E premte, 29.03.2024, 03:22 PM (GMT)

Editorial

Ramiz Bojaj: Veriu, poligon lufte Kosovë-Serbi

E diele, 14.08.2011, 12:01 PM


Veriu, poligon lufte Kosovë-Serbi

 

KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare, duhet të ndihmojnë vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë në veri, ndryshe dështimi i radhës i BN-së, do të thotë rrënim i gjithë asaj që mund të quhet, ‘histori suksesi’ në rajonin e Ballkanit. Djegia e pikave doganore 1 dhe 31, pak kohë pas proklamimit të marrëveshjeve të para teknike Kosovë-Serbi, dëshmon se me strukturat e armatosura dhe kriminale në veri, ‘kompromisi’ dhe ‘zgjidhja’ më e mirë është aplikimi i fortë i autoriteteve shtetërore në mënyrë që të shuhen ‘zjarrvënësit’ e lirisë dhe demokracisë së Kosovës.

 

Shkruan: Ramiz BOJAJ

 

Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e kujdesshme për veriun e Kosovës. Marrëveshjet e përkohshme kanë dështuar të jenë ‘zgjidhje’ e përhershme e problemeve. Marrëveshja e fundit e KFOR-it me strukturat paralele në veri të Mitrovicës, për largimin e pengesave rrugore (dhe të tjerat paraprake të UNMIK-ut, EULEX-it etj.,), pa vendosjen afatgjatë të rendit dhe ligjit atje, po krijon konflikt të përhershëm në kontekst të të cilit paqartësohet gjithnjë e më shumë e ardhmja paqësore e kësaj pjese të rajonit. Peri i ngrehur nuk mund të qëndrojë përgjithmonë i pakëputur. Kjo paqartësi do të ekzistojë për aq kohë sa bashkësia ndërkombëtare (duke përfshirë edhe KFOR-in), veprojnë në mënyrë unilaterale dhe nuk ndihmojnë institucionet e Kosovës, në kryerjen e detyrave të veta shtetërore. Qëndrimi neutral ndaj palëve (barazimi i elementeve kriminale me autoritetet zyrtare shtetërore), jo vetëm se po faktorizon elementet kriminale por, njëherësh po trimëron këto të fundit për të vepruar, varësisht direktivave nga Serbia . Në fakt status kuoja e stërzgjatur po ndihmon qe mafia dhe strukturat kriminale në veri të përfitojnë nga mungesa e sigurisë, rendit kushtetues dhe ligjit. Ka 12 vjet qe elemnetet rebele në Mitrovicën veriore, po imponojnë aplikimin e principit të politikës së Beogradit, duke ‘faktorizuar’ strukturat mafioze dhe militare të Serbisë në veriun e Republikës së Kosovës. Aksionet e para të vendosjes së rendit në veri (dërgimi i njesisë ROSU në portat 1 dhe 31), pastaj marrëveshja e KFOR-it për largimin e barikadave, si dhe largimi i policisë dhe doganierëve të Kosovës nga kjo zonë kufitare, po stërzgjatë natyrën reale të problemit. Problemi në veri ka nevojë për zgjidhje përfundimtare, vendosjen e ligjit dhe rendit shtetëror-kushtetues të Republikës së Kosovës. Ndryshe ‘shuarjet’ e zjarrvënieve do të thotë përkufizim të krizës e jo zgjidhje e saj.

Personalisht me la përshtypje një artikull në gazetën austriake ‘Money’, e cila shkruan se qeveria e Serbisë mbështetë me rreth 42 milionë euro strukturat paralele serbe në Kosovë, dhe jo vetëm në veri.Kjo nënkupton se Serbia vazhdon të financojë praninë e saj në Kosovë, anipse përmes elementeve rebele(MUP-it, strukturave ilegale, formacioneve të armatosura etj.). “Reth 725 zyrtarë spiunë sekret serb, paguhen nga qeveria e Serbisë për veprimtarinë e tyre në Kosovë. Nacionalistët serbë kanë mbledhur qëllimisht qytetarët serbë të Kosovës nëpër enklave, i kanë izoluar ata nga bota me të vetmin qëllim për t’i mbajtur të lidhur me Beogradin dhe për t’i përdorur për interesa të Beogradit saherë qe iu duhen atyre”. Se në veri nuk kemi të bëjmë me padegjueshmëri qytetare, por me elemente pushtuese e saktëson edhe vet i përzgjedhuri i Serbisë  për Kosovën, Oliver Ivanoviq, duke thënë se: “Veriu i Kosovës nuk guxon të bie, sepse në të kundërtën Serbia s’ka më për çka të flasë kur është në pyetje Kosova. Gjithçka në atë rast e kemi humbur”. Zgjidhja për veriun cilësohet humbje për Serbinë, ku në përkthimin tonë do të thotë se strukturat kriminale në veri janë ‘institucionet’ e Beogradit. Mposhtja e tyre do të thotë eliminim të elementeve pushtuese serbe në Kosovë.

 

Serbia mbron mafinë e saj në Kosovë

 

Bisedimet ‘fluturuese’ disajavore në mes të Kosovës dhe Serbisë, dëshmon se të hysh në dialog pa ambicie për zgjidhje problemesh mbetet të jetë krejtësisht humbje kohe, ose edhe më keq. Serbia (edhe përmes bisedimeve) përpiqet ti legalizojë elementet e veta mafioze në veri, por jo edhe të jetë pjesë e zgjidhjes së problemeve, të cilat vet i menaxhon dhe financon.

Në këtë kontekst, edhe Bashkimi Evropian me qëndrimin e vet po shpërblen Serbinë agresore duke e joshur me anëtarësim në BE. Sulmet paramilitare serbe (27 korrik 2011), ishin të organizuara në mënyrën më të mirë, më të sofistikuar dhe hedhin jashtë loje ‘parimin’ e spontanitetit për krizën. Serbia e ka të qartë se nuk mund t’i ikë përgjithmonë realitetit të ri me shtetin e Kosovës. Andaj para se t'i imponohet njohja e Kosovës, (kushtëzimi për anëtarësim në BE), Beogradi përpiqet të krijojë kantonizime etnike sllave. Në këtë kontekst, kthimi i gjendjes ku KFOR-i garanton rregullat e lojës cilësohet si degradim i situatës dhe tendencë për nxitjen e BE-së që të mbajë nën konstroll veriun e Kosovës, ku prapa perdes përfiton Serbia . Kjo taktikë është përdorur gjithmonë sa herë që është proklamuar kalimi i kompetencave nga ndërkombëtaret tek vendorët. Ndërkombëtarët duhet të ndihmojnë shtrirjen e autoriteteve shtetërore të RK-së, për vendosjen e ligjshmërisë në tërë vendin, e jo të jenë ‘dëshmitarë’ të veprimeve spektakulare. Kështu vlerëson edhe  eurodeputetja dhe ekspertja për Ballkanin, Doris Pack, duke kritikuar bashkësinë ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian se ‘për 12 vjet rresht i kanë mbyllur sytë para zhvillimeve në veri’. “Konflikti në kufi që shpërtheu ditët e fundit mes Serbisë dhe Kosovës, flet qartë për praninë e strukturave mafioze në rajon. Këta janë njerëz të cilët kanë interes që Mitrovica të mbetet një vatër për kontrabandë dhe për shumë mundësi për të fituar para në rrugë të paligjshme”. Ndërkaq, zyrtarë opozitarë të Kosovës, vlerësojnë se ndërhyrja e Serbisë në veriun e Kosovës paraqet agresion që duhet dënuar. “Veprimi në veri ka qenë ditur se nuk do të jetë i lehtë për arsye të ndërhyrjes së politikës së Serbisë në vazhdimësi me anë të instrumenteve të politikës shoviniste që e ka Beogradi”.

Serbia duke refuzuar njohjen e vulave të doganave të Kosovës po shkakton luftë tregtare,dhe  aplikon invazion të mallrave të veta në tregun e  Kosovës. Në këtë kontekst, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane Lekë Musa, thekson se KFOR-i nuk mund të kryejë me efekshmëri detyrat e doganierëve të Republikës së Kosovës. “Nënshkrimi i marrëveshjes së KFOR-it me serbët do të mundëson që tentativat për të zhvilluar kontrabandë në veri të jenë të suksesshme, pasi KFOR nuk ka logjistikë për të neutralizuar kontrabandën, ashtu si do të mund bënin Doganat e Kosovës. Nëse Qeveria e Kosovës nuk është në gjendje t’i mbrojë eksportet nga Kosova, askush nuk do të jetë i interesuar të investojë këtu dhe ta sheh Kosovën një vend  prej kah mund t’i plasojë produktet e veta”.

 

Brukseli përkëdhel Serbinë

 

Huliganizmi serb në veri, del në skenë pak kohë kur tripalët e përfshira në dialogun Kosovë-Serbi(BE-Kosovë-Serbi), proklamuan pikat e para të “marrëveshjeve”. Duket se pika e parë ishte djegia e kufijve, pas të cilave rrjedhin ‘principet’ e politikës së Beogradit, ku në parantezë qendrojnë strukturat mafioze e kriminale në veri. Proklamimet e BE-së, se dialogu duhet të vazhdojë (edhe pas diegies së pikave kufitare), tingëllon po kaq i papërgjegjshëm, ashtu siç BN-ja tregoi shumë akte dështimi, që nga aderimi i misioneve ndërkombëtare në Kosovë, me 1999. Procesi i dialogut jo vetëm se ka qenë i zbrazët, por faktet tregojnë se gjendja ka shkuar gjithnjë drejt komplikimeve. Edhe ish diplomati amerikan,  James Hooper, vlerëson se "procesi i dialogut është dhe ka qenë i zbrazët. Sipas pikëpamjes sime, dialogu mbase ka vdekur. Është e natyrshme në situata të këtilla për diplomatët të thonë se duhet kthyer në tavolinë, dhuna duhet të ndalet, bisedimet duhet të vazhdojnë, etj.” -Politikat e joshjes së Brukselit ndaj Beogradit vazhdojnë. Përvojat nga luftërat e mëhershme në Kroaci dhe Bosnjë janë evidente edhe në rastin e Kosovës, ku Serbia udhëheq me bandat dhe ekstremistët. “Kjo gjendje është e ngjashme me ato që ka ndodhur në Kroaci dhe Bosnjë në vitet e 90’ta, kur njerëzit nga Beogradi zbarkonin dhe vendosnin barrikada me serbët lokale.BE-ja ka kritikuar vetëm qeverinë kosovare pse ka dërguar policinë e vet në veri, në vend se të lëshojë deklarata referuese kundër përzierjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. Kjo dëshmon se BE-ja nuk ka politikë tjetër, pos për të joshur Serbinë”. Gjithashtu qëndrimi i EULEX-it, për gjendjen në veri mbetet tejet i njëanshëm i cili nuk duhet përsëritur në rrjedhjen e ngjarjeve në vijimësi. Nëse EULEX, bartë pas vete dështimet e UNMIK-ut, ky mision nuk guxon të rimerr për barrë një dështim të ri. Ndryshe mund të vihet në pikëpyetje i tërë procesi i paqes ketu. Kosova tashmë është shtet i pavarur, dhe qasja ndërkombëtare mund të shikohet nga një tjetër prizëm në krahasim me misionet pararendëse. Në këtë kontekst, EULEX-i, ka obligim për të respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet dhe institucionet e Kosovës. Mbi këto parime bazë është shpallur pavarësia e Kosovës me tërësinë territoriale, të njohur ndërkombëtarisht nga 76 shtete. KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare, duhet të ndihmojnë vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë unikate të shtetit të Kosovës në tërë vendin(vendosja e rendit shtetëror në veri), ndryshe dështimi i radhës i BN-së, do të thotë rrënim i gjithë asaj që mund të quhet, ‘histori suksesi’ në rajonin e Ballkanit. Djegia e pikave doganore 1 dhe 31, pak kohë pas proklamimit të marrëveshjeve të para teknike Kosovë-Serbi, dëshmon se me strukturat e armatosura dhe kriminale në veri, ‘kompromisi’ dhe ‘zgjidhja’ më e mirë është aplikimi i fortë i autoriteteve shtetërore (Policia dhe doganierët), në mënyrë që të shuhen ‘zjarrvënësit’ e lirisë dhe demokracisë së Kosovës.

 

(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora