E enjte, 28.03.2024, 03:03 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Të gjitha ''fajet e mëkatët'' e Shqipnisë i ka kleri katolik shqiptar (II)

E diele, 14.08.2011, 11:59 AM


PO PO, TË GJITHA “FAJET E MËKATET” E SHQIPNISË I KA

KLERI KATOLIK SHQIPTAR..!

 

(Pjesa e Dytë)

 

Nga Fritz RADOVANI

 

A doni me u fikë? Shkoni e hyni ndër shkollat e Klerit Katolik Shqiptar! Nëse nuk pat mësue mend Shkodra me Luigj Gurakuqin, keni boll të tjerë. Ua plasi dreqi sytë e ballit edhe disa djemëve të Pipajve të Libohovës, Osman Kazazit të Tiranës, e deri edhe djelmëve të Bushatlijëve e Xhyrezëve të Shkodrës, me shkue madje edhe ndër Jezuitë italianë, se nuk ua mbushi synin ajo e Fretënve të Shqipnisë...Prej fundit të Dragobisë vjen Bajram beg Curri e shtrohet në kuvend edhe Ai me Fretnit e Shkodrës. Familje në za, Avni Rrustemi i Djelmnisë Vlonjate, miqsohet edhe Ai me Priftin e Shantojëjve...Demek, “Opozitë”! Ua kishin marrë mendjen priftnit e mblidheshin te Shtëpia e Marubit, pozonin aty me ba fotografi, e rreju të shkretit se po “rregullojmë” shtet me Pjeter Logoreca e Don Nikollë Kaçorra, kur shumica e popullit vazhdonte me dalë me të çilë deren me sherbëtor e me të prue kafen nën dërrasen e hapun të derës së dhomës së burrave, se gratë e qeveritarëve tanë edhe kur dilnin në oborr me shkund manin, u duhej me kenë me perçe!

– Ata edhe sot besa njashtu veprojnë, po nuk po u rrinë gratë nën té si u ka ande atyne!

I vetmi që i ka njohë Ata Klerkë asht kenë Mbreti! Ah, Ahmet Zogu ua rregulloi samarin...Kur kje ngusht, i ndjekun prej austriakëve, shkoi në qelë të Rubikut e u fut nën zhgun t’ At Palë Dodës. Kur banë “Opozitë” Fretnit që i shpëtuen lëkuren ..i vuni në konop! Atij ia “lumsha” krahun...!

Klerit Katolik Shqiptar i kishte xanë sytë Flamuri i Gjergj Kastriotit!

Vjen Italia e na mbushë edhe podrumet me mallin e vet...Çohen Priftnit peshë “këta na zhigatën Flamurin me sopata”!...Tue i pasë në Fe të Tyne...I pau sherrin tanë Shqipnia! Deri derrat e dosat e lagjes “Skenderbeg” në Shkoder, delshin në rrugë me turi të skuqun prej makaronave pastashutë me salcë që u qitnin ushtarët italianë, jo po, “janë fashista”, thërriste Kleri! Aaaa, nuk i duem këta? – Ata të “nacional – çlirimtares” janë “shqiptarë” filloi me thanë Kleri... Ani, s’ ka gja, veç të huej jo!...Vijnë dy pederasta shkje prej Beogradit, një Dushan e një Meladin, e gjejnë “mostren” e vet në Tiranë...E ku e morën turkoshakun që u duhej me shpartallue Veriun? – Prej Gjirokastre...E i pau sherrin atij anadollak me gjak e me babë jo vetem Gjirokastra, Kalaja e Saj, po edhe der ku këndonte Shqipja ndër Bjeshkët e Nêmuna. Mëkati i kujt ishte? – I Imzot Bumçit, që nuk mujt me ndejë pa Korçën e Gjirokastrën...E u fik gjithë Shqipnia, me Katolikë, Muslimanë e Ortodoksë...se t’ ishte e mbara e Shqipnisë, as Korça as Gjirokastra nuk kishin sesi me na e sjellë atë turkoshak në krye të vendit, se e kishte rahatue me kohë greku!! – Jo po, janë Vllaznit tonë! Po edhe ata qytete t’ ishin nën grekun besa ma mirë patën me kenë se me Enver Hoxhen! Kush kje ma mirë na apo Maqedonia?!

Pat ardhë në Shqipni një prift italian e i ra për 30 vjet kryqeterthorë vendit, tue u marrë me studimet e veta, njëfarë At Fulv Cordignano...Sa iku prej këtu pat shkrue se: “Shqiptarët janë rracë e manafikun...bastardhe...” me një fjalë “Popull kot!”, “tamam si ishim!”...O Zot i madh, po si i ndejën gati Priftnit tonë, a thue se i pat shpifë gja për fiset e tyne!? U çuen në kambë të gjithë bashkë, me profesora e filozofë, e nuk lane gja pa i thanë, a thue se çka ishte ba! Filloi Don Ndre Zadeja, mbas Tij, Don Nikollë Mazrreku, e me Prof. e Shkodrës edhe At Gjon Shllaku, nuk mujt me ndejë pa u përzi edhe Prof. Filip Fishta në Tiranë...Si u erdhi fundi këtyne antifashistave e me ta edhe Prof. Kolë Prelës së Dukagjinit, aq i vorfën, që kur binte me fjetë, nuk kishte çka me i ngranë as miu në sofer të Tij? – T’i rahatoi Enver Hoxha ma bukur s’ ka ...Filloi me të parin Don Ndrenë e t’i bani mos me ju gjetë jo libra e shkrime ndër shtëpija, po as bishtagyp me shkrue një leter...jo vetëm atyne, por ua panë sherrin edhe Malësorët e Dukagjinit e të Kelmendit...se lé far’ e fisin e tyne...

Bahet një bombardim në Tiranë, e populli vrapon e futet në një rrefugjio pranë Kishës së Jezuitëve për me shpetue kokat...Gjermanët shkojnë se dikush i njofton që me popull aty kanë hy edhe disa komunista...U del para At Pjeter Mëshkalla, e mbasi u shpjegon gjermanisht se aty asht populli i asaj lagje dhe i garanton se nuk ka njerëz të armatosun, gjermanët ikin.

Po pse, o At Mëshkallë, u del para gjermanëve, po a nuk e dite ke po shpëton!?

– Jo Fritz, detyra ynë ishte dhe asht gjithmonë me mbrojtë Popullin nga gjakderdhja...

E, pa kalue as dy tri vjet, At Mëshkalla fillon Kalvarin e 25 vjetëve në burgjet komuniste.

Vrapon në Velipojë Don Alfons Tracki, e shpëton 100 Burra të lidhun nga gjermanët, që donin me i vra për vrasjen e një gjermani...E spijuni i sigurimit komunist Gjovalin Mazrreku, do me u tregue komunist besnik, e thrret Don Alfonsin në gjyq: “Spijun i flliqun i fashizmit!”...

Hej, çka s’ ndigjon dreqi... o Don Alfons Tracki, kthen sa vetë nga kampi i shfarosjes së Prishtinës, e pushkatohe si “agjent i Gestapos”... Po a i erdhi keq kujt mbas 2 vjetësh kur sigurimi rrasi mbrendë spijunin Gjovalin Mazrreku me grupin e “tradhëtarëve të partisë dhe sigurimit”? Haje dreq, askujt!!

Një djalë i ri, tue kalue rrugës mbi Urë të Lanës në Tiranë, para Hotel Dajtit, veç prej një makinës kërset pushka...Më tregonte z. Xhemal Alimehmeti para disa vitesh. Vrasin komunistët nipin e Xhafer Devës pa i pasë as faj e askurrgja nën Zotin. Fillon Xhafer Deva...mbas dy ditësh në darkë e t’i merr me rradhë me datën 4 shkurt 1944 të gjithë komunistët e njohun e t’i vret si qentë pa gjyq e pa iu degjue zani...I ishte mbushë mendja me pastrue prej pisllekut komunist mbarë Tiranen...! E çon dreqi Pader Anton Harapin në dy të natës e tue ngreh sandalet rrëshanë nga shpejtsia, me zhgun të zbërthyem, se harron me vue edhe konopin e vrap në zyre të Xhafer Deves…”Moh bre, Xhafer, jo gjak bre Burra, se janë vllaznit tonë…jo kështu, Xhafer, jo vrasje bre Burra...se boll gjak po bajnë ata e me fillue edhe na po mbulohet në gjak Shqipnia!...” E Xhaferi i shkretë e shikon, po s’ ka çka i thotë, veç ndalon pastrimin e plehit që kishte fillue…

Padër Antoni, edhe tue kenë Rregjent, do të vazhdonte me kujtue fjalët e Krishtit: “Duejini anmiqët tuej!”, jo me e lanë Xhaferin me krye punën e vet, po jo, “janë vëllanit tanë!”...

Pa kalue vjeta të parin që kërkojnë me vra komunistët asht Padër Anton Harapi…E kapin ndër male të Dukagjinit dhe e pushkatojnë mjedis Tiranës bashkë me Sulçe beg Bushatin…bash “vëllaznit e vet”...Edhe e akuzojnë njenin e tjetrin që “keni larë duartë me gjak”, që me siguri e them se Asnjeni kurrë në jeten e vet nuk kanë mbytë një pulë... E madje, sot edhe pyet z. Mergim Korça, klerin e sotëm: “Po Pader Anton Harapi pse nuk bahet Shejt…?” – Asnjeni nuk di me ju përgjegjë...Mirë e ka pasë Pader Antoni nga “vëllaznit e vet”, për çka me e ba Shejt…!?

Shejt asht dashtë ba Xhafer Deva, dhe jo Pader Antoni, o z. Mergim!!

 

Vazhdon....



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora