E shtune, 25.09.2021, 08:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi për fëmijë nga Ali Sh. Berisha

E shtune, 20.08.2011, 06:55 PM


Ali Sh. Berisha

 

 

Gjyshi im bardhok

 

Gjyshit tim bardhokan

Gjyshja ime i rri pranë

Më faculetë i qesëndiset

Se kur teshet mali tralliset

 

Mua më quajnë Herolind

E heroizmat leht i renditi

Gjyshi thotë - Jam bërë xhind

Se paskam sy petriti

 

Shpesh ia marr shkopin

Ai ngritë fundin e vetullës -

Ky ma këputë konopin

Ma largon qefinin e dekës

 

Gjyshi im rrëfen histori

Mua më duken përralla

Andaj shpesh me shpoti

Ia kthej – mos shit kopalla

 

Me gjyshin luaj nganjëherë

Unë e quaj bardhokan

Ai më thërret teveqel –

Kështu rrahim ujë n’havan

 

Ankohet se po bëhet fëmijë

Se unë tash po burrnohem

S’pushon goja fare t’i grijë -

Të ruhem që t’mos rrëzohem

 

Herë qeshë e herë bëhet idhnak

Gjyshja e qorton –S’të ka hije plak

Unë e quaj sërish bardhok

E ai – Je gjok me mendët zog

 

Për çdo ditë e kemi kështu

Herë në tokë e herë në dru

Derisa gjyshja i pjek kafe avash

Thotë – Qengj po bëhesh dash

 

Kur Erjoni  vjen bëhemi bashk

Vaj halli për gjyshe e gjysh

Ua heqim nga një bujashkë

Na flasin: Jeni bërë si këlysh

 

Drejt se këpucat ua fshehim

Ua marrim nga goja fjalët

E ata me qeshje na dehin

Në fytyrë nuk na hedhin baltë

 

Me gjysh e gjyshe mocë jemi

Ata e kanë kryer moti shkollën

Ne atje ende nuk vemi

Jemi një dysh kur çanë mollën

 

15.07.2011

 

 

Gjyshi ka siklet

 

Me televizor kur ngopet

Më urdhëron t’i sjell gazetë

Derisa e lexon me gisht troket

Dhe fshanë thellë – Medet

 

Duke e mbyllë gazetën flet

-Kësaj bote s’i ka mbetë lezet

Gjyshja tërë vesh e shikim

-Kuku plaku u mbush trishtim

 

Gjyshi televizor e gazetë hapë

Nënë syjza sytë picërron

-T’i prijë mëzi kalit ku patë

Mua e gjyshen fare s’na shikon

 

-Ua ka zënë dera bishtin

Zë gjyshi edhe më sikletohet

Pastaj lart e ngrit gishtin

Dielli me shoshë nuk mbulohet

 

Nga rafti zbret një libër të trashë

E shfleton krejt avash – avash

Me pezmë flet – Pse fjalë të huaj

Kur keni më të bukur fjalën tuaj

 

Ngritet gjyshi duar pas shpine

Dhe shetitë nëpër dhomë

-S’është fjala e bleme si ajo e bime

Fjalës sonë asgjë s’i mungon

 

Gjyshit i thellohen rrudhat n’ballë

Se iu duk që desha ta tallë

Kur i thashë – Epokë e re ka ardhë

E mbjell mollë e të del dardhë

 

Gjyshi mbylli televizor dhe gazetë

E mori një këngë më qifteli

-Çka të lypësh edhe e gjenë

Po fike zjarrin s’ngrohesh me hi

 

16.07.2001

 

 

Mos më trajto si qilimi

 

Pse s’kam mjekër e mustak

S’do të thotë se s’jam plak

Andaj mos më trajto si qilimi

Si trazavaç që vetëm sherre di

 

Mos m‘qorto pa kohë e pa vend

Se ende kam dy fije mend

Pa nevojë mos u bëj nevrik

Fjalën ta përdorësh si kamxhik

 

Në vend egër dashuri zgjidh

Fjalë të ëmbël e butësi lidh

Po deshe t’mos vihesh në lojë

Fjalën gjithnjë vëre në peshojë

 

Pse s’kam mjekër e mustak

S’do të thotë se s’jam edhe plak

Por durimit shpesh i vë kufi

Dhe t’i jap kokallës ende di

 

14.07.2011

 

 

Shamata

 

Ka ca ditë që dëgjoj shamatë

Në dhomë të gjyshërve të mi

Nuk e kuptoj ç’ndodhë me natë

Andaj vura të bëjë kërshëri

 

Vë veshin në mur e degjoj

Zhurma andej më sekëlldisë

Përvidhem shpejt të vrojtoj

Çametin që atje ka krisë

 

Gërr-gërr nga qoshja te qyshi

Rehato kokën n’jastëk plak

Shpinën i kthen tashti gjyshi

Gjyshen e zë gjumi pas pak

 

Gërhat gjyshi gërhat gjyshja

Dy gërhama s’i duron një shtrat

Të nesërmen ndodhi ajo ç’prisja

Vërtetë pëlciti një shamatë

 

N‘dhomë futën edhe një shtrat

Gjyshërit më s’flejnë bashkë

Po gërhama s’pushoi asnjë çast

Zu të dëgjohëj qartë edhe jashtë

 

Në dhomën time gjyshja qetë

Erdhi e u fut natën tjetër si njalë

Nis t’gërrhasë fillimisht lehtë

Pastaj si t‘rrëzohej një mal

 

Në sallon të ditës më iku nata

Më gjetën gjyshërit tek fle

Gjumin ma nxori shamata -

Medet çfarë i bëmë nipit ne

 

Tashti gjyshërit flenë ndarë

E kur përvidhen për t’u parë

Njëri-tjetrin ëmbël miklojnë

Dhe gërhamën e harrojnë

 

 

Dhëmbët e gjyshërve

 

Gjyshi nuk gënjen kurrë

Thotë se tamam është burrë

Por qahet për  dhëmballën

Kur i dhemb kërkon darën

 

Gjyshes një dhëmb i parë

Thotë se i duhet vërtetë

Jo për t’ia shtuar bukurinë

Por për t‘i hangër ende koret

 

Lindi kur i pa gojërrudhur

Pas pak ditësh gjyshërit

Merrnin në thua kur flisnin

Ngjanin si bebet kur lindin

 

Ditën tjetër të shohë i ra

Të dyve dhëmbët si ingji

Andaj i habitur babait i tha

U kishin dalë dhëmbë të ri

 

 

Kur i dhemb dhëmbi Jonit

 

Joni e ka më ndryshe

Dhëmbi i dhemb që me natë

Që t’i qetësohet

Kërkon shumë çokollatë

 

Dhembi i dhemb fort

Edhe për një kalavesh rrush

Për pak tortë

Dhe një copë mish n’prush

 

Për bonbon daje i dhemb

Dhe për fli të tetës

Edhe bota po u shemb

Nuk i shmanget të vërtetës

 

Datëlindja

 

Urime ditëlindja - më thonë

Unë vras mendjen keq

Dita me datën s’përkojnë

Dua këtë ta ndreq

 

Kam edhe një problem

Në datëlindje më dhemb veshi

Secili që afrohet më tremb

Se m’i heq po deshi

 

Njëri thotë – u bë sa një gomar

Tjetri uron – u bëfsh plak

Vallë ka të ngjarë

Gomar të bëhem edhe pak

 

Datëlindjet zët i kam

Se gomar të bëhem s’dua

As plak me mjekërrlamë

Por siç thotë gjyshja – si ftua

 

Dhuratat s‘më kënaqin

Kur veshtë më skuqen e rriten

Le të festojnë vetë në daqin

Për datën dhe për ditën

 

 

Fjala

 

Gjyshi e gjyshja bisedojnë

Herë me zë të ultë e herë të lartë

Nganjëherë s’i kuptoj çfarë thonë

As mendimi nga i bartë

 

Thonë shpesh - fjala i është ngrirë

Pyes vetën nëse është e vërtetë

Pastaj shoh vetën në pasqyrë

Dhe këtë kohë vere mjaft nxehtë

 

E si fjala mund të ngrihet

Kur cigmë as akull përjashtë s’gjenë

T’shikoj n’frigorifer s’më pritet

Përvidhem ngadalë mos t’më vrejnë

 

Po fjala në gojë a ngrihet -

Gjysh e gjyshe vetullat lartë ngrisin

Ngrihet kur lirshëm nuk shprehet

Kur tingujt i avullohen sa nisin

 

Dëgjoj pastaj - fjala në fyt i  ngeli

Pyes gjyshin nëse është kafshatë

E ai thjeshtë më përgjigjet

Fjala s’shihet po lë vurratë

 

Fjala duhet mbërtypur mirë

Të nxiret ëmbël zemra të shërojë

Fjala e keqe është shtrigë e pshtirë

E si thikë mund të të lëndojë

 

Heilbronn 3.08.2011

 

Loti i gjyshit

 

Për mua erdhi shtatori

Babai nga qyteti m’i solli

Qantën me libra e fletore

Pastaj gjyshi më përcolli

Në klasën e mësueses Fitore

 

Përveç gjyshit tim Bardhok

Tashti kam shumë shokë

Kam një libër t’bukur fort

Alfabetin e gjuhës amtare

Që quhet thjeshtë Abetare

 

Gjyshit but tek e shfleton

Loti mbi shkronja i shpëton

Që t’mos e merzisë libri

Më qorton tek ia heq nga syri

Thotë - Është miku më i miri

 

Në kohë turkut ishte elifi

Që na fliste turkoarabisht

Pastaj serbi azbukën shpifi

Të na fliste krejt serbisht

Të na mësonte dreqërisht

 

Aherë s’kishim mësues  fare

Po daskall e fjalë bizare

Me gur shkruanim n’tabelare

Hanim grushta e kamxhik

Të mësonim „sllova“ cirilik

 

Një lot gjyshit i shpëton

Në fletore shikimin shtron

Më thotë – Lum për ty o nip

S’heq për bukë as për kripë

Tashmë iku kohë e ligë

 

E ke shkollën n’gjuhë amtare

Dritë të diellit n’abetare

Yjt e qiellit në fletore

Pasha plisin dhe lirinë

Ta shoh n’sy ardhmërinë

 

Lot i gjyshit si një rreze

Po udhëtonte nëpër breze

Si farë kishte mbirë dhe rritë

Që të shohë tashti çartë

Bukurinë përmbi kartë

 

 D lot i parë i piku

Dhe ajo u bë tamam fryt fiku

 I loti i tjetër i gjeti pushim

U bë flutur në fluturim

T- e bëri pemë n‘lulëzim

 

Loti tjetër ra në U e u bë urë

Pastaj mbi R dhe u bë nur

Tjetra krejt qetë mbi I ra

Gjyshi thirri tek i binte në A

-Biro dituria është gjithçka

 

9.8.2011

 

Në muze

 

Brenda oborrit të shtëpisë

Në një dhomë ndarë veç

Më prinë gjyshi e më bezdisë

-Biro janë për ty pas qind vjeç

 

Me padurim prita derën të hap

Me syrin tim gjërat t’i kap

Bëra hapin pragun kaptova

Dhe e dini miq çfarë shikova

 

Pranë dere një palë opinga varë

Mbi to çorapë të leshta larë-larë

Tjerqi të galmë e shokë mbi

Xhamadan me këmishë e plis të ri

 

Krah tyre qëndron varë një qifteli

Një lahutë e lodër për melodi

Pastaj një kobure që shkëlqen

Që jehojnë për gëzime e për dhemb

 

Gjyshi zgjatë gishtin e flet qetë -

Gjyshi im m’i ka lënë amanet

Ndërsa unë kaloj shikimin përbri

Në qëndismat që lulja ua ka zili

 

Mbi opinga e çorapë një xhubletë

Sipër saj një ballore me kapuletë

Ndërsa gjyshi si ciceron me përvojë

Thotë- Janë të gjyshes n’emër Zojë

 

Pranë murit ma tregon vekun

E unë shoh gjyshen krejt të mekun

Tek me këmbë luan me liç e drugzë

Tek rrah pëlhurën e bisedon me muzë

 

Aty pranë rri furka me boshtë e pe

Pret çikëriku në fytëz për t‘shtre

Mbështetur e pret dorën e butë

Ëndrrën më të re të matur me kut

 

Tutje qëndrojnë qerepi e kënata

Vegëshi e kalanica pastaj govata

E pyes gjyshin me shumë kërshëri

Mos ndokush ishte marrë me poçari

 

Çuditërisht duart ia shoh me baltë

E ai më thotë më gojën tërë mjalt-

Zoti na dha dheun e mendjen nevoja

Për t’i bërë sy e duar të jenë të zonja

 

Në mes t’dhomës sofra shtruar

Si një diell me rreze shtuar

Me gjyveç balte e lugë të drunjta

Ulur n’shkama pritej shujta

 

Në vend t’gjyveçit n’çast shoh fli

Dhe gjyshin përballë për çudi

Ai heq një petull unë një petull

Njëri-tjetrit ia ngjyejmë nën vetull

 

Si nga një ëndërr zgjohem vrik

Dua ta zë fort gjyshin përdore

Por nga maxhja tutje ai më ikë

E thotë -  Këtu gatuhej buka ndore

 

Seç më teptiset gjyshja tek sitë

Miell të butë për bukë të grytë

Tek ngjesh brumin dhe e shtrinë

Tek këndon ultë e butë nanërinë

 

Më shtynë tutje gjyshi trazavaç

E gjyshja me sitën më treten sakaç

Porse ciceroni im fare nuk pushon

Për veglat në murë më shpjegon

 

Ato janë vegla pune në arë e mulli

Për gëdhendje druri  e për bagëti -

Unë shoh parmenden me plor

Shoh në fushë ogiqin me këmborë

 

Nga shpati degjoj një melodi

Një këngë tek shfaqë dashuri

Shoh qengjat në vrap tek blegrojnë

Dhe nënat e tyre tek i kërkojnë

 

Gjyshi më shtynë përpara lehtë

Në anë të oxhakut ulemi qetë

Me unur e eshkë i jep zjarrit flakë

Dy xheze i vë n’vatër  pa shamatë

 

Tek me mashë shpupurish prushin

Një gotë balte ma vë përpara

Buzët e mia buzët e gotës puçin

Pa ditur se pija kohët e vrara

 

Gjyshi zgjatë gishtin nga një gur

Rrumbullak si mulliri në miniaturë –

Me të kemi bluar djersën e motmotit

Me të kemi rishtuar jetën e zotit

 

Në krah të oxhakut një zog i zi

Qëndron krahëhapur e me madhështi

S’është trumcak as galë as lejlek

Gjyshi thotë – Është shqiponja vetë

 

Nën të shtrihen dete e male e fusha

Shihen liqene t‘kaltra fortesa e kulla

Dhe duar e sy të gjyshit në çdo cep

E ai më porositë – Ruaje e mos e jep

 

Kthej shikimin tek prushi i zjarrt

E shpupurit gjyshi e xixat ngrihen lart

Nëpër oxhak drejt hënës a diellit

Dhe atje t’përjetësohen si yjt e qiellit

 

Shoh të hapet dera e gjyshja të vijë

Ballin t’ma puth e dorën të shtrijë

Drejt hyrjes e gjyshi ëmbël më porositë

Tashti shko o nip dhe derën pas vërvit

 

Dola n’diell andej nëna tek më priste

Zuri ëmbël gjatë t’më pyeste

E ç’t’i thosha përveç se i bëja be

Se gjysh e gjyshe i kisha lënë në muze



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora