E enjte, 28.03.2024, 06:05 PM (GMT)

Kulturë

Kolec Traboini: Veçse nuk na quajnë Zoo….

E diele, 14.08.2011, 11:58 AM


KOLEC TRABOINI

 

VEÇSE NUK NA QUAJNE ZOO….- esè

 

Diskutojmë për pasuritë dhe askush këtu nuk thotë se cilat janë rrugët e pasurimit në Shqipëri. Nëse 5% e popullsisë ka para të pafund dhe miliona, a më thoni se çfarë u bë me 90% të mbetur pa pasuri. Si shpjegohet se në vitin 1991 ikëm nga ...sytë këmbët me mendimin se jashtë mund të bënim diçka të hajrit për jetën tonë sepse në Shqipëri çdo gjë qe shkatërruar, e kur u kthyem këtu të ngelnim pa mend përpara bosavë të mëdhenj për t`ia pasur zili edhe amerikanët. Si ndodhi ky pasurim i menjëhershëm. Padyshim duhen respektuar pronat, por ka një gjë, nëse shteti nuk e kontrollon mënyrën e pasurimit dhe nuk frenon rrugët e paligjshme ai shtet bie viktimë e së keqes. Unë nuk po arrij të kuptoj as të djathtën e as të majtën me shkakun se nuk dëgjoj të flitet për gjëra konkrete.

Flitet në përgjithësi, flitet për politikë dhe nuk vë re të flitet për gjëra që kanë interes qytetar. Ta zëmë, kushdo që ka jetuar në Amerikë e di se nuk taksohen mallrat ushqimorë, por këtu çuditërisht të taksojnë. Po çfarë ndodh. Një njeri që merr ta zëmë një pension 15 000 lekë vetvetiu i zbritet 20 përqind për çdo gjë që është detyruar të blejë apo paguajë. Pra ajo çfarë merr është thjesht 12 000. Përtej kësaj çfarë takse kanë kompanitë e shërbimit, ta zëmë celulare. Sa përqind të fitimit i japin taksë shtetit? Nëse ata i japin shtetit 20 % atëherë këtë 20 % ato ia marrin qytetarit dhe vetë nuk japin asgjë dhe dalin me fitime të pataksuara. Më duket se shqiptarët janë populli më gjumash i Europës. Nuk reagon fare edhe pse ia marrin shpirtin. Mendoj se është detyrë e forcave politike që të shërbejnë si mekanizma presioni për të lehtësuar qytetarët nga kjo mënyrë të rrjepuri prej kompanive me të cilat bashfajtor është shteti. Të folurit në përgjithësi nuk është asgjë më tepër se demagogji.

Mua më vjen keq që nuk gjej asnjë forcë politike që të mbështesë jëten e qytetarit e ta mbrojë atë. Ka qënë shprehje e saktë që politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë, por tani politika nuk është gjë tjetër veç shprehje e koncentruar e sofizmit.

Teorikisht çdo kush hap një libër apo gjen ndonjë sajt interneti për të saktësuar qëndrimet e krahëve të politikës ndaj pronës, por unë mendoj se thelbi nuk është qëndrimi ndaj pronës së trashëguar, sepse ajo duhet njohur pa kurrfarë kushti, por ndaj pasurimit në mënyrën më habitorë në këtë vend. Unë kam jetuar 20 vjet jashtë dhe vë duart në kokë kur e prek këtë realitet. Këtu nuk bëhet kapitalizëm. Kjo mënyrë mund të quhet ujqëri. Nuk ka vend të botës ku shteti por edhe ekzekutivi të jenë aq indiferent ndaj qytetarit në këtë pikpamje. Nëse bëj ndonjë krahasim me Amerikën në pikpamje të marrdhënieve të shtetit me bizneset, e bëj jo për të denigruar vendin tonë por thjesht për të gjetur modele. Në Amerikë kushdo qofsh, edhe senator, nëse arkëton 10 mijë dollarë para në dorë në një bankë, automatikisht informohet FBI. E pra në Shqipëri mund të arkëtosh sa të duash, këtu ish ministry Prifti dilte e fliste për 1,5 milion Euro të fituara në një vit dhe çfarë rezultoi. Dialogu i filmuar Meta-Prifti për 700 mijë dollarë nuk çudit askënd. Madje njerëzit e thjeshtë të thonë “ E pastaj? Po ata mos qofshin të zotë për dallavere pse të vijnë në pushtet?” Pra psikologjia e përgjithshme është “I lumtë Metës”. Dhe rezultati është i paragjykuar. Ferrë në këmbë nuk do t`i hyjë as Metës e as Priftit sa të kemi gjygjtarë që i përfundojnë gjyqet pa një vendim duke i zvarritur e kështu çështja mbyllet. Kjo që ndodh këtu tek ne nuk mund të mendohet as në zemër të xhunglës. Pra jemi i vetmi vënd i botës ku po të mbërtheu ligji del i larë, i shplarë madje edhe i kollarisur si minoritari Delijorgji që me bandën e vet duke përfshirë ministra vrau 26 shqiptarë nën një kupolë bërthamore me emrin Gërdec që i shtohet Hiroshimës e Nagasakit.

Le të propogandojnë sa të duan kalemxhinjtë e zyrave nëpër ca revista idiote të bojatisura turistike. Le të vijë dhe bukuroshja e Hollivudit, Eliza Filip Dushku, të cilën unë për herë të parë e kam bërë të njohur në Shqipëri në vitin 2001 tek revista Klan, le të sjellë ekipe xhirimi illustrativë, le ta shfrytëzojnë me pompë dhënien e nënshtetësisë shqiptare. Prapë së prapë ne këta që jemi mbetemi.

Kjo është Shqipëria. Vendi me një sistem të falimentuar. Ne nuk kemi institucione që e mbrojnë qytetarin nga kompanitë hajdute. Ne nuk mbrohemi dot nga kompanitë e celularëve. Ne po na e merr shpirtin CEZ-I, kompania çeke që manipulon energjinë elektrike shqiptare, të prodhuar nga vet shqiptarët, që merr prej shqiptarëve para në mënyrë të njëllojtë sa merren në Amerikë për energjinë elektrike familjare, kur në Shqipëri të ardhurat janë mbi 10 herë më të ulta.

Ne kemi qeveri e nuk mund të themi se nuk punon. Por ama nuk e shohim të ndalë shfrytëzimin e egër që i bëjnë kompanitë celulare konsumatorit shqiptar. Tarifat celulare në Shqipëri janë disa herë më të larta se në Amerikë. Dhe nënpunësit e shtetit heshtin. Ne nuk i akuzojmë dot, por ama dyshimet janë se kompanitë celulare kanë korruptuar institucionet shtetërore të cilat nuk i thonë ndal kësaj vjedhjeje spektakolare.

Pse nuk hidhen këto kompani në gjyq? A ka prokurori që e mbron konsumatorin shqiptar apo kjo i është lënë vetëm një njeriu, avokatit Altin Goxhaj që del një herë në hënëz për të na thënë ca gjëra në përgjithësi e pastaj të mos dëgjohet për muaj të tërë. Kush e di edhe në atë zyrë ata të kompanive fitimprurëse kanë gjetur ndonjë vrimë nën derë për të darovitur për heshtjen.

Një vend i varfër si ky i yni, më qeveritarë që notojnë në lluks, më opozitarë më të pasur së pushtetarët, një vend ku njeriu nga varfëria hidhet nga kati i katërt e plaset përdhe i vdekur apo var veten në kasollen e bagëtive, kurrkush nuk të pyet se nga erdhën milionat e disa njerëzve enigmatikë, përkundrazi mentaliteti i përgjithshëm është, të lumtë se je i zoti e a ke gjë ta na japësh edhe ne.

Të mos flasim për kaosin politik shqiptar. Dihet së e majta europiane apo kudo xhanëm, është për shtet social, ndjek politikën e taksimit për kapitalet e mëdha dhe ndihmave për shtresat në nevojë. E djathta përkundrazi është për një stimulim të kapitalit dhe kapitalistëve me idenë se kështu zhvillohet vendi e si rrjedhim rritet punësimi dhe mirëqenia. Por dihet natyra njerëzore. Kapitalistët janë filantropë veç nga halli, e për t`i shpëtuar taksave të larta shpesh bëjnë ca filantropi të vogla. Edhe në Amerikë ka shembuj të spekullimeve të mëdha se si Qeveria u dha bankave shuma marramendëse dollarësh të cilat një Bankë në mënyrë spektakolare ua shpërndau punonjësve të vet si shpërblim. Puna shkoi deri në senat. Mirë tha në një intervistë TV regjisori Majkëll Moor, milionat e miliardat e popullit u jepen kapitalistëve për t`i bërë flush në banjo. E pra në qeveri janë demokratët amerikanë çfarë shpesh perifrazohen si të majtë... Ja se si e majta u jep miliona e miliarda dollarë për t`i grënë e dhjerë kapitalistët e djathtë.

Kur në Amerikë ndodhin këto merre me mend çfarë bëhet në vendin tonë ku ligjet janë të shkruara thjesht si ornament, si dekor për të qenë në konsensus me Europën. Fundi fjalës teoria e principeve mbi të cilat ndërtohen e partitë e programet e tyre nuk funksionon në Shqipëri ku e vetquajtur e majta bashkohet në qeverisje me të djathtën për realizimin e një program që nuk ka as kokë e as bisht.

Nuk dimë në cilin vend të botës veç në Shqipëri e djathta edhe e majta kanë një program e flasin me të njëjtën terminologji sa dhe slloganët i kanë thuaj njësoj “Aleanca për të ardhmen” , “Aleanca për qytetarin”.

Ku është ndryshimi, veç fytyrës së bukur të atyre që përfaqësojnë këto sloganë.

Këta politikanë që luftojnë me njëri-tjetrin si beu me beun për zotërimin e feudeve, ky shtet rrumpallë, ku njëri prish e tjetri ndreq- për të prishur sërish si në legjenda, ku në mes të Tiranës nis puna për një shesh e bëhet përshesh, ku ai që vjen nuk pranon planet e atij që ishte e qe iken, sepse do të bëhet siç them unë; kjo krenari boshe pra, këto qeveri që shkojnë e vinë si murtaja, këto opozita të papërgjeshme, janë në thelbin e tyre antipopull.

A nuk e kuptoni se na konsiderojnë të gjithëve një tufë hajvanësh.

Të them të drejtën kur i shoh të jenë kaq të pistë më zgjohet një dell anarkizmi.

Natyrisht i injektuar nga fakti se kemi në udhëheqje njerëzit më të papërgjegjshëm të këtij kombi.

Shkoni shihni kopshtin zologjik të Tiranës si është katandisur në këto njëzet vjet.

Ashtu jemi katandisur edhe ne. Veçse nuk na quajnë Zoo….



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora