Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nexhat Halimi: E çara në zotin

| E diele, 21.08.2011, 08:45 PM |


Botime të reja

 

Nexhat Halimi

 

E çara në zotin

 

Publicisti dhe shkrimtari, Nexhat Halimi ka një opus të gjerë veprash në poezi, prozë dhe dramë, për të rritur dhe për fëmijë. Këto ditë,  ky shkrimtar botoi edhe  një libër të ri, romanin  “E çara në zotin”, i cili  në fokus ka një ngjarje tragjike – tërmetin  e rëndë të 15 prillit 1979, fatin e njerëzve përgjatë bregdetit jugor, me përqendrim në fshatrat e Anës së Malit, të Krajës, pastaj në Ulqin, në Tivar e deri në Rizonë, seli e mbretëreshës Teuta... Krahas përshkrimit të gjendjes shpirtërore të njerëzve në këtë stihi të rëndë natyrore, autori  fut edhe një linjë të re rrëfimi-momente kyçe të historisë së afërt dhe të largët, duke radhitur në këtë fije të dhembshme Vraninën- Oso Kukën, Tivarin-ngjarjen ndër më tragjiket për shqiptarët, Masakrën e pranverës së `45-ës,dorëzimin e Ulqinit më 1880 Malit të Zi, Rizonën dhe Teutën, e shumë hallka  të tjera,  që i ndërlidhin të gjitha këto, për të rrjedhur një rrëfim i rëndë, një mozaik artistik, aty këtu i mbështetur në fakte historike. Në ballinë të librit është vënë një pikturë e Bajrush Behramit, e cila prek po ashtu fije të rënda nga e kaluara dramatike, nëpër të cilën kaloi njeriu ynë.

 

Romanin e botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, dhe ka 298 faqe.