E hene, 20.09.2021, 11:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Riza Lahi: ''Erdhi axha Rrik'' - Stradivari nga Shkodra

E hene, 08.08.2011, 08:03 PM


“ERDHI AXHA RRIK” – STRADIVARI NGA SHKODRA

 

Nga Riza Lahi

rizalahi@yahoo.com

 

-  Rriku, hajt, na i bjer ndonji pjese shkodrane, sa t’ju baj kafet vetë; hajt, mos ma prish.

-  Po… Prit, moj Nikolinë nji herë, se na ka ardhë edhe Rizaja.

- Po Rizaja për me ndigiue nji fije violinë ka ardhë, mor Rrik. Pse, me pa fëytrën t’ande e t’emen ka ardhë a, qi nuk i duhen as dreqit ma…hahahahahah...

- Po ka ardhë me shkrue diçka…po don me shkrue moj Nikolinë.

- Tash po shkrueni boll, he burrë…Hajt, para, shyqyr qi na ka ardhë dikush prej shkodret.

Nikolina ende e bukur, me trup të pakët e sytë e kaltër përherë të qeshur, ia jep violinën  në dorë të shoqit trupvigan që e merr me kënaqësi të veçantë, e ujdis nën gushë me aq hijeshi, perëndon sytë dhe…Tingujt e mahnitëshëm të një “jareje” shkodrane  prej njërës nga qindra violinat që ka prodhuar ky kryemjeshtër shqiptar,  përhapen duke marrë me vete, si dy dallëndyshe krahëkaltra, sytë e Nikolinës, që andej, ku është “tuj pjekë kafet” .

Henrrik Mikopli (Michopulo)  ka lindur në Shkodër më 10. 07. 1937 nga një baba prej Trieshtës me  origjinë nga  arbëreshët e Greqisë dhe nga një nënë shkodrane.

Ai është i njohur në vëndin tonë si akoorduesi më i mirë i pianove, prodhues veglash muzikore; është edhe instrumentist klasi  - ka dhënë mësim në konservator - por edhe pikturon shumë bukur, shkruan për fëmijë shumë bukur, dhe, sapo vjen në atdhe me zi pret t’u thojë fjalë të ëmbla të njohurve a të panjohurave të vëndit të tij, që tregojnë kulturë, edukatë a mjeshtri. “M’bahet zemra njikaç” – thotë me sytë e vegjël e të gëzuar shumë, duke vazhduar ta shqiptojë “q” për “ç”, siç ngjet në lagjet klasike katolike të qytetit të Shkodrës.

Mikopulo sot banon në Itali, ku ka një jetë të pasur dhe shpeshherë spektakulare në lidhje me aktivitetin si muzikant dhe prodhues veglash muzikore, jep mësim fëmijëve të qytetit Parabida, ku banon dhe ku, më së fundi, ka hapur edhe një ekspozitë të veglave muzikore që ka prodhuar dora e tij e florinjtë.

Jo pak italianë e konsiderojnë atë “stradivari shqiptar”, për nder të mjeshtrit të madh italian  të prodhimit të violinave, Antonio Stradivari.

Henrrik Mikopulo dikur, për të shkuar në Itali, ka pas shitur një gjë shumë të shtrenjtë, një violinë të prodhuar nga ai; nga të parat. Por, pas shumë vitesh, ai, ashtu sikurse nëna dallon fëmijën e saj nga aroma, ai, ka mundur ta pikasë qënien e shpirtit të tij në formacionin e një orkestre jo të ardhur nga Shqipëria. Askush në botë nuk nxjerr aso tingullit, si ajo, krijesa e tij e parë dhe e papërsëritëshme…

Fill pas koncertit, ashiku shkodran, ka takuar violinistin dhe si  është bindur se ishte pikërisht krijesa e tij, ia ka lënë në dorë të zotit çmimin 5 herë më shumë se sa e ka pas shitur, dhe ia ka rrëmbyer nga dora duke i thënë një mijë herë “falemnderës… falemderës”.

Ja se ç’tregon vetë ai për veten e tij:

“ Babën  ma thërrisnin Gjergj Mekaniku e tanë Shkodra. A kenë inxhinier i njoftun shumë. Boll me të diftue që ai ka montue fabrikën e parë të makaronave në Shkodër në vitin 1921në “miletbahçe”. Për me  demonstrue parimin e punës për prodhimin e makaraonave, sic më ka pas thanë nji shkencëtar shkodran I quajtun Kol Shjtefni, ai ka përdorë një gomar që të rrotullonte çikrikun.

Baba jem ka montuar fabrikën e parë të biskotave, llokumave dhe karameleve si edhe, aparaturën e parë të  filmit në Shkodër. Motra jeme a kenë operatore, kur transmetojshin në Shkoder film për herë të parë me mjetet e sajueme prej babës. Në vitin 1928 baba jem ka projektue dhe zbatue centralin e parë elektrik me “diezzel” në Berat. Ai ka ditë pesë giuhë të hueja dhe ka dekë në manyrë aksidentale në Pukë, në vitin 1951...Violinën e parë, the? Jam kenë 12 vjec. Shkojshëm të Shtëpia e kulturës e shifshe pret pexheres se si i bijshin violinave e bajshin prova . Shkova nji dite në shtëpi e e bana nji violinë me kompensato…Nuk tingllote gja, mor, jo. Në vend qi me e lye me cemcakëz, e lyva me bojna vajit. Kot, mor, kot. Nesje. Unë për dite shifshem pret pexheres se si bajshin prova nën drejtimin e Zef Alimhillit. Zef Alimhilli  a kenë nëpunësi ma I sukseshëm I gjendjes civile të Shkodrës. I papërsëritshëm. Një kompiutër I gjëllë biologjik. Por, ai a kenë edhe nji violinist I përsosun. Ai ia nepte violinën e tij me I ra, vetëm nxansave ma të mirë të tij. Jo kushdo mund t’I binte violinës së Zef Alimhillit e cila a kenë prodhue para njiqind e disa vjetëve…Ma në fund, njatë violinë e  kam ble vetë. E kam në shtëpi. Ia pata ble , kur ai u sëmund e donte me e lanë në dorë të mirë. Tash unë e kam atje…Njohjen e parë me Zef Alimhillin, the? E kam pasë përmes Prenk Jakovës. Ai erdh nji dite kur unë po shifshëm pret pexheres e më kapi për veshit. Për veshit më ka shtie në dhomën ku bajshin prova. “Merre mor Zef këtë fëmijë e mësoja violinën se rrin  tanë ditën poshtë pexheres seme e unë nuk kam se ku me i hedhë bishtat e cingareve!”…Në vitin 1952, kur unë kam kenë pjestar në orkestrën filarmonike të “shtëpisë së kulturës, Shkoder”. Në atë vit, na kena shkue me dhanë shfaqe në qytetin e Korcës. A kenë opereta e parë shqiptare “ Dritë mbi Shqipni”, kompozuar nga i paarritëshmi ende Prenk Jakova. Jam kenë vetëm 15 vjeç . Violina të para jena kenë Ndoc Shllaku, Mark Kaftalli, Rrik Darragiati dhe  Robert Prendushi. Violinë e dytë janë kenë Luan Causholli, Ejll Koliqi, Pejtër Arbnori, Zef Tafili dhe unë.Në violë ka lujatë i vëllai i Tonin Harapit, Ndrekë Zojsi…Në trompë a kenë Gjon Halili, që ndryshe i thojshin edhe Gjon Buria…Kush a kenë Gjon Buria? E tanmë orkestra e shtëpisë së kulturës përbahej kryesisht prej puntorëve…A e din se c’ka na ka ba nji herë ky Gjon  Buria? Ishim tuj luejtë një pjesë humoristike dhe kangëtari stonoi. Prenka (Jakova)u xe keq, por tan puna shkoi mrekulli, kur, sa stonoi kangëtari, sa u xe Prenka e kje tuj e hangër dreqi punën krejt, kur nji të qitë Gjon Buria shishen e birrës qi e kishte pasë nën xhaketë e , tuj u drejtue kah spektatorët, tha me za të naltë se ishte tuj I pi nja dy hurtha birrë, se tash po u ngrohte ma vonë e s’u pite ma. Të tanë qeshën e kujtuen se kjo ishte pjesë e skenarit humoristik…

..Më çuan në licuen artistik të Tiranës. Për nji vjetë, mora provimet e tetë vjetve, mbasi nxansat e tjerë kishin shkue në atë lice  shumë ma të vegjël sesa unë. Janë kenë vjet shumë të buklura për mue, dhe unë e kam në dorëshkrim nji libër kushtue viteve të mia në licuen artistik. Jam kenë në klasë me Robert Radojën, Víktor Shirokën, Ferdinant Pacin, Vaçe Zelën, Shaqir Rexhvelajn, Gjovalin Shestanin, Pjerin Xhenxhafillin, etj. Mbas do kohet, unë pata nji ghëzim të madh. Ministria e arsim – kulturës më akoordoi një bursë speciale…Si pyete, kush janë kenë në zhurinë e përzgjedhjes seme? Atëherë nuk a njoftë korrupsioni si sot. Njerëzit janë kenë ma idealista. Në komisionin që më përzgjedhi mue a kenë Sofokli Paparisto, Ludovik Naraci e Genc Bogdo. Ma vonë Sofokli Paparisto më ka dhanë mësim…Profesor Paparisto a kenë nji skolastik i përsosun megjithse vetë nuk luante. Borxh ia kam të tanë jetën.Si babën e kam dashtë e e kam drashtë. Thote për mue se “njaj Rriku asht mineral qi gjehet thellë”. Për krye të Gjergjit, njashtu thote…”

Ky çift i mrekullueshëm shkodranë, ka dy fëmijë – artista të njohur dhe me emër që të dy. Gjergji dhe Brixhilda banojnë aktualisht në SHBA. Gjergji është violinist dhe kompositor – profesión vetëm që ushtron plot sukses atje, kurse Brixhilda – piktore. Mes pikturave të shumta të së bijës, që “axha Rrik” i mbanë në një dosje të veçantë të fotografuara, ja, edhe një hartë e atdheut të saj prej …hojesh mjalti...

Le të vazhdojmë të na flasë në diktofon protogonisti ynë…

“Më morën ushtar… më mori klubi sportive “Partizani”. Jam kenë sportist cilësor në atletikë. Jam shpallë edhe kampion shqipniet. Kam arritë njiqind metërshin  10.9 ( nxjerrë një gazetë “Sporti popullor” që mban datën 20 dhjetor 1961. Kam garue në 100 e 400 metro. Mbas dy vjetve ushtrije, hyna në konservator. Ishim gjenerata e dytë e konservatorit të sapohapur.Në klasë jam kenë , psh, me Robert Radojën, ish nxanësin tem Zhani Ciko, Burhan Spahinë, Hysen Koinë…Unë nisa me ba riparime veglash. Gjana të vogla, por I bajshëm. Për shembull, Frederik Banda tash tridhjetë vjet e mbanë gushorën qi ia kam pasë ba vetë për violinën. Mirëpo, në vitin e tretë, më thërritën papritur. Ishte puna për një sihariq…Ishte puna me shkue në Republikën Popullore të Kinës si riparues pianosh.. Si të mbarojshe kursin atje, me vazhdue prap konservatorin. Pranova tuj fluturue.E…Si dola atje, the?Uf…Kishte muestra të përsosun atje. Atje unë kam njoftë edhe një mjeshtër violinash që i thojshin “Stradivari kinez” . E kishte emnin Tai Huan Shqian. Ai, madje, nji dite, si tuj qeshë – komunikojshëm rusisht – më tha: ”Ca të kanë pru ty këtu për piano? Ti e ke shpirtin te violina!!!”.

 

Nejse. Erdha në Shqipni dhe ishëm mjeshtyri i vetëm për akordim e riparim pianosh, që ishte specializue jashtë. Në mitin 1983 mora titullin “profesor”…E? A kam pasë gjatë jetës teme ndonjë ngjarje tepër të veçantë në lidhje me riupartimin e pianove? Po, e kam pasë. Ka ndodhë në Itali. A kenë vjeti 1999 dhe erdh nji grup grek me dhanë shfaqe. Kishte me vedi edhe nji kangëtare të njoftun. Grupi do të nepte shfaqe bamirësie dhe unë shkova me e pa. U ula në rreshtin e parë. Kur…u hap pëshpërima se shfaqja mund të anullohej.Dikush kishte sabotue. I kishin hjedhë pianos vinovil e tutkall. Dote edhe tridhetë minuta me nisë shfaqja dhe unë  kërceva në skenë dhe shkova te grekët qi ishin të alarmuem në kulm. Sa e pashë gjendjen e pianos, iu afrova ndihmën teme menjëherë. Iu kërkova urgjent ujë të xehtë, gjeta nji kacavidë, mora edhe nji dorëz deret që m’u lypte dhe ia nisa punës me me huj ( inatshe), vët e vët…Pianoja u ba gati. Qe, e kam të ruejtun  hala, se ç’ka ka shkrue nji gazeta italiane për atë dite ( Gazeta “Il cursivo”. Një foto e mjeshtrit tonë nën siglën “ Il maestro Michopulo mentre accorda il piano”.)…”

Pyetjes sime, në ka patur tradita qyteti im për  bërjen e veglave artistike, mjeshtri iu përgjgj kështu:

“ Si kurrkush në të tanë Ballkanin. Kqyre. Qe ku e kam nji fotografi të  vjetit 1919. Asht nji grup të rijsh qi festojnë nji majin në Shkoder. Të tanë me vegla artistike. E…me prodhue? Qe, për shëmbëll. A kenë nji prej Shirokës, qi e ka pasë emnin Nikoll Markluka. Aj ka ba për herën e parë  në Shqipni nji violë me dy rradhë telash, pesë nalt e pesë poshtë. Nji si kjo, kam ba unë. Kurrkush tjetër në Shqipni. E…Nji plakë qi kam pasë takue unë në Shkodër, Liza e Kol Baltës, e lindun  më 1891, më ka pas thanë : “A kenë nji burr në Shirokë qi bante qemane. Therte qingja, iu thante zorrët e , me zorrët e thame, bante telat e qemaneve. Ate vijshin e e merrshin me karrocë pret shkodret rreshperët  ( pasanikët) dhe e bijshin prap në Shirokë. Aj ka pasë shok nji prift  që rrinte i veshun shkodrançe, me barrnavekë e qi ishte qejflli i madh e ahengut. Vetëm pret jakës së bardhë u dallote qi ishte prift”. Qe, pra, njeni prej mjeshtrave shkodranë. Më kanë thanë se edhe nji nxanës I jemi , prej Lezhet, qi I kam pasë dhanë mësim në konservator, Mark Luli, ka saju nji instrument të vecantë, me disa funksione. Unë s’e kam pa hala, se jam në Itali, por m’u ba qejfi fort…”

Ja edhe historia e violines së tij të parë:

“ Kur punojshe me riparue piano, vendosa me e ba nji violinë vetë. Ia nisa punën në shtëpi kadalë – kadalë. Mujta me gjetë  bredh suedez , që asht ma i miri material për violina, falë pejzave të veçanta që ka ai lloj druni që rritet e rinon. në vënde   të ftofta .Nuk i diftova kurrkujt, me përjashtim të Mustafa Krantjes, që vinte në shtëpi e më shifte tuj punue. E mbarova në vitin 1978. Mustafaja më tha që mos me e lye violinën, por unë vendosa me e lye . I dhashë një ngjyrë ufull të keqe, qi nuk kishte burr ma me e hekë se prisheshin parametrat e sensibilitetit të saj. Ma në fund gjeta të tanë elementat qi duheshin me i vu lustrën; 16 elementa. Ec e gjeji atëherë, kurse tashti, lustra vjen e gatëshme dhe e përgatitun shkencërisht nga Gjermania.Nejse, ma…

Mora një vizë për vizitë tre mujorëshe në Itali  dhe m’u duheshin paret. Ishte viti 1989 dhe nuk kisha se ç’ka me ba e e shita violinen teme për dhjetë mijë lekë. Atë kohë ishte nji shumë jo e vogël. U nisa në Itali e mbeta atje, sepse plasi 2 korriku i ambasadave e … nejse, ma. Nji dite në Itali po nepte shfaqe nji trupë shetitëse italiane. Kur…M’u ba nji za violine si zani i violines seme. Iu avita. Po, besa, njajo ngjyra e ufullës ishte. Sapo mbaroi shfaqja, iu afrova instrumentistit, dhe u sigurova plotësisht se kje violina jeme. I thashë se a e shiste. Më tha se donte me e ndërrue e me ble nji violinë tjetër me korrent. Sa ban ajo, e pveta. Më tha se bante 1.5 milion lireta. Prit aty, i thashë, dhe shkova e ia bleva – pesë fish ma shtrejtë se sa e kisha shitë. Tash e kam në shtëpi. Ajo mut ngjyret qi I pata dhanë atëherë, më doli për hajër. Ajo më bani me e shtie në dorë edhe nji herë atë.

Mes kryeveprave të mjshtrit , të përcaktuara kështu nga ai vetë, le të konsiderohen hëpërhë, dy. Njëra …

“Asht  “violinë – violë” e tjetra asht “Viola d’amore”. Violinë – viola asht pak ma e madhe sesa violina e zakonëshme , asht ma e kumbueshme , ka diapasón – shtrirje zanore para,  ma të madhe sesa violina e zakonëshme dhe asht ma e kumbueshme se ajo. Gjatësia e kasës asht  37 centimetro, shifër kjo e dalë mbas shumë kalkulimeve të mia të rapoprteve të telit me urën. Kasën ia kam ba prej bredhit të bardhë  me fije të ngjeshun. Kam përdorë panjë me fije të drejtë, të stagjionueme. Kjo vegël asht e vecantë, nuk e ka askush, kastën më lutet Gjergji as mos me e shitë e as mos me prodhue tjetër, që të luajë vetëm ai hëpërhë….Kësi veglet   në Itali, mundet ta bajnë vetëm mjeshtrat italianë

të Kremones, në Italinë e veriut. Mirëpo , ata nuk e kanë marrë në dorë me e studiue veglen qi Gjergji e përdor për koncerte speciale.. Në të vërtetë, puna e këtij instrumenti asht si puna e vezës së Kolombit…E dyta asht    “viola d’amore”. Janë dy palë tela. Shtresa e ajrit të “jonizuem” pret tingujve të telave nalt, vjen e e vepron me telat poshtë tyne. Në të vërtetë, nji vegël si kjo, nuk asht se e kam ba unë i pari. Evropa e ka ba qysh në vjetin 1730. Në Shqipni, përpara mejet, ka pas ba dy copë mjeshtri shkodran nga fshati Shirokë Nikollë Mark Kola , në vjetin 1870….”

Ndërsa pijmë kafetë, Nikolina e mirë nisë të më përkthejë disa prej dedikimeve që vizitorët Kano lënë në librin e përshtypjeve që Kano lënë vizitorët e ekspozitës së të shoqit në Itali.

“ Jam shumë e kënaqur që luaj me një violinë të prodhuar nga duart e arta të Profesor Michopulos…Ka një timbër të ëmbëël që unë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë deri më sot – Francesca Cataldo”

“Është nder për qytetin tonë të kemi një mjeshtër si ju – Analiza”

“Jeni shumë i zoti – Nicole Koloniezzi”

“Është një nder dhe kënaqësi për këtë veprimtari në vëndin tonë” Francesca Caciapaglia”

“Ishte e bukur të shihje pas kaq viteve një ekspozitë të tillë në Parabida u– Heidi”

“I dashur Profesor. Je, si gjithmonë, vetëm i madh. Një profesionist i vërtetë – Leopizzi Vincenzo”

Kur bën violina, Profesor Rriku u vë edhe emra. Psh emrin e së shoqes, të fëmijëve, të nipërve e mbesave, por edhe të violinisteve që vijnë t’i porositin ato. Por, ai asnjeherë nuk lë pa shkruar me kaligrafi të bukur, atje, thellësirave të violines, brënda në kasë,  emrin e  tij dhe të qytetit të mrekullueshëm që e ka lindur.

Ngjet që u vë edhe emra fëmijësh nga më të talentuarit, që ai përgatit vitpërvit. Rriku i don fëmijët shumë dhe, kur ka kohë, ai u tregon atyre përralla e histori që lidhen me letërsinë, muzikën dhe sidomos Shkodrën. Në Itali fëmijët e thërresin “Maestro”.  Në atdhe, ngado – “axha Rrik”.

Ai e priti duke fluturuar propozimin e psikologes së burgjeve, zonjushës Genta Kaloçi, që të takojë të burgosurit e Vaqarrit, ku t’u flasë për artin e magjishëm të gdhëndjes së veglave muzikore si edhe, “ohoooo, si jo, bija ime”, që t’u luajë ndonjë pjesë me violinë djemve që u është privuar liria.

Dajli i “axhës Rrik”, Gjergji, tanimë është violinist me shumë emër dhe përvojë. Sigurisht, ai, patjetër që, sapo të gjejë një violinë më të mirë nga ajo që ia ka dhuruar babai, do ta ndërrojë atë dhe të përdorë nëpër koncertet e tija madhështore tjetrën, më të mirën.

Mirëpo, megjithëse ka kërkuar ngado nëpër botë ku ka dhënë koncerté, ende nuk ka mundur ta gjejë.

Ende nuk ka gjetur dot më të mirë sesa kriejsa e duarve dhe shpirtit të babait të tij, “violinë – viola”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora