Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhufi: Shqipëria, pa ligj për kufijtë. E shfuqizuan për ujrat

| E diele, 14.08.2011, 11:54 AM |


Historiani i njohur flet pas nisjes së negociatave me Athinën

 

Nga Skerdilajd Zaimi

 

Në Ballkan duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Me gjithë premtimet e politikës dhe kohës së re që i jep formë marrëdhënieve mes vendeve, lojërat në sfondin e politikës mbeten po ato. Historiani Pëllumb Xhufi deklaron në intervistën për “Shqip” se ajo çfarë pritet të ndodhë në vjeshtë, me regjistrimin dhe marrëveshjen e ujërave, nuk është detyrim dhe nismë për rregullim kufitar, por më shumë një manovër, në funksion të një skenari të vjetër.

 

Z. Xhufi, në vjeshtën e ardhshme pritet që, përpos zhvillimeve politike të ditës në Shqipëri, të nisin dy procese të shumëdebatuara; regjistrimi i popullsisë dhe rinegocimi i marrëveshjes së ujërave. Si vlerësoni se do të ecë rrjedha e tyre, nisur edhe nga qëndrimi i qeverisë shqiptare?

 

E kanë thënë të tjerë, e kam thënë edhe unë në mënyrë të përsëritur: marrëveshja për ndarjen e hapësirës ujore me Greqinë dhe regjistrimi i pronave dhe i popullsisë me deklarim të besimit fetar dhe vetëpërcaktim të përkatësisë kombëtare, janë pjesë e axhendës shoviniste të nacionalizmit grek, që për sa i përket Shqipërisë, mishërohet në programin aneksues të të ashtuquajturit “Vorio-Epir”. Lëshimi i hapësirës detare (rreth 400 km² det) në favor të Greqisë, përveç një “fitoreje” me efekte imediate, është për Greqinë një “fitore me përmasa strategjike”, siç e deklaroi gjithë entuziazëm të nesërmen e nënshkrimit të saj ish-ministrja e Jashtme greke, znj. D. Bakojanis. Sigurisht, pas zhvendosjes së kufirit detar deri në 800-900 metra afër bregut të Sarandës, janë krijuar të gjitha kushtet që të shpresohet edhe në një “rektifikim” të kufirit tokësor midis Shqipërisë e Greqisë. Në fakt, këtë kufi të vendosur nga Fuqitë e Mëdha që në 1913-n në favor të Greqisë, duke i hequr Shqipërisë padrejtësisht një nga krahinat më të pasura, atë të Çamërisë, si dhe një brez të tërë fshatrash shqiptare në vijën Konicë-Kostur, megjithatë Greqia nuk e ka njohur kurrë, as në Konferencën e Ambasadorëve në 1913, as në Protokollin e Firences në 1924-n, as në Konferencën e Paqes në 1946-n dhe as në ndonjë marrëveshje dypalëshe me palën shqiptare. Por përveç Athinës, sot ka dalë edhe një faktor tjetër që nuk e njeh kufirin e Republikës së Shqipërisë, ashtu si ai është caktuar, njohur e rikonfirmuar në të gjitha Konferencat e Paqes nga Fuqitë e Mëdha: paradoksalisht, ky faktor i dytë është, as më shumë e as më pak se qeveria shqiptare. Me ligjin e saj nr. 9861, të datës 24 janar 2008, qeveria Berisha shfuqizoi ligjin nr. 8771 të datës 19 prill 2001 “Mbi kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”. Për rrjedhojë, Shqipëria nuk ka një ligj të veçantë që të përcaktojë se cilët janë kufijtë e saj, të njohura e të rikonfirmuara ndërkombëtarisht në këto 100 vjetët e fundit. Shfuqizimi i Ligjit për Kufirin të vitit 2001, i bëri të mundur kësaj qeverisë sonë të “Vorio-Epirit” që të hiqte barrierën ligjore (por jo atë kushtetuese) për “t’i falur” hapësirën detare Greqisë. Historia e mëtejshme e kësaj marrëveshjeje dihet. Me ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, pas një rikursi të ndrojtur të Partisë Socialiste, qeveria “Berisha” u kap “me presh në dorë” dhe u demaskua përpara të gjithë shqiptarëve si një qeveri që i ka shitur interesat kombëtare për qëllime të pista.

 

Regjistrimi i popullsisë, duke futur abuzivisht zërin e deklarimit të besimit fetar e të vetëpërcaktimit kombëtar, është tradhtia e radhës që “qeveria e Vorio-Epirit” po i bën interesave të vendit. Qeveritarët tanë nuk e kanë për gjë të marrin angazhime ndaj të huajve (gjithkujt i kujtohet skena kur ish-ministri i Jashtëm e siguroi në Beograd homologun serb Jeremiç, se me regjistrimin e ri të popullsisë, qeveria shqiptare do krijojë kushtet për regjistrimin edhe të minoritetit serb{!). Por, sigurisht, ky regjistrim i organizuar sipas kritereve otomano-bizantinë të “Megali-Idesë”, synon para së gjithash të fryjë numrin e minoritetit grek në Shqipëri për të mbushur me nënshkrime të marra nën presion, atë fletën bosh të “Vorio-Epirit”, që dikush pretendon se është grek, por që në fakt është po aq grek sa ç’mund të ishte shqiptare Athina e kohëve të Perikliut. Asnjë dokument ndërkombëtar, asnjë institucion ndërkombëtar nuk i ka kërkuar qeverisë shqiptare të bëjë një regjistrim të tillë të paprecedent e vetëvrasës. Një gjë të tillë e deklaroi hapur vetë z. Berisha, në seancën e famshme parlamentare të nëntorit 2009. Përkundrazi, në udhëzimet e saj specifike për regjistrimet e popullsisë që do bëhen në Europë gjatë vitit 2011, Zyra Europiane e OKB, e shkëshillon shkoqur futjen e elementëve të deklarimit të besimit fetar, të përkatësisë kombëtare “dhe të çdo elementi tjetër, që do mund të shfrytëzohej për qëllime secesioniste dhe që mund t’i shërbejë kauzave të ngjashme”. Që ky regjistrim, i ideuar dhe i imponuar nga Gejxhët e ndryshëm dhe nga skllevërit (Dulet) e tyre në Shqipëri i shërben kauzës shoviniste të “Vorio-Epirit”, këtë nuk ka nevojë ta themi ne: këtë e deklaroi me zë të trashë prej basi përfaqësuesi i qeverisë greke, konsulli i Korçës, Ikonomu. Problemi është, përse kësaj kauze i është bashkuar sot vetë qeveria shqiptare. Dhe akoma më tej: përse marrëveshje e regjistrime të tilla antikombëtare po lejohen të kalojnë “pa u lagur” nga politika shqiptare në përgjithësi, duke filluar nga partitë “nacionaliste” të djathta, e duke mbaruar me partinë më të madhe të opozitës, Partinë Socialiste. Si është e mundur që dhaskalët dhe heqimët e “helenizmit” në Shqipëri, janë ndodhur në të njëjtën llogore me qeverinë shqiptare dhe me Sali “patriotin” në përbaltjen e kërcënimet ndaj intelektualëve, kuadrove e profesorëve të nderuar, si S. Godo, K. Frashëri, B. Bakiu. V. Beja e M. Pashaj, që e kanë ngritur zërin në mbrojtje të interesave e të dinjitetit kombëtar? Ju pyesni, a do të jenë dy “tradhtitë” e radhës, d.m.th. Marrëveshja e Shitjes së Detit dhe Regjistrimi shqiptarovrasës i popullsisë objekt i betejës politike në vjeshtën e ardhshme. Duke gjykuar nga përvoja e deritashme, do më duhej të thosha që edhe opozita, e cila me rastin e dy problemeve të mësipërme ka shansin e madh të tregojë se është ndryshe nga e djathta esadiste që sot po shet Shqipërinë me një euro, nuk po duket se shqetësohet shumë nga lëvizje të tilla jashtë orbite të qeverisë “Berisha”. Qoftë për paaftësi e pandjeshmëri të saj ndaj problemit kombëtar, e qoftë sepse e shtyrë nga “kolona e pestë berishiane” brenda radhëve të saj, ajo me sa duket këtë vjeshtë e këtë dimër do merret me lëpirjen e plagëve të veta. Nuk kam arsye të shpresoj shumë edhe në rolin e shoqërisë civile apo të medias: çuditërisht, gazetarët e analistët tanë, të aftë e kurajozë për çdo problem tjetër, nuk preferojnë t’i qasen temave të tilla. Padituri, pandjeshmëri apo snobizëm? Ajo që unë shpresoj vërtet, është zgjimi i opinionit publik, që tashmë ka dhënë shenja të qarta. Cilat? Përzënia e provokatorëve grekomanë nga Himara dhe e “mikut tropojan të Bollanos” nga disa nga bastionet e tij tradicionalë, janë pikërisht shprehje e një ndjenje, e një dinjiteti kombëtar e njerëzor të rilindur. Mëkat që askush në teatrin politik shqiptar, nuk dëshiron ta bëjë të vetin këtë kapital kolosal!

 

Një tjetër historian shqiptar. z. Frashëri, ka rinisur së fundmi një seri artikujsh polemizues për sa i përket Epirit dhe trajtimit historiografik të tij nga Akademia Greke. Në fakt, sipas gjykimit tuaj, a kemi realisht një plan të qëndrueshëm për rishikim territorial në Jug dhe a ndani ju të njëjtat pikëpamje me z. Frashëri, kur dihet se zyrtarisht Athina mbështet integrimin europian të Shqipërisë?

 

Po përgjigjem nga fundi. Athina e ka deklaruar vazhdimisht se e mbështet integrimin europian të Shqipërisë, ashtu si edhe atë të Maqedonisë e të Turqisë, por ndonjëherë krijohet përshtypja se kjo është një mbështetje me kushte. Në fund të fundit, ishte vetë ish-kryeministri Karamanlis që e deklaroi në Parlamentin grek (janar 2006), se vendet e mësipërme nuk do ta kenë mbështetjen e Greqisë në procesin e integrimit, në rast se i kundërvihen Greqisë në zbatimin e axhendës së saj kombëtare! Në fakt, a nuk kanë qenë ministrat e kryeministrat tanë, të cilët e kanë pohuar me gojën e tyre, p.sh., se hapja e shkollës greke në Himarë apo në Korçë ishte e domosdoshme për “integrimin europian të Shqipërisë”, se ngritja e memorialëve gjigantë grekë në Këlcyrë, Korçë apo Gjirokastër janë, gjoja, detyrime që rrjedhin nga “vlerat europiane ku duam të bëjmë pjesë”, se nënshkrimi i marrëveshjes për ndarjen e hapësirës detare me Greqinë ishte një “obligim” për integrimin europian të vendit, se regjistrimi i popullsisë me vetëpërcaktim të kombësisë është një detyrim i Bashkimit Europian, etj. etj. Të gjitha rrena. Nëse Marrëveshja e Detit me Greqinë ishte një “obligim ndërkombëtar” i Shqipërisë, siç u rrek të na mbushte mendjen ministri ynë i Jashtëm, si shpjegohet që e vetmja qeveri në Europë e në NATO që është “mërzitur” nga hedhja poshtë e kësaj marrëveshjeje nga Gjykata Kushtetuese, është pikërisht qeveria greke, pikërisht ajo që hapur e kushtëzon mbështetjen e saj për integrimin e të tjerëve në Europë, me zbatimin e axhendës së vet nacionaliste?

 

Sa i përket debatit të fundit në shtyp të prof. Frashërit me akademikët grekë mbi problemin e Epirit, në një vështrim diakronik, më duhet të them se kjo nuk është “përleshja” e parë e tij me aradhat e historiografisë grekomadhe. Prof. Frashëri është autor i një mase të madhe botimesh shkencore të realizuara në rreth 60 vite pune pasionante e vetëmohuese në ndriçimin e skutave më të errëta e të panjohura të historisë sonë kombëtare. Dhe në këto vepra, pavarësisht se kur janë shkruar, prof. Frashëri ka pasur qëndrime lineare, të mbështetura në argumente shkencore dhe në një logjikë të fortë historiani dhe filozofi të historisë. Unë mendoj se kur historianë si prof. Frashëri shqetësohen për zhvillimet aktuale dhe i shikojnë si eventuale rreziqet që dikujt mund t’i duken si të kohëve të shkuara, ne të tjerët, në radhë të parë politikanët që menaxhojnë fatet e këtij populli, duhen të alarmohen. Sepse zëri i Kristo Frashërit është një zë që vjen nga thellësia e kohëve dhe e dijeve, është një zë që duhet dëgjuar e mjerë ai që s’e dëgjon. Natyrisht, ka shumë që bezdisen nga të vërtetat e tij, qofshin edhe ato që lidhen me debatin në fjalë mbi entitetin historik, etnik e politik të Epirit, dhe këtu problemi nuk qëndron vetëm me historianët nacionalistë grekë. Problemi qëndron para së gjithash me politikanët shqiptarë. Sepse, them unë, si do të ndiheshin ata, kur të mësonin nga pena e prof. Frashërit se kërkesat që ish-kryeministri Micotaqis i paraqiti në vitin 1993 si kusht për marrëdhënie normale me Shqipërinë, dhe që qeveritë shqiptare i realizuan që të gjitha në këto 20 vjetët e fundit, nuk ishin gjë tjetër veçse shtyllat e programit shovinist të aneksimit pa luftë të “Vorio-Epirit”, të përpunuara nga Kryeministri Koletti që në vitin 1844 e të rilançuara në vitin 1919, nga i famshmi Venizellos? Si do të ndiheshin përfaqësuesit zyrtarë të “Shqipërisë Një Euro”, që për interesa të vogla personale kanë shitur interesa të mëdha të kombit, kur të mësonin nga pena e Kristo Frashërit, se në kohë të tjera, burra të tjerë shkrinë jetën e pasurinë për t’i dhënë liri, përparim e dinjitet këtij kombi? Në fakt, prof. Frashëri jo më kot ka qenë historiani e dijetari më së shumti i injoruar dhe i anatemuar nga politika dhe institucionet. Por nuk i kanë munguar sadisfaksionet: një masë gjithnjë e më e madhe shqiptarësh në Shqipëri e në të katër anët e botës, i përpijnë librat e shkrimet e tij.

 

***

 

Kritika ndaj kreut të Kishës Ortodokse

 

Në pjesën e dytë të intervistës së historianit, diplomatit dhe politikanit të njohur shqiptar, Pëllumb Xhufi, për gazetën “Shqip”, ai flet për ngjarjen më të fundit të Himarës, ku u vendos busti i Aristotel Gumës, i cili u mbulua me flamurin grek dhe pasojat e saj. Xhufi, gjithashtu analizon dhe performancën e drejtuesve grekë të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe në veçanti të Kryepeshkopit Janullatos...

 

Cili është mendimi juaj për atë që ndodhi në Himarë kur në kishën e saj u vendos busti i të ndjerit Aristotel Guma? Çfarë përfaqëson për ju ky veprim?

 

Ngjarja e fundit që lidhet me vendosjen e bustit të të ndjerit Aristotel Guma në Himarë, ashtu si një vit më parë, ka dy aspekte të kundërta. Në radhë të parë, dramën e të ndjerit e të familjes së tij, që padyshim ishte e pranishme edhe sot, një vit pas fatkeqësisë, dhe përpjekjet e sforcuara e të liga të një grupi mercenarësh e provokatorësh, që përpiqen ta kthejnë varrin e bustin e himarjotit Aristotel Guma në një piketë të çmendurisë së tyre e të porositësve të tyre, në një piketë të “Vorio-Epirit”. Është e njëjta lojë e ndyrë që u luajt me eshtrat e ushtarëve grekë të rënë për liri në malet e Këlcyrës, veçse kësaj radhe loja është akoma më cinike dhe e papranueshme, pasi bëhej fjalë për një djalë nga Himara jonë. Ceremonia e inaugurimit të bustit të të ndjerit Guma u bë sipas folklorit të zakonshëm nacionalist, që e kemi parë edhe herë të tjera, me pjesëmarrje, akte e fjalime antikushtetuese e antiligjore. Mua më duket se ai që më shumë nga të gjithë e kuptoi se kupa ishte mbushur ishte mitropoliti i Gjirokastrës. Ndryshe nga eprori i tij, z. Janullatos, që një vit më parë nxitoi ta fusë i pari tragjedinë Guma në kornizat e një “vrasjeje për motive etnike”, varësi i tij i Gjirokastrës, grek si ai, e denoncoi përmbajtjen politike e antikanonike të kësaj ceremonie, duke shpëtuar në një farë mënyre fytyrën e kishës.  E, gjithashtu, duke nxjerrë në pah pashpirtësinë, injorancën, mercenarizmin, ligësinë e radhës gjithnjë e më të mpakur të “luftëtarëve të Vorio-Epirit”, personazhe groteske prej Ferri dantesk, që ushqehen me flakët e urrejtjes e të konflikteve. Si asnjëherë tjetër ky takëm, i plotësuar nga disa “veteranë” të çështjes së “Vorio-Epirit” të ardhur nga Greqia, u braktis nga qytetarët dhe nga autoritetet e zgjedhura të Himarës.

 

Kanë kaluar 20 vjet qëkur Kisha shqiptare u ringrit pas periudhës së komunizmit së bashku me institucionet e kultit të besimit mysliman. Në fakt, personi më i sulmuar ka qenë Kryepeshkopi Janullatos, edhe pse klerikë të huaj ka edhe në drejtimin e besimeve të tjera. Me çfarë lidhet në të vërtetë ky përqendrim vëmendjeje në KOASH?

 

Lidhet me një fakt tepër serioz: arkitektët e Rilindjes, të pavarësisë e të shtetit shqiptar, mes të cilëve edhe mjaft klerikë, e konsideruan me të drejtë shkëputjen e Kishës Ortodokse Shqiptare nga kontrolli i kishës greke, si një conditio sine qua non për vetë ekzistencën e shtetit shqiptar. Në fakt, klerikët grekë, që deri në agim të shek. XX kishin drejtuar Kishën Ortodokse Shqiptare, u sollën si armiqtë më të egër të bashkimit kombëtar, të ndërgjegjes kombëtare, të shkollës e të arsimit shqip, të pavarësisë e të shtetit të pavarur shqiptar. Për dhjetëra e qindra vjet, nën hijen e Perandorisë Osmane, Patrikana greke e Stambollit u mundua të përçajë shqiptarët, duke i klasifikuar si “grekë” besimtarët ortodoksë, dhe si “turq”, besimtarët myslimanë. Kleri grek ka qenë shkaktari i mërive e përplasjeve të mbjella artificialisht mes shqiptarësh. Pra, ekzistojnë arsye shumë të forta historike, përveç atyre ligjore e statutore, që e bënin të paimagjinueshme rikthimin e një prelati grek në krye të KOASH pas gati një shekull autoqefalie. Dhe në fakt, dyshimet që shumëkush pati për rolin e Hirësisë së tij, z. Janullatos, kur ky uzurpoi me një lloj puçi kishtar fronin e kreut të KOASH, u vërtetuan në vite. Z. Janullatos e thelloi operacionin e uzurpimit të kishës shqiptare, duke imponuar zgjedhjen e dy episkopëve të tjerë grekë në përbërje të Sinodit të kishës, që tashmë është me një shumicë të cilësuar greke, duke e ndarë gjithnjë e më shumë KOASH-in nga traditat e tij të veçanta, nga etërit krijues të tij, nga gjuha, kultura, ndjenjat e veçanta të përcjella në shekuj në altarët e kishave tona. Unë mund të them, se pas 20 vjetësh në krye të KOASH-it, prof. Janullatos nuk ka treguar asnjë ndjeshmëri ndaj popullit që, gjithsesi e mirëpriti. Njohësi i të gjitha gjuhëve të botës, është mjaftuar vetëm të belbëzojë në gjuhën shqipe dhe vetëm kur ndodhet përpara kamerave e përpara autoriteteve të vendit. Në kundërshtim me traditën e harmonisë fetare e të unitetit shpirtëror të shqiptarëve, pavarësisht besimit, z. Janullatos duket se është kujdesur më shumë për të hapur transhe artificiale midis shqiptarëve, duke krijuar një popull brenda popullit, një “popull ortodoks” i kuptuar si i ndryshëm fetarisht e kulturalisht, e madje edhe etnikisht, nga pjesa tjetër e popullit shqiptar. E keni dëgjuar ndonjëherë Hirësinë e tij të flasë për “ortodoksët shqiptarë”? Jo, ai flet thjesht për “besimtarët” ortodoksë, për “rininë” ortodokse, për “inteligjencën” ortodokse, për “gratë” ortodokse, për “deputetët” ortodoksë, duke e lënë pezull çdo lidhje të tyre me popullin e me atdheun e tyre. Ka qenë i pranishëm kudo ku ka qenë e pranishme politika, kultura, biznesi grek: nuk ka lënë politikan grek pa pritur, nuk ka lënë shkollë, ndërmarrje apo bankë greke pa bekuar, ndërkohë që nuk e kemi parë të marrë pjesë në inaugurimin e një shkolle shqiptare, të një banke apo të një ndërmarrje me kapital shqiptar. Ka ndikuar me autoritetin e imunitetin e tij për të promovuar interesa ekstra-fetare, deri edhe politike në favor të axhendave joshqiptare. U angazhua fort për ngritjen e memorialëve për ushtarët grekë, duke ushtruar edhe presion mbi autoritetet shqiptare për t’i lejuar ato. Ka organizuar “pushtimin” e Pallatit të Kulturës së Përmetit, duke përdorur një prift dallkauk e pa moral. Sjellja e tij gjatë një ngjarjeje dramatike për kombin shqiptar, siç ishte lufta e Kosovës, ka qenë aspak në përputhje me pritshmëritë e shqiptarëve e të atyre ortodoksë në veçanti. Nuk dëgjuam një fjalë keqardhjeje për popullin martir të Kosovës, asnjë deklaratë denoncuese për autorët e kasaphanës serbe në Bosnjë e në Kosovë: solidaritet i plotë me vrasësit, a thua se është kreu i Kishës Ortodokse Serbe. Në fakt, nëpërmjet vartësit të tij, mitropolitit grek të Beratit, shprehu solidaritetin e “kishës ortodokse të Shqipërisë” me serbët gjatë bombardimeve të NATO-s, duke abuzuar rëndë me statusin e tij. Siç e thashë më parë, ishte i pari që nxitoi ta fusë në shtratin e një “vrasjeje për motive etnike” aksidentin me të ndjerin Guma dhe që paralajmëroi “prishje të paqes etnike” në Shqipëri, duke befasuar edhe ithtarët më të devotshëm të tij. Nuk tregoi as më të voglën dhembshuri, kur vetëm një muaj më pas, një shofer grek, me sjellje të hapura antishqiptare, vrau një duzinë me pasagjerë shqiptarë, mes të cilëve edhe tri gra, që për një koincidencë të rastit mbanin mbiemrin Guma! E pra, nuk dua të zgjatem me veprime të tjera të Hirësisë së Tij, që jo rrallëherë bien ndesh me vetë kanonet e Kishës së Shenjtë dhe që, në fund të fundit, zhgënjejnë çdo pritshmëri e dispozim pozitiv, që dituria dhe eksperienca e tij e gjatë me popuj të tjerë mund të sugjeronin ndaj personit të tij.

Gazeta Shqip - Për ZSH: Lis Bukuroca