E premte, 19.04.2024, 07:27 AM (GMT+1)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Seminari mbarëkombëtar i mësuesve të diasporës, zgjerim horizonti i mësimit shqip

E marte, 16.08.2011, 08:05 PM


 

Seminari mbarëkombëtar i mësuesve të diasporës, zgjerim horizonti i mësimit shqip

 

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë

 

Tani më tradicional, seminari i mësuesve të diasporës u mbajte këtë vit për të dytën herë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Ishte ky seminari i shtatë radhazi në trevat shqiptare i nisur nga seminari i parë në Bernë të Zvicrës (2003). Seminari u organizua nga MASHT e Kosovës dhe MASH e Shqipërisë. Mbi njëqind mësues seminarist ishin nga e gjithë Europa. U mbajt në Hotel Emerald  i cili ofroi kushte të shkëlqyeshme për punë. Seminarin e hapi Znj. Nexhmije Mehmeti, mësuese nga Zvicra.    ,,Të dashur kolegë/e, organizimi i këtij seminari nga ministritë tona do të thotë mbështetje e punës fisnike të mësuesve/eve që drejtë për së drejti i shërbejnë ruajtjes së identitetit kombëtar të fëmijëve shqiptar”-tha mes tjerash ajo. Pastaj në emër të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë përshëndeti Z. Besnik Rama.  Nga zyrtarët kosovar  përshëndetën seminaristet Z. Ramë Buja ,ministër i arsimit të Kosovës; Z. Ibrahim Makolli, ministër për diasporë dhe Z. Isa Mustafa, kryetar i komunës së Prishtinës. Në fjalët e tyre përshëndetën ata përgëzuan mësuesit/et   për  punën e tyre me rendësi kombëtare në ruajtjen e gjuhës e kulturës kombëtare në gjeneratat e reja që shkollohen  jashtë atdheut. Të gjithë në  fjalët e tyre u zotuan se do e  përkrahin gjithanshëm mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Prezent ishte edhe zëvendësministri z.Nehat Mustafa.   Në ditën e dytë të seminarit ishte e pranishme edhe  Mag.art. Ardita Statovci, pianiste e rangut të lartë në Europë e cila jeton e vepron në Salzburg, vendlindjen e gjeniut të muzikës klasike, Amadeus Mozart.  Ajo  u trokit gjatë nga mësuesit/et  mërgimtarë pas përshëndetjes nga drejtuesi i seancës së punimeve z.  Nuhi Gashi .

 

Ligjëruesit  mysafir

 

Nga mysafiret  e shteteve tjera ishin Dr.Dr.Basil Schader nga Zvicra dhe Dr. Katrin Hohman nga Gjermania. Vlen të veçohet  Dr.Dr. Basili i cili është pjesëmarrës i rregullt në seminaret tona dhe gjithmonë aty ku është nevoja më e theksuar për nxënësin e mësuesin, pajisjen me  tekstet shkollore. Edhe kësaj radhe ai ndihmoi në konceptin hartues e didaktik të  teksteve shkollore për fëmijët tanë në diasporë. Është ky projekt i financuar nga Zvicra nën përkujdesjen e Dr.Basil i cili ka hy në fazën përfundimtare. Janë gjithsejtë 19 tekste të konceptuara si fletore tematike me një strukturë të përshtatshëm   për mësim nxënie e mësim dhënie. Pritet që të gjitha të përfundohen deri në tetorin e këtij viti.  Dr. Katrin Hohman, paraqiti temën: ,,Funksioni dhe rëndësia e mësimit të gjuhës dhe kulturës së origjinës“. ,,Në Gjermani tema më e diskutuar është dygjuhësia ku më shumë se 50% e fëmijëve janë bilingual. Gjuha ka të bëjë me vendlindjen, me identitetin, me botën e moderne të globalizuar. Mungesa e mësimit të gjuhës amtare është mungesë në vet suksesin e shkollimit në tërësi. Ministria e shtetit gjerman nuk reagon në këtë fushë sa duhet, tani po shkollohen mësues për shumë gjuhësi, por gjërat po rrjedhin shumë ngadalë. Ju po e quani mësim plotësues, por jo, ai duhet të jetë mësim i barabartë në shkollë e jo vetëm diçka plotësuese siç është tani. Vetëdija për rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare në gjermani është duke u rritur dhe  po depërton edhe tek institucionet përkatëse gjermane. Kjo shtrohet në diskutime e analiza në shumë seminare”-theksoi mes tjerash znj.Hohman.

 

Ligjëruesit vendor

 

Dr. Drita Statovci, ligjëroi temën: ,,Veshjet dhe Identiteti” e cila u prit mirë nga mësuesit dhe u cilësua si ligjërata më me vlerë në praktikën e ruajtjes së vlerave nga trashëgimia kulturore e popullit tonë në shekuj. Koloriti i veshjeve kombëtare nga trevat shqiptare janë të vlerësuar shumë edhe nga të tjerët. Etnologia  Dr.Statovci e prezantoi me fotografi e fjalë origjinalitetin e veshjeve në prizmin etno-historik e praktik si vlerë e pandarë e artit dhe estetikës. Dr.Tomi Treska, nga UN-i Tiranës ligjëroi temën:,, Pasqyrimi i rolit të diasporës në programet e historisë së popullit shqiptar në arsimin para-universitar”

Nevila Mehmeti, mbajti temën: ,,Kërkimi historik në funksion të mësimit global dhe nacional”; Dr.Ndriçim Mehmeti , ligjëroi temën: ,,Interpretimi historik dhe veçoritë e tij në programin e diasporës” ; Dr.Dhimitër Doka e Dr.N.Mehmeti, paraqitën temën: ,,Shqiptarët në hapësirë dhe kohë”

;Edlira Sina e Mirela Gurakuqi, u paraqitën me temën: ,,Forcimi i partneritetit mësues-prind në integrimin e mësimit në diasporë”. Ligjërata e z. Nuhi Gashi ishte: ,,A është multikultura gjithnjë interkulturë? Vështrim në kontekst të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues”. Ishte kjo një ligjëratë nga njohuritë e z.Gashi  rreth MP  në diasporë si njohës i mirë i problematikës nga lëmi i kulturës në ndërthurjet me kulturat tjera.   Dr. Florim Isufi  ligjëroi temën: ,,Kategoritë gjeografike të Atdheut në funksion të identitetit”.  Ishte kjo një temë e dobishme për seminaristët në konceptimin e ri të nocioneve gjeografike nga gjithë trevat shqiptare në kontekst me nevojën e mësimdhënies në diasporë. Elfrida Begaj e Erida Koleci mbajtën kumtesën e tyre në punëtorinë tematike me titull: ,,Zhvillimi i aftësive komunikuese nëpërmjet trajtimit të disa krijimeve folklorike shqiptare”. Një temë mjaftë interesant dhe me interes ishte tema e mbajtur nga Besnik Rama (MASH) me temën: ,,Zotërimi i veçorive fonetike dhe morfosintakse të gjuhës shqipe dhe aftësimi i nxënësve për të punuar me tekste letrare dhe jo letrare”. Z.Arif Demolli,moderoi diskutimin në grupin tematik me titull: ,,Reflektime profesionale nëpër grupe pune pas përdorimit të Fletoreve Tematike” Fletorët Tematike, si pjesë e projektit për hartimin e teksteve unike për shkollat  në diasporë. Tani ato të nivelit të parë (kl.1-3) qe nga fillimi i vitit janë në duart e nxënësve në disa shtete. Është nevoja që ministritë përkatëse të përkujdesën për furnizimin e të gjithë nxënësve në të gjitha shtetet me këto tekste praktike e përmbajtjesore krahas teksteve tjera. Në diskutimet e tyre u tha se përkundër disa të metave, ato e kanë plotësuar një pjesë të mirë nevojën për tekste mësimore në diasporë si asnjëherë më parë.   Në seancën plenare të  ditës së katërt referuesi Anton Antoni mbajti temën: ,,Revista ,,Mësuesi” dhe arsimtarët e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë”. Ishte kjo një letërnjoftim i ri mbi revistën ,,Mësuesi” e cila i dedikohet arsimimit dhe edukimit si veprimtari me rëndësi shoqërore. Tani në rrugën e integrimit gjithëkombëtar në fushën e kulturës ,,Mësuesi” ka dimension të ri gjithëpërfshirës. Në këtë vazhdë edhe mësimi  shqip  në diasporë bashkë me mësueset/it  e kanë vendin në faqet e kësaj reviste pedagogjike me traditë e redaktuar me sukses nga referuesi.  Johana Shahini u paraqit me temën mjaftë interesante: ,,Rrënjët historike perëndimore të arsimit shqiptar”. Ishte kjo një argumentim fakto grafik i orientimit perëndimor të shkollës shqipe, përkrahja e fuqishme e perëndimit ku dallohej Austria dikur e tani në ndihmë për themelimin  e ndërtimin e  shkollave në hapësirat shqiptare.   Së bashku me kumtesën e tyre u paraqiten, Akademik Vaso Tole e Majlinda Hala. Tema ishte: ,,Trashëgimia  kulturore përmes njohjes konkrete të vlerave kombëtare”

 

Ligjëruesit  nga  përvoja praktike

 

Shkrimtari Rizah Sheqiri, mësues në Suedi paraqiti përvojën e tij nga praktika mësimore në temën: ,,Gjuhëtarët e vegjël , përvojë nga puna me parashkollorët”. Një temë me interes për të gjitha mësueset mërgimtare të cilat në klasat e tyre kanë nxënës të moshës parashkollore”. Mësuesja me përvojë nga Zvcra,Znj. Nexhmije Mehmetaj mbajti temën: ,, Vështirësitë e nxënësve gjatë mësimit plotësues të gjuhës shqipe”. Kjo temë me bazë nga përvoja u trajtua si temë jo vetëm e rrethit praktik të ligjërueses por e gjithë hapësirës europiane ku zhvillohet mësimi plotësues. Z.Vladimir Pasku, në grupet tematike paraqiti temën: ,,Përdorimi i treguesve cilësorë për vlerësimin e një ore mësimi”. Ishte kjo një përvojë  me vlerë në funksion të përsosjes së treguesve cilësor në suksesin e mësimdhënies e cila u diskutua gjerësisht në gërshetim me përvojat individuale. Xhevat Isufi, mësues në Suedi paraqiti pjesë nga praktika e ekskursioneve në vendlindje  ,,Ekskursionet mësimore; prezantim multimedial”.

 

Promovimet

 

Mësuesit krijues promovuan para kolegëve krijimet e tyre të fundit. Kjo e tregon se mësuesi ynë është krijues dhe hulumtues duke lënë gjurmë në rrjedhat e kulturës sonë. Ato çmohen nga vendoret dhe shpesh janë ura miqësie ndërkulturore. Kjo duhet  parë nga organet kompetente të ministrive tona më konkretisht në ndihmë materiale të autorëve, veçan në mundësinë e botimeve dhe  përkthimeve. Kjo ka peshë në synimet tona  si pjesë e integrimit ndërkulturor në kontinent. Ramadan Reshitaj promovoi librin ,,Shkolla Shqipe në Suedi”. Libër ky me një këshill redaktues nga:Muhamet Muriqi,Prof.Dr.Muhamet Shatri,Isuf Bajraktari,Shaban Gashi,Qerim Kryeziu,Adem Qerimaj,Xhevat Isufi dhe Osman Ahmetxhekaj. Ky libër u cilësua  nga diskutuesit si libër me vlerë në historikun e shkollës shqipe në Suedi por edhe në kulturën kombëtare si tërësi. Z.Ragip Ramaj, para mësuesve paraqiti revistën ,,Dorintina” si e vetmja revistë për nxënësit që botohet në diasporë. Ramaj është redaktori ,,Doruntinës” e cila ka një përmbajtje të pasur, andaj, nga shumë mësues shfrytëzohet si burim temash interesante në punë me nxënës. Aty botohen krijime të nxënësve e mësuesve të diasporës.

Gazetari dhe publicisti, Abdurahim Ashiku në vargun e publikimeve të tij kësaj radhe me ,,Rrëfimet e Komshiut”(libër me tregime të jetuara) ishte pjesë e publikimeve. Z. Ashiku me ciklin e publikimeve të tij të mëhershme  ,,Njerëz që i dua” e pasuroi rrjedhën e krijimtarisë që kultivohet tek mërgimtarët në Greqi. Sejdi Gashi,mësues në Gjermani promovoi ,,Monografi e komunitetit shqiptar në Gelsenkirchen-Gjermani”. Libër me vlera hulumtuese e cila i kalon vlerat e një monografie duke u lidhur me rëndësinë historike të kohës së veprimtarisë së autorit dhe bashkë mërgimtareve të tij.

Çerkin Bytyqi, u paraqit me ,,Urë Atdheu- monografi në 25-vjetorin e Shkollës Shqipe në Düsseldorf e Dormagen të Gjermanisë”. Kjo vepër u redaktua nga z.Frrok Kristaj.  Ç. Bytyqi  tani është emër krijuesi e hulumtuesi  në historikun e kulturës jo vetëm në rrethin të tij. Puna e tij prej hulumtuesi le gjurmë shkencore për lakmi në kohë e hapësirë. Një autor i ri por ambicioz na shfaqet Driton Gashi nga Gjermania me librin e tij ,,Këngë të paharruara shqiptare“, ku janë të regjistruara 141 këngë. Emocione të veçanta zgjoi mirënjohja për mësuesit e veprimtarët veteran të pensionuar gjatë këtij viti: Çerkin Bytyqi, Hamza Halabaku, Hamzë Morina, Sabri Gashi, Sejdi Gashi. Ata i përgëzoi për kontributin me vlerë kombëtare Z.Ramë Buja, ministër i arsimit të Kosovës.

 

Të veçantat

 

Znj. Dr.Hohman, pjesëmarrëse nga Gjermania iu nda dhuratë nga KASh ,,Naim Frashëri” në gjermani,  një pikturë e kryeqytetit të Kosovës. Atë e ndau kryetari i shoqatë z.Xhemshir Haziri, kryetar.

Seminari i sivjetmë dallohet me një punë efikase ku u prezantuan tri ministri(dy të arsimit dhe ministria e diasporës). U shpreh një interesimi i theksuar në unifikimin e kurrikulave të të dy ministrive që i përkasin diasporës. Seminari u mbajt në një ambient të përshtatshëm për punë.

 

Të metat

 

Njëra nga të metat ishte numri i vogël i  kumtesave nga përvoja praktike e mësuesve. Nuk u punua mjaftë në rrethe grupore dhe nuk kishte shënues të vërejtjeve dhe kërkesave të seminaristëve. Munguan ,,Woorkshop-et” me materiale direkte të mësuesve respektivisht këndet e krijimeve me materiale mësimore ashtu siç organizohen në seminaret e vendeve perëndimore. Efektin praktik

e ulë nxitimi në ligjërim dhe mos plotësimi me ide e risi nga të tjerët. Seminari zgjat pak që të arrihen efekte trajnuese në lemën përkatëse, muzikë, art e gjuhë.

 

Shënime

 

Nga qindra mija fëmijë në diasporë, mësimin shqip e ndjekin më pak se 8%  tyre. ,,Shqiptarët në mërgim dalëngadalë po pësojnë njërën nga këto dy fate: një pjesë po tretet duke e harruar gjuhën shqipe, një pjesë arritën ti krijojnë qendrat e tyre kompakte shqiptare  dhe shkollën shqipe e cila u bë pjesë e jetës së tyre”.

,,Mësimi i gjuhës amtare ndihmon në suksesin e nxënësit në gjuhën e shkollës”. Përkundër këtij konstatimi shkencor, prindërit tanë hezitojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin e gjuhës shqipe”.

 



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora