Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjel Zafirati: Poezi nga vellimi “Qyteti me diell”

| E marte, 16.08.2011, 07:00 PM |


Vangjel Zafirati lindi dhe banon ne qytetin e Sarandes. Ka studiuar per ekonomi ne Universitetin e Tiranes dhe ka punuar ekonomist ne disa sektore dhe me vone gazetar. Akoma nxenes i gjimnazit ka shkruar e botuar here pas here cikle poezish ne shtypin periodik.

Ka botuar vellimet poetike: “Mua fushat me njohin”, “Loti i gurit”, “Gure edhe det”, “Borzilok fletegjere” e “Qyteti me diell”.

Pervec poezise, ka shkruar e botuar studime te ndryshme folklorike,etnografike si dhe ka kryer nje sere hulumtimesh ne fushen e legjendave e tradites kulturore.

 

Poezite e ketij cikli jane shkeputur nga vellimi “Qyteti me diell”.

 

Vangjel Zafirati

 

 

HARRESE

 

Porta të ndryshkura,

nga harresa dhe pritja e gjatë.

 

Pragjet e shtëpive

mbuluar me heshtje dhe bar,

 

Që vetëm vdekja i kalon

dhe Doruntina që vjen nga larg.

 

 

NATE ME DEBORE.

 

Kishte  një dhimbje,

zëri i çakallit në luginë.

Kishte një dhimbje!

 

Që s’ishte nga të ftohtit dhe uria.

Një dhimbje shpirti

përcillte lugina.

 

Thirrjes së tij

askush s’i përgjigjej,

Mbase dhimbja

ishte  e vetmise

 

 

NE OBORRIN E SHTEPISE.

 

Pesë karafila të kuq

Djegin oborrin e shtëpisë.

 

Nëpër flakë nëna ime!

 

Anije me vela,

tre zambakë të bardhë

ankorohen në pragun e shtëpisë.

 

Dhe pret babai

Djemtë

që nuk erdhën akoma.

 

Nëna,

e zhytur në mendime,

në karafila digjet e tëra!

 

 

E DIEL NE FSHAT

 

Pak plaka veshur në të zeza.

Ndrin mermeri

i bardhë, në vorreza.

 

Trokëllima e një kali

në rrugicat e ngushta.

Apo ,

koha ishte e legjendat.

 

 

NJE CAST

 

Një çast,

Vetëm një çast,

Të mbështetem tek kulpra e Majit,

në gjoksin tënd të çelur.

 

Një çast,

Vetëm një çast,

Se mbase

rilind shpresa që

rëzoi nata dhe era.

 

 

TRUPI  YT

 

Në krahët e mi,

Një lumë

Veror dhe i argjend që dridhet.

 

Dhe pylli i flokëve të tu,

Pesë shelgje

zallishten e bardhë përkëdhelin.

 

Këndon

Puhiza në zallishte:

-Mi fal sytë e zinj

buzët si qershi!

 

 

RENIE

 

Hajdutë të vegjël e të mëdhenj,

Kurva dhe politikanë veteranë,

spiunë të shumtë

po ikin nga qyteti.

 

Eshtë i vogël qyteti ynë!

 

Dhe mbetëm pak,

Ca frikacakë

Që u tremben qyteteve  të mëdha.

 

U zvogëlua qyteti ynë,

Mbetëm pa aristokratë

 

 

PA DASHUR

 

Ndërsa shikoja fytyrën

e perendisë së mermertë

të Bukurisë

 

Ashtu,

padashur shtrëngova dorën tënde.

 

 

TAKIM

 

Ecën e nxituar…

 

Nën bluzën e bardhë,

Bëjnë të fluturojnë

Dy pëllumba më të bardhë.

 

Takim me qiellin.

 

 

KESHILLE

 

Buzëqesh e dashur,

Bajamja është e bukur

sepse di të lulëzojë.

 

 

FSHATRAT E THEOLLOGOS

 

Më shumë shënjtore dhe

manastire

Në shkëmbinjtë e zinj

si murgjër.

 

Kishave përreth

në shpella asketësh,

Vetëm disa pleq

që ndezin qirinjtë.

 

 

Çaji i verdhë dhe sherebeli

Fëmijë të vegjël

në faqen e malit.

 

 

PATRIOTET

 

Pemët që mbjellim,

na i presin  netëve patriotët.

 

Grurin që mbjellim,

na e djegin në verë patriotët.

 

Që të mos kenë ujë,

të mos kenë bukë

 

Një pemë ku të mbështeten

fëmijët e tyre.

 

Që të kenë punë patriotët!

Për ZSH: Timo Mërkuri