E marte, 19.10.2021, 03:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Rexha: Meditimi, pasioni dhe simfonia e pakëputur

E enjte, 18.08.2011, 08:00 PM


MEDITIMI, PASIONI DHE SIMFONIA E PAKËPUTUR

 

Nga Nexhat REXHA

 

Diskursi i jetës  hapëron nëpër shtigje  të dëshiruara dhe të imponuara, e nëpër këto bredhje fati kalon në ty, të jesh afër dritës e të parafytyrosh mjegullën dhe pa e ditur se  mund  të hysh në të. Dhe pastaj kërkon shpëtimtarin, duke e kërkuar daljen nga mjegulla  vetvetiu jeta sprovon e mëson se vetë njeriu është shpëtimtari i daljes nga dhembja e malli.

Meditimi  gjithnjë  kërkon  këmbëngultësi për të dhënë atë që ke, e që mundesh të arrish  në kohën e duhur. Duke mos i lënë në harresë ngjarjet e të gjitha veprimet, që të ndjekin në periudhat e jetës.Tronditjet e furishme kur kaplojnë nuk pyesin për të jetuar. Ato të marrin e të japin ankthin dhe krijojnë vdekjen, nuk pyesin as për moshën, as për dashurinë, e as për mallin që ke  e për motet në vijim. Tronditja vjen  për të këputur  fatin  pa ngushëllim. Njeriu, pastaj lidhë  hallkat e zinxhirit dhe krijon betejën  për të vazhduar a për t`u ndalur, dashuria mund  tronditjen dhe krijon  optimizmin, sepse dëshiron që bima të prodhojë bimën e re dhe bota të ketë pamjen e saj.

Duke i soditur këto  vringëllime të jetës Gonxhe Letmi-Begisholli, gjeti frymëzim  dhe arrin te sensibilizojë të rrahurat e zemrës për të kristalizuar  ëndrrën dhe pasionin e saj. Brenda vargut të këtij vëllimi komunikon  me plagët  e ruajtura në thellësi, të cilat edhe kanë mbetur edhe si kujtesë, por edhe si frymëzim për të shkrirë magjinë e fjalës në vlerën artistike, e cila vjen si rezultat e përjetimeve  personale gjithnjë në artikulim të brendshëm për të shfaqur objektivin real.

Përmbledhja poetike  “Pasion ëndrre” ka  strukturë dhe organizim të shlirshëm brenda poezive dhe vargjet e tërësishme të saj  komunikojnë nëpër kohë e ngjarje të ndryshme, të cilat  në brendi ruajnë pikëpamje kronologjike, të përjetimeve,apo të ndodhive jetësore të autores. Këto edhe forcojnë  idenë edhe si formë, edhe si  simfoni të pakëputur në botën shpirtërore të saj.

Tematika e shtjelluar brenda vargjeve shigjeton momente e skena interesante, nëpër të cilat ka kaluar shtegtimi dhe fati i autores. Këto pamje  kanë ngjyrimet e veta dhe vargut ia shtojnë rëndësinë e komunikimit me të ndodhurat, të cilat të ndjekin  sikur  bëhen pjesë e pa ndërprerë në të gjitha stinët e jetës. Duke hyrë në brendinë e këtij vëllimi lexuesi  mund të komunikojë me botën  artistike të kësaj simfonie e malli, sepse Gonxhe Letmi-Begisholli në tërësinë e librit ka trajtuar, afruar  peizazhe burimore, të cilat krijojnë pamje origjinale dhe në këto pamje kemi shfaqjen e një pikture me kolorit autokton, sepse në të dominon: malli,dashuria, fëmijëria,mikpritja,krenaria, atdheu, kurbeti,aty edhe shërohen plagët e Gjergj Elez Alisë.

Pra, vëllimi hapet me poezinë “Dibra bujare”, Dibra  të kthen në retrospektivë për shumë arsye, por ato që dallojnë  janë më të reja, sepse ende ruhen kujtimet e gjalla  të eksodit të vitit 1999 të popullatës shqiptare të Kosovës, të cilat sikur  ringjallin feniksin autokton.

Disa poezi, autorja i ka kushtuar nënës, për të cilën ruan në kujtesë momente të hidhura dhe sikur mungesa e saj e ka ndjekur  gjatë gjithë jetës. Mirëpo, ajo është e vetëdijshme për rolin që ka edhe vetë si nënë dhe në vargjet e saja pastaj buron ,dashuria për fëmijët e saj dhe kjo dashuri  e flladitë e lexuesin dhe ka kthjelltësinë e pa fund të detit. Pra, fillimi i jetës dhe ndryshimet e saj janë shumë esenciale dhe krijojnë raporte produktive për zhvillimin e proceseve   shoqërore, për të saktësuar se fëmija te shqiptarët  ka vlerë dhe rëndësi edhe mitike, sepse vetëm përmes gjenit e gjeneve tona jemi këtu ku jemi dhe kjo traditë është një thesar ndër thesarët e nënave tona.

Sakrifica  dhe dashuria ka kuptim për atë që e do , e çmon dhe jeton për të. Prandaj, kur njeriu mëton  diçka, arrin të bëjë shumë dhe vërtet zemra kur ndjen mall e zjarrmi  ajo shkrin  edhe akullnaja, dhe vargjet e poezisë “Për Ty” shpalosin këtë ndjenjë:

 

Për ty, do zvarrite tërë jetën

Saharanë do bleroja

këngën e zogjve do këndoja

në kraharorin tënd.

 

Për ty do pushtoj Everestin

akullnajat do shkrijë

si puhizë faqet të përkëdhel

dashurinë për ty përpijë.....

Për ty....!

Fq. 21.

Ndërsa, në poezinë “Jetë studentore”, autorja  kthehet në retrospektivë dhe kujton me mall  ditët studentore, ajo përkujton orën policore dhe netët e pagjuma të rinisë plot ideale për liri. Njëherit kjo ishe koha e fillimit të lëvizjeve kombëtare, që shqiptarët filluan të homogjenizohen krejt një mënyrë tjetër dhe fillon një fazë shumë e rëndësishme për organizim më të mirë kombëtar, e që është fillimi i shkëputjes nga diktatura serbe. Pajtimi i gjaqeve solli një unifikim në jetën studentore dhe i dha frymë  e jetë më të mirë largimit nga sundimi  totalitar, prijësi i pajtimeve te gjaqeve Anton Çetta, bashkë me studentët lidhi gjeneratat dhe kohët për të shëruar plagët, e kjo mori kuptimin e një ngjarjeje të pranueshme për tërë popullatën dhe sikur i dha kuptim kohës dhe të ardhmes sonë për ta mundur robërinë dhe vërtet e mundi. Këtë kohë autorja e quan “Jetëbukur studentore”.  Kurse poezia e fundit e këtij vëllimi”Pasion ëndrre”, me të cilin titull është pagëzuar dhe ky vëllim, dikton  trazimin e muzës poetike, që vë në qarkullim për një ëndërr  të bukur drejt të ardhmes me shpesë se koncepti meditativ shpalos afinitetin në kërkim të vetvetes.

Gonxhe Letmi-Begisholli në këtë vëllim të parë poetik ka identifikuar ngjarje nëpër kohë, për të  cilat ajo ka shënuar fakte, duke  qartësuar  e dokumentuar intimitetin e saj përmes  perceptimit  imagjinativ dhe shpalosjes së botëkuptimit të avancuar  në suaza të kornizave  e fenomeneve që  shprishën zhvillimin tonë etnik. Tërësia e veprës është shkruar në  formë të lirë dhe plotëson zhvillimin e një trendi letrar që ka marrë përmasa në shpalosjen  e një dimensionaliteti aktual letrar në këto dy dekadat fundit .

Formësimi i vargut dhe pasioni poetik ruajnë në vete  simfoninë e pakëputur të  ëndrrës dhe mallit që shkrihen në figuracion  si dhe në identifikimin e përditshmërisë ekzistenciale. E që autorja  të jep mbresa se është në thellimin e  qëndrueshëm të fjalës së bukur artistike.

 

Gusht, 2011



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora