Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Vajtimet e ''shqiptarëve'' për të kaluarën e ''ndritur''

| E hene, 22.08.2011, 08:05 PM |


Vajtimet e ''shqiptarëve'' për të kaluarën e ''ndritur''

 

Nga Fahri Xharra

 

Ishim në gjumë të gjatë shekullor. Flinim e flinim. E edhe nëse e donim zgjimin, fillonte terapia e re me sedativë edhe më të fortë se herëve të kaluara që ta na e kthenin përsëri gjumin, që kurrë të mos zgjohemi. Na e kishin frikën?!

Nga ai gjumë shekullor, kurrsesi të zgjohemi ngase interferencat magnetike të antenave të huaja po i pengojnë valët tona, ato të ndritjes së mendjes sonë. E dinin mirë që... “Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në perandorinë tonë janë shqiptarët; është frikë e madhe nga ky të mos zgjohet nga gjumi i rëndë, të mos mëkëmbët, të mos marrë diturinë në gjuhën e vet sepse atëherë e mori lumi Turqinë’’.

(Jusuf Buxhovi, Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Evropiane).

E kishin frikën nga zgjimi ynë. Ende na e kanë frikën nga të gjitha këndet (alfa, beta, gama) të trekëndëshit kundërshqiptar brinjëndryshëm. Pra? Por, në emër të ”lirisë “ së shprehjes dhe të folurit po shfaqim atë që nuk është pjellë e mendjes sonë. Po e themi edhe atë që sikur t`i lexonim në shtypin e huaj për ne, do të ofendoheshim shumë, do të mendonim që ende bota po na shihka me ata sy ‘’të poshtër’’ të së kaluarës.

Është trishtim i madh të lexosh nga një pjesë e madhe e “jazëgjive” (tur. jazëgji-shkrues, shënues), kur e harrojnë krejtësisht se çfarë iu besoi historia: nxjerrja nga mjerimi intelektual dhe nga tronditja psikike e një populli që kishte vuajtur aq shumë dhe që ka nevojë më në fund për jetë, për shëndet dhe shëndoshje shpirtërore, me fjalë të tjera një përjetim të lirisë shpirtërore dhe mendore e automatikisht përgatitja e një ardhmërie shqiptare europiane.

Një pjesë e madhe e “jazëgjive” (tur. yazici) shqiptarë si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetiu kanë nevojë të ngutshme të “qytetërohen”.

Ata janë shumë të “varfër” dhe të “rreckosur” kur e shkapërderdhin në mënyrë tragjike mendjen e popullit. Ngrehalucët e pandershëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj “përgatitjeve” nga kuzhinat antishqiptare vazhdojnë të jenë si të “dehur “ apo të “droguar” në “ jazitë “ e tyre (tur. jazmak- me shkrue). Duhet ditur se trëndafilat, zambakët, karafilat, të gjitha thahen, edhe çeliku e hekuri thyhet, por kombi i ynë as thahet e as thyhet.

Ali Asllani kishte për të thënë në këtë rast se koha është e maskarenjve por atdheu është i shqiptarëve. Çudi e madhe, përsëritje e panevojshme kohërash!

Derisa Ajnshtajni thoshte se e “ardhmja e një kombi është e lidhur ngusht nga edukimi që e merr rinia”, ne po e fatkeqësojmë ardhmërinë tonë duke nxjerrë në dritë fëmijë të parapërcaktuar për të qenë skllevër të kafazit të tyre mendor.

Ja, një nga“ jazitë” (tur.yazi: me shkrue) “Është çmenduri... Me krijimin e shtetit të Ismail Qemalit, qeveria e Vlorës me në krye Luigj Gurakuqin nisi krimet e para kundër multikulturalizmit në vend, duke mbyllur e djegur shkollat e Komunitetit Ortodoks dhe Musliman. Dhuna që nisi qeveria e Vlorës u vazhdua nga qeveria e princ Vidit, e cila provokoi revoltën e muslimanëve të Shqipërisë së Mesme dhe ortodoksëve në jug. ...’’

Arsyeja pse muslimanët dhe ortodoksët e Shqipërisë së Mesme mbështetën lëvizjen e Haxhi Qamilit dhe më pas Esat Pashën, është se këto dy parti nuk u mbyllën mejtepet dhe skolitë muslimanëve dhe ortodoksëve, por respektuan njerëzit me fetë dhe etnitë që kishin.” ....E çuditshme, çfarë lakmie antikombëtare!

Edhe koha e Zogut, mbretit të parë të shqiptarëve, që nga koha e Ilirëve, me “jazitë “ gjykohet se: “... Familja e Nasirudin Albanit dhe hoxhallarëve të tjerë shqiptarë që bënë emër në botën arabe, u larguan nga Shqipëria në kohën e Zogut, kur nacional-rilindësit tanë implementuan një proces terrori kombëtarist, duke u ndaluar sheriatin muslimanëve, mbyllur zyrat e kadilerëve, hequr fesët dhe ferexhetë, mbyllur medresetë në vend.

“.... Edhe njeriu me i madh i shqiptarisë, i kohës së re Fan S. Noli, ofendohet në këtë mënyrë e me këtë edhe i gjithë populli shqiptar: ...” Pjesë e nacional-laicizimit të Shqipërisë ishte edhe krijimi i Kishës Autoqefale Ortodokse. Kush lexon bisedimet e Parlamentit shqiptar në vitet 1920 – do të kuptojë sesi populli ortodoks, as që donte të njihte Kishën Autoqefale, që aventurieri Fan Noli kishte ndërtuar.

“ ... Ky është kulmimi i papërgjegjësisë kombëtare.

Rrjedhat e dëshirave sa do që të meshefura dukeshin, tani kanë filluar të dalin haptas nga “jazegjitë” shqiptarë:” “ ..... Nacionalizmi shqiptar u projektua si dinsëz ( i padinë e imanë fxh). Nëse deri në 1920, muslimanët shqiptarë besonin në Tyrqninë, e cila nënkuptonte ymetin e Islamit, Shqyptaria që u ndërtua pas Kongresit të Lushnjës kishte si bazë të saj devizën e Vaso Pashës “feja e shqyptarit asht shqyptaria”.... Do koment kjo.?

Vajtimi i “shqiptarëve“ për të kaluarën e “ndritur” shihet edhe nga këta lot që “të thajnë zemrën dhe shpirtin”: ”Shqiptarizim pësuan edhe emrat e atyre qytetesh që nacionalistët mundën t’i ndërrojnë – fjala bie Shkodrës iu hoq emri zyrtar që kishte deri më 1912 - Iskanderije. E njëjta gjë u bë me Lezhën, e cila më parë quhej Selimije. U ndërruan emrat e rrugëve e lagjeve nga osmane në shqiptarishte. U shkatërruan çarshitë e qyteteve për të ndërtuar rrugë sipas modeleve perëndimore.

U shqiptarizuan edhe shumë fshatra që kishin emra osmanë. “   Vaje e vaje, vaje qesharake, por që të bëjnë me të vërtetë të vajtosh. Të them të drejtën, kurrë s`e kam ditur që paska pasur Iskanderlije dhe Selimije.

“Procesi i shqiptarizimit ishte më i thellë në gjuhë dhe emra. Nacionalistë si Mihal Grameno, Kristo Floqi, Aleksandër Xhuvani, Kostandin Çekrezi e më pas Eqerem Çabeu, Aleks Buda etj., nisën që të kërkojnë të reformojnë gjuhën shqipe.

Reforma nënkuptoi procesin e “heqjes së barbarizmave” nga gjuha, që do të thoshte fjalët turke dhe greke. U zëvendësuan me mijëra fjalë islame, që nga araba, çaush, hasëm, vatan, bej, penxhere, selam, hava, munafik, beledije, rais, sadrazam, vezir etj., dhe u zëvendësuan me fjalë latine dhe perëndimore si makinë, oficer, armik, atdhe, zotëri, dritare, paqe, qiell, hipokrit, bashki, president, kryeministër, ministër etj “.

Siç shihet zotërinjtë shohin ëndërra me sy hapur në shekullin 21. Vaji nuk ka fund aq sa nuk ka fund ironia dhe thirrja donkishotiane e autorëve të tillë që shkruajnë: ......” Nacional-oksidentalistët shqiptarizuan edhe paratë, duke hequr nga qarkullimi paren dhe groshën turke dhe monedhat tjera dhe shpikën monedhën shqiptare, të cilën deshën ta quajnë Skëndere (pas emrit të Skënderbeut) e më pas e lanë Lekë (pas emrit të Aleksandrit të Madh).

Po ashtu, nëpër shkolla nisën t’u thonë muslimanëve që emrat Hasan e Hysein janë të vjetër, e i nxitën të vënë emra Petrit dhe Astrit. “Dhimbshuria për të kaluarën e “ndritur” nuk ka fund, vajtimi nuk përfundon me kaq duke vazhduar: ”Grupi që u godit më së rëndi nga procesi shqiptar-laicizues në Shqipëri, ishin myslimanët të cilëve iu shkatërrua sistemi i tyre jetësor, ligjet, gjuha, feja, kultura dhe u oksidentalizuan me pahir.

Librat në osmanisht në të cilat ata kishin shkruar historitë e tyre për 500 vjet me radhë u larguan nga sistemi dhe mësimi i osmanishtes dhe shkrimi i shqipes me germa arabe u ndaluan me ligj ... Por përveç myslimanëve, edhe ortodoksët u lënduan shumë. Ata u shkëputën me dhunë nga lidhja e tyre me Patrikanën e Kostandinopojës, se Fan Noli e bëri Kishë Autoqefale”.

Por edhe më e çuditshme është kjo: “Apo mos do të ndjekin në Shqipëri shembullin e rugovistëve kosovarë që Suharekën e kanë bërë Therandë, dhe Kosovën e quajnë Dardani, apo arbenxhaferristët që Maqedoninë e quajnë Iliridë?

Por “jazegjitë” nuk kanë së ndaluri me” jazitë e tyre akademike”: “Çka do fotografia e Atit të Shenjtë në selinë e një partie 99 për qind e anëtarëve të së cilës janë, pra, të besimit mysliman dhe i falen një profeti tjetër?   (?!) Pse bëhen se ndërrojnë ngjyrën ashtu lehtë? Pse aq lehtë duan të tregohen çka nuk janë? Sigurisht për t’iu servilosur atyre që supozojnë, kot natyrisht, se një servilosje e tillë iu pëlqen!

Në Presidencën e Kosovës janë mbajtur dhe vazhdojnë të mbahen fotografitë e Nënës Terezë dhe të Papa Gjon Palit të Dytë. Presidentët ndërrohen e fotografitë e Shenjtores dhe të Atit të Shenjtë mbahen! Çka duan ato fotografi në selinë e presidentëve që kanë lindur dhe janë rritur si pjesëtarë të besimit mysliman, që janë zgjedhur prej votuesve numri më i madh i të cilëve i falet profetit Muhamet, mban ramazanin dhe festën e bajramit? “” Shkruesi me porosi, thotë një komentues i gazeteje  ,është më i rrezikshem se

vrasësi me porosi. Vrasësi e vret një,kurse shkruesi me porosi, mundohet që të vret trurin,të mbyt unin e mijërave e mijërave lexuesvetë tij.     Komentet janë të tepërta.

 

Kërkesa direkte dhe indirekte për rishkruarje, rimohim, rivarrosje tonën janë edhe këto:”

“Qasja jone ndaj historisë është kryekëput e shkoqitur nga realiteti.

P.sh. të ridefinohet Skënderbeu hundëshkabë e sypatrembur në një njeri normal (ose sic e pershkruajnë historianet e Tiranës jo më të gjatë se 1.68cm. Saktësisht 1.68). Ku ishin dhe kush janë ata antropologë shqiptarë që e “zbuluan” këtë?

 

“”Edhe ashtu njohuria jonë per Skenderbeun ështe deri diku një perceptim politik.

Muslimanët e devotshëm te Kosovës  madje shkojnë përtej në këtë cështje. Sipas tyre miti dhe grandioziteti i Skënderbeut janë propaganda e Krishtërizmit perëndimor. Edhe këtë mund ta ridefinojmë.”” T`a ridefinojmë se po e lypin të tjerët, e ne “kokëngritur” i marrim gjërat të përgatitura dhe  vetëm  iu japim shpirt. Nëse buron nga ne, ka vlerë më bindëse. Ka efekt më shkatërrues, më vetëshkatërrues.

Edhe profesorët qe i “mësojne” gjenerata e reja nëpër shumë universitete (po, po i njëjti njeri  përshkak të “aftësive” të tija në një dy apo më shumë universitete) na dalin dhe me kryelartësi na e ndajnë këtë:” Edhe Skënderbeu nuk ishte udhëheqës kombëtar, por vetëm një sundimtar. Në shekullin XIX ai u shëndërrua në një kryehero kombëtar nga rilindasit shqiptarë me qëllim mitizimi.  Madje lëvizjen e komb-formimit shqiptar e quajtën Rilindje Kombëtare me demek se shqiptarët në kohën e Skënderbeut paskëshin qenë komb dhe tani po lindnin serish si komb. Por, kjo gjë nuk përkon me të vërtetën historike sepse shqiptarët në atë akoma s’ishin komb. “ Zbulime epokale të “jazëgjive” tanë.

 

 “ Jazegjitë “e tillë  ma mësojnë djalin tim dhe t`tëndin se : “Perandoria Osmane s’ishte e turqëve por e Sulltanit.”, se edhe djali i im paska të drejtë në trashigimi:” Në trashigiminë e saj shqiptarët kanë të drejtë po aq sa edhe turqit, boshnjakët dhe popujt e tjerë”

 

“Jazitë” i kanë qëllimet e tyre, siç thotë Arbën Xhaferi, të tregohet se periudha osmane ishte një rrëfim i suksesshëm dhe jo një okupim i egër. Se perandoria otomane nuk ishte okupuese por erdhi në një hapësirë gjeografike të pasunduar me një popull  pa krye. Qëllimi i tyre, i tyrqëve pra, të cilit qëllim i ndihmojnë “jazegjitë”  tonë është të shlyhet kujtesa historike  dhe se ishte një bashkëqeverisje me pashallarët, vezirët, sadriazemët tonë. Por të gjitha qëllimeve dhe planeve e kemi dhënë një herë e përgjithmonë përgjigjen se “ JUS   SOLI” (e drejta mbi token) dhe “JUS SANGUINIS” (e drejta mbi gjakun) është e jona.

 

Por, “jazitë” kanë edhe ngjyra tjera, ato të kërcënimit: ”Prandaj, dëshira është të dëgjojmë një zë të fortë nga Evropa. ...Nëse edhe ne jemi Evropë. Nëse jo - na tregoni më herët që të gjejmë një shteg tjetër!  Kërcnim epokal! A mos po e “frikësojmë arushën me shoshë”?

S`më mbetet gjë tjetër vetëm se të kërkoj atë çka lypte R. Tagore:

?"... O, ARSIM I POPULLIT... O HYJNESHA MË E LARTË E TË GJITHA BESIMEVE, DHE E TË GJITHË POPUJVE TË BOTËS..."