Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Vullnet Mato

| E shtune, 20.08.2011, 05:49 PM |


Vullnet Mato

 

KU JE TANI

 

Katerina e vogël, ku je tani, moj shpirt,

kur unë jam nisur për në horizontin e muzgut?

Kujtesa më vizatoi profilin tënd të trëndafiltë,

në përqafimet e ngrohta te fushëtira e Jugut. 

 

Më magjepse vegjëlinë me atë shpirt të dëlirtë,

që ngazëllehej me takimin e buzëve fëmijërore.

Gëzoheshe si kanarina me sqep të florinjtë,

kur të thoja nuse e si dhëndër të merrja përdore.

 

Në ç'lëndinë a bregore vjeshte baret tani vallë,

 

kur ndoshta ke rreth vetes një tufë me pëllumba?

Ke zënë shoqe lumturinë apo ke trishtimin përballë,

dhe krahason me mall kohën kur të humba?

 

Mbase ma ke parë fytyrën në humnerat e gjumit,

apo e shkule nga livadhi i kujtesës barin jeshil, 

ku shtriheshim të përqafuar si çift pranë lumit

dhe me kurora ylberore mbuloheshim në prill.

 

Emrin tënd e kam shkruar në një çarçaf prej ere,

të vërtitet përherë nëpër qiellin me vrundullime,

të mbaj zgjuar nostalgjinë për atë moshë pranvere,

dhe të kthehet shpesh të fëshfërijë në dritaren time.

 

Kjo gjë më sjell fytyrën tënde plot dritë...  

Katerina e vogël, ku je tani, moj shpirt?...

 

DHE GUXOJNË MARRIN FRYMË

 

A ka frymor

më të ulët mes nesh,

apo kafshë me ves

më të poshtër,

se krijesa e pështirë

që lakmon seks,

me qengjin e njomë

që pi kulloshtër?...

 

Bastardë të dalë

prej plehut e llumit,

sulmojnë vogëlushe

dhe vogëlushë,

të shfryjnë epshet

te pendët e pëllumbit,

duke i shpupluar

kur i zënë ngushtë.

 

Gjaku familjar

zhyhet me fëlligështi,

bën incest të turpshëm,

vëllai me motër,

poshtëron veten babai

me të bijën e tij,

ndyn pleqërinë gjyshi 

me mbesën e vogël.

 

Atë që nuk e bën

me kecin dhe qengjin,

dashi dhe cjapi

me tru kafshëror,

bëjnë këta tru baltë,

me neps prej qeni,

që guxojnë marrin frymë

në rreth njerëzor...

 

VILA IME NË MES TË REVE 
 
Qyteti qiellor me shtëpitë e reve të bardha,
sot u trondit fort nga një shkrepëtimë rrufeje.
Pashë vilën time të përtej jetës nga dritarja.
Por vetëtima ishte shkrehur diku larg meje.
 
Vilën e ngrita me mjagulla pagjumësie netëve,
në Udhën e Qumështit, te një bisht i galaksisë.
Aty ku yjet barinj shesin me shishet e kometave,
qumështin e Arushës së Madhe mbetur pa këlyshë.
 
Vizitorët kozmonaut që kanë kaluar me raketa,
më kanë përgëzuar me urime befasuese në internet.
Madje një kozmologe e re deshi për studimet e veta,
të provonim aty shtatzëninë qiellore me ultraviolet.
 
Por nuk pranova të bëja kalamaj jashtë martesës,
se mund të kërkonin trashëgim prej asaj pasurie. 
Siç u dhashë fëmijëve të tokës dhomat e banesës,
dhe hyra te bunkeri parafabrikat lënë prej sime bije.
 
Vila ime e re me shkallare harkore stil venecian,
ka dritare transparente prej oksigjeni të kaltër.
Katër rrufepritëse mbrojnë çatinë në katër anët,
nga shkarkimet e zjarrta të pickimeve si gjarpër. 
 
Veç kësaj paguaj me këste siguracionet kozmike,
për ta ruajtur nga rreziqet dhjetë vjetët e ardhshëm.
Ndonëse gruaja shqetësohet tepër e bëhet nevrike,
që s’kemi bërë në dhoma mobilimin e rehatshëm.
 
Megjthatë, jam i vendosur të mbijetoj dhe në qiell,
me qindarkat nga shitja e fantazive, pa kërkuar hua. 
Dhe më duhet kohë të mbledh paratë duke kursyer.  
Por shpresoj që telebingoja e Ufove të më bjerë mua...