E premte, 29.03.2024, 12:06 PM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Giorgio Armani

E enjte, 03.02.2005, 08:50 PM


Giorgio Armani: “Suksesi i vërtetë është të pëlqehesh nga të gjithë”

Giorgio Armani
Ka ndërtuar një perandori: shifra e tij tregtare është 644 milionë euro, ka 4700 punonjës dhe 13 fabrika. Më shumë se 300 dyqane në katër cepat e botës (30 prej të cilëve i ka hapur vitin që shkoi) për koleksionet e tij të shumta prêt-à-porter si “Giorgio Armani”, “Armani Collezioni”, “Emporio Armani”, “Armani Jeans”, “A/X Armani Exchange”,” Armani junior”. Madje edhe për dekor: “Armani Casa”. Pa llogaritur aksesorët, ora dhe syze (modeli i fundit mbahet nga Leonardo Di Caprio në afishen e filmit Aviatori) apo kozmetikën. Në moshën 70 -vjeçare Armani mbetet triumfues. Sapo ka prezantuar në Paris një linjë të re bizhuterish dhe katër parfume të rinj. Së shpejti do të hapë edhe hotele luksi. Për momentin, krijuesi president-drejtor i përgjithshëm, aksioner i vetëm i grupit të vet feston 30 vjetët e karrierës së vet. Intervistë e njërit prej manjatëve më të mëdhenj të modës, dhënë shtypit francez.

Keni tridhjetë vjet që merreni me modën. A i keni realizuar ëndrrat tuaja?
Në të vërtetë, nuk kam dashur kurrë të merresha me stilim, por kjo fushë ofron perspektiva shumë të mira zhvillimi. Konstatimi është i thjeshtë: ka femra të pasura në botë që nuk kanë asgjë për të bërë dhe mendojnë vetëm si të vishen, si të jenë të bukura dhe ndryshe nga të tjerat. Por tashmë moda dhe luksi janë përhapur aq shumë sa nuk mund ta dallosh më sekretaren e thjeshtë nëpërmjet veshjes.

Cilët kanë qenë momentet kyçe të karrierës suaj dedikuar modës?
Kopertina e “Time Magazine”, në 1982, ishte një moment shumë i rëndësishëm, që provoi se puna ime kishte ndryshuar diçka në botën e modës, në njëfarë mënyre si Yves Saint Laurent që krijoi “smoking” për femrën. Por natyrisht gjithçka ka filluar me vendimin për të ngritur shoqërinë time. Po futesha në një botë të rrezikshme ndërkohë që kisha një pozicion mjaft komod, drejtoja një nga fabrikat e Nino Cerrutit. Në atë kohë u mora vetëm me modën mashkullore, por Sergio Galeotti – me të cilin themelova “Giorgio Armani” në 1975 – ishte i bindur që mund të bëja edhe veshje për femra. Pas vdekjes së Serxhos mora drejtimin e ndërmarrjes dhe kalova një periudhë shumë të vështirë, sepse ishin të shumtë ata që mendonin se nuk do t’ia dilja dot mbanë. Mendoja që ta vija punën time në shërbim të publikut megjithëse ky ishte i ri dhe jo shumë i pasur. Kështu lindi Emporio Armani që mundësoi shitjen e xhinseve dhe produkteve të frymëzuara nga Giorgio më lirë, gjithë duke ndjekur tendencat e modës. Dhe funksionoi

Si do ta përkufizonit stilin Armani?
Më pëlqejnë linjat e thjeshta, të lehta për t’u kuptuar. Suksesi i vërtetë është t’u pëlqesh të gjithëve, të ofrosh cilësinë që shitet më shumë.

Flitet gjithmonë për xhaketat, kostumet Armani. Duket se kjo ju shqetëson disi…
Kjo më zemëron shumë! Sepse kam bëra gjëra krejt të ndryshme në karrierën time. Madje thuajse e kam harruar se si qepet një kostum klasik! E punoj vazhdimisht xhaketën por e bëj të evoluojë me anë të copave shumë speciale, me anë të prerjeve të reja, teknikave shumë interesante të montazhit. Merrni për shembull “Beckham Jacket” – e quajtur kështu sepse David Beckham e adhuron dhe ka blerë shumë syresh- ajo është e prerë për t’u veshur jashtëzakonisht ngjitur në trup me një material prej leshi elastik dhe të plasifikuar, që i lejon trupit të jetë i lirë në lëvizje. Për femrën, parimi është i njëjtë. Kostumi duhet të jetë i rehatshëm por mënyra e mbajtjes së tij ka evoluar me shoqërinë. Tashmë një xhaketë shumë e sofistikuar mund të kombinohet me pantallona sportive. Kam krijuar shumë edhe për modën femërore, prandaj nuk është e drejtë të më identifikojnë vetëm me xhaketat e kostumet mashkullore. Mjaft të shikoni 400 modelet e paraqitura në ekspozitën “Guggenheim”. Sigurisht fustanet e mia të para të mbrëmjes- fundet e shkurtër dhe të ngushtë prej kadifeje të kombinuar me këmisha shifoni- kanë qenë të tmerrshme. Pastaj iu përvesha punës dhe tani shes shumë mirë çdo lloj veshje të këndshme dhe femërore.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora