Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Alibali: Dashuria e panjohur e Faik Konicës

| E diele, 21.08.2011, 11:22 AM |


Dashuria e panjohur e Faik Konicës

 

Nga Agron Alibali

 

Gjatë kërkimeve për një studim lidhur me botëkuptimin kushtetues të Faik Konicës, rasti e solli që të më binin në dorë dy burime arkivore krejt të panjohura, dhe natyrisht me vlerë të paçmuar për studimet koniciane.

Burimi i parë ishin letrat dhe arkiva e Faik Konicës, të cilën e pat shfrytëzuar pjesërisht Qerim Panariti kur redaktoi dhe botoi librin “Shqipëria, ose Kopështi Shkëmbor i Evropës Juglindore”. Ndërsa burimi i dytë ishte arkiva diplomatike e Konicës, të cilën e nxorëm në dritë për herë të parë bashkë me Prof. Dr. Pëllumb Xhufin, në një bibliotekë në Itali në dhjetorin e vitit të kaluar, pikërisht me rastin e 68 vjetorit të vdekjes së shqiptarit të madh.

Njoftimi për zbulimin e arkivës diplomatike të Konicës u shpall fillimisht në Gazetën Dielli në janar 2011. Tek Dielli filloi edhe botimi i pjesshëm i arkivës së Legatës Shqiptare në Uashington.

Arkiva diplomatik dhe ajo private janë burime thelbësore për librin që autori i këtij shkrimi është duke përfunduar, dhe që paraqet një vështrim të balancuar edhe për aktivitetin diplomatik të Faik Konicës.

Eshtë e natyrshme që tema bukurisë femërore dhe e dashurisë e pat ngacmuar së tepërmi Faikun. Në një ese të panjohur të tij në gjuhën angleze nga arkiva private, që fatkeqësisht mbeti edhe kjo e pambaruar, Konica trajton me mprehtësi dhe mjeshtëri të rrallë bukurinë femërore.

Mirëpo një ndër punimet më të fuqishme të tij lirike është Soneti “Vaj për një vashëz të vdekur”.

“Faik Konica edhe poet. Pse jo?”

Kështu do të shprehej kritiku dhe studiuesi i njohur Kosovar, Sabri Hamiti, në analizën për përshtatjen që Faiku i bëri himnit revolucionar frëng, La Marseillaise, me titull, “Kushtrimi”, ose “Përpara djem të Shqipërisë”.

Sipas Prof. Jup Kastratit, “fondi poetik i Faikut nuk i kalon të 330 vargjet”. Mirëpo siç parasheh me të drejtëprofesori i shquar në veprën e tij shteruese “Faik Konica” “Me kohë ndoshta, arkivat e pashfrytëzuara do të na nxjerrin në dritë edhe të tjera”. Prof. Kastrati përmend “trembëdhjetë vjersha origjinale” të Faikut “dhe ndonjë të përshtatur në shqip”. Sipas tij, “poezia e Faikut” “nuk pati ndonjë sukses të veçantë si në prozë”. Prof. Kastrati kishte dijeni se Faiku “shkroi poezi në shqip, por edhe në anglisht”. Mirëpo ai shtonte se “Këto [të fundit] nuk i njoh”. Ai analizon shterueshëm dy sonete të Faikut në shqip: “Helenën e Trojës”, dhe “Diplomatin”. Për “Helenën e Trojës” Kastrati mendon se “duke u nisur nga postulate i njohur që në poezi vlen cilësia artistike, edhe me këtë poezi të vetme Konica mund të përfshihet në radhën e poetëve të përmendur të historisë së poezisë reflekse shqiptare” .

Deri tani njihen pesë sonete të Konicës në gjuhën angleze. Ndër ta është edhe soneti “Diplomati” në anglisht me titullin “Sonnet on a ceremonious diplomat who was buried alive”, të cilin Faiku e lexoi në ceremoninë e marrjes së “Çmimit të Kapeles së Lartë” nga Shoqata “The Judge” në Washington në 3 qershor 1938.

Në mbramjen e jetës së tij me sa duket Faiku e ka pëlqyer dhe e ka lëvruar këtë model poetik. Sipas Prof. Kastratit, “Helenën e Trojës” ai e botoi në 7 shtator 1937.

Sonetet e tjera në anglisht janë: janë: “Sonet për një revolucionar ëndërrimtar”, “Sonet për një gazetar të shtypit të verdhë”, soneti “Vlerësim për një lektor të shquar”, dhe ai që po japim sot, soneti “Vaj për vashëzën e vdekur”.

 

Soneti “Vaj për një vashëz të vdekur”

 

I botuar për herë të parë prej Qerim Panaritit në Gazetën Dielli në vitin 1952, soneti është një vepër e rrallë poetike. Me një anglishte të përsosur, Faiku të jep përshtypjen se skalit me art figurën e një të dashure misterioze, duke na hapur ndoshta për një çast sekretet më të thella të zemrës e tij. Me të vërtetë, edhe pse nuk kemi të dhëna konkrete, soneti në fjalë duket sikur përmban elemente të forta biografike. Aty duket sikur Faiku përpiqet të ndalë ecjen e pamëshirshme të kohës, apo ta kthejë mbrapa atë, në ato momente kur poeti dashuronte vajzën leshverdhë që nuk jeton më. Duket gati-gati si një “carpe diem” konician i frymëzuar prej odes së famshme “Carmina” të Horacit.

Me një gjuhë dhe varg shekspirian, çka ai e njihte shumë mirë, Konica na tregon fatin e “një ëndrre të varrosur”, të një dashurie të pakurorëzuar. Vargu i sonetit është sipas strukturës ABBA- ABBA; CDD; CEE.

Në mungesë të Prof. Kastratit sot, natyrisht u takon ekspertëve të poezisë dhe kritikës letrare të sotëm dhe të ardhëm për ta analizuar shterueshëm këtë kryevepër tjetër të vogël letrare të Konicës.

Me lejen e Diellit po e ribotojmë për herë të pare në Shqipëri Sonetin e famshëm. Për më tepër, po e japim atë me kaligrafinë origjinale të Faik Konicës.

Soneti është lexuar në publik tre herë deri tani. Me 28 prill 2009 u organizua në Universitetin e Harvardit një seminar në kujtim të Faik Konicës. Seminari u mbajt në Dudley House, ose në Shkollën Pasuniversitare të Arteve dhe Shkencave, ku vetë Faiku studioi për diplomën Master në Artet, dhe u drejtua nga Ardeta Gjikola, edhe ajo studente pasuniversitare në të njëjtën shkollë

Soneti atje u recitua me ndjenjë nga Bledar Zenuni, student në kolegjin e Universitetit të Harvardit me prejardhje nga Korça.

Për herë të dytë, soneti u recitua në Universitetin Marin Barleti në Tiranë, me 15 dhjetor 2010 nga zv. Rektori i tij, Dr. Drita Zela, pas një ligjërate për Botëkuptimin Kushtetues të Faik Konicës, të mbajtur prej autorit të shkrimit. Ndërsa për herë të tretë, Soneti u dha sërish në anglishte të kulluar prej znj. Jane Christo, në Mbrëmjen Poetike “Ca Pika Shiu Ranë Mbi Qelq” të mbajtur në Restorantin historik Anthony’s Pier 4 në Boston me 26 shkurt 2011.

Teksti i sonetit vjen më poshtë. Anash në këtë faqe jepet edhe me kaligrafine origjinale të Faik Konicës. Autori i këtyre radhëve nuk mëton kurrsesi të japë një shqipërim të Sonetit. Ndaj përkthimi është krejt i lirë dhe jashtë strukturës së vargut të sonetit. Shqipërimi i sonetit u takon të tjerëve, njohësve dhe përkthyesve të shquar të anglishtes letrare, madje edhe dashamirësve të Milosaos, ku shquhet pa dyshim, studiuesi dhe përkthyesi Xhevat Lloshi, që na ka dhënë aq mjeshtërisht në shqipe “Kopështin Shkëmbor” të Konicës.

 

ZBULOHET ARKIVI DIPLOMATIK i FAIK KONICES

 

Pas një pune të gjatë dhe këmbëngulëse kërkimore, më 13 dhjetor 2010 u zbulua arkivi diplomatik i Faik Konicës. Ky fond i rrallë dhe shumë i rëndësishëm arkivor u kërkua fillimisht në tre shtete të ndryshme evropiane, d.m.th. në Zvicër, Itali dhe Suedi. Mirëpo ekzistenca e tij në një nga institucionet arkivore italiane u konfirmua vetëm në krye të vitit të kaluar.

I shoqëruar nga historiani i njohur Prof. Pëllumb Xhufi, i nënshkruari shqyrtoi për herë të parë gjatë mesit të dhjetorit 2010 dosjet e shumta me dokumente e materiale të rralla dhe të panjohura që mbulojnë vitet 1926-1939 të arkivës diplomatike të rilindësit, eruditit, letrarit dhe diplomatit të shquar shqiptar Faik Konica.

Dokumentet e panjohura më parë pasqyrojnë pulsin e kohës. Ato nxjerrin në pah një administratë shqiptare të gjallë e në veprim, që edhe pse i takonte një shteti të vogël e të ri, ishte mjaft serioze dhe dinjitoze në raportet e saj me shtete të tjera subjekte të hershme të së drejtës ndërkombëtare. Nëpërmjet një dokumentacioni diplomatik, pra krejtësisht zyrtar e herë-herë rutinor, nxjerr kokë megjithatë nervi dhe originaliteti i një mendjeje të lirë e kreative, siç qe ajo e Faik Konicës.

Dokumentet përfshijnë shkëmbime me Tiranën, korrespondenca me konsullatat shqiptare në Sh.B.A., me zyrtarë të qeverisë amerikane e përfaqësitë diplomatike të akredituara në Washington, nota diplomatike si dhe letra personale të shtetasve shqiptarë në SHBA dhe gjetkë, të gjitha me vlerë të paçmuar historike dhe juridike.

Materiali i mësipërm me përmbledhje dokumentesh do të zërë vend të posaçëm në monografinë “Faik Konica ne Arkivat Amerikane” të cilin i nënshkruari e ka në përfundim dhe e ka kontraktuar për botim në vitin 2011.

Dokumente të kësaj arkive dhe pjesë të studimit do të botohen herë pas here dhe ekskluzivisht për DIELLI-n në kuadrin e veprimtarive për 100 Vjetorin e themelimit të VATRES.

I nënshkruari falënderon Universitetin e Masaçusetsit në Boston, autoritetet italiane dhe amerikane, si dhe sponsorët në Sh.B.A. dhe Shqipëri për ndihmesën e dhënë.

 

-Marrë nga Gazeta Dielli, janar 2011-.

Agron Alibali, LL.M.

Milosao