E premte, 29.03.2024, 01:15 AM (GMT)

Mendime

Kastriot Frashëri: Rrjeti i OJF-ve nga mafia tek pirateria, dhe dy fjalë për kolegun Rakipi të AIIS

E merkure, 13.02.2008, 08:21 PM


Rrjeti i OJF-ve nga mafia tek pirateria,  dhe dy fjalë për kolegun Rakipi të AIIS
  
Nga Kastriot Frashëri*

Kastriot Frashëri
Në Shqipërinë tonë të një mijë e një halleve, qetësinë ta prish kush të dojë dhe kur të dojë, që nga politikanët e klubeve të Dushkut, ministrat grykës dhe të pa aftë, punonjësit e bashkisë a policisë, dhënësit e drejtësisë, gazetarët, kujdestarët e minareve, deri tek personat me të meta mendore të cilët i sheh të shtohen për herë e më shumë rrugëve të këtij metropoli në kufijtë e çmendurisë kolektive. Pa dyshim që në këtë armatë të mbushur me lloj-lloj liderësh nuk mund të mos mungojë as ushtria OJQ (OJF)-iste, tringëllimat e së cilës prej disa vitesh kumbojnë përherë e më shumë në gjithë hapësirën e kësaj shoqërie nga armët (lugët) që kanë ngjeshur në brez vetëm e vetëm për të përfituar ndonjë lek e pasuruar dhe jo për të qenë pjesë e misionit themelor të tyre si: shkolla, ku qytetari do të mësojë demokracinë dhe do ta mbajnë gjallë si dhe do të garantojnë suksesin e saj. Institucionet e Shoqërisë Civile si kudo në botë janë burime idesh, programesh, alternativash,
 informacioni, mendimesh ekspertësh te pavarur nga institucionet politike të cilat tentojnë të mbajnë një balancë kritike përballë alternativave qeveritare, prania e tyre konsiderohet e domosdoshme për vazhdimësinë e demokracisë, dhe zhvillimit të aktivitetit të tregut të lirë në hapësirat demokratike. Tashmë është fakt i provuar se shumica e Organizatave Jofitimprurese (OJF) në Shqipëri mbështeten në suporte politike si dhe burime të dyshimta financiare . si rrjedhim ajo organizatë OJF që qëndron jashtë kësaj ?formule? e ka shumë te vështirë të mbijetojë. Një prej tyre që përballet me këtë "rrethim" është dhe Instituti i Çështjeve Kombëtare, i cili ndeshet çdo ditë e më tepër me këtë skalion të së keqes dhe mungesës së transparencës . Edhe ky problem që po prezantoj do të kishte kaluar si gjithë të tjerët, që vërshojnë zhurmshëm në këtë vend, sikur të mos më kishte tërhequr vëmendjen dy ditë më parë lajmi në media (jo ftesa!) mbi pjesmarrjen e presidentit të Republikës,
 zotit Topi në Forumin e maskuar: "Siguria dhe Politika e Jashtme", por të prezantuar në media dhe nga presidenti: "Politika e brendshme dhe e jashtme e Shqipërisë-2008", organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare (AIIS). Nuk dëshiroj të merrem me mediokritetin e këtij forumi edhe pse aty ishte i ftuar presidenti i Republikës për të prezantuar këndvështrimin e tij në funksion të politikave të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë, sepse në fund të fundit kjo është punë e tyre dhe le ta quajnë apo bëjnë si të duan: forum, konferencë, intervistë me presidentin, etj., por të abuzosh kështu..., se vetëm forum nuk mund të quhet një takim që i ngjante një konference shtypi.

Por më e keqja nuk përfundon këtu. Është e papranueshme, madje e dënueshme, që një subjekt që pretendon të jetë prestigjioz me aktivitetet që zhvillon, të vjedhë dhe përdorë idetë e një institucioni tjetër homolog. Po, po, kjo është një pirateri. Pse? Sepse kjo konferencë për të cilën bëhet fjalë është një ide e institucionalizuar që prej tre vitesh e Institutit të Çështjeve Kombëtare dhe gjendet si në faqen e internetit të institutit (www.ina.org.al/about INA) ashtu dhe ka marrë mbështetjen institucionale për realizimin e saj nga ministritë e linjës përkatëse, konkretisht nga Ministria e Brendshme me shkresën Nr. 3504/1, dt. 17.05. 2006, të cilën po e citoj se: "Instituti i Çështjeve Kombëtare ka mbështetjen tonë dhe mirëpresim ftesën për Konferencën Kombëtare për Politikat dhe Çështjet e Brendshme". Ky veprim i ndërmarrë nga ky subjekt homolog është një akt i paprecedent që dëmton rëndë jo vetëm veprimtarinë dhe imazhin e Institutit tonë, por ajo mbetet një precedent i
 hapur në të ardhmen edhe për subjektet e tjera. Po pse ndodh kjo mund të pyesë dikush? Sepse sot një pjesë e mirë e Organizatave joqeveritare shqiptare (OJF) -ve të themeluara, menaxhohen apo drejtohen nga segmente, ose persona të veshur me pushtet ose te lidhura me të. Edhe në këtë rast është kështu! Zoti Besnik Mustafaj, si pjesë e stafit të këtij Instituti, mund ta dijë mirë këtë, sepse një kërkesë e tillë për mbështetje dhe për realizimin e kësaj konference i është drejtuar në kohën kur ai ka qenë ministër i jashtëm, me shkresën Nr. 10/1 Prot, datë 23.03.2006. Pra, u desh ndryshimi në kabinetin qeveritar për ta përvetësuar dhe bërë realitet këtë ide në subjektin që adreron. Ne nuk na jepet mundësia dhe nuk na lënë të punojmë! Një dorë e zezë, për fatkeqësinë tonë kombëtare, ka çelsat e gjithçkaje. Ajo vendos për çdo gjë. Ju, tashmë, jeni njohur nga shtypi mbi përpjekjet tona në mbrojtje të parimeve demokratike dhe interesave kombëtare, por ku pyesin disa banditë që
 drejtojnë shoqëritë tona publike që edhe për të marrë një reklamë për "The National Interest" si gjithë organet e tjera të shtypit kërkojnë "Rekomandim nga lart". Ja ku ka zbritur sot niveli i administratës publike. Ja pse nuk po mundim dot, të nderuar lexues, të realizojmë këtë mision dhe konferencë, që paturpësisht na vidhet nga ata që pretendojnë se janë elita e diplomacisë dhe shoqërisë.

Por nuk është vetëm kjo maja e aisbergut të tyre, sepse këtyre OJF-ve,i?u mungon transparenca. Aktivitetet e tyre i marrim vesh vetëm nga media. Veprimtaria e deritanishme e një pjese të OJF-ve shqiptare, kryesisht ato të karakterit social, tregon se ato janë integruara në një rrjet që e vetëquajnë Shoqëria Civile, duke përfituar padrejtësisht emrin dhe statusin që kanë, duke u bërë kështu shkatërruesit e saj, të paraqiten si institucione të fjalës së lirë, ose siç u pëlqen të quhen ndryshe, shoqëria civile dhe të përfitojnë padrejtësisht ato pak ndihma që jepen për konsolidimin e institucioneve reale të saj.

Por e keqja e kësaj komedie OJF-iste nuk përfundon këtu. Në krye të këtij shkrimi premtova se do të them dy fjalë... Po! Është koha për të thënë dy fjalë për kolegun Rakipi të AIIS. Sigurisht që nuk kam asgjë personale me të, sepse kjo është pjesë e shqetësimeve të përgjithshme që kanë edhe kolegë të tjerë mbi veprimtarinë e mbyllur e jo transparente të këtij rrjeti që lundron mes lluksit të këtyre pseudo OJF-ve... Para disa ditësh zoti Rakipi, nëse u kujtohet, pata një ftesë për të marrë pjesë në një konferencën tuaj. Sigurisht që si koleg u gëzova, sepse m'u dha mundësia të thelloj njohjet dhe informacionet me këtë realitet për të cilin kam mbi 18 vjet që luftoj, madje për këtë nuk kam kursyer as karrierën time të merituar, siç kanë bërë disa të tjerë edhe pse pa asnjë kontribut, drejt majave të administratës publike. Mesa duket u hidhëruat nga prezenca ime aty, vetëm e vetëm se në këtë tryezë tregova si gjithmonë se zotëroj cilësitë e lidershipit që respekton ligjet dhe
 Kushtetutën dhe punon per interesat e vendit. Ju nuk nxituat të më quanit nacionalist!? Habitem me këtë etiketim të tillë! Ti kërkosh sqarime është mëse normale në një prezantim ndërkombëtar referuesit (përfaqësuesit të Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare -AIIS, i cili në këtë rast prezantonte së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë ato çfarë ka përfituar Republika e Shqipërisë nga projekti "INTERREG" ) se çfarë do të thotë ky term gjeografik që përdor ky zotëri: Sistemi Rajonal Shëndetësor i Epirit, sepse nuk e kam ndeshur në asnjë akt të shtetit shqiptar, por si një pretendim shovinist të një shteti fqinj. Kjo qenka herezi... Nga kjo "tryezë", zoti Rakipi, më shumë kuptova parafolësit edhe pse në anglisht, sesa atë shqiptar edhe pse prezantuesi e justifikoi përdorimin e këtij termi me emërtimet e brendshme krahinore të republikës fqinje?! Kjo nuk është justifikim, sepse AIIS po prezantonte përfitimet e Shqipërisë (në tërë krahinat dhe hapsësirën e saj) dhe jo të
 Greqisë e për më tepër për të folur në emër të saj!

Së dyti nga stafi (larg qoftë urdhëri) juaj qarkullojnë në rrethin tim shoqëror përcaktime të tilla: "Atë nuk e ftojmë se na prish punë". Çfarë do të thotë kjo zoti koleg?! Mos vallë në republikën tuaj masonike ende vazhdon të jetë në fuqi neni 55 famëkeq i agjitacion e propogandës?! Si mund të "burgoset" kështu drejtuesi i një institucioni tërësisht kombëtar, autor i mëse 50 artikujve kritikë në shtypin shqiptar mbi problemet më të rëndësishme dhe më regresive të shoqërisë shqiptare të cilat po e kthejnë Shqipërinë në një vend pa të ardhme, autori i njohur (ndjesë publike për mungesën e modestisë, por ky është vlerësim i adhuruesve të shumtë në gjithë globin) për përpjekjet e tij dhe të Institutit të Çështjeve Kombëtare që drejton, jo vetëm për promovimin e imazhit, por dhe në pasqyrimin sa më të mirë të kulturës dhe vlerave shqiptare në botë, për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE dhe strukturat Euro-Atlantike; personi që gëzon kudo mirënjohje për pasurimin
 e mendimit politik shqiptar dhe konsolidimin e parimeve demokratike të zhvillimit të shoqërisë dhe institucioneve në Shqipëri?! Djaj apo xhelozë? Një gjë është e vërtetë: të gjitha aktivitetet e tuaja i marrim vesh vetëm nga media edhe pse pretendoni se këto janë kombëtare, klientelizmi dhe politikat tuaja selektive nuk mungojnë. Për të gjithë sot, i dashur koleg, është fakt i pamohueshëm se pavarësisht nga arritjet e shoqërisë civile në Shqipëri, ajo vuan ende krizën e identitetit...

*Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora