E enjte, 25.04.2024, 03:54 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Na jem' ti

E shtune, 20.08.2011, 06:59 PM


NA  JEM’ TI

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Deri vonë Shqipnia kristjane ruente një veçori të shumë vendeve të tjera europjane. Secila kështjellë, qendër e popullueme dhe krahinë, e ma vonë edhe fshatrat, festonin me madhështi ditën e një Shejti, që thirrej Pajtori i atij vendi. Gati shtatë km. prej Shkodre, mbasi kalon Urën e Bunës, poshtë malit të Taraboshit, djathtas, krejt buzë liqenit, asht Shiroka.

Dikur asht thirrë “Venediku i vogël”.

Aty me 16 gusht asht kremtue festa e Shna Rrokut. Tue kenë krejt afër Shkodre, nuk mungonin edhe një pjesë e mirë e qytetarëve me marrë pjesë në këte festë, që edhe mbyllte sezonin e plazhit, aq shumë të pelqyem prej rinisë. Qysh në mëngjez heret mbusheshin barkat dhe lundrat tek mola e Urës së Bunës dhe nisja pothuej e njëkohëshme në drejtim të Veriut ishte diçka e mbrekullueshme. Lundrimi në liqe të kënaqte synin e shpirtin. Ndryshej prej ditëve të tjera, atë ditë pjesa ma e madhe grumbulloheshin tek Kisha. Pritja aty bahej nga ma të moshuemit e fshatit, të cilët rreshtoheshin simbas rradhës së Bajrakut. Mbas tyne vazhdonte rreshti i pafund i banorëve të vendit shoqnue me miqë e dashamirë të ardhun për këte festë. Një pjesë e miqëve mbërrinte aty edhe një natë para. Nisja e Proçesionit bahej nga Kisha. Ata ecnin në drejtim të krahut të djathtë prej Kishës, mandej merrnin drejtimin nga rruga sipër malit. Në duer mbanin lule, qira, rruzare, fëmijë të vegjël kraheqafë, dhe vazhdonin rrugën tue këndue kangët tradicionale të kësaj ditë. Ecnin derisa zbrisnin poshtë tek rruga kryesore dhe ngjitja bahej në rrugën nga ana e majtë e Kishës, tue thanë uratë, lutje e falnderime për të mirat shpirtnore, shëndetësore e familjare....Vargu i njerezve dukej i pafund. Dikush lypë një nder, disa të tjerë me lot për faqe, plot shpresë, presin diçka....Shumë fëmijë vështrojnë me kujdes e vrapojnë mbas turmës....Përpara krejt këtij korteu prinë statuja e Shejtit e mbajtun nga katër djelmoça.

Tek gjuni i shpërvjelun i Shna Rrokut asht edhe një qen i ngjeshun për kambë, që plagët ia lepinë, me gjuhë ia pastron e besnik i qendron.

Ndoshta, Europës, ky qen me né i shëmbllen....

Pajtori ynë!...Siell sytë e dritë prej nesh, se Shqipnia jé Ti!

Copa copa pjesët ma të mira prej trupit na i morën...

Ata na i shkyen e, né na shëmtuen. Skelet kemi mbetë, por në kambë qëndrojmë!..

As njerëzit nuk dijmë ku i kemi, dikund rrugëve tretë....e, shkapërnda....

Një natë nuk e mblodhëm rreth votrës… Djelmëninë Shqiptare!

....Ç’ prej Asaj Dreke të t’Madhit Gjergj Kastrioti!

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora