Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Si jetojnë shqiptarët në veri të Mitrovicës?

| E diele, 14.08.2011, 11:28 AM |


 

Tensionet e fundit në veri të Kosovës, nuk janë asgjë e re për banorët shqiptarë të Lagjes së Boshnjakëve. Presionet 12 vjeçare bën që më se 80 % e këtyre banorëve të shesin pronat dhe të shpërngulen.

 

Mërmëritje ndër dhëmbë dhe përgjegje në të ikur janë ato që mora pas çdo përpjekjeje të hedh dritë mbi përditshmërinë e banorëve të Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës. Pa emra, pa fotografi, pa prononcime... në këto kushte duhet kapur realiteti i kësaj pjese të Kosovës, i cili është edhe më i veshtirë se në dukje.

“Me 2001 kur serbët na hodhen granatën, kush mori masa? Shpiat po shiten…Shqiptarët po shpërngulen…S´kem çka bisedojme oj motër! Se me ia nis me t´shpjegu unë ty, ditë e natë duhet me bisedu. E çka ka prej asaj pune?", përgjigjet pronari i një qebatoreje në këtë Lagje

Heshtja s´është gjithmonë flori

Veriu i Kosovës.Pamje nga veriu

Lagja e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës rreth 100 metra në të djathtë të lumit Ibër, ura e të cilit lidh qyetin e Mitrovicës por ndan shtetin e Kosovës, deri në shpërthimin e luftës ishte e banuar me 10,000 shqiptarë. 12 vjet pas, struktura e saj ka ndryshuar dhe rreth 2.000 shqiptarët e mbetur, tashmë janë pakicë mes popullatës serbe të vendosur gjatë dekadës së fundit. "Ky ishte edhe qëllimi i politikës së vazhdueshme të qeverisë së Serbisë, e cila nëpërmjet instrumenteve të ndryshëm të krijuar në këtë pjesë të Kosovës ia ka dal të bëjë spastrimin etnik", mendon Ahmet Jashari, zëdhënës i komunës së Mitrovicës.

 "Presione fizike dhe psiqike, meqënse nuk ka javë që nuk ndodhin incidente në atë pjesë. Zakonisht, sulmohen shqiptarët, sulmohen të rinjtë. Në vazhdimësi ka hedhje granatash dore ose shkrepje me armë të tjera. Me këtë është kriju një gjëndje jostabile dhe një presion i vazhdueshëm i cili ka detyruar banorët ose të zhvendosen nga shtëpitë e tyre ose t´i shesin ato“, thotë Jashari.

Megjithëse të ndarë me vetëm një urë nga pjesa tjetër e Kosovës, shqiptarët në këtë pjesë jetojnë si në një botë tjetër, me lëvizje të kufizuar, pa siguri dhe në gjendje të vështirë ekonomike. "Banorët e këtushëm kryesisht jetojnë me pune krahu dhe nga ndihma sociale, e cila në masë të madhe edhe po iu ndërprehet”, thotë Florent Azemi, përfaqesues i Lagjes.

"Liria është në anën tjetër të Urës së Ibrit"

Ata nuk flasin për sigurisë, ankohen se shteti nuk i mbron sa duhet. Ndërsa liria u duket larg, e paprekshme, ndonëse është shumë afër - vetëm lumi i ndanë nga ajo...

„Jaaa, unë nuk flas se kur të dalim kah ura na bajnë…Këtu jetojmë me serb të armatosur, me njerëz të MUP-it (Ministria e Puneve të Brendshme e Serbisë)", thotë njeri.

“Jo, more s´po flas se kur po hajna dajak, s´po vjen kurrkush me na pa”, shton tjetri.

“Serbët folin se i mbron Serbia, a neve s´na mbron kurrkush“, thonë të gjithë njëzëri.

Ndërsa, për nivelin e bashkëjetesës në kushtet aktuale, Florenti përgjigjet:“Ne me banorët vendës, fqinjtë serb, nuk kemi pasur raporte t´kqija. Problem gjithmonë kanë qënë ardhacakët, të cilët kanë ardhur s´di prej kah dhe janë vendosur në objektet e ndërtuara. Ne nuk i njohim ata dhe kjo për ne është shqetësuese“.

Presionet shkaktuan shperngulje masive të shqiptarëve nga veriu

Veriu i Kosovë´s. Kush i kontrollon këto rrugë?

Presionet e ndryshme kanë shkaktuar shpërnguljen e mbi 80 % të banorëve të Lagjes së Boshnjakëve. "Qëndrimi larg i institucioneve shtetërore është një arsye më shumë", thotë Florenti.

„Shteti ynë nuk ka pas dorë ktu, prandaj popullata është demoralizuar dhe ka fillu me shitjen e pronave. Por, pavarësisht kësaj, ne kemi një të drejt fetare, morale, trashëgimore dhe si të rritur nën doktrinën e Kanunit, konsiderojmë se shitjet e pronave kanë qënë të dëmshme për neve”, shpjegon Florenti, duke pohuar se pronat iu jane shitur serbëve të ardhur apo qeverisë së Serbisë, megjithese jo me shuma marramendëse, siç besohet.

“Ajo dihet haptas se kujt ja kanë shit - qeverisë së Serbisë! Është spekulu se kanë marrë shuma të mëdha, por unë mendoj se ato shuma nuk kanë qënë aq marramendëse. Te gjitha ato familje të cilat i kanë shit pronat, nuk kanë mund me e gjet veten ne pjesë të tjera”, thotë Florenti.

Dështimet e institucioneve

Sipas Jasharit, shitjes së pronave të shqiptarëve të veriut i ka paraprirë edhe politika e njëanshme ndërkombtare. „Në pjesën e veriut, pjesa më e madhe e ekzekutivit përbëhej nga UNMIK-u, të cilët kanë bërë një politikë shumë të njëanshme dhe diskriminuese për shqiptarët. Këtu, si dëshmi mund të përmend faktin se serbëve ju lejohej ndërtim i objekteve shumëkatëshe në pronat e shqiptarëve, përderisa shqiptarëve nuk ju lejohej ndërtimi i shtëpive të djegura dhe të rrënuara nga lufta“, thotë ai.

Kryeministri Hashim ThaçiÇfarë po (s'po) bën qeveria?

Në dy vitet e fundit, komuna e Mitrovicës e përkahur nga pushteti qëndror ka ndërtuar mbi 100 shtëpi, përfshirë këtu edhe Lagjen e Boshnjakëve, Lagjen e Doktorëve dhe Kroin e Vitakut, në veri të Mitrovicës. Këtu ka familje të cilat pas dhjetë vjetësh janë kthyer në vatrat e veta. Investime janë bërë edhe në infrastrukturë rrugore, për të lehtësuar jetën e disa fshatrave tashmë në kuadër të komunës së Zveçanit si: Boletini, Zhazha dhe Kelmendi si dhe në fshatin Vidishiq, në veri të Mitrovicës.

Tendosjet e fundit dhe bashëjetesa

Zhvillimet e fundit në veri kanë rënduar edhe më shumë jetën e shqiptarëve të veriut. Por, nuk ka zhdukur vullnetin për bashkëjetesë.„Tensionet janë të vazhdueshme. Mirëpo, në asnjë mënyrë ne nuk thërrasim në urrejtje ndërnacionale dhe dhunë ndëretnike, sepse ne jemi për qetësi dhe paqe dhe do t´gjejmë mënyra për t´bashkjetu dhe për t´qenë një shoqëri demokratike dhe bashkëkohore, siç është në gjithë Evropën. Ne jemi për bashkëjetesë dhe ne kem besim të KFOR-i, Policia e Kosovës dhe instituconet tona“, pohon ai.

Zëdhënësi Jasahri thotë se komuna e Mitrovicës do të qëndrojë pranë banorëve të vet. „Ne vazhdimisht e veçanërisht gjatë kësaj kohe, kemi qënë dhe mbetemi me ta. Përkundër rrethnave e shoqërore ne do t´vazhdojmë t´i mbështesim në çdo moment dhe në çdo situatë. Ata në asnjë moment nuk duhet të ndjehen të braktisur.

Sipas statistikave, Mitrovica dikur i kishte rreth 100 mijë banorë, përfshirë edhe Zveçanin i cili tash vepron si komune më vete. Pas zhvendosjes së një pjese të madhe të sqiptarëve të veriut në jug, vetëm në këtë pjesë të qytetittani jetojnë rreth 80 mijë banorë.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Bahri Cani

DW - Për ZSH: Tahir Shabani