh me rrëfehet, sepse i dukem, me tha një ditë, burrë serioz që nuk i hap sytë kur kalojnë femrat. Ajo nuk i duron burrat që kur kalon ndonjë grua e shohin me lakmi si maçoku suxhukun.

Lulia është vajzë e padjallëzuar, por jo budallaqe. E ka mendjen brisk. Është e zhurmshme si të gjitha vajzat nga periferia, por nuk është dinake si femrat e qytetit që ecin me hundë përpjetë e i bëjnë të njëqindtat, mendon ajo për shemrat e kryeqytetit. Nuk i duron bashkëmoshataret e pispillosura që nuk u shquhet lëkura nga makijazhi e kremi i fytyrës, megjithëse e pranon se edhe vet së paku një orë rri para pasqyrës për t’u zbukuruar, sepse femra e parregulluar, me thotë ajo, është si bredhi i Vitit të Ri pa zbukurime.

 As djemtë e qytetit të madh nuk i do. Ka  bindje të pakundërshtueshme se janë të pabesë! Nuk e kanë për gjë të bredhin nga femra në femër si të ishim ne lule e ata bletë që duhet t’i shijojnë lulet që u dalin para. E turbullojnë shikimet e tyre provokuese, por ajo u shmanget çunave të tillë edhe kur ata i premtojnë se me te do të shkonin në fund të botës, ndërsa ajo e di fare mirë se përtej shtratit nuk do të shkonin gjëkundi.

Ajo di të kënaqet me detaje, nuk kërkon shumë nga jeta. Di t’ua tregojë edhe të tjerëve me zhurmë gëzimin e vet. Dasmat janë kënaqësia e madhe e Lulisë, vdesë për to, përflakët kur dëgjon se dikush i afërt apo ndonjë shoqe ka aheng. Për dafrunga është e gatshme të shkoj edhe në Kolovicë, lagje të cilën kur e përmend dikush turfullon nga mos durimi. Mjafton ta ftojnë e të dëgjoj zërin e këndshëm të Danit, këngëtarit të saj të preferuar, megjithëse ka një listë të gjatë këngëtarësh ajo.     

  Kur u martua vëllai i Lulisë, Tomori, u ngritën në këmbë i madh e i vogël. “Një herë martohet vëllai”, me thoshte ajo e rrëmbyer dhe e mallëngjyer njëkohësisht. Nuk desha t’ia prish e t’i them se tash nuk merret vesh kush martohet e kush ndahet. Është konservative ajo.

 Derisa me tregonte për gëzimin e saj, unë e kujtoja me ankth dasmën e të vëllait të Lulisë. Shtatë ditë e shtatë net kush nuk vuri gjumë në sy as në lagje. Në vend të tupanëve e gajdeve të dikurshme, tash dëgjoheshin në kupë të qiellit altoparlantët, kumbimin e të cilëve s’ka djalë nëne që mund ta shmangte edhe po t’i mbyllesh veshët me dyllin e shtatë vjetëve, apo me jorganët e trash që qepeshin me dorë. “Kur martohet vëllai i Lulisë”, me tha ajo pas dasmës, “duhet ta merr vesh e tërë çarshia, madje jehona e muzikës duhet të dëgjohet deri në shtëpitë e para të qytetit të madh. Le te marrin vesh edhe ata mendjemëdhenjtë se ne dimë të kënaqemi”. Nuk numërohet nëse muzika nga altoparlantët me zërin e fuqishëm, më të fuqishëm se muzika e hevi metallit, apo hard rokut nuk dëgjohet në tërë Kodrën e Trimave që numëron mbi dyzetë mijë frymë.

  “Oj Lulia jonë me limona, o!”, ia ka ënda Lulisë ta dëgjojë këngën e dasmës dhe faqet i skuqen, sepse pret që edhe ajo një ditë të martohet dhe t’ia këndojnë këtë këngë mallëngjyese. Zëri i studios së huazuar për aheng gërvisht qiellin, ndërkaq, vajzat e lagjes të përndezura këndojnë krahas këngëtarit duke përpjekur fuqishëm shuplakat që tashmë u janë skuqur nga përplasja. Kjo gjë nuk u bënë përshtypja të rejave të rrëmbyera nga ahengu dhe nga kënga. Trupin ua përshkon një rrymim i fuqishëm gëzimi. 

   Dasma e vëllait të Lulisë merr zjarr kur nxjerr kokën në kthesën e lagjes vetura e madhe e bardhë e xhaxhait, Çaushit, që erdhi nga kurbeti. Ende pa iu afrua shtëpisë ia drejton qiellit kallashin dhe zbrazë thekshëm një karikator. Ia presin nikoqirët nga ballkoni i shtëpisë me kallashin tjetër, ndërsa si në këngët toske ia mbajnë ison revolet e llojeve nga më të ndryshmet: Zastava jugosllave, zbrojevka çekosllovake, parabell italiane. Megjithëse kjo atmosferë e rrëmben Lulinë tonë të mirë, ajo u frikësohet krismave, ia kujtojnë kohën e luftës. Ishte e re, fëmijë por e kujtonte me ankth.

Babai i Lulisë, përpiqet t’i qetësoj dasmorët, druan se gjithë kjo breshëri kallashi  e revolesh mund t’i ndjell policët, ndërsa i vëllai Çaushi i përmalluar për nipin që po bëhet burrë, nxjerrë krehërin tjetër të plumbave. Babai u flet sikur edhe këtu njerëzit janë bërë të ndjeshëm e nevrik ndaj zhurmës e krismave, por Çaushi prej Gjermanie as që do të dëgjojë. Kur mërdhezet mirë e mirë ia ngjesh 50 euro në ballë këngëtares. Ndërkohë vazhdon serinë e krismave në ballkon. As të tjerët nuk rrinë duarkryq: nxjerrin revolet e tyre si kofsh kishku dhe i zbrazin me britma. Kënga e krismat vazhdojnë si të ishin ata të vetmit në lagje dhe në qytet.

    Kështu e ka mëhalla e Lulisë, dinë t’i gëzohen dasmave e fejesave si askush tjetër.

“A i keni pyetur fqinjët, mos i pengoni, gjë?” Ia them rrëshqitazi e me droje, duke pritur reagimin e saj. “E pse t’i pyesim fqinjët për dasmën tonë?” Habitet ajo. Si të mos e kisha bërë fare atë pyetje me tregon për kushërinjtë që i ka në Gjermani e në Zvicër. Janë më të krisur se sa ne që s’kemi lëvizur nga lagja. Ata dinë t’i gëzohen jetës edhe më mirë, mallëngjehen si fëmijët, qajnë e qeshin sa të bëjnë për vete me të parën , rrëfen ajo e entuziazmuar. 

Duket që nuk shkoi çdo gjë për vi. Përnjëherësh i lëviz një nerv dhe vazhdon: Dikush nga spiunët e lagjes nga ata të sojit të nevrikëve që rrinë natën e flenë ditën, që nuk dinë çka është gëzimi i fqinjit, që s’e durojnë krismën, janë frikacak, thirren policinë! Por policët tonë janë të urtë e të butë si qengjat e pranverës, nuk janë si në Zvicër e në Gjermani, ku të gjobisin po ua prishe qetësinë fqinjëve. Patrulla që ia bëhu pasi thanë se morën disa thirrje telefonike- ankesa nga lagja, bile në mirëbesim deshën të tregojnë edhe emrat, por babai i Lulisë nuk i la,  bisedojnë urtë e butë me të zotin e dasmës ankesat dhe ikën. Edhe policët janë njerëz, kuptojnë që krismat bëhen nga gëzimi e jo për bela. Nuk janë ata te belasë, e panë edhe policët. Pse duhet t’ua prishnin ahengun, apo Zoti na ruajt ta merrnin ndonjërin në polici. “E po, shoku policë”, ia shkrep fjalëve Çaushi duke i përcjell me dashamirësi, “dasmë është, do të ketë edhe ndonjë krismë!”. “Mirë, mirë”, flasin policët, duke u zbythur me mirësjellje, “Ligji i ndalon krismat dhe armëmbajtjet pa leje”, por njëkohësisht përpiqen të largohen sa më shpejt që të mos e shkrep ndonjë i krisur revolen para tyre dhe t’i turpëroj. Më të larguar policët e butë, Çaushi dhe të tjerët e dyfishojnë serinë e krismave për inat të fqinjëve spiun, me tregon me mburrje Lulia.

Ajo deshi të më tregonte gjëra të tjera edhe për nusen e dhëndrin, mirëpo me shihte që nxitoja, me pritnin në shtëpi për sallatën e darkës. Ajo ma kuptonte hallin dhe nuk donte të me ngatërronte në ndonjë zënkë me gruan.