Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tension Greqi- Shqipëri, lekë shkollave në Korçë e Himarë

| E diele, 21.08.2011, 12:21 PM |


Qeveria greke ka dhënë garancinë se është siguruar financimi ekonomik për funksionimin e dy shkollave greke në Korçë dhe në Himarë, nëpërmjet një deklarate të ministrit të Jashtëm grek Stavros Lambrinidhis. "Megjithese po kalojmë një periudhë të vështirë ekonomike, - thekson deklarata e shefit të diplomacisë greke - "Ministria e Jashtme ka bërë përpjekje për të mbuluar shpenzimet ekonomike të funksionimit të këtyre dy shkollave në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit". Në të njëjtën deklaratë, Athina zyrtare kritikon qeverinë shqiptare për qëndrimin e saj duke theksuar, se është tashmë e ditur se politika që aplikojnë autoritetet shqiptare për "zonat minoritare" shkakton pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së mësimdhënies të pakicave të tjera jashtë këtyre zonave, në të cilat Shqipëria në mënyrë arbitrare ka kufizuar njohjen e ekzistencës së diasporës greke duke shkelur detyrimet e saj ndërkombëtare. Në përfundim ministri i Jashtëm grek thekson se ka një rëndësi të veçantë iniciativa për funksionimin e shkollës "Omiros" në Korçë dhe shkollës greke në Himarë, ekzistencën dhe punën e të cilave Ministria e Jashtme nëpërmjet organeve greke në Shqipëri, e mbështet me çdo mjet. Pas publikimeve të fundit në mediat vendase që bënin me dije se këto shkolla rrezikoheshin të mbylleshin për arsye ekonomike, qeveria e Papandreut është kritikuar ashpër nga deputetë të partisë konservatore Demokracia e Re, për politiken e saj në diskutimet e seancave parlamentare. Madje një prej deputetëve të kësaj partie ka deklaruar se "është pozitiv fakti që do të funksionojnë këto shkolla në ato zona që qysh prej kohës së Enver Hoxhës nuk njihen si zona minoritare, por që prej lashtësisë, janë djep i helenizmit". Vetëm pak vite më parë, "Gazeta Shqiptare" denoncoi për disa numra resht faktin se në shkollën greke të Korçës "Omiros", fëmijët mësonin se "jugu i Shqipërisë është Greqi". Skandali "Omiros" detyroi aso kohe, Ministrin e Arsimit, Genc Pollo të raportonte para Kuvendit për faktin se si ishte e mundur që Ministria e Arsimit të Shqipërisë kishte dhënë lejen që ky tekst historie me të dhëna të deformuara, raciste dhe anti-shqiptare të mësohej në këtë shkollë greke. Aso kohe skandali shkaktoi debat në mbarë opinionin publik dhe solli reagimin e ashpër edhe të një pjese të politikës shqiptare. Pollo aso kohe mohoi që në shkollën greke të Korçës "Omiros" mësohej ky tekst historie por "Gazeta Shqiptare" botoi ekskluzivisht kopjen e tij.

Gazeta Shqiptare