E marte, 16.04.2024, 06:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmire Duraku: Libër dramash i shkruar me mjeshtëri

E hene, 22.08.2011, 07:58 PM


Libër dramash i shkruar me mjeshtëri

 

(Shaip Grabovci “Tomi dhe Xheri”, drama, botuar nga Shtëpia Botuese “Fad” në Prishtinë)

 

Nga Fatmire Duraku

 

Shaip Grabovci është shkrimtar klasik. Ai, në letrat shqipe – në këtë pjesë të letërsisë,  do të shfaqet në fund të viteve të `60-ta, me një paraqitje, e cila bëri bujë në qarqet letrare në Kosovë. Drama e tij “Njerëzit me shpresa të thyera”, e botuar te “Jeta e re”  dhe e realizuar në disa skena teatrore atëherë, autorin e radhisin ndër krijuesit me peshë të veçantë të fjalës artistike. Dhe, e tërë kjo ndodh kaq-sa befas, siç pëlcet dhe degëzon vetëtima qiellit të ndritur, siç zbrazet bubullima. Kjo shfaqje kështu pra, ky realizim kaq mjeshtëror,  në gjininë më të rëndë letrare -  në dramë, qe shenja e parë se autori, në radhë të parë e njeh mirë zanatin e shkrimit, sidomos dramën, se autori nuk e shkruan ama as të vetmen germë në tekstin e tij letrar pa e peshuar mirë e mirë, pa e gdhendur pamjen, aktin, dramën, pra – deri në imtësi, me durim filigranisti . Grabovci, do ta dëshmojë po me këtë përkushtim secilin shkrim në rrjedhën e kohës, do të realizohet  gjithnjë e më suksesshëm në secilën vepër... Do  të shkruajë në heshtje, duke qenë gjithherë e më i rreptë me veten, me shkrimin, duke qenë përgjegjës për secilën germë, për secilën fjalë, për secilën vepër. E dëshmojnë ketë tregimet me humor të lehtë dhe ato satirike, komeditë, pastaj tregimet psikologjike dhe dramat e karakterit, duke prekur në fijet me të fshehta të vetave, që e bartin barrën e së përditshmes dhe barrën e së kaluarës-kujtimet, në çastet e rënda të jetës... Mjeshtërinë e shkrimit e shpërfaq dhe në tregimin e shkurtër për fëmijë, e – sidomos, në dramat për të vegjlit, siç do të shihet dhe nga libri “Tomi dhe Xheri”, në të cilin – përveç bëmash, që deri në pakufi e ngacmojnë lexuesin-shikuesin, qoftë ai fëmijë apo i rritur, del në pah dhe qartësia, vija shumë e distancuar mes territ e dritës, udha që shpien te pika e synuar, që është dhe synimi parësorë i shkrimit të autorit.

Në librin  “Tomi dhe Xheri” ai do të tregojë njohje të shkëlqyeshme të psikologjisë së fëmijës, do të krijojë – për ta dhe me vetë ata, pamje, skena dhe drama, çfarë te ne nuk ia ka dalë t`i realizojë asnjë autor deri më sot. Libri ka gjashtë drama dhe secila ka për subjekt të bëma nga e përditshmja e jetës dhe lojës së fëmijës, gjithnjë duke u gjetur aty dhe hija e autorit, e cila veçsa hetohet për të ikur menjëherë, por  - prania e tij, sado e lehtë, megjithatë do t`i  tregojë udhën nga të ecën lexuesi, si ta njohë ai dhe çfarë qëndrimi të marrë  për të mirën në të përditshmen, apo dhe për të keqën. Kjo ndihmë e fshehtë vjen përmes fjalës, qëndrimit të ndonjërit nga protagonistët që autori ua ka besuar barrën e bartjes së rrëfimit. E përsëris edhe një herë konstatimin e cekur në krye të shkrimi: Shaip Grabovci është shkrimtar me rrjedhë shkrimi klasik, me qartësi dhe precizitet të madh, pa ndonjë fshehtësi... veçse, po të lexohet me përqendrim, te secila vepër e tij shkrihet dhe një linjë e dytë, e cila shkrimin e bën atraktiv, tërheqës dhe të ngrohtë, e herë-herë dhe të veshur me humor. Te secila dramë, nga gjashtë sa ka libri “Tomi dhe Xheri”, lexuesi do t`ia arrijë t`i hetojë skenat mjeshtërore, në të cilat lidhet i tërë rrëfimi...

Secila dramë është përjetim në vete

Dhe, për subjekt ka nga një copëz të shkëputur nga e përditshmja.

Drama, “Në vendin e mrekullive” ka për temë një djalosh lavdaç i cili më shumë i do lodrat se shoqet e shokët. (Në rastin konkret ai biçikletën e pëlqen më shumë se shokët). Mirëpo, kur shokët i largohen, e  lëçisin,ai e ndien vetin shumë keq dhe... çfarë ndodh, më pastaj?Fati i mirë është se ai tërë ketë ngjarje e ka përjetuar në një ëndërr! Dhe, kështu, Lavdaçi, sapo të  zgjohet nga gjumi, duke e rikujtuar dhe një herë ëndrrën, do të kuptojë se shokët e shoqet vlejnë më shumë se çdo gjë tjetër-materiale, më tepër se çdo gjë lodër. Në dramën e dytë “Ujku”. Motivi është marrë nga  një fabul e vjetër , në të cilën shtjellohet një ngjarje tronditëse, e cila për pasojë ka pësimin  e kecit, pikërisht në ditën e kremtimit të përvjetorit të lindjes. Ai bie në kthetrat dhe dhëmbët e ujkut nga besimi se Ujku ... i plaguar, nuk është ai Ujku gjakatar, prandaj duhet ndihmuar që t`i shpëtojë gjahtarit, i cili e ndjek për gjurmë të gjakut, me çifte në duar! Drama ka për porosi se  ujku përherë mbetët ujk, armik,  prandaj armikut nuk duhet besuar kurrë! Drama është realizuar me fjalor të zgjedhur, me plot kthesai dhe herë-herë zgjon çaste tronditëse dhe shumë të ndjeshme te lexuesi. Drama  “Një zemër e humbur” është shkruar me përkushtim mjaft të dukshëm dhe ka porosi shumë humane... Një grup nxënësish pranë një kontejneri e gjejnë një kuti në formë zemre dhe pasi iu duket e bukur ata e marrin. Mirëpo, ja, ndodhë befasia, kutia reagon saherë që ka zënka në mes të fëmijëve. Ndodhia përsëritet disa herë dhe kur kjo gjë u bëhet e qartë fëmijëve ata më nuk zihen... Por kur duan ta shohin se çka përmban nga brenda kutia, ajo nuk gjendet më! Ajo ka kaluar në zemrat e nxënësve... është bërë pjesë e zemrave të tyre!  Në vazhdim të librit autori radhit dramën me dy protagonistët e njohur të flimave të animuar “Tomi dhe Xheri”, të cilët me drdhitë dhe mashtrimet që i bëjnë njëri tjetrit, me bëmat nga më të ndryshmet kanë pushtuar miliona zemra fëmish në mbarë rruzullin tokësor. Kjo dramë, te Shaip Grabovci,  për temë ka  disa ngjarje të dy personazheve – pra, ndër më  të dashurat për fëmijë,  Tomit e Xherit. Në dramë zhvillohet një "luftë" e vërtetë në mes Tomit e Xherit se kush do të regjistrohet në shkollë i pari. Lufta ka për motiv mësimin dhe etjet për mësim e shkollë. E tërë kjo, në dramë, përfundon me pajtimin në mes Tomit e Xherit... Ngase shkolla është e madhe dhe për të gjithë ka vend në të. Në dramë e pestë “Stuhia kozmike” trajtohet një ngjarje e trilluar nga nxënësit se kinse në oborrin e shkollës janë parë JASHTËTOKSORËT. Në shkollë shkaktohet një tollovi e vërtetë, në të cilën vijnë në shprehje karakteret e ndryshme të mësimdhënësve dhe nxënësve... Drama përfundon me faktin se trillimi zbulohet, por nxënësit nuk ndëshkohen ngase ata kanë treguar një dituri solide për kozmosin dhe fluturimet kozmike. Libri, i cili emërohet sipas dramës “Tomi dhe Xheri”, përmbyllet me dramën e gjashtë “Digimonët”, në të cilën – me një shprehje të qartë, me një rrjedhë të përshtatshme për t`u vënë në skenë, përshkruhet përpjekja e Tikimonëve, të cilët duan ta zhdukin në çdo pëllëmbë të tokës gjelbërimin dhe lulet, por një gjë të tillë nuk do t`ia dalin ta bëjnë, ngaqë përballë u dalin Digimonët dhe pasi një lufte të ashpër mes tyre... fitues do të jenë ata, të cilët e ruajnë ambientin e bukur dhe të shëndetshëm , të veshur me pemë, me gjelbërim dhe lule. Në anën e Digimonëve radhiten edhe fëmijët, të cilët nuk kursejnë asgjë në mbrojtje të bukurisë së natyrës, që i rrethon.

Për fund, ndoshta, do të duhej theksuar se secila dramë përfundon me ndonjë gjykim se si duhet t`i hetojë lexuesi të mirën e të keqen dhe vetë të radhitet në anën që e parapëlqen. Natyrisht, autori ca i sugjeron se e keqja shpie në telashe, ndërsa e mira është udha të cilën duhet ndjekur për të arritur te caku i vërtetë në jetë. Dhe, krejt – krejt në fund, do të konstatuar se secila nga dramat ka mjaft brumë për t`u vënë në skenë, apo edhe për t`u realizuar si drama televizive. Dhe, sidomos tash-këtu, në këtë shterpësi kaq të madhe të emisioneve të bukura televizive, me fëmijët tanë në ambientin tonë, me preokupimet dhe ëndrrat e tyre.

Libri me drama për fëmijë i Shaip Grabovcit “Tomi dhe Xheri” përveç mundësisë së madhe për t`u vënë në skenë, ofron edhe kënaqësinë e leximit. Dhe, si i tillë, duhet të gjejë vend në bibliotekat dhe në vitrinat tona familjare të librit. Në radhë të parë për vlerën e pakontestueshme që e ka ky libër.



(Vota: 67 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora