E enjte, 28.03.2024, 03:51 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Nexhmije Ahmeti: Urdhrat e Vezirit

E diele, 21.08.2011, 06:59 PM


Veziri... Ministri turk i Arsimit, Omer Dincer
Urdhrat e Vezirit

 

Ministri turk i Arsimit, Omer Dincer, si të ishte Vezir i Sulltanit, kërkoi nga Kosova që ta korrigjojë historinë në pjesën ku flitet për turqit. Për çudinë e gjithkujt, kësaj kërkese - symbyllazi - iu bind Ramë Buja. Historianët kritikojnë ashpër qasjen e Prishtinës kundrejt Ankarasë dhe apelojnë të mos harrohen krimet e osmanlinjve ndaj shqiptarëve.

 

Nga Nexhmije Ahmeti, Express

 

Një ditë, jo fort të largët, nxënësit kosovarë ndoshta nuk do ta dinë një prej kapitujve më të tmerrshme të historisë shqiptare - asaj të okupimit nga Perandoria Osmane, që sundoi këtë popull për pesë shekuj.

 

Ndoshta nuk do ta dinë se vetëm disa vite më parë nga Kosova u degdisën në Turqi dhjetëra mijëra kosovarë, si pjesë e një plani djallëzor të hartuar në Beograd dhe Ankara, pas Luftës së Dytë Botërore.

 

E, Sulltan Murati e Sulltan Mehmeti, një ditë, ndoshta do ta zëvendësojnë figurën e Gjergj Kastriotit.

 

Kjo mbase duket e ekzagjeruar, por me terma shumë më të butë, Turqia tashmë edhe zyrtarisht i ka kërkuar Kosovës “korrigjimin” e historisë përmes ministrit të Arsimit, Omer Dincer, i cili të premten u takua me homologun e tij kosovar, Ramë Bujën.

 

Për çudinë e gjithkujt, këtë kërkesë e pranoi Ministri Buja, i cili madje pohoi se një komision i posaçëm tashmë po punon për t’i jetësuar kërkesat turke për “korrigjimin e historisë”.

 

“Ne biseduam dhe kërkuam nga Ministria eliminimin e paragrafëve nga librat e historisë së Kosovës, të cilat përmbajnë fyerje për historinë turke”, tha ministri turk i Arsimit, Omer Dincer.

 

Madje, sipas tij, tashmë janë në finalizim të projektit, i cili vazhdon punën në kuadër të komisionit që është themeluar për eliminimin e këtyre problemeve.

 

“Ne do të na gëzojë pa masë fakti që kur të botohen librat e reja, të mos i kenë këta paragrafë”, tha ministri turk.

 

Duke u mundur ta zbusë situatën se nuk bëhet fjalë për korrigjim të pjesëve të historisë, por vetëm për disa paragrafë, homologu i tij kosovar, ministri Ramë Buja tha se kërkesa e ministrit Dincer nuk është për ndryshim të historisë, por vetëm të bëhet korrigjimi i saj.

 

”U tha që do të korrigjohen ata kapituj ku ka pjesë fyese për popullin turk. Kjo do të korrigjohet dhe jo të ndryshohet historia, sepse nuk mund të ndryshojmë historinë, e cila ka ndodhur. Kjo do të ndodhë duke qenë të përbashkëta të dy komisionet shumë profesionale në këtë drejtim”, tha ministri Buja, gjatë konferencës për media që mbajti pas takimit me homologun e tij turk.

 

Ndërkohë, zyrtarë të kësaj ministrie thanë për Express se ky institucion do të dalë më vonë me një raport të veçantë ku do të publikohen ndryshimet që do t’u bëhen librave të historisë.

 

“Ne kemi formuar një komision në nivel ekspertësh për rishikimin e të gjitha librave të historisë, në mënyrë që të ndërhyhet nëse ka nevojë”, thotë Ragip Gjoshi, për Express, i cili në këtë ministri mban postin e këshilltarit të ministrit.

 

Por pavarësisht ndihmës së Turqisë dhënë për Kosovën, Gjoshi thotë se ky institucion i zbaton vetëm politikat e veta arsimore dhe se nuk do të ndryshojë komplet historinë e vendit.

 

Por lidhur me këto ndryshime, disa nga historianët shprehen të alarmuar, duke theksuar se okupatori mbetet okupator, pavarësisht ndihmës që Turqia mund t’i japë Kosovës aktualisht.

 

Të paktën kështu thotë Hakif Bajrami, një nga historianët më të njohur në vend.

 

Bajrami e pranon se tash Turqia është shtet mik, por vendi dhe populli i Kosovës nuk mund t’i harrojë ato çfarë ka bërë Perandoria Osmane ndaj popullit shqiptar.

 

“Okupatori mbetet okupator. Krimet që i kanë bërë Turgut Pasha e sulltanët e Turqisë, asnjë ministri, asnjë individ në asnjë mënyrë nuk mundet t’i injorojë”, thotë Bajrami, për Express.

 

Sipas tij, ato çfarë ka bërë Perandoria Osmane, kanë qenë krime dhe krime do të mbesin, pavarësisht korrigjimeve e rishkrimeve që mund të bëhen në libra.

 

“Krejt e dinë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ka luftuar kundër turqve. Tash na me e fshi atë a? Krejt botën e japim, e Skënderbeun s’e japim”, shprehet historian Hakif Bajrami.

 

Si historian që është, ai përmend disa raste të krimeve që osmanlinjtë kanë bërë në trojet shqiptare.

 

“Prej Shkupit e deri në Merdar, Pasha i Turqisë më 1910, në çdo 10 metra e ka ngulur në hunj nga një shqiptar. A t’i harrojmë ne ato? Jo, nuk duhet t’i harrojmë edhe nuk bën t’i harrojmë”, shprehet shumë i mllefosur historiani Bajrami.

 

Madje ai përmend diskriminimin që ajo Perandori i ka bërë popullit shqiptar.

Ai thekson se Perandoria Osmane në vitin 1868, serbëve u ka lejuar që të hapin shkollë në mes të Stambollit, ndërsa shqiptarëve nuk ua ka lejuar hapjen e tyre as në vilajetet e veta.

 

Drejtori i Institutit refuzon të flasë

 

Në Prishtinë është një institucion që mban emrin Instituti i Historisë, që edhe nga emri kuptohet se është i formuar pikërisht që të merret me çështje që kanë të bëjnë me historinë.

 

Por Jusuf Bajraktari, drejtori i këtij institucioni, nuk denjoi t’i thotë dy fjalë për ndryshimet e kapitujve të historisë në raport me Perandorinë Osmane që kanë filluar të bëhen.

 

I kontaktuar nga Expressi për të dhënë një vlerësim të tij në lidhje me këtë çështje, Jusuf Bajraktari nuk pranoi të thotë asgjë me arsyetimin se është në drekë zyrtare.

 

“Jam i zënë dhe nuk mund të flas”, u përgjigj Bajraktari, duke e mbyllur telefonin, por pasi dëgjoi se për çfarë çështje bëhet fjalë.

 

Universitet turk në Kosovë

 

Zyrtarët e arsimit turk premtuan hapjen e një universiteti turk në Kosovë.

Ministri Omer Dincer në një takim që pati me nxënësit turq në Prizren, ka thënë se Turqia ka planifikuar hapjen e një shkolle shtetërore sikurse në të gjitha vendet e Ballkanit.

 

Por zyrtarët e Ministrisë së Arsimit sqarojnë se kushdo mund të hapë shkolla në Kosovë, duke zbatuar ligjin parauniversitar dhe universitar që është në Kosovë.

 

Ragip Gjoshi, këshilltar i Ramë Bujës, tha se të gjithë ata që duan të hapin shkolla private, do t’iu nënshtrohen ligjeve dhe në bazë të ligjeve dhe programeve ekzistuese edhe do ta zhvillojnë aktivitetin e tyre.

 

Sa i përket deklaratës së ministrit turk, Gjoshi tha se me siguri ai nuk është i informuar me ligjet ekzistuese në Kosovë. Sipas këshilltarit Gjoshi, ministri nuk ka përcaktuar as kohën, e as vendin ku do të ndërtohet Universiteti turk në Kosovë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora