E shtune, 20.04.2024, 10:54 AM (GMT+1)

Mendime

Balil Gjini: Sulltanët e mëdhenj të këtij vendi të vogël

E premte, 15.02.2008, 07:03 PM


Sulltanët e mëdhenj të këtij vendi të vogël

Nga Balil Gjini

Jo shumë larg Tiranës (i gjithë vendi ynë është aq i vogël, sa mund të paloset e të futet në xhep si një kartëpecetë dore), gjenden ca vende të tjera që tironsit i quajnë me një përbuzje të lezetshme “provinca”. Rrugët që nisen drejt tyre nuk janë kapilarë apo enë gjaku, që përcjellin qytetërimin dhe kulturën, por janë ca gypa të ngushtë, nëpër të cilët filtron lëngu i kulturës dhe në fund të hinkës mbetet një shtresë e trashë prej balte e plehu. Bash këto vende, jashtë vëmendjes së qeverisë, mediave dhe organizmave të tjerë, i qeverisin për shtatë palë qejfe “katallanët”, ca kryetarë bashkish e komunash allasoj, të mbrapshtë, injorantë e zullumqarë.

Mënyra e qeverisjes së tyre është “dolce stil nuova”, medemek sipas filozofisë së rrathëve të pellgut, kur mbi të hidhet ‘bëlldum” një gur apo më mirë sipas rrathëve të lisit, meqë ky i fundit është dhe druri ynë mitik: te rrethi i parë bën pjesë vetë ai, tek i dyti të afërmit, tek i treti, shokët e miqtë, e varg e vistër. Kurse të tjerët, ata që rëndom quhen popull, janë në periferitë e largëta të vëmendjes së tyre, thjesht si ato manaferrat gjembaçjerrëse me shami pluhuri në kokë apo fantazma që bezdisin me hallet e tyre prej njerëzish të gjallë.

E, pra, ky vend kaq i vogël ka më shumë se 300 e ca komuna dhe çdo komunë ka KRT e saj (Këshill i Rregullimit të Territorit), me 10-15 njerëz secili, me një pagë mujore që shkon 7 000-8 000 lekë. Në buxhetet e tyre duhen llogaritur dhe shpenzimet e administratës për dieta e karburante. Por, sikur të mos mjaftonin këto, mor, aman, bir aman, janë dhe nja 12 qarqe me nga 30-35 këshilltarë, pagesa e të cilëve është mbi 8 000 lekë. Kryetari i një komune në rrethin e Skraparit është zgjedhur i tillë vetëm me 70 vota. Fiks 70, asnjë më shumë. Janë miliona e miliona lekë të vajtura dëm, pa rendiment, pa hajër.

Punonjësit e administratave të këtyre bashkive dhe komunave më së shumti janë bolshevikë shëndetlinj, që, anipse shumë herë grasatohen nëpër doganat e qyteteve perëndimore, zdruku i qytetërimit të tyre nuk arrin të zhdrivillojë viaska e hulli kulturore; nuk arrin, sepse, duke qenë të nasqerisur me qelq të trashë prej atyre shisheve të arançatave të kohës së Rahmetliut, ata assesi nuk mund të riciklohen përsëri nëpër kazanët e vaskat e demokracisë. Por, pavarësisht kësaj, faqet e tyre, si një lëndinë paparunash, kuqëlojnë prej një zjarri të brendshëm që ata e mbajnë në thellësi të shpirtit të tyre, zjarr beditur ndaj shefit-perëndi;

E ndërsa ndaj shefit faqet iu kuqëlojnë prej një flake mistike e fetare, ndaj vartësve sillen me një harbutëri të paparë. Thelbi i marrëdhënieve me të tjerët është mosqasja pranë (mbajtja një shkop larg), sepse, eheheeee, s’janë aq budallenj sa të tjerët t’iu shikojnë cenet e t’i marrin nëpër gojë, t’iu shikojnë honet e zbrazëta kulturore, me një fjalë thelbin e tyre të mbrujtur me filozofinë anadollake. Instinkti prej qeniesh inferiore iu thotë se që të mbijetojnë vetë duhet të depersonalizojnë vartësit, t’iu thithin me trompën prej merimange lëngun e valë të mirësjelljes, t’i ngurtësojnë dhe t’i fringëllijnë pastaj në rrjetën e endjes të endur më parë. Pamja e tyre prej mizash asgjëmosthënëse iu jep një këndellje të paparë. Autorit të këtyre radhëve i ka rënë rasti që në një nga ato ziafetet allaturka, ziafete që ky vend i ka me mushtulli, të shikojë një goxha burrë, një nga ata që iu thonë dyzet derhemë, tek merrte një legen me ujë të ngrohtë, tek kridhte këmbët në të dhe vartësi, me zellin e një lavatriçeje joelektronike, ia lante dhe shpëlante me një përkujdesje perverse.

Sulltanët e mëdhenj lëvizin tutje-tu me shpurra bodyguard-ësh, me fuoristrada të blera nga 50 000 gjer më 80 000 euro, dhe kam parë me sytë e mi sesi njeri prej tyre hashonte të hipte në një “Benz 2 400”, sepse gjasme ky mjet s’bënte për sërën e klasin e tij. Por, në thelb, janë krejt qesharakë dhe lëvizin me vula në xhep, firmosin akte juridike në restorante duke e lyer sipërfaqen e vulës me pështymë ose me majën e gjuhës. Jo më larg tyre janë edhe kryetarët e disa bashkive, të cilët mezi e kanë pritur reformën e decentralizimit, me qëllimin e vetëm që të vendosnin në krye të institucioneve njerëz të klanit të tyre. Njeri prej kësaj rodine propozonte që drejtorët të rrinë të tillë vetëm një vit, sepse kësisoj do t’iu jepej mundësia “të hanin” të gjithë. Vini re hatanë: buxheti i shtetit përfytyrohet si një mullar me kashtë, kurse drejtuesit, si kuaj të kuq që turren të babëzitur për të marrë një gojë bar që ta hanë mënjanë.

Tashmë, falë kësaj filozofie babëzitëse, akcili prej nesh mund të shohë fare të llagar se jo më larg se 50 metra prej qendrës, godinat e bjerrin pamjen, bjerrin pamjen arkitekturore “qytetëse”, shkërmoqen në ajër dhe shndërrohen në ca ahure, ku të mbyt pluhuri dhe lluca.

Sulltanët e mëdhenj të këtij vendi të vogël kanë brenda vetes gjithë mistikën dhe metamorfozat e një kokrre patateje. Ashtu si patatja që zhardhokët e shëmtuar i fsheh poshtë në tokë, kurse përsipër nxjerr ca lule të kaltra, edhe ata, poshtë, nën tokë, fshehin zhardhokët e veseve, kurse përsipër gjërojnë ca lule të kaltra propagande “demokracie”, të mësuara badiava nëpër seminare njëditore. Ashtu si patatja që ka nevojë për pleh dhe baltë për t’u rritur, sulltanëve tanë iu duhen ekskavatorë me kova të hatashme për t’iu hequr plehun e korrupsionit e pisllëqeve. Dhe, po ashtu si patatja që nesër do të merret me gishtërinjtë elegantë dhe, pasi të hapet gryka e një thesi, do të kallet brenda ngjashmarakeve të tjera anonime, ashtu edhe sulltanët tanë, kur t’ iu mbarojë mandati ose (në dashtë parlamenti), kur të bëhet një reformë e vërtetë elektorale, do të kallen mes turmave anonime. E vetmja gjë që do të kujtohet është fshirja e gishtave elegantë prej baltës së tyre...



(Vota: 2 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora