E enjte, 25.04.2024, 05:12 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Një tregim për mikun tim (X)

E premte, 12.08.2011, 08:05 PM


RESHAT KRIPA

 

NJË TREGIM PËR MIKUN TIM

 

NGJARJE TË JETUARA

 

NJË   KRIM   I   PA   NDËSHKUAR

 

Po afrohej mesi i qershorit të vitit 1985. Atë vit vera ishte mjaft e freskët. Dukej sikur kjo freski kombinonte me ngjarjet politike të asaj periudhe. Diktatori kishte vdekur dhe në zemrat e njerëzve kishte lindur shpresa për ndryshime. Ata prisnin ndryshime nga pasardhësi i tij. Njerëzit ishin lodhur nga jeta e tyre, nga kampet dhe burgjet që shtriheshin kudo, nga burgu i madh ku jetonte i gjithë populli dhe që kishte ndarë djalin nga babaj, dhe vëllanë nga vëllaj. Ata donin të bëheshin të njëjtë me kombet e tjerë të botës prej të cilëve kishin vite që ishin ndarë. Por a do të ndodhte një gjë e tillë apo gjithçka do të mbetej një iluzion i humbur?

Sotir Nastua nga Narta ishte ushtar në Ravenë të Karaburunit. Si mori tre ditë leje u nis për të shkuar në fshatin e tij të lindjes. Doli në rrugë dhe si priti pak hipi në një makinë që e shpuri në qytetin e Vlorës. Atje mori urbanin që shkonte në fshatin e tij. Kur mbrriti atje dielli po perëndonte dhe bashkë me të rrugës shifeshin kooperativistët që ktheheshin nga puna në vreshtat e shumta të fshatit. Midis tyre dalloi të ëmën të cilën e takoi dhe përqafoi me mall. Shkuan së bashku në shtëpi, por ai nuk qëndroi gjatë. U la, u ndërrua dhe u bë gati për të dalë.

- Po dale more bir, ti porsa erdhe. Ne akoma nuk jemi çmallur.- i foli e ëma.

Por ai bëri sikur nuk e dëgjoi. Doli përjashta dhe u drejtua për në qendër të fshatit. Donte të takonte pa tjetër shokun e tij të ngushtë Jorgo Shellën. Së bashku kishin biseduar për një plan që e mbanin të fshehtë. Shkoi në shtëpinë e tij po nuk e gjeti. U kthye përsëri në qendër të fshatit dhe u fut në klub. Aty pa Jorgon që po bisedonte në një tavolinë me Aleksin një i ri i fshatit që ishte ushtar në Sarandë.

U përshëndoshën dhe Sotiri u ul dhe porositi një gotë verë si shokët e tij. Donte te bisedonte me Jorgon, por prania e Aleksit e shqetësonte. Mezi priste që ai të largohej. Kur papritur Jorgua tha me zë të ulët:

- E bisedova me Aleksin atë problem. Ai e njeh vendin dhe është i gatshëm të na ndihmojë.

Sotiri mbeti si i shastisur. Veprimi i Jorgos e kishte habitur. Si kishte guxuar t’i hapej Aleksit? Si kishte patur besim për një gjë kaq të rrezikshme? Por tani kjo gjë ishte bërë një fakt i kryer dhe nuk kishte mundësi të kthehej më prapa.

- Kisha deshirë të vija edhe unë me juve, por ju e dini gjendjen time.—u tha Aleksi.

Ai ishte djalë i vetëm dhe nënën e kishte të sëmurë. Atë mbrëmje qëndruan aty duke biseduar deri vonë. Vendosën që të niseshin të nesërmen.

-Sonde nuk paska fund muhabeti juaj,- u tha kafexhiu – Ngrehuni tani se u bë vonë dhe më duhet të mbyll klubin.

Vështruan rreth e rrotull dhe vunë re se nuk kishte mbetur më njeri. U ngritën, u përshëndoshën me kafexhiun dhe pasi bënë një shetitje nëpër rrugët e shkreta të fshatit secili shkoi në shtëpinë e tij.

Të nesërmen u ngritën që me mëngjes dhe u nisën për në Vlorë.

- Korba unë more bir, por nëna nuk të pa fare.- i tha e ëma Sotirit – Përse nuk më the që mbrëmë që të  kisha skuqur disa kuleçë?

- Mos u bëj merak nëno. Atje ku do të shkojmë do t’i gjejmë të gjitha. – u pergjigj ai duke u larguar.

Ne Vlorë morën autobuzin e linjës së Sarandës. Atje mbrritën në pasdite. Filluan të endeshin rrugëve të qytetit duke pritur orën për të shkuar në vendin e caktuar.

 

***

 

Në shtëpinë e Pavllo Shellës kishte rënë heshtja. Djali i tyre Jorgua kishte tre ditë që ishte larguar së bashku me Sotirin dhe Aleksin dhe nuk ishin kthyer. Ai kishte thënë se do shkonte te halla në Vlorë. Por atje as që e kishin parë. Pavllua filloi të shqetesohej. Vuri re se edhe ata te Këshillit të fshatit sikur i shmangeshin.

- Ngreu or burrë dhe shko pyet te i plotfuqishmi se pastaj do na thonë se pse nuk kemi lajmëruar. - i tha e shoqja me lot ndër sy.

Ishte bërë si rregull në atë kohë që për çdo rast të tillë të lajmërohej i plotfuqishmi i fshatit ose Dega e Punëve të Brendëshme.

- Do presim edhe sonde. Po nuk erdhi do të shkoj nesër që me mëngjes – u përgjigj ai i shqetësuar.

Atë mbrëmje në portën e shtëpisë u dëgjuan disa trokitje të forta. Pavllua u ngrit dhe e hapi atë. Ishte Avniu, operativi i zonës, i shoqëruar nga Jollanda, Kryetare e Këshillit të Bashkuar, dhe dy policë.

- Kemi ardhur për kontroll,- i thanë Pavllos.

- Përse? - pyeti ai i habitur.

Nuk i kthyen pergjigje. E shtynë tutje dhe filluan të përmbysin gjithçka. Kërkonin gjithandej. Pavllua dhe e shoqja qëndronin si të ngrirë. Si nuk gjetën gjë u larguan përsëri. Kur arriti te pragu i portës Avniu u kthye nga Pavllua dhe i tha me një zë të akullt:

- Djali i juaj tradhëtoi atdheun dhe për tradhëtaret ka vetëm një ndëshkim. Trupin e tij e keni në morgun e Sarandës.

Plakës i ra menjëherë të fiktit. Pavllua mbeti si i ngrirë. Nuk dinte çfarë të bënte. Të thërriste? Po kë? Të ulurinte? Nuk kishte fuqi. Si e mblodhi veten u kthye nga plaka të cilën e përmendi duke i lagur fytyrën me ujë të ftohtë. Ajo hapi kujen me zë te lartë. Fshati e dëgjoi dhe njerëzia filluan të vijnë menjëherë, por kur morën vesh shkakun u larguan sikur aty të kishte rënë një kolerë. Edhe vëllaj dhe motra e plakës nuk guxuan të vinin. Erdhi vetëm motra e Pavllos dhe dy tre vetë të tjerë të afërm që u munduan t’i ngushëllonin si mundnin prindërit e ngratë.

E njëjta skenë u përsërit edhe në shtëpinë e Apostol Nastos. Edhe atje u bë i njëjti kontroll, u dha e njëjta gjëmë. Edhe atje shpërtheu i njëjti vaj. Edhe atje njerëzia filluan të largoheshin a thua kishte pllakosur murtaja. Zija kishte mbuluar dy familjet.

 

***

 

Apostol Nastua nuk guxoi të shkonte për të marrë kufomën e të birit. Frika dhe pasojat e këtij veprimi e detyruan të ruante dhimbjen brenda shpirtit të tij. Në shtëpinë e  tij nuk u guxua as të qahej. Trupi i Sotirit u varros në Sarandë nga punëtorët e komunales.

Pavllua vendosi t’i marrë mbi vete të gjitha pasojat. E ç’mund t’i gjente më keq ata dy pleq të gjorë? Të nesërmen i vetëm mori  rrugën  për    Sarandë.  Atje  kishte  një mbesën e tij të martuar. Ajo e priti dhe i tregoi historinë e tmerrshme që kishte tronditur gjithë Sarandën dhe do të trondiste këdo që do të dëgjonte një histori të tillë.

- Të gjithë thonë se i denoncoi shoku që i shoqëronte. Kur mbrritën në vendin e caktuar u zhveshën dhe u hodhën në det për të notuar drejt Korfuzit. Shoku i tyre u kthye dhe lajmëroi në Degën e Punëve të Brendëshme. U nis menjëherë motobarka e forcave të mbrojtjes bregdetare e cila i arriti në ujrat ndërkombëtare. Atje ata kishin mundësi t.i kapnin dhe t’i sillnin në qytet për t’i dënuar. Por ata nuk e bënë këtë. Ata nuk njihnin asnjë ligj dhe nuk kishin asnjë ndjenjë njerëzore. Ata ishin kriminelë të lindur për të vrarë dhe masakruar njerëzit. Nxorrën automatikët dhe i vranë që të dy. Por edhe kjo nuk ju mjaftoi. Gjaku i tyre i ndezi më shumë. Filluan t’i godasin me elikën e motobarkës duke i sakatosur dhe përçudnuar si mos më keq. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, të nesërmen i lidhën trupat e tyre pas një kamioni që i tërhoqi zvarrë rrugëve të Sarandës, për të terrorizuar popullsinë e qytetit, për të trembur edhe ata qytetarë të tjerë që ndoshta mund të kishin ndër mend të kryenin një aventurë të tillë. Të gjitha këto u bënë me urdhër të Kryetarit të Degës së Punëve të Brendëshme. Bëhu i fortë dajo! Një pamje e tmerrshme të pret nesër. Duhet ta përballosh me dinjitet.

- Po moj bijë e dajos po. Dajua është i fortë dhe do të dijë si të qëndrojë. - u pergjigj i vendosur Pavllua.

Të nesërmen shkuan në morgun e qytetit. Atje i priste një pamje e lemerishme. Pavllua nuk e njojti të birin. Në trup dukeshin gjurmët e shtatë plumbave. E dalloi vetëm nga mbathjet që kishte veshur. Të njëjtën pamje kishte edhe shoku i tij Sotiri që ishte aty pranë Duke përfituar nga shpirtmirësia e punonjësve të spitalit e lanë kufomën dhe e veshën me një palë rroba që i blenë në treg. Pastaj e vendosën në arkivol, e vulosen atë që të mos hapej më dhe u nisën me furgonin e komunales për në fshat. Mbrritën në shtëpi natën vonë. Atje gjetën vetëm fare pak njerëz të afërm të familjes. Makina u largua menjëherë porsa dorëzoi kufomën.

 

***

 

Të nesërmen te porta e shtëpisë u duk Llazari, një anëtar i Këshillit të Bashkuar. Pa u futur brenda thërriti Pavllon dhe i tha:

- Kufomën nuk  do  ta  varrosësh    varrezat  e  fshatit.  Ne  nuk  lejojmë    një

tradhëtar të prehet pranë atyre burrave të nderuar që janë atje. Ky është vendimi i Këshillit.

- Po unë si t’ja bëjë? – pyeti Pavllua i hutuar. - Atje kam varret e familjes.

- Varrose atje poshtë në jalli dhe mos lerë asnjë gjurmë varri. Besoj se më more vesh.  - i tha Llazari me një ton urdhërues dhe u largua.

Pavllua mbeti si i ngurosur pranë portës. Si është e mundur të mos i jepnin asnjë vend varri për të birin ata që deri dje e salutonin dhe bisedonin me përzëmërsi me të? U kthye në dhomë dhe u dha lajmin e kobshëm atyre pak vetëve që ndodheshin në dhomë.

- Do shkojmë të ankohemi në Degën e Punëve të Brendëshme dhe po qe nevoja edhe ne Komitetin e Partisë - tha Andoni, nipi i Pavllos.

U nis menjëherë për në Vlorë. Por edhe në Degën e Punëve të brendëshme mori të njëjtën pergjigje. U drejtua për në komitetin e Partisë, por atje as që e priti njeri me gjithë insistimin e tij. Në fund dezhurni që ishte te porta i tha:

- Ik or djalë, mos i hap më punë vetes.

Në fshat ishte krijuar një gjendje e nderë. Shumica e fshatit u mbyll në shtëpitë e veta, për të mos u trazuar në këtë ngjarje. Ndërsa disa tipa të pacipë si dentist Nashua apo pensionist Apostoli thërrisnin me zë të lartë që të mos shkonte asnjë në shtëpine e tyre për ceremoninë e varrimit, pasi djali kishte vdekur si tradhëtar.

Korteu fare i vogël u nis atë pasdite për në jalli. Ndërsa kalonte nëpër fshat ata pak njerës që ndodheshin në rrugë i kthenin krahët ndërsa një provokator i paturp ia mori një kënge ku ironizohej ngjarja e ndodhur.

Ngjarje të reja të dhimbëshme pasuan në ditët që erdhën. Spirua, komunist dhe përgjegjës sektori, ndau gruan vetëm e vetëm se i ati i saj kishte shkuar në varrim. Ndërsa Pandeli Andoni, kunati i Pavllos, nuk i rezistoi dot presionit të madh dhe piu helmin duke i dhënë fund jetës pse nuk pranoi diktatin e Këshillit për të ndarë gruan.

Viti 1990 dha shenjat se përmbysja e madhe kishte filluar. Diktatorët e Europës Lindore kishin filluar të binin njëri mbas tjetrit. Kishte mbetur vetëm ky i yni. Pavllua mendoi se kishte ardhur koha për t’i rivendosur eshtrat e të birit pranë varreve të të afërmve. Bëri çvarrimin dhe u nis drejt varrezave të fshatit. Por para i doli Jollanda dhe Antigoni, Sekretarja e Partisë që i thanë:

- Mos kujton se ne kemi vdekur? Jo mor jo. Ne jemi gjallë dhe do t’ju  shtypim kokën. Kthehi eshtrat atje ku ishin, se atje e kanë vendin e tyre.

Pavllua heshti dhe u kthye andej nga kishte ardhur. Eshtrat u vendosën përsëri në jalli.

Vetëm pas 22 marsit 1992 ato mundën të zenë vendin që i takonte në varrezat e fshatit.

 

***

 

I takova këta dy pleq një ditë prilli të vitit 1993, kur shkova në shtëpinë e tyre së bashku me mikun tim Dinon. Në fytyrat e tyre lexohej vetëm dhimbja. Me lot ndër sy na treguan ngjarjen që pershkruajta më lart. Kishin një brengë të madhe në zemrat e tyre. A do të ndëshkoheshin fajtorët e kësaj gjëme?

U interesuam për Jollandën, Antigonin, Avniun, Llazarin dhe lakejtë e tjerë të tyre. Na thanë se ata kishin fluturuar ne Greqi, ku një zot e di se me se merreshin dhe çfarë përgatisnin  Me siguri gjëma të reja si ajo e vitit 1997.

Pavllua kishte vetëm një kërkesë. Donte që demokracia të vendoste drejtësine për masakrimin dhe përdhunimin e të birit.

Nën presionin e shoqatës dhe të opinionit publik u bë i mundur arrestimi i ish Kryetarit të Degës së Punëve të Brendëshme Sarandë. Por gjyqi i tij u kthye në një farsë gjyqësore. Ai u dënua vetëm me tre vjet burg për shpërdorim detyre. Oh, ironi e fatit! Tre vjet burg në shkëmbim të jetëve të dy njëzetvjeçarëve.

Zemra e Pavllos mbeti përsëri e zhgënjyer. Krimi mbeti përsëri pa u ndëshkuar.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora